PD-PS ne tryeze per reformen zgjedhore, KiE Prishja e marreveshjes eshte e papranueshme
Publikuar me : 30.11.2011 Ne :
Politike - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Pas konsensusit të arritur në seancën plenare për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, PD dhe PS do të ulen sot në tryezë për të rënë dakord mbi ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin zgjedhor. Mbledhja do të drejtohet nga bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri i PS dhe Ilir Rusmali i PD, të cilët do të përcaktojnë dhe axhendën që do të ndjekë puna e komisionit. Burime nga të dy partitë pohuan se në seancën e sotme do të vendoset ngritja e një grupi ekspertësh që do të punojnë sëbashku me anëtarët e këtij komisioni. Këto ekspertë do të zgjidhen me konsensus nga të dyja palët. Krahas përfshirjes së personave të specializuar në fushën e zgjedhjeve, komisioni parlamentar do të garantojë dhe përfaqësimin e aleatëve, por pa të drejtë vote. Do të ketë një konsultim të partive më të mëdha, si nga mazhoranca apo opozita me aleatët e tyre dhe më pas qëndrimi i tyre do të shtrohet në tryezë ose do të bëhet e ditur nga vetë ekspertët e partive të vogla.
Një tjetër angazhim i dy partive më të madhe politike në mbledhjen e parë të këtij komisioni do të jetë dhe përcaktimi i axhendës së punës. Partia Socialiste ka kërkuar publikisht që puna e këtij komisioni të mbyllet brenda pranverës së ardhshme, në mënyrë që të gjitha korrigjimet në Kodin Zgjedhor apo në sistem të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD nuk ka shprehur asnjë kundërshtim me këtë axhendë. Ndaj demokratët dhe socialistët do të hartojnë përmes një drafti të gjitha angazhimet që do të ndërmerren për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, në bazë edhe të rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Grupi i punës i ngritur në selinë rozë për të përcaktuar problematikat që ndodhen në Kodin aktual Zgjedhor sipas tematikave të veçantë do t’i propozojë anëtarëve demokratë të komisionit disa pika ku duhet të ndërhyhet. Do të jetë mazhoranca ajo që do të japë ose jo miratimin për ndryshimeve specifike. Deri më tani, përpara nisjes së mbledhjes së parë të komisionit, demokratët janë shprehur të hapur për të diskutuar ndryshimet që iu propozohen.
Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor pritet të jetë një prej diskutimeve më të rëndësishme të dy partive më të mëdha politike. Partia Socialiste ka shprehur hapur dëshirën që sistemi zgjedhor të ndryshohet nga proporcional rajon, në një sistem proporcional me korrektim kombëtar. Këtë ide e kanë mbështetur edhe partitë e vogla të të dyja krahëve. Por fjala e fundit do t’i takojë Partisë Demokratike pasi vendimet në komision nuk merren me shumicë të thjeshtë, por fillimisht duke marrë konsensusin PD-PS.
KiE: Prishja e marrëveshjes është e papranueshme
Bashkimi Europian nuk ka besim se politika shqiptare do i shkojë deri në fund çështjes së reformës zgjedhore dhe për të parandaluar këtë gjë po dërgon sinjale të forta. Vetëm një ditë përpara nisjes së tryezës së reformës zgjedhore, Zv. Presidentit i Asamblesë së Këshillit të Europës njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, Jean-Claude Mignon, ka kërkuar që të dy palët do i shkojnë çështjes deri në fund. Sipas tij, Këshilli i Europës ka punuar shumë që palët të arrinin konsensusin dhe kthimi mbrapa do ishte e dëmshme për demokracinë.
“Këshilli i Europës, së bashku me Asamblenë e KE-së kanë punuar për arritjen e një konsensusi mes palëve dhe prishja e marrëveshjes tani do të ishte e papranueshme për demokracinë. Këshilla ime për Reformën Zgjedhore është diskutim, kjo është demokracia dhe parlamenti. Është e rëndësishme që nesër (sot) palët të arrijnë një draft të pranueshëm për të gjithë”, tha Jean-Claude Mignon dje në Tiranë. Sipas tij, partitë politike nuk duhet të vendosin interesat e tyre përpara interesave të Shqipërisë. Mignon tha se Bashkimi Evropian do të monitorojë nga afër negociatat e partive politike shqiptare për reformën zgjedhore. Ndërkohë përfaqësues të OSBE-së pritet që të jenë të pranishëm në tryezën që do të zhvillohet sot për të dhënë mendimin e tyre në lidhje me çështjet e debatueshme. Në maj të vitit të ardhshëm, Shqipëria merr Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.