Publikuar me : 26.09.2011 Ne :
Politike - 26 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor janë bërë emra dhe figura të njohura për shqiptarët pasi çdo dy vjet shpërndajnë mandatet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive e komunave. Ata kanë ndarë më shumë mandate edhe se sa KQZ-ja. “Shekulli” ka siguruar deklarimet zyrtare të pasurive të tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të plotësuara nga vetë ata. Ky material mund të ishte publikuar edhe më parë, por Inspektorati i Pasurive ka kërkuar që të mos bëheshin publike pa mbaruar procesi i apelimeve zgjedhore.
Maria Qirjazi
Gjyqtarja Maria Qirjazi ka shënuar në formularin e saj të parë të deklarimit: Një apartament banimi 1+1 në Sarandë të blerë pasi ka shitur një tjetër apartament që kishte përfituar nga privatizimi; një apartament 2+1 në Tiranë të blerë pasi ka shitur një truall në Sarandë; një truall ndërtimi 387 metra katrorë në Sarandë të krijuar nga aktiviteti privat i bashkëshorti dhe një magazinë në Delvinë, edhe kjo nga aktiviteti i të shoqit. Ajo ka shënuar një makinë, të ardhurat nga pagat si dhe një kredi 0.7 milion lekë për blerjen e shtëpisë në Tiranë. Një vit më pas Qirjazi shiti makinën dhe bleu një tjetër më të mirë. Pjesa tjetër e pasurisë nuk ka ndryshuar, vazhdon borxhi 700 mijë lekë dhe të ardhurat familjare në nivelin 2.2 milionë lekë të reja në vit.
Në 2005 Qirjazi ka shënuar se i shoqi ka mallra në qarkullim me vlerë 300 mijë, por pa shpjeguar nëse janë lekë, euro apo dollarë. I shoqi është aksioner në dy firma dhe familja Qirjazi ka marrë 500 mijë lekë kredi. Në 2006 Qirjazi ka shitur truallin në Sarandë për 1.85 milionë lekë ndrysa i shoqi ka shitur aksionet në një prej kompanive në vlerës 4700 euro. Gjyqtarja ka kursyer 350 mijë lekë dhe ka shlyer kredinë 500 mijë lekëshe. Në 2007 Qirjazi ka blerë një lokal në Sarandë për rreth dy milionë lekë dhe ka kursyer 400 mijë lekë. Një vit më pas gjyqtarja shënon kursime një milionë lekë të shpërndara në tre banka. Të dy fëmijët e gjyqtares studiojnë në Athinë dhe vajza merr 2700 euro bursë ndërsa i biri merr kompensim për mungesë konvikti.
Në vitin 2009 Qirjazi ka shitur sërish makinën dhe këtë herë ka blerë një tjetër për 900 mijë lekë. Gjyqtarja ka kaluar nga Fordi, tek Voklsvageni dhe është ndalur tek Benzi. Çdo vit familja Qirjazi kursen 400 mijë lekë dhe këtë herë ka paguar 15 mijë euro i prenotim për një apartament në Sarandë. Këtë vit bursa e vajzës ka shkuar 6840 euro. Në 2010 Qirjazi ka shitur apartamentin në Sarandë për 30 mijë euro dhe ka paguar 114 mijë lekë tatim për këtë gjë. Qirjazi ka paguar blerjen e një trualli nga bashkia Sarandë dhe 35 mijë euro për blerjen e apartamentit tjetër në Sarandë. Në vitin 2010 gjyqtarja Qirjazi ka paguar një mijë euro për të zhvilluar masterin profesional në Tiranë. Të ardhurat nga paga të gjyqtares këtë vit janë 1.576 milionë lekë, bursa e vajzës 6840 euro ndërsa i shoqi fiton gjithmonë 600 mijë lekë nga aktiviteti privat.
Tom Ndreca
Deklarata e parë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Tom Ndreca përmban dy apartamente banimi me vlerë totale 5.4 milionë lekë në Tiranë. Të ardhurat për blerjen e tyre ai deklaron se i ka siguruar nga shitja e një tjetër apartamenti, paga si dhe ndihma nga të afërmit emigrantë. Në emër të tij figuron edhe një makinë me vlerë 300 mijë lekë. Në vitin 2005 ai deklaron 250 mijë lekë CASH si dhe pagën e tij dhe të bashkëshortes me vlerë totale 1.3 milionë lekë në vit. Gjatë kësaj periudhe ai ka paguar edhe këstet e një kredie me vlerë 400 mijë lekë. edhe në vitin 2006, të ardhurat CASH të deklaruara janë 450 mijë lekë, të realizuara nga paga.
Edhe në vitin 2007 Ndreca konfirmon se nuk ka ndryshime të pasurisë përveç të ardhurave nga paga e tij, bashkëshortes dhe djalit, të cilat arrijnë në rreth 2.1 milionë lekë në total. Një vit më vonë, Ndreca merr një kredi me vlerë 1.2 milionë lekë, ndërkohë që deklaron se ka përfituar rreth 1.2 milionë lekë nga paga. Në vitin 2009, Ndrecës i është futur edhe vajza në punë dhe si familje (tre persona) kanë marrë paga me vlerë 2.5 milionë lekë në vit. Nga kjo shumë ata kanë arritur të kursejnë rreth 1.2 milionë lekë. Një vit më parë (2010) Ndreca ka bërë një investim duke blerë një apartament në Golem me vlerë 31 mijë euro. Paratë janë siguruar nga shitja e një apartamenti në Tiranë. Familja ka kursyer 1.4 milionë lekë gjatë këtij viti.
Në shkurt 2011, Ndreca ka blerë një tjetër apartament me vlerë 6 milionë lekë në lagjen “Komuna e Parisit”, Tiranë. Paratë janë siguruar nga një kredi me vlerë 5 milionë lekë si dhe nga kursimet. Gjatë këtij viti familja deklaron se ka kursyer 1.6 milionë lekë.
Jonuzaj, gjyqtarja e varfër e Apelit të Vlorës
Gjyqtarja Sashenka Jonuzaj ka shënuar në formularin e saj të pasurisë një apartament 1+1 në Vlorë, të cilin e ka blerë nga shitja e banesës së vjetër, një makinë të blerë me paratë e emigracionit të djalit në Greqi. 1.8 milionë lekët e grumbulluara nga familja Jonuzaj në emigracion janë depozituar në një bankë. Një vit më pas gjyqtarja ka shënuar një depozitë 100 mijë lekë dhe pagën. Në 2005 Sashenka Jonuzaj ka tërhequr paratë e të vëllait, 1.8 milionë lekë si dhe të gjitha kursimet e saj, por nuk shpjegon se çfarë ka bërë me shumën 2.8 milionë lekë dhe 10 mijë dollarë. Ajo deklaron se makina i është prishur. Por një vit më pas gjyqtarja deklaron se e ka shitur makinën e pridhur për 200 mijë lekë të reja dhe më pas ka blerë një makinë tjetër për 900 mijë lekë të reja. Ajo deklaron se mban 200 mijë lekë në shtëpi dhe të vetmet të ardhura janë paga si gjyqtare dhe pensioni i burrit. Një vit më pas deklaron vetëm një depozitë 10200 dollarë. Në vitin 2008 Shashenka Jonuzaj ka kursyer 380 mijë lekë, por ka treguar edhe pasurinë e djalit në Greqi. Flobenc Jonuzaj ka një banesë me qera në Athinë si dhe 42 mijë euro në bankë. Një vit më pas i biri ka blerë një shtëpi në Greqi për pak më shumë se 100 mijë euro. Në 2010 gjyqtarja ka shënuar se ka shitur makinën sërish për 900 mijë lekë dhe nuk ka kryer asnjë veprim tjetër.
