Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Politike - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Zyrtarë të Parlamentit Europian kanë mirëpritur ndryshimin e klimës politike në Shqipëri dhe presin nga ajo që të dëshmohet se sinjalet pozitive të mëparshme nuk janë thjesht “aksidentale”. Kreu i delegacionit te PE për Europën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputeti socialist Hanes Svoboda, komentuan në për TCH situatën politike në vendin tonë, duke shprehur nevojën për një luftë të qartë kundër korrupsionit, pa marrë parasysh personalitetet.
A i keni ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe cili është komenti juaj për to?
Eduard Kukan: Po, unë e ndjek nga afër dhe për fat të mirë mund të them se po na vijnë disa lajme pozitive nga Shqipëria. Duke e njohur situatën në vend për një kohë të gjatë, unë do të dëshiroja të më bindin se do të ketë një tendencë të përhershme të atyre lajmeve pozitive. Por neve duhet ta themi se ka pasur disa lëvizje në skenën politike dhe çdo gjë dëshmon faktin se ka një dialog të mirë pozitiv mes dy partive politike, gjë të cilën mendoj se duhet ta inkurajojmë me të gjitha mjetet. Ndodhi shumë vonë për t’u përfshirë në raportin e progresit të Komisionit Europian, por kjo nuk ka rëndësi. Është një gjë e mirë që kjo po ndodh atje. Ne kemi tashmë disa prova për këtë dhe le të shpresojmë se e ardhmja do të sjellë më shumë mundësi për ta konfirmuar këtë trend pozitiv. Ne do të zhvillojmë dialogun ndërparlamentar në Tiranë më 8 dhe 9 dhjetor. Le të shpresojmë se do të dëshmohet që sinjalet pozitive të mëparshme nuk janë thjesht “aksidentale”.
Hanes Svoboda: Mendoj se ndryshimet janë shumë pozitive dhe ato kërkojnë gjithnjë bashkimin e dy palëve. Mendoj se Shqipëria i kuptoi mesazhet që kemi dhënë nga të dyja familjet e ndryshme politike të Parlamentit Europian. Ndonjëherë merr kohë deri kur informacionet të kalojnë nëpër kanalet e grupeve të ndryshme politike, por mendoj se është e rëndësishme që ata janë dakord tashmë. Nuk është kaq e rëndësishme të flasim për të kaluarën, pse nuk ishte e mundur dhe kush bëri çfarë, por e rëndësishme është të flasim për të ardhmen.Për të ardhmen e Shqipërisë, dy grupet kryesore politike duhet të punojnë së bashku. Mund të kenë sa të duan grindje, sherre dhe dallime, por pë rsa i përket reformave për Europën ata duhet të qëndrojnë së bashku. Është shumë e rëndësishme për perceptimin në Europë, se ata nuk duhet të grinden për çështje të tilla. Ditën që zoti Kukan do të jetë në Shqipëri me delegacionin, me 9 dhjetor, unë si raportues për Kroacinë do të jem këtu për ceremoninë e nënshkrimit për anëtarësim, gjë e cila u realizua vetëm sepse forcat kryesore politike atje punuan sëbashku. Ky duhet të përbëjë një shembull edhe për Shqipërinë.
Meqë përmendët Kroacinë, një prej prioriteteve kyçe për Shqipërinë është funksionimi i sistemit gjyqësor. Sa i nevojitet “sanaderizimi” Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me korrupsionin?
Hanes Svoboda: Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë, dhe të gjitha vendet e rajonit apo e gjithë Europa, është një luftë e qartë kundër korrupsionit, pa marrë parasysh personalitetet. A është president, kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër apo çfarëdo personaliteti tjetër i rëndësishëm, askush nuk duhet të përjashtohet nga lufta kundër korrupsionit, nga gjyqet dhe nga aktivitetet e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo duhet të jetë absolutisht e qartë.”
Eduard Kukan: Unë do të doja të përsërisja atë që tha kolegu im, se lufta kundër korrupsionit dhe sistemi i drejtësisë duhet të punojnë në përputhje me standardet europiane. Duhet të merren me çdo personalitet, pa marrë parasysh varësinë e tij politike apo nivelin e përfshirjes në qeveri apo kudoqoftë. Ky mendoj unë është rregulli që duhet të futet në Shqipëri.”
Një tjetër çështje për të cilën dy palët duket se kanë rënë dakord, për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, është ‘klonimi’ i rregullores së Parlamentit Europian. A është e mundur të zbatohet rregullorja e PE në një parlament kombëtar ?
Eduard Kukan: I takon politikanëve shqiptarë të bien dakord mbi rregulloren. Në çështje të tjera ne iu tregojmë gjithnjë për standardet europiane, por unë nuk mendoj se kjo është një prej atyre çështjeve ku ata duhet të kopjojnë Parlamentin Europian. Bëhet fjalë për një institucion krejt të ndryshëm, i cili ka një strukturë tërësisht të ndryshme me përfaqësues nga 27 vende europiane. Pra ata ndoshta mund të marrin ndonjë lloj filozofie apo parimi, por për situatën konkrete në Shqipëri unë nuk mendoj se është e nevojshme që të kalohet në strukturën e Parlamentit Europian.
Hanes Svoboda: Mendoj se ajo që është e arsyeshme është të merren disa prej rregullave të Parlamentit Europian dhe disa prej rregullave të parlamenteve kombëtare, për t’i bërë bashkë në një koncept të qepur mirë dhe t’i përshtatin për parlamentin kombëtar. Por ajo që ata duhet të “klonojnë” nëse mund ta themi, është sjellja jonë ndaj njëri tjetrit dhe në mes grupeve të ndryshme politike. Ne përpiqemi të punojmë në mënyrë tepër konstruktive, përpiqemi të punojmë së bashku, përpiqemi të gjejmë rrugët e dialogut dhe jo të sulmojmë njëri-tjetrin, as fizikisht, as me fjalë të rënda.
Zoti Kukan, si kreu i delegacionit, duket sikur eurodeputetët po humbasin fokusin për Shqipërinë. Ka gjithnjë e më pak eurodeputetë që duan të shkojnë në Shqipëri në dhjetor.
Eduard Kukan: Jo, do të jemi shtatë prej nesh dhe mendoj se është një numër i mirë. Por unë i kuptoj disa prej tyre, qëndrimet e të cilëve burojnë nga përvoja që morën gjatë vizitave tona të mëparshme, ku ne nuk pamë dialog mes dy partive politike të Shqipërisë, por në vend të kësaj, ato grindeshin gjithë kohën dhe nuk ishte shumë fisnike për eurodeputetët që të uleshin atje dhe vetëm të dëgjonin. Kjo ishte arsyeja pse ishte i nevojshëm inkurajimi i një pjese të anëtarëve të Parlamentit Europian për të vajtur atje. Por dua t’i kthehem pyetjes tuaj në fillim. Për tre herë rresht gjatë takimeve të mëparshme neve nuk mundëm të miratonim deklarata të përbashkëta, pasi nuk patëm mundësi të bashkonim dy palët. Tani unë shpresoj se ato sinjale pozitive janë prej vërteti dhe do të jenë të qëndrueshme. Dhe ky do të jetë një tjetër shans për të dëshmuar se gjërat kanë ndryshuar. Pra unë shpresoj sinqerisht se pas tre përpjekjeve të dështuara, ne do të kemi një deklaratë të përbashkët. Mendoj se edhe kjo do të përçonte sinjale pozitive nga Tirana.
Përndryshe?
Eduard Kukan: Përndryshe neve na mbetet vetëm shpresa se ato sinjale pozitive janë të vërteta.
Rama informon Fylen për situatën politike
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sëbashku me deputetët Ditmir Bushati dhe Taulant Balla, janë nisur dje për një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrin pjesë në konventën e Partive Socialiste Europiane dhe do të kenë takime me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian. Mesditën e djeshme, kryesocialisti ka zhvilluar një takim me Komisioneri për Zgjerim në KE, Stefan Fyle. Ky i fundit ka mësohet të ketë theksuar rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të përqafojnë axhendën europiane, e ta kthejnë atë në një axhendë kombëtare, pasi kjo, sipas tij, është e rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë takim, kryesocialisti ka bërë një bilanc të kësaj periudhe që ka sjellë një moment të ri politik, ku opozita do të jap gjithë kontributin e saj në aspektet ku përgjegjësia është e përbashkët dhe opozita ka një rol të patjetërsueshëm.
Edi Rama, kryetari i PS
“Na takon të bëjmë gjithçka mundemi me besimin që sensibilizimi shumë i lartë i komunitetit ndërkombëtar dhe përkatësisht i BE, lidhur me çka është e domosdoshme sot për tu kapërcyer, do të jetë një ndihmesë shumë e madhe që e shkuara të mos përsëritet. Kemi një raport të ODIHR-it që ndryshe nga raporti i zgjedhjeve të vitit 2009, është i qartë, është i troçtë dhe nuk lë vend për ekuivokë”
Meta shmang përplasjen me Ramën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shmangur një përballje me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Të dy liderët janë ftuar për të qenë të pranishëm në konventën e Partive Socialiste Europiane. Por kreu i LSI-së ka preferuar të mos shkojë vetë, por të dërgojë si përfaqësues të partisë së tij, Edmond Haxhinaston, që mban postin e nënkryetarit. Kjo lëvizje e Metës ka shmangur përplasjen e dy ish-aleatëve, sot rivalëve, përpara deputetëve