Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Off Europe Duke mbajtur frymen

Publikuar me : 26.08.2011 Ne : Kulture - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Lajpcig e Dresden, dy qytetet gjermane i kushtojnë festivalin “Off Europe” Shqipërisë së Madhe Kulturore, kryesisht arteve performative. Drejtori artistik, Knut Geissler në intervistë: “Teatri në Shqipëri është një lloj shërbimi. Eksperimentet janë përjashtime.”

Nga Elsa Demo

Knut Geissler është autor, aktor dhe regjisor që prej vitit 1992 organizon Festivalin “Off Europe”. Një vit para ai kërkoi mbështetje nga strukturat gjermane qendrore dhe të qyteteve Lajpcig e Dresden, që edicionin e radhës t’ia kushtonte arteve performative shqiptare të kohës sonë. I pasigurt ishte për prurjet prandaj projekti i tij fillestar quhej “Lajme nga Shqipëria”. E tani ai ofron “Univers shqiptar” festival shtatëditor, 17-24 shtator, i cili prezantohet në një hapësirë të huaj me filma, teatër, performanca muzikore e të danc teatrit, ligjërata, lexime dhe koncerte.

Knut kërkoi në Shqipëri, Kosovë e Diasporë, sepse mendonte që arti i Shqipërisë do të ishte i paplotë pa “botën e shqiptarëve” në Kosovë, “dy vende të ngjashme jo vetëm me artin po edhe me mjedisin e tyre”. Kërkoi për kompani private të arteve skenike, teatër, danc teatër, kineastë të mirë, dramaturgë, të cilët, duke ushtruar aktivitet me pak para dhe jashtë institucioneve shtetërore e akademike, kanë për qëllim të rrinë jashtë modeleve që imponon politika e ditës, dhe për të zhvilluar një gjuhë artistike individuale.

Filmi nga Kosova prezantohet me “Kukumin” i Isa Qosjes, 2004: një botë pagane të traumatizuarish nga lufta që Qosje i vë të vallëzojnë në një festë të shkëlqyer vizuale. Dhe nga Shqipëria, “Amnistia” i Bujar Alimanit, 2011: dy jetë njerëzish të tranzicionit që regjisori i trondit me një vetëdije intuitive.

Teatri Koreografik i Agnes Nokshiqit që funksionon në Teatrin Oda të Prishtinës, është e para kompani private në Kosovë e themeluar pas luftës. Aktorja koreografe ka përpunuar te “Kanun”, prodhim i vitit 2005, tema të kodit ligjor mesjetar të shqiptarëve, tama të familjes, besës, trashëgimisë, vdekjes. Nokshiqi jeton dhe punon ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit.

Nga Prishtina është ftuar dhe Erëmira Çitaku, flautiste e cila drejton “Fryma e Re”. Do të japë dy koncerte, video-performancë.

“Teatri i Ri” i Enton Kacës nga Tirana përfaqëson vazhdimin e historisë e vjetër e të munduar nga përpjekjet që kanë bërë kompanitë private të artit në Shqipëri. Me “Udhëtimet e Lizës” Enton Kaca pati realizimin më të mirë të kërkimeve të tij që bazohen në një lloj teatri ku përzihen elementet e teatrit narrativ, natyralist dhe të poezisë, me pjesë letrare nga autorë shqiptarë si Kuteli e Migjeni duke i mbajtur motivet sociale dhe intime në një kuadër të sotëm. “Udhëtimet e Lizës” është fitues i regjisë më të mirë në Festivalin e Teatrit të të Rinjve 2007, në Tiranë.

Stefan Çapaliku, me dy interpretime artistike të të njëjtit fenomen social. Me filmin dokumentar “24 karat” mbi fabrikën e braktisur të floririt, të papunët e qytezës së Rubikut, xhiruar më 2010, dhe me dramën “Birrë, gozhdë dhe sapun” vënë në skenë nga Teatri Migjeni në Shkodër. Çapaliku dramaturg aktiv, vitet e fundit edhe regjisor i veprave që shkruan, është ftuar për një intervistë të hapur me publikun.

Aktorja Anisa Ismailaj ne rolin e Mares ne filmin "Kukumi" i Isa Qosjes, 2004

Dhe Kompania e Danc Teatrit e Gjergj Prevazit nga Shqipëria me shfaqjet “Parfumi” dhe “Njeriu në këllëf”. Koreografitë, megjithëse marrin shkas nga vepra të letërsisë botërore, zhvillohen në një terren të lirë, kaotik dhe improvizues shqiptar nga Prevazi dhe balerinët e tij.

Elina Duni që në këtë festival përfaqëson Diasporën, shfaqet pa bandën e saj me dy koncerte të rralla solo me jazz ballkanik.