Dhurata Haveri, nga kredia në kredi
Gjyqtarja Dhurata Haveri ka shënuar në formularin e parë të pasurisë në vitin 2003 një makinë dhe një kredi për të blerë shtëpinë. Një vit më pas ajo ka shënuar një apartament me sipërfaqe 135 metra2 të blerë për 69.300 euro. Paratë për këtë apartament kanë ardhur nga një kredi 2.1 milionë lekë, shitja e një apartamenti tjetër 2.6 milionë lekë dhe 15 mijë euro që ishin kursime emigracioni të familjes Haveri. Gjyqtarja ka shënuar edhe një apartament banimi me sipërfaqe 75.26 metra2 me vlerë 2.132.883 lekë. Në këtë formular është shënuar edhe një shumë prej 10 mijë eurosh që Haveri ia ka borxh një firme private.
Në vitin 2005 Haveri ka shënuar në formular të ardhurat nga puna si gjyqtare e Apelit të Krimeve të Rënda dhe të ardhurat e të shoqit avokat. Këtë vit ajo ka mbyllur kredinë në bankë duke paguar rreth dy milionë lekë që i kishin mbetur. Haveri shënon sërish borxhin 10 mijë euro si dhe një borxh të ri prej një milionë lekësh që i ka përdorur për të mbyllur kredinë. Në këtë vit ajo ka marrë edhe një borxh të tretë në një bankë në shumë 6 mijë euro dhe një kredi tjetër në shumën 290 mijë lekë. Vitin pasardhës Haveri ka shënuar sërish të ardhurat nga puna si gjyqtare dhe i shoqi avokat. Ajo vazhdon të ketë borxhin 10 mijë euro dhe paguan kreditë. I shoqi deklaron edhe 3500 euro kursime në bankë. Në vitin 2007 Haveri deklaron 1.5 milionë lekë CASH në shtëpi, të ardhurat e zakonshme, borxhin dhe kreditë. Në 2008 Haveri ka blerë një makinë me vlerë 19 mijë euro. Nga këto ka marrë 11 mijë euro kredi. Këtë vit Haveri ka larë edhe një pjesë të kredive, por jo borxhin 10 mijë euro. Ky borxh vazhdon edhe në 2009 së bashku me dy kredi në euro. Në 2010 gjyqtarja ka shtesa page pasi ka nisur punë në KLD ndërsa i shoqi ka ndërruar profesion, nga avokat është bërë regjisor në TVSH. Borxhi 10 mijë euro nuk është prekur ndërsa njëra nga kreditë është shlyer.
Dhimitri blen apartament në Sarandë
Në deklarimin e tij të parë (viti 2003), në emër të gjyqtarit Petraq Koço (Dhimitri) rezulton një apartament me vlerë 3 milionë lekë, një autoveturë me vlerë 750 mijë lekë si dhe të ardhurat nga paga me vlerë 90 mijë lekë në muaj. Gjatë vitit 2006, ai deklaron të ketë kursyer 300 mijë lekë nga paga prej 1.4 milionë lekë e përfituar gjatë vitit. Në vitin 2007 ai ka përfituar një pagën prej 1.5 milionë lekë bashkë me bashkëshorten, ndërsa kanë kursyer 400 mijë lekë. Në vitin 2008 ai ka ndryshuar mbiemrin duke e bërë nga Koço në Dhimitri. Gjatë këtij viti ai deklaron të ketë kursyer 500 mijë lekë nga paga prej 1.6 milionë lekë që ka përfituar bashkë me të shoqen. Në vitin 2009, familja ka kursyer 1.1 milionë lekë. Një vit më pas (2010) ai ka blerë një apartament në Sarandë me vlerë 2.2 milionë lekë duke përdorur të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Në deklaratën e vitit 2011 ai konfirmon se ka blerë një autoveturë me vlerë 1 milionë lekë si edhe ka kursyer 900 mijë lekë të tjera nga pagat.
