Publikuar me : 30.11.2011 Ne :
Politike - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore është cilësuar si një sinjal pozitiv nga Presidenti Topi. Duke folur para mediave, Topi u shpreh optimist se ndryshe nga herët e tjera, ky komision do të arrijë të përfundojë në kohë reformën e kërkuar prej kohësh nga palët.
“Është një sinjal shumë i mirë. Unë shpresoj që ndryshe nga herët e tjera, ky komision të përfundojë punët në kohë, pasi kemi përvojë nga e kaluara që kodi miratohet ditën e fundit. Nëse kjo reformë përfundon në kohën e duhur, të dyja palët do ta kenë më të qartë dhe do të njihen më mirë me platformën zgjedhore”, tha Topi.
Ai theksoi gjithashtu se reforma zgjedhore do të garantojë zgjedhje që nuk do të ndeshen në kontestimin e palëve.
* * *
Pas konsensusit të arritur në seancën plenare për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, PD dhe PS do të ulen sot në tryezë për të rënë dakord mbi ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin zgjedhor. Mbledhja do të drejtohet nga bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri i PS dhe Ilir Rusmali i PD, të cilët do të përcaktojnë dhe axhendën që do të ndjekë puna e komisionit. Burime nga të dy partitë pohuan se në seancën e sotme do të vendoset ngritja e një grupi ekspertësh që do të punojnë sëbashku me anëtarët e këtij komisioni. Këto ekspertë do të zgjidhen me konsensus nga të dyja palët. Krahas përfshirjes së personave të specializuar në fushën e zgjedhjeve, komisioni parlamentar do të garantojë dhe përfaqësimin e aleatëve, por pa të drejtë vote. Do të ketë një konsultim të partive më të mëdha, si nga mazhoranca apo opozita me aleatët e tyre dhe më pas qëndrimi i tyre do të shtrohet në tryezë ose do të bëhet e ditur nga vetë ekspertët e partive të vogla.
Një tjetër angazhim i dy partive më të madhe politike në mbledhjen e parë të këtij komisioni do të jetë dhe përcaktimi i axhendës së punës. Partia Socialiste ka kërkuar publikisht që puna e këtij komisioni të mbyllet brenda pranverës së ardhshme, në mënyrë që të gjitha korrigjimet në Kodin Zgjedhor apo në sistem të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD nuk ka shprehur asnjë kundërshtim me këtë axhendë. Ndaj demokratët dhe socialistët do të hartojnë përmes një drafti të gjitha angazhimet që do të ndërmerren për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, në bazë edhe të rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
Grupi i punës i ngritur në selinë rozë për të përcaktuar problematikat që ndodhen në Kodin aktual Zgjedhor sipas tematikave të veçantë do t’i propozojë anëtarëve demokratë të komisionit disa pika ku duhet të ndërhyhet. Do të jetë mazhoranca ajo që do të japë ose jo miratimin për ndryshimeve specifike. Deri më tani, përpara nisjes së mbledhjes së parë të komisionit, demokratët janë shprehur të hapur për të diskutuar ndryshimet që iu propozohen.
Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor pritet të jetë një prej diskutimeve më të rëndësishme të dy partive më të mëdha politike. Partia Socialiste ka shprehur hapur dëshirën që sistemi zgjedhor të ndryshohet nga proporcional rajon, në një sistem proporcional me korrektim kombëtar. Këtë ide e kanë mbështetur edhe partitë e vogla të të dyja krahëve. Por fjala e fundit do t’i takojë Partisë Demokratike pasi vendimet në komision nuk merren me shumicë të thjeshtë, por fillimisht duke marrë konsensusin PD-PS.