“Off Europe” mbështetet nga Qyteti i Dresdenit – Zyra për Kulturë dhe Trashëgimi, Departamenti i Kulturës i qytetit të Lajpcigut, Instituti “Gëte” etj..

Zoti Geissler, mund ta prezantoni festivalin tuaj?

Prej 25 vjetësh unë punoj si autor dhe regjisor i pavarur. Në fillim të viteve nëntëdhjetë bashkë me dy kolegë, ngritëm këtë festival me qëllim prezantimin e një teatri të ri që ka çfarë t’i thotë qytetit tonë dhe për të hapur horizonte të reja. Ne jemi mbajtur te ideja se nganjëherë, më mirë se sa të mbledhësh trupa nga të gjitha anët, është investimi për një kërkim më të thellë në teatrin e një vendi. Dhe te qëllimi për të prezantuar diçka që nuk e gjen ose me zor e gjen në Gjermani në mënyrë jo dhe aq domethënëse nëpërmjet medias. Në këtë kuptim, angazhimi im i sivjetshëm me Shqipërinë dhe Kosovën është pjesë e një sërë hulumtimesh në terren, që zënë fill më 1995 me Slloveninë, Rumaninë, Gjeorgjinë, pra në shumë vende – le të themi në skaje të Evropës.

Çfarë tributi i jepni kulturës shqiptare në rendin që përmendët?

Një festival të tillë të vogël e mban gjallë kurioziteti. Dhe përtëritja e vazhdueshme. Sigurisht, jo duke vënë gishtin në hartë, por të udhëhequr nga ajo që është më e rëndësishme dhe më me interes për ne. Shqipëria do të jetë në një të ardhme në vëmendje të Evropës Qendrore. Ne po e prezantojmë që tani me artet dhe kulturën e saj.

Ju e keni kryer vetë kërkimin në terren, me çfarë u ballafaquat?

Njohja e një vendi nis me gjeografinë dhe vazhdon me infrastrukturën. Puna ime është gjithnjë një udhëtim për zbulime me përfitime të mëdha emocionale. Më përpara njihja fare pak artistë shqiptarë të teatrit dhe nga një udhëtim në tjetrin, pyetjet e mia shtoheshin dhe nisa të kërkoj kontakte personale. Jam gjithmonë skeptik ndaj institucioneve të mëdha dhe autoriteteve, të cilat, siç mund ta dini – edhe në Shqipëri, sidomos në fushën e teatrit, farkëtojnë kallëpe.

 

Kjo është përshtypja juaj?

Përshtypja ime është që teatri në Shqipëri është kryesisht një lloj shërbimi. Eksperimentet artistike janë përjashtime, janë të rezervuara për raste të cilat nuk e ndihmojnë besimin dhe shpresën.

Do ta forconte atë pak shpresë që gjetët këtu prezantimi i një kulture shqiptare me horizont më të gjerë, i Kulturës së Shqipërisë së Madhe: Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë?

Në të vërtetë kam kërkuar të gjej diçka tipike shqiptare në vendet ku jetojnë shqiptarë. Në Kosovë kjo “diçka tipike” m’u duk ndryshe nga Shqipëria. Ndërsa në diasporë dëgjon të thuhet “Ai/ajo, në fakt, vjen nga Shqipëria”. Në këtë kuptim nuk do të më ngjallte interes dikush që jeton në Francë si koreografi Angjelin Preljocaj. Sepse ai nuk ka lidhje konkrete me Shqipërinë apo me rrënjët e tij. Megjithatë nuk do doja të bija në pozitën e atij që bën rivlerësim të situatës. Unë përpiqem të prezantoj vendin, kulturën e rajonit nëpërmjet arteve performative të kohës sonë. Edhe ngaqë rrallë merret njeri më këtë.

Keni tani një përkufizim më të qartë për kulturën shqiptare?

Nuk mund të bëj sikur e kam kuptuar popullin tuaj, kulturën tuaj pas vetëm tri udhëtimesh. Por më është krijuar një ndjesi plastike për atë, që periudha e izolimit të madh në rastin e Shqipërisë dhe e konfliktit me (ose kufizimit nga) serbët në Kosovë kanë lënë vulën e vet, ndoshta dhe e kanë ndryshuar shumë popullin tuaj. Diçka e tillë ndikon gjithmonë edhe mbi artin dhe kulturën. Në qoftë se u shton në përfytyrim këtyre përvojave edhe traditën tuaj të fortë, lidhjet e ngushta familjare, bashkë me krenarinë… atëherë kemi të bëjmë në një botë që bëhet gjithmonë e më e ngjashme, me një thesar, një rezervuar prej nga mund të marrësh gjithmonë.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit