Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Paradokset e ministrit te Financave

Publikuar me : 23.06.2011 Ne : Kuriozitete - 122 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Rudina Seseri

Doli në konferencë shtypi Ministri i Financave! Kjo dalje nuk përbën lajm në vetvete, por e marrë në kontekstin e aktivitetit të Ministrit te Financave është tejet ironike, për të mos thënë qesharake. Vetëm pak ditë pasi e vetëshpalli Shqipërinë një vend “të zhvilluar,” Ministri i Financave pranoi sot dështimin total të financave qeveritare. Teksa dëgjoj deklaratën e tij, reagimi i parë është që zoti Ministër mishëron sëmundjen e kësaj qeverie: mungesën e aftësisë dhe integritetit profesional.

Thuajse një vit më parë jam shprehur se Ministri i Financave duhet të largohej si përgjegjësi kryesor për fshehjen e realitetit të financave publike, për manipulimet dhe mashtrimet groteske të treguesve ekonomik, për mediokritetin e tij në krijimin dhe ekzekutimin e buxhetit. Parashikimi që keqmenaxhimi i rëndë i financave dhe ekonomisë do ta çonin vendin në një kolaps financiar. Një vit më vonë, po përballemi me këto konsekuenca.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave deklaroi se ekonomia po rritet me 5 perqind këtë vit, një shifër euforike kjo që mundëson kryeshefin e tij të vazhdojë deklarimet e dalldisura për rritje ekonomike nga viti në vit dhe, sigurisht, se është Shqipëria është numër një në rajon. Për çudinë tonë të madhe, Ministri i Financave nuk na dha asnjë shpjegim për burimet e kësaj rritjeje ekonomike. Sajesat tipike se ekonomia po rritet falë blerjeve të pullave postare dhe bisedave në celular apo nga eksporti i energjisë në vende imagjinare mungonin kësaj here. Kjo rritje ekonomike është tërësisht fiktive.

Konsumi i përgjithshëm ka rënë falë nivelit tejet të larta të papunësisë me mbi 1 milionë të papunë, ndërkohë që çmimet e produkteve bazë vazhdojnë të jenë në ngritje. Sipërmarrjet private janë tashmë në fazën e humbjes së aseteve bazë dhe falimentimeve, duke eliminuar çdo perspektivë për investime, për të mos komentuar më tej për rënien e kursimeve dhe ngrirjes së kapitalit. Qeveria pa arritur mirë gjysmë vitin ka ngrirë projektet e saj sepse nuk ka fonde, ndërsa që importet vazhdojnë të rriten më shumë se eksportet. Pra, asnjë komponent i ekonomisë nuk është në rritje.

Sapo na lumturoi me bëmën e rritjes ekonomike, Ministri na lajmëron se të ardhurat e qeverise po bien, kështu që i duhet sërish të ribëjë buxhetin e të uli te shpenzimet. Çfarë?! Megjithëse ekonomia shqiptare po “lulëzon,” qeveria nuk mbledhka dot të ardhurat?! Broçkullat më të mëdha të Ministrit të Financave qëndrojnë në shpjegimet e tij për këtë pseudo-fenomen unik. Sipas tij, sipërmarrësit dhe bizneset në vend nuk kanë ushtruar aktivitetin e tyre, sepse kanë qenë të okupuar me “ribërjet e strategjive” të tyre të biznesit. Pra, për thuajse gjysmë viti, bizneset shqiptare kanë ndaluar se operuari, s’kanë nxjerrë fitime e s’kanë paguar taksa. Sa biznese në botë ndalojnë së operuari, sepse ribëjnë strategjitë dhe ripozicionojnë në treg kompanitë e tyre? Asnjë. Strategjibërja dhe ekzekutimi janë të ndërlidhura, ato evoluojnë dhe implementohen paralelisht. Të vetmet biznese që ndalojnë së operuari janë ato që falimentojnë e mbyllin dyert.

Në fjalën e tij, Ministri vijoi të thotë se një pjesë e mirë e bizneseve të cilat, sipas tij, strategjizojnë për gjysmë viti, perverse nuk kanë nxjerrë fitime, kanë investuar në blerjen nga jashtë të “makinerive e pajisjeve të reja,” madje 25 perqind më shumë se një vit më parë, duke shfrytëzuar afatet më të gjata për shlyerjen taksore. Natyrshëm lind pyetja, me çfarë kapitali po i financojnë blerjet këto biznese? Në mungese të kredidhënies, e cila është në nivelet e saj më të ulëta në 7 vite, dhe në mungesë të fitimeve, nga burojnë këto kapitale financimi? Për më tepër, në cilat industri e sektorë po përdoren këto makineri e pajisje duke qenë se industria e prodhimit dhe ajo e ndërtimit kanë ngrirë prej më shumë se 18 muajsh? Së fundmi, nëse këto pajisje janë blerë vërtetë, pagesa tatimore e sipërmarrësve vetëm është shtyrë në kohë dhe qeveria mund t’i mbledhë këto të ardhura në gjysmën e dytë të vitit pa pasur nevojë të rishohë shpenzimet. Argumentet e Ministrit të Financave për rënien drastike të të ardhurave janë jo vetëm sipërfaqësore, por aq të pabaza sa nuk i shkojnë për shtat as edhe një llogaritari të thjeshtë kooperative.

E vërteta e pastër është se Ministri i Financave nuk ka nga të nxjerrë më të ardhura. Bizneset janë në falimentim, lëvizja e kapitalit është e ngadaltë dhe ekonomia ka ngrirë. Në mungesë se të ardhurave taksore e tatimore, Ministri i Financave shfrytëzoi edhe rrugët e financimit mes instrumenteve kreditore duke e zhytur vendin në borxhe dhe pagesa periodike interesi që po bëhen të papërballueshme. Me mbylljen e kredive si burim parash, qeverisë i ka mbetur vetëm një alternativë: likuidimi i të gjithë aseteve shtetërore, nga hidrocentralet tek portet e deri tek shërbimi i ujit të pijshëm, pavarësisht rëndësisë strategjike të aseteve dhe mungesës së logjikes ekonomike të këtyre likuidimeve. Mjafton të lexosh Ligjin Nr. 10 430 për privatizimin e hidrocentraleve, të aprovuar ne Kuvendin monopartiak, për të kuptuar se ku ka arritur dëshpërimi. Ligji parashikon shitjen e hidrocentraleve me çdo formë, nga shitja e aksioneve deri tek koncesioni, si të dëshirojnë blerësit, por vetëm t’i japin qeverisë pak para për në arkën e saj.

Realitetin e falimentimit ekonomiko-financiar të vendit duhet ta pranojmë të gjithë, duke filluar nga Ministri i Financave. Sot, Shqipëria dhe shqiptarët janë më të varfrit në Europë, të zhytur në borxhe dhe, së shpejti, të zhveshur e të shpronësuar nga çdo aset. Ministri i Financave, si kryekeqmenaxhuesi i financave mban përgjegjësi direkte për falimentimin financiar të qeverisë dhe vendit.

Prandaj, Zoti Ministër i Financave, serish ju them, largohuni. Nëse në vitet ‘90 e pasuruat CV-në tuaj me skemat piramidale, në këtë dekadë i shtuat asaj dështimin financiar të vendit.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Kamikazet e drejtesise perballe vellezerve Deda

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 55 here.
Fatos Mahmutaj Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij. Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën...Lexo te gjithe artikullin »


» Si e njoha Niko Agon
» Amnistimi i Serbise
» Bashkemoshatareve te mia
» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit