Publikuar me : 07.10.2011 Ne :
Politike - 75 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Mazhoranca dhe opozita duket se e kanë të pamundur që të arrijnë një marrëveshje mes tyre. Edhe atëherë kur duket se gjërat janë shumë pranë, ndodh e kundërta dhe hendeku mes dy forcave sa vjen e thellohet. Dje parlamenti dështoi sërish për miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Opozita ashtu si në seancat e mëparshme shprehu qëndrimin e saj kundër projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave duke e kushtëzuar me pranimin e paketës prej dhjetë pikash për zgjidhjen e krizës politike ndërsa mazhoranca nuk lëviz nga qëndrimi i saj për të mos pranuar asnjë kërkesë të opozitës.
Ka qenë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ajo kërkoi prej opozitës dhënien e pëlqimit për miratimin projektligjeve që kërkojnë edhe konsensusin e opozitës. Sipas saj, këto projektligje janë të domosdoshme për integrimin. Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili tha se BE pret nga klasa politike shqiptare kontributin e përbashkët për plotësimin e 12 rekomandimeve, si kushti për marrjen e Statusit të vendit kandidat.
Duke iu referuar miratimit të ligjeve me tri të pestat, Patozi bëri thirrje opozitës të heqë postbllokun e integrimit, pasi ky qëllim është axhendë kombëtare. “Ne jemi këtu të gatshëm dhe pa asnjë mëdyshje për të plotësuar secilën nga 12 pikat e opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ne jemi me dorën ngritur që tani, për secilën nga 52 rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Ne jemi plotësisht dakord për çdo standard të ri në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë që bazohet në atë të Parlamentit Europian. Ne nuk vëmë kushte”,- u shpreh zoti Patozi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili kërkoi një përgjigje nga mazhoranca për ofertën e tyre. Ruçi tha se opozita ka bërë ofertën e saj për zbatimin e rekomandimeve të BE dhe tashmë topi ndodhet në fushën e mazhorancës. “Të ngarkohet Komisioni i Ligjeve të këtij Parlamenti që brenda këtij sezoni, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad-hok konstitucionalistësh, me grupe interesi, me ekspertë të BE-së, rast pas rasti, të gjitha nenet dhe projektligjet sipas fushave, në një proces të hapur e transparent”, propozoi Ruçi. Kjo u kundërshtua sërish nga mazhoranca duke bërë që ligjet të qëndrojnë pezull në Parlament. Këtë gjë e kuptoi edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila vendosi që projektligjet të jenë në axhendën e Parlamentit në çdo seancë që do të zhvillohet.
Seanca e kësaj jave ishte vazhdim i debateve që kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe jetën politike shqiptare. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga 12 tetori (Data e publikimit të progres-raporti për vendin tonë), mazhoranca ka shtuar akuzat e saj në drejtim të opozitës duke e fajësuar për humbjen e statusin si pasojë e mosbotimit të ligjeve që kërkojnë 84 vota. Tashmë është e qartë që Shqipëria do të marrë një përgjigje negative dhe do të hyjë në historinë e BE-së si i vetmi vend që i është refuzuar dy herë statusi i vendit kandidat, demokratët pretendojnë se bojkoti i opozitës është shkaku kryesor i refuzimit.
Nga ana e saj opozita është rikthyer në parlament dhe ka depozituar paktin prej dhjetë pikash, midis të cilave janë ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore, ndryshimi i rregullores. Por pavarësisht se të dy palët kanë caktuar negociatorët të paktën për nisjen e reformës zgjedhore, aktualisht mazhoranca dhe opozita vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti në hedhjen e hapave konkretë.
Parlamenti miraton mes debateve buxhetin faktik 2010
Mes debatesh të shumta mazhoranca miratoi e vetme buxhetin faktit për vitin 2010, i cili, sipas saj, është nevojë e krizës situatës së re ekonomike globale. Nga ana e saj ppozita akuzoi mazhorancës për dështimet e qeverisë në përballimin e situatës ekonomike si dhe për humbje totale të lidhjeve me realitetin. E gjithë seanca u karakterizua nga debate që nisën nga piramidat e vitit 1997 deri tek vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi pak ditë më parë.
