Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
PD-PS, variantet per ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Publikuar me : 17.10.2011 Ne : Politike - 47 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ardit Rada

Pavarësisht se negociatat midis dy partive të mëdha politike janë ndërprerë, kjo nuk ka penguar ekspertët e PD dhe PS që të bëjnë përllogaritjet e tyre në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në një kohë kur të gjitha partitë e vogla po kërkojnë me ngulm një proporcional me korrigjim kombëtar, PS e PD duket se mund të mjaftohen me disa rregullime të vogla për sa i takon ndarjes së deputetëve sipas qarqeve. Brenda dy partive të mëdha janë bërë diskutime mes deputetëve, por deri më tani nuk është bërë asnjë takim zyrtar mes negociatorëve.

Brenda në selinë rozë është diskutuar me ngul ndryshimi i numrit të deputetëve që dalin nga qarqe të caktuara. Në zgjedhjet e vitit 2009 u vu re një anomali e përgjithshme ku në disa qarqe një parti merrte një deputet me katër mijë vota ndërsa në qarqe të tjera 20 mijë vota nuk mjaftonin për një mandat. Zona më e madhe është Tirana me 32 deputetë dhe më e vogla Kukësi me katër. Opozita do të kërkojë që disa qarqe të kthehen në numër tek mandatesh dhe kjo do të sjellë rritjen e numrit të deputetëve në disa qarqe dhe uljen në disa të tjerë. Të dy koalicionet e mëdha kanë pasur një numër të madh votash, të cilat nuk i kanë përkthyer dot në mandate.

Burime nga të dyja partitë pohuan se në parim janë dakord për rishikimin e numrit të mandateve që prodhon një qark. Kjo skemë do të favorizonte opozitën në disa qarqe të jugut dhe mazhorancën në disa qarqe të veriut dhe Shqipërisë së mesme. Një shembull konkret është Korça dhe Elbasani. Në të dy këto qarqe opozita ka fituar ndjeshëm me vota, por për sa i takon mandateve, ato janë ndarë barazim. Nëse këto dy qarqe do të kishin mandate në numër tek, opozita do të kishte nga një deputet më shumë. E njëjta gjë ndodh për mazhorancën në Durrës dhe Lezhë. Nëse këto dy qarqe do të kishin numër çift mandatesh, mazhoranca do të merrte edhe dy deputetë të tjerë.

Burimet pohuan se mazhoranca është më pak e predispozuar që të bëjë këtë ndryshim mandatesh pasi formula aktuale e favorizon ndjeshëm. Numri i deputetëve që mazhoranca “fiton” në jug është më i madh se ai që humbet në veri. Madje duke shtuar edhe LSI-në, formula aktuale e favorizon tej mase. Por përveç kërkesës së opozitës, PD duhet të përballet edhe me aleatët e saj të vegjël siç janë LSI dhe PDIU, të cilët insistojnë për një proporcional me korrigjim kombëtar. Pra nëse dy partitë kryesore janë dakord me një rregullim të proporcionalit rajonal, partitë e vogla kërkojnë minimalisht korrektim kombëtar, në mos proporcional kombëtar. I gjithë korrigjimi i numrit të deputetëve që dalin nga qarqet duhet bërë brenda formulës së pandryshueshme prej 140 deputetësh. Kjo do të thotë që matematikanët e dy partive duhet të fokusohen tek qarqet që humbin dhe që fitojnë.

 

 

Idrizi: Proporcional me korrigjim kombëtar

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet shprehet e gatshme për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke dhënë edhe propozimet e saj se si mund të përmirësohet sistemi. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shprehet se zgjidhjet duhet të nisin nga numërimi elektronik dhe rregullimi i sistemit, i cili duhet të jetë “një proporcional qoftë kombëtar, qoftë rajonal ashtu siç është, por me korrektim kombëtar”.

 

Zoti Idrizi, përmirësimi i reformës zgjedhore është një prej detyrave të lëna nga komuniteti ndërkombëtar për politikën shqiptare. Çfarë duhet të ndryshojë sipas jush në Kodin Zgjedhor?

Të them të drejtën më vjen keq që ende vijon të bisedohet rreth ndryshimeve të këtij apo të atij neni. PDIU ka qenë e qartë gjatë gjithë procesit se ne kemi nevojë të ndryshojmë mentalitetin që prodhon kodin dhe jo të merremi me arnime në kuadrin aktual. Me pak fjalë, propozimet tona janë numërim dhe votim elektronik për të mënjanuar të gjithë militantët me kostum numëruesi dhe komisioneri, që janë shkaktarët kryesorë të problemeve zgjedhore dhe një dialog të hapur e të paparagjykuar mbi ndryshime të mundshme në sistemin zgjedhor dhe në procedurat zgjedhore. Fatkeqësisht, dy partitë e mëdha politike deri më sot e kanë trajtuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor me idenë se si të “bëjmë golin” para se të nisi ndeshja dhe jo si rregulla të barabarta të një garë të lirë. Nga ana tjetër do të duhej një KQZ jo partiake.

 

Partitë e vogla nga të dyja koalicionet politike kanë kërkuar një ndryshim të sistemit zgjedhor, kjo pasi ato penalizohen në krahasim me dy partitë e mëdha. Kam parasysh faktin se parti me 30 mijë vota nuk kanë një deputet, ndërsa në disa qarqe PD-PS kanë marrë deputet dhe me 4-5 mijë vota. A duhet ndryshuar sistemit zgjedhor?

Nuk duhet të kemi asnjë tabu. Asnjë sistem zgjedhor nuk është perfekt dhe asnjë sistem zgjedhor nuk është i gabuar. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nëse i shërben demokratizimit të mëtejshëm të vendit duhet të jetë prerogativ. PDIU nuk ka problem se çfarë sistemi do të përdoret, pasi beteja jonë është të fitojmë besimin e qytetarëve dhe jo se si do të mund të përfitojmë sa më shumë mandate me sa më shumë vota. Gjithsesi, personalisht nuk do të shihja asgjë negative në një proporcional qoftë kombëtar, qoftë rajonal ashtu siç është, por me korrektim kombëtar.

 

Një nga proceset më të kontestuara është ai i numërimit të votave ku partitë e vogla kanë paraqitur prova se sistematikisht janë “grabitur” nga partitë e mëdha. Si mund te rregullohet kjo çështje?

Në kohën e teknologjisë së informacionit përgjigja është shumë e thjeshtë. Nëse partitë e mëdha duan të vazhdojnë të mendojnë se si “do të bëjnë hilenë” te njëri-tjetri le të mbajnë këtë mënyrë numërimi. Por në fund askush nga dy partitë e mëdha nuk duhet të ankohet. Nëse duan që të bëjnë diçka të mirë për kombin le të fusin numërimin dhe votimin elektronik dhe atëherë gjithçka do të jetë një histori e mbyllur. Numërimi nuk do të gumëzhijë në veshët tona me javë të tëra pas përfundimit të zgjedhjeve, por do të jetë diçka që as do të na interesojë, duke kthyer në primare atë që është primare, zgjedhjet në vetvete.

 

* * *

 

Luan Rama: Sistemi aktual nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve

Partia e tretë në vend, LSI është shprehur dje pro ndryshimeve kushtetuese duke pohuar se mandatet e përfaqësimit politik në Kuvend nuk përputhen me vullnetin real të zgjedhësve. Duke llogaritur votat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama shprehet se zgjedhjet e kaluara kanë prodhuar rezultate ku një deputet zgjidhet me rreth 20 mijë vota, por në raste të tjera edhe vetëm me pesë mijë vota.

 

Zoti Rama, përmirësimi i reformës zgjedhore është një prej detyrave të lëna nga komuniteti ndërkombëtar për politikën shqiptare. Sipas jush çfarë duhet të ndryshojë në Kodin Zgjedhor?

Dua të theksoj se ndër çështjet prioritare që duhet të zgjidhë politika shqiptare, e rendit të parë është reforma zgjedhore, aq më shumë kur pothuaj e gjithë problematika rreth së cilës është mbajtur politika shqiptare prej zgjedhjeve të vitit 1992 e tehu ose lidhet, ose derivon prej zgjedhjeve. Ndaj, jo thjeshtë për të shmangur kontestet, po për të konsoliduar themelin mbi të cilin ndërtohet demokracia funksionale, reforma zgjedhore dhe përputhshmëria e gjithë korpusit ligjor me të cilin zhvillohen zgjedhjet me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, mbetet e rendit të parë. LSI ka ndërmarrë edhe hapa konkret për t’i ftuar palët në tryezën e punës konstruktive dhe për t’i larguar prej retorikës dhe luftës politike. Kësisoj, nuk ka ndonjë gjë të panjohur se ç’duhet ndryshuar në Kodin Zgjedhor, pasi gjithçka është në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

 

Partitë e vogla nga të dy koalicionet janë shprehur për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pasi ato ndjehen të penalizuara nga dy partitë e mëdha. A duhet ndryshuar sistemi zgjedhor?

Sistemi zgjedhor është njëri prej komponentëve ku duhet fokusuar reforma zgjedhore, por jo më kryesori. Ajo që mund të them është se sistemi aktual nuk shpreh me korrektesë vullnetin e zgjedhësve. Kjo do të thotë se mandatet e përfaqësimit politik në Kuvend nuk përputhen me vullnetin real të zgjedhësve. Pavarësisht sistemit, LSI do të jetë gjithnjë forca përcaktuese për krijimin e mazhorancës, sado që në vlerësimin tim, gjykoj se një reformë transparente dhe gjithëpërfshirëse do të bënte të mundur mbërritjen tek një sistem i pranuar me konsensus dhe që të shprehë me më shumë përputhshmëri vullnetin e zgjedhësve me mandatet e përfaqësimit në Kuvend, që të mos ndodhë më ajo që ndodhi me zgjedhjet e kaluara nga ku kemi një deputet me rreth 20 mijë vota si në rastin e LSI-së, dhe si në rastin e ndonjë partie tjetër, deputet me rreth 5 mijë vota.

 

Një nga proceset më të kontestuara është ai i numërimit të votave. Si mund të rregullohet ky problem?

Pavarësisht çështjeve të veçanta për të cilat ju pyesni, ato nuk mund të zgjidhen të shkëputura, por duhet trajtuar dhe zgjidhur si një paketë e plotë, pasi ka shumë syresh që janë të ndërvarura prej njëra-tjetrës. Nuk lind nevoja të shpikim ndonjë gjë. Ka modele dhe përvoja efektive dhe të konfirmuara në shumë prej vendeve të tjera ku zgjedhjet janë tashmë një institucion i konsoliduar, ndaj në na mbetet vetëm të shprehim realisht vullnetin se duam të mbërrijmë në ato standarde. Reforma zgjedhore është sfida më emergjente për klasën politike shqiptare. LSI ka ofruar një mundësi reale për të nisur nga puna. Të tjerët, nëse duan realisht të kontribuojnë, të lënë fjalët dhe demagogjinë.

 

 

Paskal Milo – PDS

Ka nevojë që reforma zgjedhore dhe vendimet lidhur me të, të merren sa më shpejt pasi përgatitja e infrastrukturës zgjedhore do kohë, aq më shumë kur kemi të bëjmë me elementë të teknikës elektronike, ku dihet që zonat rurale, janë të vështira për të vendosur funksionimin  e teknologjisë modern.

 

Skënder Gjinushi – PSD

Ne me rajone e mundëm PD-në 7 me 5, por me mandate dolëm 70 me 70. Po të ishin Korça dhe Elbasani me numër tek deputetësh, e majta do të ishte në pushtet me rezultatin e 2009. Pra, sisteme të tilla tekanjoze që kanë dhe aksidente patjetër që janë më pak të përshtatshëm. Në situatën që ndodhemi më i përshtatshëm do të ishte një spanjoll i përshtatur pa hile në kushtet e Shqipërisë, gjë që bëhet lehtë në këtë e kemi propozuar që në 2008-ten.

 

Vangjel Dule – PBDNJ

Jo gjithmonë fajin e ka pasur sistemi. Aspekti më problematik i zgjedhjeve ka qenë administrimi i tyre. Është momenti të lëmë përvojën e hidhur të komisioneve të të gjitha niveleve, partiake mënjanë dhe të besojmë te qytetari i pavarur sado që shumë qeshin kur përmendim “të pavarur” por po, në vendin tonë ka shumë njerëz të pavarur, individë të cilat vënë interesat jo partiake mbi ato partiake, sepse janë interesat e vendit dhe të shoqërisë.

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 56 here.
Berisha  Presidenti i ri nga Kryesia e PD-seSali Berisha / Foto arkiv Luis Tanushi Kryeministri Berisha i ka mbyllur derën kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të zhvilluar bisedime për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se negociatat do të zhvillohen në parlament, duke lënë të nënkuptohet se në bisedime do të jetë kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Në mbledhjen e djeshme, kryesia e PD-së mandatoi dhe tre anëtarët...Lexo te gjithe artikullin »


» PS, Bushati Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» PS Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» Berisha – KE-se Ne ato ndihma qe na jepni, percaktoni nje pjese te mire per bujqesine
» Presidenca e KiE-se, Haxhinasto Forcimi i dialogut, prioriteti yne
» PD nis sot negociatat per presidentin, takimi i pare me Ilir Meten
» Presidenti, PD nis sot negociatat
» Presidenti, Berisha Negociatat me Nanon te suksesshme, me Ramen te deshtuara
» Arvizu dhe Topi se bashku ne Elbasan homazhe ne nder te viktimave
» Presidenti, Berisha Negociata me opoziten, marreveshjet me Nanon te suksesshme, me Ramen te deshtuara
» Presidenti, Berisha negociata me opoziten, marreveshjet me Nanon te suksesshme, me Ramen te deshtuara

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit