Publikuar me : 15.09.2011 Ne :
Politike - 79 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Më shumë se katër muaj pas 8 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se do ti japë fund “telenovelës” së zgjedhjeve vendore duke miratuar rezultatin përfundimtar për të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë. Në projektvendimin e hartuar nga administrate e institucionit dhe që do të diskutohet sot është përpiluar tabela me rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, të cilët janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore përkatëse. Projektvendimi përmban edhe numrin e votave të fituara nga secili subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjektet zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se pesë ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Por mbledhja duket se nuk do të jetë e qetë pasi priten debate të forta ndërmjet anëtarëve të KQZ-së, të cilët kanë treguar se kanë qenë të përçarë në vendimmarrjen e tyre gjatë zgjedhjeve vendore. Për më tepër për miratimin e vendimit për rezultatin përfundimtar nevojiten pesë vota. Nëse tre anëtarët e majtë të këtij komisioni nuk do të japin konsensusin e tyre, do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që të do detyrohet të mblidhet sërish për tu shprehur.
Në projektvendim është bërë një histori e zgjedhjeve, por duke anashkaluar pjesën e Kolegjit Zgjedhor duke mos u thelluar në problematikën e shfaqur si ndryshimi i rezultatit në tavolinë apo edhe procesi katër mujor i përfundimit të proceseve ankimore në gjykatë.
“KQZ dispononte rezultatin e votimit për 375 kandidatë për kryetar njësie dhe rezultatin e votimit për 381 këshilla vendorë. Në përfundim të procesit të ankimit në rrugë administrative në KQZ dhe ankimit në rrugë gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor, KQZ vendosi të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në 10 njësi zgjedhore me datë 31.07.2011. Në 2 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve si për kryetarin dhe për këshillin, në 7 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për kryetarin dhe në 1 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për këshillin”, citohet në projektvendim.