Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Pas shkrimit ne “Shekulli”, familjaret e Artan Kurtit shkojne ne prokurori

Publikuar me : 12.07.2011 Ne : Kronike - 134 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË- Botimi në gazetën “Shekulli” i historisë së braktisjes së Artan Kurtit ka sjellë reagimin e familjarëve të tij. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në redaksinë e “Shekullit” ka rënë telefoni, ku të afërmit e 47 vjeçarit Kurti kanë kërkuar të dinë më shumë se lajmi që ishte botuar. Pasi kanë marrë të dhënat ata i janë drejtuar institucionit të Prokurorisë së Tiranës, konkretisht zyrës së prokurorit Albert Demirneli duke kërkuar të dinë për fatin e njeriut të tyre. Në zyrën e prokurorit Demirneli që ndodhet në katin e tretë të institucionit të akuzës, e motra dhe ish-bashkëshortja e dytë e 47 vjeçarit kanë dhënë deklarimet e tyre për jetën e të afërmit të tyre, i cili që prej datës 7 prill 2011 dergjet në morgun e Tiranës. Sipas deklarimeve të tyre, mësohet se ata për herë të fundit e kishin parë Artan Kurtin më 6 maj 2009, kur kishte shkuar për të vizituar vajzën që jetonte me nënën e saj, pas divorcit. Ato mendonin se tani Artani ndodhej në Gjermani.

Nga deklarimet e tyre, prokuroria ka siguruar se Artan Kurti ishte një person me probleme shëndetësore, i cili ishte shtruar disa herë në ambientet spitalore për mjekime të ndryshme. Ai kishte qenë pacient i Spitalit Psikiatrik ashtu edhe i pavijonit të toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak.

E para që ka dhënë shpjegime para prokurorit të çështjes, ka qenë bashkëshortja e dytë e 47 vjeçarit, shtetasja J.Kurti. “Për herë të fundit e kam parë më datë 6 maj 2009, kur më erdhi në shtëpi për të vizituar vajzën. Në atë kohë, e pyeta se ku kishte qenë që nuk kishte ardhur për të na takuar, ai më tha se kishte qenë në burg ku ishte dënuar për mashtrim”,- ka thënë ish-e shoqja dje në prokurori. Që nga ajo kohë, nuk e kishte parë, çka sipas dëshmisë, ishte shqetësuar, por nuk dinte ku ta kërkonte pasi ishin mësuar që ai të zhduket për disa kohë dhe më pas të shfaqet papritur. Gjithashtu gjatë kësaj kohe të zhdukjes, kishin qene edhe motrat që e kishin pyetur disa herë bashkëshorten e divorcuar për fatin e njeriut të tyre, pasi nuk po bëhej i gjallë. “Menduam se ka ikur jashtë Shqipërisë, pasi kohë më parë ka qenë për disa kohë në Gjermani”,- i ka thënë ajo prokurorit. Në fund të dëshmisë së saj, vajza nga Kukësi që ishte martuar me Kurtin dhe më pas ishte divorcuar mësohet se është shprehur se pas zhdukjes së 47 vjeçarit në shtëpi kishin shkuar disa persona, që kërkonin që ajo t’i paguante borxhet që bashkëshorti i saj i divorcuar i kishte marrë.

Më pas para prokurorit ka dhënë deklarimet edhe motra e 47 vjeçarit, e cila ka treguar fëmijërinë e Kurtit dhe problemet që ai i ka sjell familjes, me vesin e tij të mashtrimit, por, në asnjë mënyrë nuk ka pranuar faktin se dinin që ai ndodhej i shtruar në spital. Ajo ka shprehur habinë se si organet e rendit nuk i kishin njoftuar për vdekjen e vëllait të saj. Gjithashtu, gjatë dëshmisë së saj, e motra ka treguar se Kurti kishte shfaqur problemet e mashtrimit që para viteve 1990. “Pas vitit 1990 na ka vdekur babai dhe nëna e ndodhur në kushtet që për çdo ditë vinin persona që kërkonin që nëna të paguante borxhet e Artanit, vendosi të na ndaj pasurinë e trashëguar që kishim. Pasi e ndamë në katër pjesë, Artani bleu një shtëpi në lagjen “Kombinat” ku edhe jetoj për disa kohë më gruan e parë me të cilën kishte një djalë. U divorcua me bashkëshorten, e cila mori vajzën. Ai shiti shtëpinë që kishte në lagje dhe u transferua në Kombinat. Pas divorcit të dytë shiti edhe shtëpinë në “Kombinat” për tu vendosur në lagjen “Mihal Grameno”. Para se të vendosej në këtë shtëpi, jetonte nëpër konvikte e vende të ndryshme. Aty u njoh edhe me bashkëshorten e dytë, me të cilën kishte një djalë. Por, edhe me këtë bashkëshorte u nda dhe nuk dihej se ku jetonte, pasi edhe pinte shumë alkool”,- mësohet të ketë thënë e motra para prokurorit.

