Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Politike - 45 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Me konsensusin e të dy palëve, Parlamenti miratoi dje ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat rrisnin masat e gjobave të qarkullimit rrugor. Fillimisht ka qenë Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese që për një orë diskutoi propozimet e paraqitura nga opozita dhe nga institucionet e tjera ndryshimet në Kod siç ishin rritja e nivelit të gjobave si dhe diferenca ndërmjet kufirit minimal dhe maksimal. Në përgjithësi Parlamenti miratoi dje dyfishimin e kufirit minimal të të gjitha gjobave dhe trefishimin e kufirit maksimal. Ndryshimet parashikojnë edhe pikëzimin e patentës. Një tjetër ndryshim i përshkruar shkurtimisht në ligj, por që do të prekë shumë gjerësisht drejtuesit e mjeteve është mos falja e gjobave. “Gjobat apo kundravajtjet administrative nuk parashkruhen”,- thuhet në ligj në një kohë që ligji i vjetër i falte gjobat pas një afati prej një ose dy vitesh.
Tashmë ligji do të dërgohet për dekretim tek Presidenti i Republikës dhe nëse ai e miraton do të publikohet në fletoren zyrtare. Pjesa më e madhe e ndryshimeve do të hyjnë në fuqi dy javë pas publikimit në fletoren zyrtare, pra në ditët e para të vitit 2012. Ka edhe nga ato ndryshime që do të hyjnë në fuqi pas disa muajsh.
Sipas parlamentit, niveli i ri i gjobave synon uljen e numrit të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë ndërsa ulja e diapazonit midis nivelit minimal dhe maksimal të gjobave synon të ulë nivelin e korrupsionit në radhët e forcave të Policisë së Shtetit. Në draftin e saj, Policia kërkonte katërfishimin e të gjitha gjobave aktuale. Por deputetët e opozitës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile ngritën shqetësimin e nivelit të lartë të gjobave dhe veçanërisht të hapësirave që i lihet efektivëve për përcaktimin e masës së gjobës.
Drejtuesit e automjeteve do të duhen të tregohen më të kujdesshëm edhe përkundrejt përdorimit të pijeve alkoolike. Me ndryshimet e reja, të gjithë ata që do të kapen nën efektin e lëndëve alkoolike apo të drogës do të përballen me gjoba tepër të rënda, dhe në disa raste edhe me heqje të lejes së drejtimit apo me burg. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që përdoruesit e alkoolit ti ndajnë në dy kategori. Në grupit e parë përfshihen ata të cilët janë nën ndikimin e alkoolit ku gjobat ndonëse dyfishohen, janë më të lehta. Ndërsa në grupin e dytë futen ata të cilët janë në gjendje të dehur. Me evidentimin e gjendjes së dehur, punonjësit e policisë do të autorizohen që të ndalojnë udhëtimin e mëtejshëm duke konfiskuar makinën. Edhe ata që mendojnë se do t’ia hedhin kollaj nga pagesa e gjobave, do të bëjnë mirë që të tregohen më të kujdesshëm pasi është hequr parashkrimi, ç’ka do të thotë gjobat do i kenë për të gjithë jetën.
Gjobat e shpejtësisë
Mosrespektimi i kufijve minimalë të shpejtësisë ose i kufijve maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë”.
Kalimi i shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga katër mijë deri në dymbëdhjetë mijë lekë”.
Shkelja me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga një deri në tre muaj. Për ata që kanë lejedrejtimi prej më pak se 3-vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për tre deri në 6 gjashtë muaj.
Për shkelje shpejtësisë maksimale ndëshkohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë kjo kategori:
a) ciklomotori: 30 km/orë
b) automjete ose motomjete që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme, kur udhëtojnë të ngarkuar: 50 km/orë jashtë qendrave të banuara; 30 km/orë brenda qendrave të banuara;
c) makina bujqësore dhe makina teknologjike: jashtë qendrave të banuara 40 km/orë dhe 20 km/orë brenda qendrave të banuara, kur kanë rrota pneumatike ose sisteme të tjera të barasvlershme;15 km/orë në gjithë rastet e tjera…
f) autobusë dhe trolejbusë me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 8 tonë: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara, 35 km/orë në qendrat e banuara, 90 km/orë në autostradë;
g) automjete të destinuara për transportin e mallrave ose për përdorime të tjera, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 3.5 tonë dhe deri në 12 tonë: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara; 90 km/orë në autostradë;
h) automjete të destinuara për transportin e mallrave ose për përdorime të tjera, me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 12 tonë: 60 km/orë jashtë qendrave të banuara; 80 km/orë në autostradë;
i) kamionë me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 5 tonë që përdoren për transportin e njerëzve sipas Nenit 81, pika 6: 70 km/orë jashtë qendrave të banuara; 80 km/orë në autostradë;
l) makina ngarkim-transporti kur udhëtojnë me ngarkesë të plotë: 30 km/orë në qendrat e banuara; 60 km/orë jashtë qendrave të banuara.
Gjobat për drejtimin në rrugë
Qarkullimi në kundravajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Për pozicioninimin e mjetit në rrugë si mos ruajtja e krahut, kalimi i shpejtësinë në zonat urbane, pranë shkollave, kundravajtje në kthesa, në rakordimet konvekse ose në ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën kundravajtje dënohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Për shkelje të qarkullimit të mjeteve në rreshta paralele gjobat variojnë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Për mosrespektim të përparësisë gjobat do të jenë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor ose orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Shkelje të rregullave në kalimet në nivel ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Parakalimi dhe ndriçimi
Për parakalimet e gabuara gjobat janë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Për shkelje të ndalimit të parakalimit gjobat do të jenë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit nga drejtuesit e autotrenave, gjysmërimorkiatorëve dhe artikularëve parakalimi i autotrenave, gjysmërimorkiatorëve, artikularëve dhe kamionëve, gjobat do jenë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Shkelja e largësisë së sigurisë ndërmjet mjeteve ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Mosrespektimi i sinjalizimit pamor dhe ndriçimit të mjeteve ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Përdorimi në mënyrë të gabuar sistemeve të sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Ndryshimi i drejtimit a i korsisë ose manovra të tjera të gabuara ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Kush nuk ndez sinjalet në mjetin e ndaluar, ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
Cilido që shkel rregullat e transportit të objekteve pasi janë me përmasa më të mëdha ose nuk ka vendosur sinjalistikë treguese dënohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Shkelja e rregullave për tërheqjen e mjeteve me avari ndëshkohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë”
Mjetet mbrojtëse
Mospërdorimi i kaskës mbrojtëse për përdoruesit e mjeteve me dy rrota ndëshkohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Kur shkeljen e kryen një pasagjer me moshë jomadhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit.
Cilido, që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në një tre mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
Mospërdorimi i syzeve optike dhe përdorimi i celularit apo kufjeve gjatë udhëtimit dënohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë
Gjobat e alkoolit
Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit ndryshon tërësisht:
Është i ndaluar drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur, si pasojë e përdorimit të pijeve alkoolike.
Është i ndaluar drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e alkoolit.
Cilido, që drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në 15 mijë lek. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejedrejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit dhe nga një vit deri deri në dy vjet.
Kur shkelja e mësipërme e kryer në përsëritje nga drejtuesi i një autobusi ose nga drejtuesi i një mjeti, masa komplet e ngarkesës së të cilit është më e madhe se 3.5 ton. (ose kompleks mjetesh). përveç masave të gjobës të parashikuara në paragrafin e dytë, për drejtuesit e mjeteve të sipërcituara, zbatohet masa plotësuese e heqjes së lejedrejtimit.
Kur mjeti nuk mund të drejtohet nga një njeri tjetër i përshtatshëm, mund te tërhiqet deri në vendin e treguar nga i interesuari, ose në ofiçinën më të afërt dhe lihet nën kujdesin e pronarit ose të administratorit me garancitë normale për ruajtjen e mjetit.
Me qëllimin kontrollin e drejtuesve organet e policisë duke respektuar kushtet e privatësisë personale i vendosin drejtuesit e mjeteve nën kontrolle kualifikuese nëpërmjet aparaturave alkool-testuese.
Kur nga verifikimet kualifikuese rezulton përfundim pozitiv, dhe në të gjitha rastet e aksidenteve rrugore, ose kur ekzistojnë motivet që drejtuesi i mjetit është në gjendje jonormale psikofizike si rezultat i ndikimit të përdorimit të pijeve alkoolike, organet e Policisë kanë të drejtë të kryejne verifikimet përkatëse duke bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit në zyrën ose komandën më të afërt.
Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat 6 dhe 7 të këtij neni, rezulton një vlerë që i korrespondon një niveli alkoolik, më shumë se 0.5 gram për litër (g/l) drejtuesi i mjetit konsiderohet në gjendje të dehur dhe i nënshtrohet gjobës dhe heqjes së lejedrejtimit
Kur nga verifikimet rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 1.5 gram për litër (g/l), duke konsideruar zbatimin e ndalimit të mjetit, policia mund të kërkojnë që drejtuesit të mjeteve t’i nënshtrohen vizitave mjekësore
PD: Të mos quhen më Kode, por ligje të thjeshta
Mazhoranca kërkoi dje ndryshimin e procedurës së miratimit të ligjeve që kërkojnë 3/5. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi deklaroi se Kodet duhet të miratohen në të ardhmen me shumicë të thjeshtë. Sipas tij, nevoja e ndryshimeve në Kod janë të shpeshta, dhe për pasojë kërkohet lehtësira në procedurë. “Kemi pasur një vështirësi të jashtëzakonshme për të kaluar ligjet me 3/5 deri sa kemi arritur këtë moment. Në fakt ne kemi disa ligje me 3/5, që nuk duhen të jenë me 3/5. Ne kemi një Kod Rrugor që nuk duhet të jetë me 3/5. sepse shumica e vendeve të BE, kanë ligj rrugor dhe duhet të jetë me shumicë të thjeshtë. Nuk ka të bëjë me mazhorancës e sotme. Ka të bëjë me mazhorancat që do të vijnë këtu e 100 vjet”, theksoi ministri Olldashi. Sipas ministrit, e njëjta procedurë duhet zbatuar edhe me Kodin Arjor, Detar apo atë Hekurudhor, të cilat janë thjesht teknike.
