Publikuar me : 17.09.2011 Ne :
Politike - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Teksa socialistët janë bërë gati për reformën zgjedhore duke përcaktuar edhe negociatorët Gjiknuri-Hysi, mazhoranca i ka kërkuar nisjen zyrtare të punës. Kryetari i grupit parlamentar Demokrat, Astrit Patozi i dërgoi dje një letër homologut të tij socialist ku e vë në dijeni të negociatorëve të PD-së dhe kërkon bashkëpunimin edhe të opozitës për reformën.
“Dëshiroj t’ju informoj se pala jonë ka caktuar zotërinjtë Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi si personat e ngarkuar për të eksploruar dhe shqyrtuar modalitetet e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”, citohet në letër. Demokratët vlerësojnë se pas përfundimit të plotë të procesit zgjedhor dhe daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it është koha më e përshtatshme që të nisë reforma zgjedhore cilësore. Deri më tani të dy palët duket se kanë rënë dakord parimisht për nisjen e reformës zgjedhore, por ende nuk është kryer asgjë konkrete. Edhe më parë PD e PS janë dukur shumë pranë njëra-tjetrës, por në fund nuk kanë mundur që të bien dakord. Në rastet e mëparshme kontradiktat kanë nisur për shkak të vendimeve konkrete, pasi ishte rënë dakord në parim.
Në letrën dërguar kryetarit të grupit parlamentar socialist, bashkë me emrat e të ngarkuarve nga Partia Demokratike për të shqyrtuar ndryshimet në Kod, Patozi i kërkon Rucit që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës. “Do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij”, thekson Patozi. Opozita nga ana e saj nuk pranoi dje që të komentojë letrën. Vetë Gramoz Ruçi pohoi se e ka marrë letrën e Patozit, por për momentin nuk ka asnjë koment për të bërë.
***
Caktimi i Viktor Gumit dhe i Oerd Bylykbashit si ekspertë nga mazhoranca nuk është e rastësishme pasi këta të dy cilësohen si juristët më të mirë të PD-së. Këta dy juristë, njëri deputet dhe tjetri shefi i kabinetit të Berishës, kanë hartuar edhe strategjinë ligjore betejën e Tiranës ku pothuaj të gjitha ankimimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegj janë përgatitur prej tyre. Bylykbashi njihet si hartuesi i Kodit aktual Zgjedhor, për të cilin opozita pranoi tre vjet më pas se “ia kishin hedhur”.
Përballë tij, si bashkëhartues i Kodit, ndodhet socialisti Damian Gjiknuri, i cili ka qenë edhe pjesë e grupit të juristëve që u morën me mbrojtjen ligjore të mandatit të Tiranës. Nga ana tjetër juristja Vasilika Hysi ka drejtuar më parë për një kohë të gjatë Komitetin Shqiptar të Helsinkit, organizëm që është marrë edhe me monitorimin e proceseve zgjedhore në vendin tonë.
Letra
I nderuar zoti Ruçi,
Rreth një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, gjykojmë se është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Në këtë kontekst, e kemi përcjellë me vlerësim faktin që ju keni caktuar deputetët Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi, si negociatorë për të nisur kontaktet, në funksion të këtij qëllimi.
Dëshiroj t’ju informoj se pala jonë ka caktuar zotërinjtë Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi, si personat e ngarkuar për të eksploruar dhe shqyrtuar modalitetet e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt. Por ndërkohë, do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje.
Me respekt, Kryetari Astrit PATOZI