Pasi mbajti një monolog të gjatë duke treguar për herën e parë që kishte parë një kompjuter “Apple” dhe se sa ia kishte ndryshuar jetën ajo ditë, kryeministri Berisha iu rikthye akuzave për opozitën, e cila kundërshtoi buxhetin. “Se si ua bën zemra që votoni kundër ju e dini, në xhepat e qytetarëve shqiptarë ka shkuar një pjesë të mirë e buxhetit të qeverisë. Kjo qeveri e një vendi të vogël i dha qytetarëve rritjen më të madhe në historinë e tyre. Ç’është ky negativizëm? A e dini ju që në 8 vite kemi vendosur 13 mld lekë vetëm në pensione. Nga 50 mld lekë që ishte fondi i pensioneve, sot është 106 mld lekë”, u shpreh kryeministri Berisha. Shifrat e dhëna nga kryeministri për rritjen e pensioneve, subvencionit të ilaçeve dhe të përmirësimit te jetës u kundërshtuan nga përfaqësuesit e opozitës të cilët i cilësuan si gënjeshtrat e radhës të mazhorancës.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, kërkoi sqarime për buxhetin faktik ndërkohë që e akuzoi atë për shmangie nga përgjegjësitë për nivelin e varfërisë që sipas tij ka pllakosur vendin. “Nuk jam unë që duhet të flisja për problematikën. Ju nuk folët asnjë fjalë për buxhetin, por për opozitën, nuk ka kryeministër që të drejtojë gishtin nga opozita, por është opozita që duhet të drejtojë gishtin nga qeveria. Fytyra njerëzore e qeverisë është buxheti, kjo fjalë e jotja është e vërtetë. Ju rritët TVSH-në, ndërkohë që për ilaçet mund të them që ju keni qenë mjek i vlerësuar nga shqiptarët por ato nuk do ta falin që e kë dërguar shëndetësinë 1 shekull prapa”, theksoi Ruci.
Në debatin e gjatë prej mëse 3 orësh janë përfshirë edhe ekspertët e tjerë të dyja kampeve politike. Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, njëherësh edhe një nga kritikët më të ashpër të buxhetit faktit në komisionin përgjegjës, Erjon Braçe u shpreh buxheti i vitit 2010 rriti borxhin publik për çdo qytetar shqiptar. Deputeti Braçe theksoi se rritja ekonomike është stimuluar nga borxhet të mëdha publike dhe private.“Shtesa e borxhit publik zë 97 perqind të asaj rritjeje ekonomike që raportohet nga qeveria” – deklaroi deputeti socialist duke shprehur shqetësimin se “Po prekim pikën kritike të borxheve”.
Vetë Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se rritja ekonomike në vendin tonë është prej 4 për qind. Kushtet e tregut të punës, sipas kreut të financave, janë përmirësuar në tremujorët e fundit të 2010-ës, pas ngërçit në tremujorin e parë të po këtij viti, duke pasqyruar rimëkëmbjen në aktivitetin ekonomik. Në shifrat e dhëna nga Ministria e Financave thuhet se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1,8 perqind në terma vjetorë në tremujorin e dytë të 2010 dhe vazhdoi të rritet me 2.6 perqind dhe 3.1 perqind në tremujorin e tretë dhe tremujorin e katërt të po këtij viti. Këto shifra sipas ministrisë janë reflektuar kryesisht në rritjen e numrit të punësuarve në industri dhe në sektorët e shërbimeve. Duke folur për nivelin e papunësisë, Ministri i Financave Ridvan Bode u shpreh se norma e papunësisë qëndroi në nivelin 13.5 perqind duke shënuar një rënie të moderuar nga niveli 13.8 perqind që regjistronte në tremujorin e tretë të vitit 2009.
Debatet dje në sallë
Sali Berisha: Ju, në negativizmin tuaj pothuaj kongjenital, hidhni poshtë çdo projekt e çdo votim. Problemi juaj nuk është inati i momentit, ndaj dhe unë them kongjenital, sepse ju nuk pendoheni për atë që bëni. Njeriu mund të bëjë gabim, por nuk keni thënë ndonjëherë këtë e bëmë gabim. Sa përflisni, shkoni e shikoni rrugët, takoni inxhinierët dhe shihni rrugët që ndërtohen. Kur u ngjitët në Kalën e Dodës, thatë u duk sikur u ngjitëm në Everest dhe ishit veshur e filmuar sikur po vinit nga Everesti. Tani mund të shkoni me rrugë të shtruar të klasit të parë dhe nuk ka nevojë të tregoni trimëri se fjetët një natë në Kalanë e Dodës. Ta keni për nder që fjetët një natë në Kalanë e Dodës.
Gramoz Ruçi: Akoma pas 20 vjetësh, megjithëse, përgjërohesh për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë e tregut, për qeverisjen në kushtet e sistemit, nuk ke kuptuar gjënë më themelore. Qeveri ka pasur edhe Zogu, po s’ka pasur opozitë. Qeveri ka pasur edhe Enveri, po s’ka pasur opozitë. ….Je mjek. Dhe shqiptarët të mbajnë mend në atë kohë si mjek shumë të mirë, shumë të talentuar.