Kalaja merr kredi për të blerë frigorifer
Gjyqtari Astrit Kalaja ka shënuar në formularin e parë të deklarimit të pasurisë një apartament në bulevardin Zogu i Parë dhe një makinë me vlerë 0.15 milionë lekë. Një vit më pas gjyqtari i Apelit Shkodër ka shënuar se mban në shtëpi 400 mijë lekë dhe ka marrë një kredi prej 42 mijë lekësh për të blerë një frigorifer. Në zërin e të ardhurave ai ka vetëm pagën e tij dhe të të shoqes. Në vitin 2005 Kalaja ka shënuar një llogari prej 539 mijë lekësh dhe 100 mijë lekë në shtëpi. Këtë vit Kalaja ka marrë përveç pagës edhe të ardhura nga puna si gjyqtar i Kolegjit Zgjedhor. Gjyqtari ka shlyer kredinë për frigoriferin dhe deklaron se i ka borxh një shkolle private në Shkodër paratë për arsimin e fëmijëve, 5 mijë lekë në muaj secili. Në vitin 2006 Kalaja ka bërë një shtesë apartamenti, aneks 13 metra 2 të pa legalizuar.
Një vit më pas gjyqtari ka blerë një apartament 120 metra katrorë për 38.400 euro, të cilat vijnë nga kursimet dhe një kredi bankare. Një pjesë nuk është paguar këtë vit. Ai ka blerë një makinë 250 mijë lekë dhe mban në shtëpi 300 mijë lekë. Në zërin e detyrimeve, Kalaja shënon kredinë dhe borxhin ndaj firmës ndërtuese. Në 2008 Kalaja ka shitur apartamentin e vjetër për 3.5 milionë lekë, ka kursyer 400 mijë lekë që i mban në shtëpi dhe ka në llogari 437 mijë lekë. Ai vazhdon të paguajë kredinë e shtëpisë, shkollën e vajzës dhe i ka borxh firmës së ndërtimit 13.400 euro. Në 2009 gjyqtari ka kursyer 200 mijë lekë ndërsa llogaria në bankë është shtuar me 268.755 lekë. Me paratë e shtëpisë që shiti një vit më parë ka paguar borxhin 13.400 euro. Një vit më pas Kalaja ka shënuar se ka kursyer 300 mijë lekë dhe llogaria et ij është shtuar me 146280 lekë. Nga paratë që i kishin mbetur nga shitja e shtëpisë tre vjet më parë, Kalaja ka shlyer dy milionë lekë nga kredia që kishte.
Pasuria e gjyqtares Meriban Mullaj
Në deklarimin e saj të parë, anëtarja e Kolegjit Zgjedhor Meriban Mullaj ka deklaruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 200 m² me vlerë 8 milionë lekë e ndërtuar në vitin 1997, truall 168 m². Po ashtu ajo deklaron edhe një makinë me vlerë 200 mijë lekë si dhe kursime në shumën 1.2 milionë lekë. këtë pasuri Mullaj deklaron se e ka arritur nga të ardhurat e pagës së saj dhe të bashkëshortit, të cilat arrijnë në 1.4 milionë lekë në vit.
Një vit më vonë, ajo deklaron një tjetër shtëpi të blerë në vitin 1995 mke vlerë 9 milionë lekë, truall 10 mijë m², autoveturë me vlerë 800 mijë lekë si dhe depozitë me vlerë 1 milionë lekë, të cilat konfirmon se i ka arritur nëpërmjet pagës së saj me vlerë 108 mijë lekë në muaj dhe ajo e bashkëshortit me vlerë 20 mijë lekë në muaj. Pjesë e deklaratës është edhe një shumë 140 mijë lekë e përfituar nga interesat e depozitave.
Në vitin 2006 ajo ka bërë një investim duke marrë një kredi me vlerë 30 mijë euro për të blerë shtëpi. Shtëpia vlente 54 mijë euro. Në shërbim të saj ka përdorur edhe depozitat bankare me vlerë 100 mijë lekë. Gjatë këtij viti ajo është paguar 110 mijë lekë në muaj si gjyqtare. Gjatë vitit të mëpasshëm ajo s’ka pasur asnjë aktivitet financiar të madh veç se ka paguar këstet e kredisë, të cilat për një vit përllogariten në 1 800 euro. Rroga Mullajt si gjyqtare është rritur në 113 mijë lekë në muaj gjatë vitit 2007.