 

Kurti i dënuar për vjedhjen e dy mijë lekëve

Viktima Artan Kurti ka qenë një person problematik në kryeqytet, i njohur për borxhe dhe mashtrime të ndryshme. Ai është dënuar disa herë për mashtrime në shuma të vogla dhe shpesh herë ka përfudnuar në qelitë e burgut. “Shekulli” disponon disa vendime, të cilat po i boton sot.

Në vitin 2005 Artan Kurti është dënuar me 3 muaj burg për mashtrimin e një dentisti me 20 mijë lekë të vjetra. Më 17 nëntor ai ka shkuar në klinikën e dentistit M.N dhe i është prezantuar si banor i pallatit. Pasi ka bërë një vizitë, Kurti ka lënë një takim për ditën e nesërme për të rregulluar dhëmbët. Të nesërmen ai ka shkuar tek dentisti dhe pasi kanë pirë një kafe së bashku, i ka kërkuar t’i rregullonte dhëmbët, ku si shpërblim do ti jepte një televizor me pretendimin se ishte punonjës i firmës dhe mund ta merrte televizorin me çmim të arsyeshëm. Pasi kanë rënë në marrëveshje, i pandehuri së bashku me të dëmtuarin janë nisur për në afërsi të dyqanit. Por në këtë moment Kurti i ka kërkuar që ti jepte 2000 lekë të reja pasi nuk e plotësonte të gjithë shumën e vlerës së televizorit dhe i ka thënë që ta priste në rrugicë deri sa ai të sillte televizorin.

Dentisti ka pranuar ti japë paratë dhe ka qëndruar në pritje të televizorit. Por kanë kaluar shumë minuta dhe Kurti nuk po dukej. Dentisti ka hyrë në dyqan dhe ka parë që klienti i tij ishte zhdukur. I nxehur ai ka nisur kërkimin e njeriut që e kishte mashtruar. Katër ditë më pas ai e ka gjetur Artan Kurtin pranë maternitetit të ri dhe ka njoftuar policinë, e cila e ka arrestuar. Dy muaj më pas gjykata ka dënuar Kurtin me tre muaj burg dhe ai ka rifituar lirinë pasi e kishte kaluar atë kohë në paraburgim. E vetmja fjalë që Kurti kishte thënë në gjykatë ishte: Kërkoj mëshirë.

Dy vjet më pas, në qershor të vitit 2007 Kurti është dënuar sërish për veprën penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143/1. Gjykata e ka dënuar me nëntë muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar me gjashtë muaj burg. Edhe në këtë rast Kurti ka kërkuar mëshirë. Sipas të dhënave gjyqësore, ai ka qenë i dënuar edhe përpara viteve 90’ pikërisht për mashtrim.

Një tjetër vendim gjykate për Artan Kurtin shpjegon lidhjen e tij me gruan e parë dhe fëmijën, e cila ka lindur në vitin 1995. Një vit më pas prindërit janë ndarë dhe vajzën e kanë lënë në “fshatin SOS”. E ëma është larguar në Francë ndërsa i ati nuk ka shfaqur asnjë herë interes për të. “Gjatë gjykimit rezultoi se i padituri nuk ka treguar asnjë herë interes për fëmijën Silvia. Sipas certifikatës familjare lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile e Njësisë Bashkiake Nr. 1 – Tiranë, rezulton se i padituri ka lidhur martesë të dytë dhe ka një fëmijë të seksit mashkull”,- thuhet në vendimin e gjykatës.

 

Familja ndau pasurinë e të atit

Të afërmit e Artan Kurtit kanë pohuar në prokurori se prej vitesh ai ishte kthyer në një mankth për familjen. Borxhlinjtë e shumtë ose njerëzit e mashtruar prej tij trokisnin në derën e shtëpisë dhe i kërkonin të ëmës paratë. Në këto kushte motrat kanë pasur frikë se mos ai shiste pasurinë e familjes dhe kërkuan ndarjen e saj. Në shtator të vitit 2009 gjykata ka bërë ndarjen e pasurisë duke arsyetuar se trashëgimtarët ligjorë të Kasem Kurtit janë bashkëshortja dhe fëmijët e tij të ligjshëm Fazilet Kurti, Liliana Mengri (Kurti), Afërdita Trebicka (Kurti) dhe Artan Kurti. Ata marrin nga 1/4 pjesë të barabartë të gjithë pasurisë së Kasem Kurtit, si dhe në të drejtat e trashëgueshme dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo pasuri. Pasi ndanë pasurinë, ata kanë shitur shtëpinë që kanë pasur në rrugën “Myslym Shyri” dhe në këtë moment Artan Kurti ka blerë një shtëpi tjetër në periferi të Tiranës.

