Publikuar me : 31.10.2011 Ne :
Kronike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Vjedhja e një sasie të madhe teli bakri ka çuar në pranga 4 persona, ndërsa në kërkim është shpallur edhe drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Patos.
Vjedhja gjatë natës së mbrëmshme e 5 kampatave me tel bakri, e cila shërbente për të furnizuar me energji elektrike stacionin e pompave të ujit të Patosit, ka bërë që policia të organizojë një operacion, i cili ka zbardhur plotësisht ngjarjen e ndodhur në orët e vona të natës dhe ka vënë në pranga 4 bashkëpunëtorët.
Pjesë e grupit që ka bashkëpunuar në vjedhje duket se është edhe vetë drejtori i Ujësjellësit të Patosit, Baftjar Gropa, i cili sipas policisë është shpallur në kërkim.
Sajmir Yzeiri, 34 vjeç; Ajet Yzeiri, 40 vjeç, të dy pompistë në Ujësjellësin e fshatit Varibop; Kujtim Arap Shahaj, 44 vjeç, elektricist në fshatin Cakran të Fierit janë vënë në pranga për vjedhje dhe shpërdorim detyre, ndërsa Ardian Myftaraj,42 vjeç, banues në fshatin Dukas të rrethit Fier për veprën penale “Përvetësim i mallrave të vjedhur”.
Në kërkim është shpallur Baftjar Gropa, 44 vjec, drejtor i Ujësjellësit Patos, për veprën penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Gjithashtu në gjendje të lirë do të ndiqen edhe Agron Meçaj, 49 vjeç; Pëllumb Nazeraj 59 vjeç dhe Nuri Velaj, 49 vjeç.
Sipas policisë, ky grup në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë organizuar dhe kryer prerjen e telave të po këtij rrjeti elektrik, të cilin më pas e kanë shitur për qëllime përfitimi, për skrap. /
K. Thana