Në vitin 2008 ajo ka marrë një tjetër kredi me vlerë 10 mijë euro për shlyerjen e kredisë së marrë dy vite më parë. Gjatë vitit 2009, ajo ka paguar këstet e kredisë me vlerë 1400 euro. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin e shkuar. Gjatë dy viteve ajo ka marrë një pagë rreth 95 mijë lekë në muaj. Gjatë këtij viti ajo i është kthyer edhe një herë investimit në pasuri të paluajtshme duke blerë një tjetër apartament me sipërfaqe 82 m²
Prifti, gjyqtarja biznesmene dhe pronare apartamentesh
Deklarimi fillestar i gjyqtares Entela Prifti përmban dy apartamente banimi me sipërfaqe totale 135 metër katror të marrë në vitet 1990 dhe truall 1 000 m² në Voskopojë, një makinë 200 mijë lekë. Në emër të anëtares së Kolegjit Zgjedhor rezultojnë edhe aksione në një firmë betoni në Korçë (është larguar më vonë) me vlerë 6.4 milionë lekë . Prifti deklaron se ka marrë një pagë rreth 90 mijë lekë në muaj.
Në vitin 2005 Prifti rezulton pronare e një apartamenti 3+1 me vlerë 4 milionë lekë (me kredi) si dhe një tjetër apartament të trashëguar nga prindërit. Prifti deklaron se gjatë këtij viti ka marrë edhe 15 milionë lekë nga individë pa interesa. Ajo deklaron se ka marrë një pagë prej rreth 2 milionë lekë në vit bashkë me bashkëshortin. Një vit më vonë (2006) Prifti ka blerë një tjetër apartament me vlerë 3.1 milionë lekë me paratë e përfituara nga shitja e apartamentit të trashëguar nga prindërit. Gjatë këtij viti ajo ka kursyer edhe 1.3 milionë lekë, ndërkohë që bashkë me bashkëshortin kanë marrë një pagë vjetore 2.1 milionë lekë.
Në vitin 2007, Prifti deklaron se ka kursyer rreth 600 mijë lekë nga paga e saj dhe e bashkëshortit nga 1.9 milionë lekë që kanë përfituar gjatë 12 muajve. Mbetet ende pa shlyer huaja 5 milionë lekë pa interesa e marrë në vitin 2005. një vit më pas, ajo ka blerë një makinë me vlerë 500 mijë lekë, ndërsa ka kursyer rreth 450 mijë lekë bashkë me bashkëshortin.
Në vitin 2009, Prifti ka depozituar në tre banka të ndryshme (njëra ku merr pagën) rreth 540 mijë lekë dhe ka mbajtur në shtëpi rreth 120 mijë lekë të tjera. Gjatë 2009, burrë e grua ata kanë përfituar rreth 2.8 milionë lekë të ardhura nga paga dhe punësime në borde mbikëqyrje. Pikërisht në këtë vit, Prifti fillon të shlyejë huanë 5 milionë lekë duke paguar 1 milionë. Mbeten edhe 4 milionë lekë borxh.
Në 2010, Prifti deklaron të ketë shitur 6 mijë euro makinën e blerë një vit më parë kundrejt 500 mijë lekëve. Ajo ka blerë një tjetër shtëpi banimi me vlerë 4 milionë lekë. Të dy bashkëshortët kanë përfituar rreth 2.9 milionë lekë të ardhura nga paga vjetore. Gjatë vitit 2011, ajo deklaron të ketë përfituar rreth 3 milionë lekë të ardhura nga pagat e të dyve, ndërsa ka shlyer dhe 1.5 milionë lekë nga huaja 5 milionë lekë.