Miratohet Kodi, patentat e reja do jenë me pikë
Brenda 18 muajve shqiptarët do të kenë në duar një patentë të re, e cila do të funksionojë me sistem pikësh. Parlamenti miratoi dje propozimin e paraqitura nga Eduard Shalsi në emër të opozitës, për futjen e patentës me pikë. Në këtë mënyrë do të ndryshojë edhe sanksionet ndaj shkelësve të qarkullimit rrugor. Por si do të funksionojë patenta e re me pikë? Në projektligj janë përcaktuar të gjitha detajet të cilat nisin me dhënien e 20 pikëve për çdo shofer.
Një sasi e tillë pikësh,do të jetë e shënuar në arkivin kombëtar të personave të pajisur me lejedrejtimi. Kur konstatohen njëkohësisht më shumë shkelje të normave të sjelljes, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë. Dispozitat e këtij paragrafi nuk aplikohen në rastet në të cilat është parashikuar pezullimi ose revokimi (heqja) e lejedrejtimit. Nëse do konstatohet shkelja dhe do t’i ulen pikët drejtuesit, do të njoftohet arkivi kombëtar. Konstatimi do të quhet i plotë dhe përfundimtar kur është kryer pagesa për masën administrative me gjobë, ose kanë përfunduar proceduarat e ankimimit administrativ dhe gjyqësor. Afati i ankimimit prej tridhjetë ditësh mbaron nga njoftimi që merr organi i policisë për pagesën e sanksionit, nga skadimi i afateve të ankimimeve ose rekurseve, si dhe nga përfundimi i rekurseve të mësipërme. Nëse mjeti do të jetë pronë e ndonjë kompanie ose institucioni, pra organ juridik, pronarët do të jenë të detyruar që të japin informacione policisë. Ata që nuk tregojnë pa justifikim dhe motiv të dokumentuar, të dhënat e kërkuara, do të jenë subjekt i sanksionit administrativ me masë me gjobë në vlerën nga pesë mijë lekë deri në dhjetëmijë lekë.
Çdo ndryshim i sasisë së pikëve do u komunikohet të interesuarve nga ana e arkivit kombëtar të lejeve të drejtimit. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, mungesa për periudhën prej dy vjetësh e ndonjë prej shkeljeve, do të ketë rikthim të 20 pikëve. Për mbajtësit e lejedrejtimit të paktën njëzet pikë, mungesa për një periudhë prej dy vjetësh, e shkeljes së një rregulli të sjelljes të cilat mund të çojë në zbritje pikësh, përcakton dhënien e një krediti prej dy pikë, deri në një maksimum dhjetë pikësh.
Ndërsa në rast të humbjes totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik. Të njëjtit provimin duhet t’i nënshtrohet mbajtësi i lejdrejtimit, qe pas njoftimit të shkeljes se parë që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen e dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën pesë pikësh secila. Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk do t’i nënshtrohet verifikimeve te rinovimit të lejedrejimit, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për ta rinovuar atë, leja e drejtimit do të pezullohet pa afat, me akt të veçantë të zyrës respektive të arkivit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit rrugor. Urdhri për pezullimin e mbajtësit të lejedrejtimit do t’i njoftohet policisë rrugore.
Olldashi: Duam votën e PS edhe për patentën me pikë
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi shprehu shqetësimin lidhur me ndryshimet në Kod për futjen e pikëzimit, duke kërkuar konsensusin e opozitës edhe pas 18 muajsh. Sipas ministrit, ndryshimi i sistemit, kërkon që patentat e reja të jenë me pikë, por për këtë nevojiten sërish votat e opozitës. “Është e vërtetë që kemi vendosur me konsensus dhe do ta miratojmë çështjen e pikëzimit, të cilin ne po punojmë dhe që kërkon një farë kohe sepse implikon jo vetëm Ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit në sistemin e sigurimeve dhe një sërë hallkash të një zinxhiri të gjatë. Problemi është që në qoftë se ne do të na duhet që për shkak të teknikaliteteve të paketës që do të shoqërojë pikëzimin e patentave mbas 18 muajsh, nëse do të kemi një ndryshim në Kod, a do të kemi konsensus? Kjo është një pikëpyetje në ajër, se nuk ka kush ti përgjigjet”, deklaroi Olldashi.