Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Përpos aspektit teknik, siç janë stabilizimi i treguesve financiare apo nxitja e të punësuarve që të kontribuojnë në skemën e pensioneve, reformimi i tij duket se do të jetë edhe një test tjetër për klasën politike shqiptare në sytë e ndërkombëtarëve. Reforma në skemën e pensioneve që më shumë gjasa teknikisht do të përfundojë këtë gjatë këtij viti do të duhet të duhet të zbatohet gjatë viteve të ardhshme, ç’ka kërkon edhe një konsensus politik midis palëve që do të ishte dhënie miratimit edhe nga opozita. Një fakt i tillë shpjegohet edhe nga vetë ekspertët e Bankës Botërore që ndodhen aktualisht në Tiranë me misione të ndryshme, një ndër të cilët është edhe diskutimi në lidhje me reformimin e skemës së pensioneve. Ekspertja e BB-së që është angazhuar me reformën Melis Gyven (Melis Güven), shpjegon për gazetën se fillimisht do të bëhet një verifikim i treguesve financiar të skemës së pensioneve në Shqipëri dhe më pas do të vijohet më këshillimin e qeverisë për ndryshimet që duhen bërë. “Për momentin nuk kemi një panoramë të qartë të asaj se ç’ka do të sugjerojmë të bëhet me skemën e pensioneve. Do të dalim në një konkluzion pasi të verifikojmë gjendjen aktuale të skemës së pensioneve. Por unë do të thoja se më shumë se kapacitetet financiare për realizimin e kësaj reforme është shumë i nevojshëm konsensusi politik”, – thekson ekspertja e BB-së.
Por çfarë synon të arrijë reforma në vetvete? Qëllimi kryesor i saj është krijimi i një skeme, e cila do të mund të mbajë veten me financime duke ulur në maksimum barrën mbi buxhetin e shtetit, i cili e financon më shuma të konsiderueshme atë. Synimi tjetër është nxitja e të punësuarve që të kontribuojnë sa më shumë në skemë si dhe rritja e përfitimeve të tyre në momentin që do të marrin pensionin në raport me të ardhurat që derdhin gjatë viteve që janë në punë. Një ndër problemet e skemës aktuale sipas specialistëve është dekurajimi i të punësuarve për të kontribuuar. Të punësuarit kanë paga me diferenca të larta midis njeri-tjetrit duke derdhur në skemë shuma të ndryshme kontributesh. Kur vjen momenti i daljes në pension, shuma që përfiton secili është përafërsisht e njëjtë pavarësisht nëse kontributit të derdhur. Nisur nga kjo, të punësuarit në privat janë kryesisht të prirur që të deklarojnë pagë minimale duke derdhur edhe kontribute minimale.
Opozita kundër reformës me “rritje moshe”
Në një kohë kur Banka Botërore është e prirur që reforma të ketë një mbështetje të gjerë politike nisur nga interesi i aplikimit të saj me sukses duket se qeveria do të jetë edhe vetë e prirur për të marrë miratimin e opozitës për shkak të kostos politike që mund të sjellë një veprim i tillë. Reformat në skemat e pensioneve shoqërohen zakonisht me kundërshti në popull për shkak të ndryshimeve radikale që mbartin ato në drejtim të uljes së përfitimeve për grupe të ndryshme apo në rritjen e moshës së daljes në pensione, siç është bërë gjatë muajve të fundit në Greqi dhe Bullgari. Në të dyja këto vende, pati reagime të forta të publikut pas miratimit të reformave nga qeveritë përkatëse. Shenjat e para të kërkesës së mbështetjes u dhanë nga ministri i Financave Bode, i cili kërkoi në Komisionin e Ekonomisë edhe mbështetjen e të majtëve në këtë drejtim.
Et’hem Ruka, kreu i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvend, shprehet se reformimi një pensioneve është një domosdoshmëri, në një kohë kur skema aktuale është e dështuar. “Skema ka dështuar, fondet për pensionet nuk sigurohen prej saj siç duhet të normalisht, por nga buxheti i shtetit. Ka shumë gjëra që duhen rishikuar. Mund të përmend këtu privilegjet që përfitojnë disa pasi dalin në pension apo përfitimet e ulta të një pjesë tjetër, etj”, – shpjegon Ruka.
Krahas këtyre deklaratave me karakter teknik, duket se opozita nuk e ka “me shumë qejf” mbështetjen e qeverisë në drejtim të reformës së pensioneve, aq më tepër nëse ajo përmban rritjen e moshës. Deputetë të PS-së, të kontaktuar nga gazeta shprehen kundër çdo përpjekje të mundshme të qeverisë për rritje të moshës së pensionit. Çështja ka të bëjë kryesisht me përfitimet e qytetarëve, por më se shumti me koston politike që mbartin zakonisht reforma të tilla. Në rast të një mbështetje ndaj një reforme që do të prekte të ardhurat e qytetarëve qeveria do të ndante koston politike me opozitën, gjë që kjo e fundit nuk mund t’a pranojë, aq më tepër në realitetin e sotëm politik.
Rritet mosha e daljes në pension?
Kjo është e disata herë që ndërhyhet në skemën e pensioneve nga qeveritë që kanë qenë në pushtet pas viteve ’90. Ndërhyrja më e fundit dhe me radikale ishte ajo e qeverisë socialiste dhjetë vite më parë, e cila me anë të ndryshimeve ligjore rriti moshën e daljes në pension nga 60 në 65 vjeç për burrat dhe nga 55 në 60 vjeç për gratë. Rritja e moshës së daljes në pension u bë me nga 6 muaj për çdo vit për një periudhë 10 vjeçare deri në vitin 2012. Cikli i rritjes së moshës me nga gjashtë muaj, mbaron pikërisht këtë vit dhe për këtë shkak pritet një rritje e madhe e numrit të atyre që do të dalin në pension gjatë kësaj periudhe. Pritet që numri shtesë i pensionistëve të rinj të jetë rreth 11 mijë, krahas 15 mijë të tjerëve që dalin rregullisht në pension gjatë një viti në Shqipëri.
Një fakt i tillë e bën të domosdoshme kryerjen e një reforme në skemën e pensioneve, por zhvillime të tjera priten në këtë drejtim edhe gjatë viteve të ardhshme. Vitet 2012-2015 përkojnë me daljen në pension të atyre që kanë lindur menjëherë gjatë viteve të pasluftës. Të dhënat demografike tregojnë se në atë periudhë ka pasur rritje të lartë të numrit të lindjeve, ç’ka automatikisht rrit edhe numrin e pensionistëve potencial gjatë 3 viteve të ardhshme.
Nisur nga këto pritshmëri, a do të përmbajë edhe reforma shqiptare si ato të Greqisë apo Bullgarisë rritje të moshës së daljes në pension ndër të tjera? Përgjigjen për këtë është rrekur ta japë vetë ministri i Punës, Spiro Ksera pas deklaratave të disa muajve më parë të Kryeministrit Berisha, i cili deklaroi rritjen e moshës së daljes në pension të shqiptarëve. “Ka reformim të ligjit për sigurimet shoqërore, por kurrsesi nuk ka rritje të moshës së pensionit. Do të ketë një indeksim që ka të bëjë me moshën. Indeksimi do të jetë në nivele të ndryshme të pensioneve, siç janë ato të fshatit, në sektorin bujqësor, të invaliditetit dhe gjithë pensioneve të tjera”, – do të shpjegonte Ksera gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale në shtator të vitit të shkuar.
Por më parë, Kryeministri Berisha do të deklaronte gjatë mbledhjes së qeverisë se ekzekutivi po përgatitej për një rritje të re të moshës së daljes së shqiptarëve në pension duke e lidhur këtë ndryshim me rritjen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Kjo deklaratë duket se ishte një testim i reagimit të publikut, i cili reagoi ashpër ndaj një nisme të tillë të qeverisë.
Disa nga shkaqet e reformës
-Deficiti i lartë i skemës
-Shpenzimet e mëdha
-Dekurajimi i të punësuarve për të kontribuuar
-Dyfishimi i pritshëm i numrit të pensionistëve të rinj këtë vit
-Lindshmëria e lartë gjatë viteve të para pas luftës së dytë botërore (dalin në pension gjatë këtyre 3-4 viteve)
“Rritja e moshës, rrit papunësinë”
Çfarë do të ndodhte nëse do të rritej mosha e pensionet edhe në Shqipëri? Ekspertë të fushës vlerësojnë se ndikimi i parë do të ishte në ngadalësimin e punësimit në vend. Kjo do të ndodhte për faktin se personat që janë aktualisht pranë moshës së daljes në pension do të detyroheshin të punonin edhe disa muaj apo vite të tjera për të plotësuar moshën duke mos liruar vendin e punës përgjatë kësaj periudhe për më të rinjtë.
Ja shembulli i Bullgarisë
Aplikimi i reformave në skemën e pensioneve gjatë viteve të fundit, të karakterizuara kryesisht me rritje të moshës së daljes në pension, janë pritur me pakënaqësi nga grupet e punëtorëve. Shembulli më i fundit ishte Bullgaria, ku parlamenti miratoi ndryshime të thella në ligjin për pensionet gjatë dhjetorit të vitit të shkuar. Reforma Bullgare përmban rritjen e moshës mesatare të daljes në pension nga 60 në 63 vjeç për gratë dhe nga 62 në 65 vjeç për burrat. Rritja do të bëhet me nga katër muaj për çdo vit deri në arritjen e moshës së caktuar për të dalë në pension.
Skema, deficiti 33 miliardë lekë
Instituti i Sigurimeve do të shpenzojë rreth 84.3 miliardë lekë gjatë këtij viti për pensione gjatë këtij viti. Rreth 51.3 miliardë lekë janë parashikuar të mblidhen nga kontributet e të punësuarve kurse 33 miliardë lekë do të transferohen nga buxheti i shtetit. Shuma e transferimit nga buxheti i shtetit për këtë vit në skemë është rreth gjashtë miliardë lekë më e madhe se gjatë vitit 2011 duke zgjeruar kështu deficitin e saj. Skema e pensioneve suplementare ndërkohë i kushton vendit plot 5.4 miliard ëlekë nga të cilat vetëm 300 milionë lekë mblidhen nga kontributet, kurse pjesa tjetër mbulohen nga buxheti i shtetit.
Pensionet alternative
Krahas pensionit të pleqërisë, i cili sigurohet pasi mbushet mosha e daljes në pension dhe me minimumi 35 vite të siguruara, ligji njeh të paktën edhe dy lloje pensionesh të tjera, të cilat mund të përfitohen pa i plotësuar këto dy detyrime bazë. I pari është pensioni i pjesshëm i pleqërisë dhe i dyti pensioni i reduktuar i pleqërisë, të cilët mund të përfitohen duke përmbushur disa kushte specifike të parashikuara në ligj dhe udhëzime.
Sipas ligjit, pension të pjesshëm pleqërie përfitojnë të gjithë ata që kanë mbushur moshën e daljes në pension duke përfituar pension të plotë, por qe nuk mund ta marrin atë për shkak të viteve të pamjaftueshme të punës. Ky lloj pensioni vlen për të gjithë ata që kanë minimalisht 15 dhe maksimumi 35 vite pune. Aktualisht, mosha limit e përfitimit për gratë është 60 vjeç dhe për burrat është 65 vjeç. Në këto kushte, qytetari aplikon për pension të pjesshëm pleqërie duke përfituar vërtetë pension të plotë, por merr për aq vite sa ka derdhur kontribute. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë me kohën e periudhës së sigurimit. Shuma e dalë pjesëtohet me 35 vjet, e cila është periudha e sigurimit minimale për të përfituar pension të plotë.
Pensioni i reduktuar i pleqërisë nga ana tjetër funksionin sipas një logjike tjetër. Kushti themelor është që qytetari të ketë mbushur minimumi 35 vite punë. Mosha kur lind e drejta për të përfituar është 62 vjeç për burrat dhe 57 vjeç për gratë. Të gjithë ata që përmbushin këto kushte, mund të aplikojnë për pension të reduktuar pleqërie. Marrja para kohe e tij ka sigurisht edhe kosto. Sipas ligjit, pensioni i plotë i pleqërisë reduktohet me 0.6 për qind për çdo muaj të dalë në pension para afatit të moshës të përcaktuar në ligj. E thënë ndryshe, nëse një burrë kërkon të dalë në pension në moshën 62 vjeç, shuma që ai përfiton do të jetë sa 78.4 për qind e pensionit të plotë. Pra, nëse pensioni i plotë i qytetit është aktualisht 22 734 lekë, shuma që merr ky qytetar është 17 823 lekë. Sipas ligjit, nëse një person kërkon të marrë pension të reduktuar, ai do të mbetet në fuqi deri në fund. Pra, në çdo rast, një burrë apo një grua e dalë në pension të reduktuar do të marrë sa 78.4 për qind e pensionit të plotë. Në fakt, ky lloj pensioni është bërë posaçërisht për të lejuar përfitimin e të moshuarve para se të ndërrojnë jetë në rastet kur kemi të bëjmë me rritje të moshës së daljes në pension.