Pandeli Majko: Ne e dimë shumë mirë se Titaniku ynë ka ajsbergun përballë, të kishit ardhur me seriozitet në Parlament pa e filluar me Stiv Jobs, të na kishe besuar buxhetin. Titaniku ka përballë ajsbergun, ti na thua është akullore… Ministrat tuaj a i keni pyetur se sa është borxhi që shteti shqiptar duhet t’i njohë të përndjekurve dhe ish-pronarëve? Mbajte një faqe e gjysmë retorikë për Stive Jobs por a e di ti se një djalë i ri, një gjykatës u vra në mes të Vlorës nga mafia e pronave që sot është realitet? Ti shpike legalizimin, legalizove antikomunizmin dhe pastaj shtëpitë e ndërtuara në tokë të paligjshme. Ky është realiteti, ky është buxheti faktik, nuk e votoj këtë legalizim
Sali Berisha: I nderuar zotëri se çfarë ndodhi me Titanikun atë e faktoi 8 Maji. Nuk është se nuk notuam, nuk është se nuk u ballafaquam, problemi është se ju keni dhuntinë e vetme që realitetin ta pranoni siç ju pëlqen juve dhe jo siç është. Ti për 8 vite me radhë nuk ju dhe asnjë qindarkë të vetme as pronarëve dhe as të përndjekurve. Nuk zbatove asnjë germë për ligjin e të përndjekurve, ndërsa për pronarët nuk bërë asnjë ligj.
Pronat e firmave piramidale, debate PD-PS
Miratimi i ligjit që përcakton procedurën e shitjes së aseteve që kanë mbetur nga firmat piramidale riktheu edhe një herë debatet me temën e nxehtë të vitit 1997. Socialistët akuzuar mazhorancën dhe veçanërisht kryeministrin Berisha si grabitës të kursimeve të qytetarëve. Gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në projektligjin “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, deputeti Ilir Bejtja akuzoi Berishën se në kohën kur ishte president i ka dhënë mbështetje ngritjes së firmave piramidale. “Berisha ishte njeriu që i udhëhiqte këto piramida ku në atë do të deklaronte që “Paratë e shqiptarëve janë më të sigurta dhe të pastra se kurrë.” Ndaj kërkoj nga ju të di se kush është marrë me llogaritjen e parave e pronave të këtyre firmave? Kush I mori ato?”, tha Bejtja.
Ndërsa ministri i Financave Ritvan Bode, i cili ka mbajtur të njëjtin post edhe në atë kohë, sulmoi socialistët për pronat e konfiskuara të këtyre firmave. Madje, sipas Bodes, nga shitja e këtyre pronave kanë përfituar edhe deputetë aktualë të opozitës. “Sali Berisha nuk i ka borxh asgjë shqiptarëve, por është Partia Socialiste ajo që në atë kohë i premtoi se do ia kthente një më një çdo lek të humbur nga këto firma. Ajo jo vetëm që nuk ia ktheu, por përkundrazi, disa nga deputetët socialistë që janë të pranishëm sot në këtë sallë kanë përfituar jo vetëm para “cash”, por dhe pronat e firmave. Sot me këtë amendament Sali Berisha po kërkon të shlyejë ato që Partia Socialiste nuk bëri për tetë vite që ishte në pushtet”, tha ministri i Financave, Ridvan Bode.
Kuvendi miraton tre projektligje
Gjatë seancës së djeshme Parlamenti miratoi vetëm me votat e mazhorancës tre projektligje. I pari ishte ai “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për regjistrin themeltar të gjendjes civile në Shqipëri”. Ligji mori 71 votat e mazhorancës, 53 socialistë votuan kundër ndërsa katër të tjerë nuk votuan. Relatori i Komisionit Parlamentar të Jashtëm, deputeti Luçiano Boçi u shpreh se sistemi i regjistrit bazohet në modelin austriak dhe mishëron drejtimet on-line, atë funksional dhe operacional të regjistrit të gjendjes civile. Me 71 vota pro kaloi edhe projektligji “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë” të ndryshuar”. Sipas relacionit synohet rregullimi i pengesës ligjore të hasur në ligjin përkatës, pikërisht në termin e “hapje e ankandit”. Ndryshimi ligjor bën të mundur heqjen e kësaj shprehje, e cila deri më tani ishte bërë pengesë për mos shitjen e aseteve të mbetura nga firmat piramidale, pasi kufizonte aksesin e publikut në njohjen e çmimit të ankandit. Edhe Buxheti Faktik për vitin 2010 mori 71 vota pro, 53 kundër dhe katër deputetë nuk votuan. Kryetarja e Kuvendit njoftoi edhe emërimin e deputetit Shpëtim Idrizi anëtar të Komisionit të Integrimit.
Shifrat parlamentare
Që mazhoranca qeverisëse në Shqipëri do të ishte tepër e brishtë, kjo u pa që pas përfundimit të zgjedhjeve në vitin 2009. 74 votat e mazhorancës, kundrejt 66 të opozitës do ia bënin shumë të vështirë jetën parlamentare koalicionit të djathtë. Por në realitet ka ndodhur e kundërta. Pas periudhës së bojkotit, opozita hyri në Kuvend e përgjysmuar. Teksa mazhoranca i druhet ndonjë truku ligjor dhe bën të pamundurën për të pasur gjithmonë 71 deputetë në sallë, edhe kur disa deputetë janë jashtë vendit, opozita nuk e merr mundimin të plotësojë shifrat e saj. Mesatarisht në seancat parlamentare opozita paraqitet me 53-55 deputetë pasi dhjetë prej tyre mungojnë.