 

Prokuroria: Po verifikojmë telefonin e Kurtit

Prokuroria e Tiranës, pas marrjes së dëshmisë së motrës dhe bashkëshortes së dytë të Artan Kurtit ka nisur verifikimin e tabulateve telefonike të numrit që 47 vjeçari kishte në përdorim. “Nga dëshmia e motrës dhe bashkëshortes së divorcuar mësuam se çfarë numri Artan Kurti kishte në përdorim pasi këtë nuk e dinim. Në momentin që është gjetur nga policia ai nuk kishte asgjë në xhepa. Me marrjen e numrit i kemi kërkuar kompanisë së telefonisë lëvizëse që të na vë në dispozicion të gjitha hyrje daljet për të parë se kush janë personat me të cilët ka komunikuar në momentet e fundit. Gjithashtu, do verifikohen edhe hyrjet daljet e mesazheve telefonike që mund të jenë nisur nga 47 vjeçari apo i kanë ardhur në telefonin e tij. Këto verifikime mund ta na dërgojnë në zbardhjen edhe të shkakut të vdekjes”,- thanë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, pritet edhe ardhja e analizave të gjakut dhe urinës që 47 vjeçarit i janë bërë pas gjetjes së trupit të tij pa ndjenja. Këto analiza, sipas akuzës, provojnë faktin se 47 vjeçari ditën e ngjarjes ka qenë në gjendje të rregullt apo në gjakun e tij kishte përqindje të lartë alkooli. Ndërkohë, nga ana tjetër hetuesit e çështjes, e kanë regjistruar procedimin penale dhe po vazhdojnë hetimet për të zbardhur arsyet që quan 47 vjeçarin Kurti të humbë ndjenjat. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë konstatuar se mbrapa kokës Kurti kishte një hematomë, e cila mund të jetë shkaktuar nga goditja me ndonjë send të fort. Ky konkluzion i ekspertëve ka bërë që prokuroria të ngre dyshime se Kurti mund të jetë goditur me ndonjë send të fort për tu grabitur, ose nga gjendja e tij e dehur mund të jetë rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime.

 

Familja tërheq sot trupin

Trupi i 47 vjeçari Artan Kurti pritet që sot paradite të tërhiqet nga morgu i Tiranës, ku ndodhej që prej datës 7 prill 2011. Me publikimin e lajmit në gazetën “Shekulli” kanë qenë e motra e Kurtit dhe bashkëshortja e dytë e tij që janë interesuar pranë Prokurorisë së Tiranës dhe më pas në morgun e qytetit. Ato kanë shkuar në morg dhe kanë bërë identifikimin zyrtar të kufomës, edhe pse ishin të bindur nga fotoja e botuar. Në morg, mësohet se të afërmit e 47 vjeçarit janë bindur që ai ishte Artan Kurti, duke u bazuar edhe nga tatuazhet që ai kishte në trup, një në dorën e majtë dhe një në kraharor.

 

Policia nuk njoftoi familjarët

Artan Kurti, u gjet më 12 janar 2011, rreth orës 21:30 minuta pa ndjenja në një rrugicë të rrugës “Myslym Shyri”. Pas marrjes së njoftimit, policia e ka dërguar trupin e tij në Spitalin Ushtarak ku është shtruar në reanimacion dhe më pas i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal në kokë. Por, edhe pas operimit gjendja e tij nuk ka ndryshuar, duke mos dal nga koma. Pas 85 ditëve qëndrim në gjendje kome, Artan Kurti ka ndërruar jetë, duke u dërguar më pas në morg. 54 ditë pasi është dërguar në morg, policia ka arritur ta identifikojë, duke i vendosur edhe emrin. Por, policia edhe pse e kishte identifikuar nuk kishte marrë mundimin që të njoftonte motrat apo bashkëshorten e tij që jetonte në rrugën “Mihal Grameno”, adresa kjo që ndodhej në sistemin e regjistrit të të dhënave personale që ndodhet në faqen e Ministrisë së Brendshme.

 

 

Flamur Vezaj

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Gjirokaster, zbulohet fabrike bombolash false, pronari nje tatimor

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kronike - Lexuar : 28 here.
Gjirokaster, zbulohet fabrike bombolash false, pronari nje tatimorBombola gazi / Foto arkiv Një operacion i policisë së Gjirokastrës, i koduar “Bombola”, ka sekuestruar disa makineri që prodhonin bombola gazi të falsifikuara, një biznes që drejtohej nga Marko Shugro, punonjës i Drejtorisë Rajonale të Tatim Taksave Gjirokastër. Policia ka sekuestruar 7 makineri që prodhonin dhe mbushnin bombola gazi të falsifikuara, 9072 bombola gazi, katër baleta me ambalazh për paketim të bombolave, një automjet tip furgon, si dhe një automjet...Lexo te gjithe artikullin »


» Durres, shperthim eksplozivi
» Dy shqiptare hyjne ilegalisht ne SHBA me ane te nje barke
» Arrestohet shqiptari, ishte me i kerkuari nga FBI
» Vidhet kisha ne Voskopoje
» Itali, denohen shqiptaret per shfrytezim prostitucioni
» Voskopoje, vidhet kambanerja 300 vjecare ne kishe
» 50 italiane te tjere me diploma si Renzo Bossi
» Policia kryen disa arrestime per vepra te ndryshme penale
» Kerkohej nga Interpol Roma, arrestohet Berat
» Anetaret e Shtepise se Verdhe kunder hetimeve, hyjne ne greve urie

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit