Publikuar me : 18.08.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Emirjon Senaj
Vendimi i qeverisë për përcaktimin e pagave të reja prek të administratës shtetërore prek edhe përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë, përfaqësuesit ushtarakë në NATO si dhe të gjithë personelin e administratës që punon jashtë vendit. Vendimi, i cili shtrin efektin që prej 1 Korrikut të këtij viti, parashikon nivelet e reja të pagave për çdo pozicion pune në ambasadat tona nëpër botë si dhe përfaqësuesit ushtarakë, por dhe kompensimet e tyre për koston e jetesës sipas vendit ku ata shërbejnë.
Vendimi përcakton edhe rregulla të reja për sa i përket trajtimit financiar të atyre që sapo emërohen në përfaqësi diplomatike. Këta të fundit do të marrin gjysmën e rrogës mujore paradhënie në valutë, që t’i krijohet mundësia e mbulimit të shpenzimeve vetjake. Kjo paradhënie do të mbahet nga paga në këste mujore për një periudhë gjashtë mujore. Nëse punonjësi kthehet nga shërbimi për një periudhë kohore më të shkurtër nga gjashtë muaj, shlyerja e paradhënies së mbetur do të bëhet në lekë.
Për një pjesë të funksioneve, paga e përcaktuar nuk është fikse, ajo ndryshon në varësi të volumit të punës. Ky përcaktim bëhet me vendim të posaçëm të ministrave të Jashtëm dhe të Financave. Vendimi gjithashtu ka përcaktuar edhe module të reja të pagesave të përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë nëpër botë duke barazuar një pjesë të tyre.
“Paga e atasheut ushtarak nuk mund të jetë më e lartë se ajo e ministrit këshilltar në përfaqësitë diplomatike. Në rastet kur Ministri i Mbrojtjes, në marrëveshje me Ministrin e Punëve të Jashtme, për shkak të ngarkesës së punës, emëron edhe një ndihmës të atasheut ushtarak, ky trajtohet jo më shumë se grada diplomatike e këshilltarit të përfaqësisë diplomatike”,- citohet në vendim. Pagat e përfaqësuesve diplomatik të vendit nëpër botë jepen kryesisht në dollar apo euro, monedha të cilat kanë një përdorim të gjerë në të gjithë rruzullin.
Shtesat e pagës në varësi të vendit ku punojnë
Qeveria ka përcaktuar si vendet më të shtrenjta Londrën, Gjenevën, Milanon apo Stambollin. Vendet më të lira, kryeqytetet e Ballkanit
Shtesa e pagës për koston e jetesës në vendin ku përfaqësuesit diplomatik shërbejnë është një përbërës i rëndësishëm i rrogës mujore të diplomatëve. Qeveria ka bërë një vlerësim të kostos së jetesës në shtetet ku ndodhen ambasadat apo përfaqësi të tjera duke i kategorizuar qytetet në disa grupe. Mbi këtë bazë bëhet edhe pagesa e shtesës së pagës për koston e jetesës.
Në këtë mënyrë, një diplomat që shërben në Nju Jork, sigurisht që ka një pagesë shtesë më të lartë se ai që shërben në Athinë për shembull, apo në një kryeqytet tjetër të rajonit tonë. Duke qenë se pagat bazë të diplomatëve dhe punonjësve të ambasadave janë të përcaktuara mbi kategori pozicionesh, pavarësisht vendit ku shërbejnë, të gjithë diplomatët marrin të njëjtën rrogë. Kostoja e ndryshme e jetesës në këto vende do të diskriminonte një pjesë të diplomatëve në raport me kolegët e tyre.
Nisur nga kjo, vendimi parashikon edhe pagën shtesë. Kështu për shembull, pagesa shtesë për një diplomat apo punonjës i administratës së ambasadës/konsullatës që shërben në Londër, Gjenevë, Milano apo Stamboll është 300 euro në muaj, ndërkohë që kolegu i tij që shërben në Strasburg, Paris, Romë, Uashington apo Berlin, merr një shtesë page prej 260 euro në muaj. E njëjta logjikë është ndjekur edhe për vendet e tjera.
Një diplomat që shërben në vendet e përfshira në kategorinë e tretë si Brukseli, Athina, Ankaraja, Praga apo Varshava, merr një shtesë prej 230 euro, ndërkohë që kolegu i tij që ndodhet në qytete të kategorisë së katërt si Zagrebi, Kajro, Riadi apo Bari merr një shtesë prej 200 euro në muaj. Në vendet e kategorisë së pestë janë kategorizuar qytete të rajonit tonë, siç është Prishtina, Shkupi, Sofja, Podgorica, Bukureshti, etj., të cilët konsiderohen edhe me koston e jetesës më të ulët. Për diplomatët që shërbejnë në këto qytete, pagesa shtesë është 150 euro në muaj. E. Senja
Si ndahen qytetet sipas diplomacisë
Kategorizimi që i ka bërë qeveria disa qyteteve ku ndodhen përfaqësitë diplomatike shqiptare, ka nxjerrë në pah edhe disa fakte interesante në lidhje me koston e jetesës në to. Kategorizimi është bërë nga 1 në 5, ku kategoria e parë janë ato më koston më të lartë të jetesës dhe e fundit, qytetet ku jetohet më lirë. Kështu për shembull, mësohet se kryeqyteti ekonomik i Turqisë, Stambolli është më i shtrenjtë se Uashingtoni, Parisi, Berlini, Madridi apo Vjena.
Nga ana tjetër, Brukseli, i cili njihet edhe si kryeqyteti i Bashkimi Evropian, ka kosto më të lirë jetese se Moska, Milano, Berna. Përmendja e Kinës, krahas murit të madh na sjell në mendje edhe çmimet e lira të mallrave dhe shërbimeve, por jo gjithnjë është kështu. Pekini, renditet si një ndër kryeqytetet më të shtrenjta të botës dhe një diplomat shqiptar që shërben atje merr shtesë page prej 300 euro në muaj, rreth 70 euro më shumë se dikush që shërben në Bruksel apo Pragë.
5 grupe
Ndahen vendet e botës bazuar në nivelin e jetesës. Në grupin e parë bëjnë pjesë disa kryeqytete të shtrenjta të botës si Nju Jorku, Londra apo Tokio dhe pagesat që ambasadorët shqiptarë marrin në këto vende janë më të larta. Në vendin e fundit renditen qytete si Shkupi apo edhe Buenos Aires. Brukseli cilësohet si një qytet shumë më i lirë se sa Milano.
2520 dollarë
Është paga më e lartë që përfiton një ushtarak shqiptar që shërben edhe si diplomat në një përfaqësi shqiptare që ka lidhje me NATO-n. Kjo pagë merret vetëm nga grada Gjeneral Lejtnant vetëm në rastet kur në strukturë parashikohet përfaqësimi i barasvlershëm me një ushtarak me gradë të caktuar, për kohën që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare.
Tatimet mbi pagën
Paga mujore e punonjësve që përfshihen në fushën e veprimit të këtij vendimi i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi. Në bazë të saj do të paguhen edhe detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Pra të gjitha pagat janë subjekt tatimi sipas ligjeve shqiptare (taksë e sheshtë, sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe sigurim suplementar).
465 euro
Është paga minimale që mund të marrë personeli administrativo-teknik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja. Në këtë grup futen shpesh të afërmit e diplomatëve, të cilëve punojnë me kohë të pjesshme dhe u jepen detyra sa për të marrë një rrogë minimale. Por në disa raste në këtë grup futen edhe të afërm të politikanëve, të cilët kryejnë shkollën jashtë vendit dhe marrin një pagesë ekstra duke punuar në ambasada.