Publikuar me : 02.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 90 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Bardhosh Gaçe, historian
Në fytyrën historike 100-vjeçare të Shqipërisë, shqiptarët, që pas shpalljes së pavarësisë bënë përpjekje madhore për krijimin e shtetit të tyre dhe konsolidimin e tij, në kushte dramatike për shkak edhe të fqinjëve ballkanikë, të cilët herë hapur dhe herë me intriga, ndërhynin në punët e brendshme për të realizuar synimet e tyre ndaj trojeve shqiptare. Këtij kalvari i përkushtuan energjitë e tyre mjaft personalitete të shquara, që nga Ismail Qemali deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë sfond historik kanë zënë vend jo vetëm qeveria e Vlorës me Ismail Qemalin, por edhe Sulejman Delvina me qeverinë e Lushnjës, Fan Noli me revolucionin e qershorit dhe më pas republika shqiptare me kryetar Ahmet Zogun, i cili e ktheu në mbretëri.
Asokohe një figurë e shquar evropiane si Qemal Ataturku, që i dha fytyrën moderne Turqisë, me të drejtë tha: “Kur mbretëritë po shuhen në Evropë, një malësor nga Mati vetëshpallet mbret”, duke e cilësuar si karikaturë të modernizmit evropian. Megjithkëtë mbretëria shqiptare ka jetën e vet, politike, administrative dhe kulturore. Ajo është objekt i mjaft studimeve dhe rivlerësimeve. Tashmë studiues të ndryshëm, nën dritën e mendimit të lirë historik, po e shpalosin më qartë analizën e tyre për mbretërinë dhe Ahmet Zogun duke nxjerrë në pah si anadollizmin, si vlerat që solli mbretëria. Sidoqoftë bashkëjetesa politike me fashizmin dhe akti i braktisjes së atdheut me pushtimin fashist të 7 prillit, e përmbylli misionin historik të mbretërisë.
Së fundmi u rishfaqën fantazma trashëgimtarësh, me mjaft bëma dhe peripeci. Disa e quajnë Mbreti Leka i Parë, disa, trashëgimtar të fronit mbretëror, pa qëndruar asnjë ditë në fron, për të tjerët ai është një karikaturë historike, e ngjashme me personazhet e Servantesit, një figurë thuajse groteske që u end edhe ai mes halleve dhe tranzicionit të zgjatur shqiptar. Shqiptarët e respektojnë vdekjen e një njeriu. Edhe Leka Zogu duhet varrosur me nderime në tokën e tij. Por personalisht jam kundër aureolave që tentohen t’i mvishen atij.
Një figurë tjetër historike është Abaz Kupi. Këto figura sot i shikojmë në kompleksitetin e tyre. Abaz Kupi ishte një antifashist i njohur. Luftoi më 7 prill, mori pjesë në Konferencën e Pezës më 1942-shin, por siç mësojmë nga shënimet e Isuf Luzit dhe mjaft misionarëve anglezë të Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë fashiste, me pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë, ai mbetet një figurë e dyzuar, në bashkëpunim me nazistët. Sigurisht që vlerat e tij nëpërmjet dokumenteve të fundit dalin më shumë në dritë, por kjo nuk do të thotë që mos t’i qortojmë nga ana historike për gabimet shpesh të rënda që kanë bërë. Si nacionalist, ai kishte shpirt patriotik, por kultura e tij jo e thellë dhe rrethanat historike me sa duket e çuan në gabime të tilla.
Shqipëria ishte një vend i varfër dhe i dalë nga Lufta e Parë Botërore, nga një teatër lufte që e dëmtoi rëndë. Pas Konferencës së Paqes në Paris, Ahmet Zogun (edhe pse 25-vjeçar), qeveria e Sulejman Delvinës, e zgjodhi ministër të Brendshëm. Më pas u bë edhe kryeministër. Por nuk mund të mohohet dot gjatë jetës së tij vrasja e mjaft patriotëve, si: Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Isuf Kazazi, Hasan Prishtina etj, të cilët krijuan revolta opozicioni dhe kryengritje brenda vendit, siç ishte revolucioni i qershorit më 1924-n, kryengritja e Fierit më 1934-n, kryengritja e Et’hem Totos, dhe disa herë plagosja e vetë Zogut. Vetëm në organizatën e fshehtë të Vlorës u arrestuan mbi 67 vetë, që ishin kundër politikës së Ahmet Zogut. Ata u dënuan dhe u internuan, duke qenë ndër atdhetarët më në zë të vendit.
Pse ka opozicion dhe zemërim ndaj Zogut? Ky zemërim i shqiptarëve ishte i përligjur. Vinte edhe nga fakti se Ahmet Zogu erdhi në fuqi pas revolucionit të qershorit, me ndihmën e bajonetave serbe të Pashiçit dhe bjellogardistëve rusë. Ende janë në jug të Shqipërisë kujtimet e hidhura që mbolli ushtaraku i tij, Taf Haziu, i cili burgosi, internoi dhe shtroi në dru qytete dhe krahina të tëra. Në politikën e tij dyfytyrëshe zë vend edhe një thënie e Ahmet Zogut, në takimin me vlonjatët, rreth vitit 1937: “Vlonjakë, unë e di që ju s’më duni mu. Po ju i duji kombit tim”.
Po të hapësh arkivat e shtetit, vihet re menjëherë se Ahmet Zogu ishte i dhënë shumë pas qejfeve dhe ahengjeve, pas prishjeve përrallore të parave. Vetë kujtimet e tyre të botuara në Kroaci, Vjenë dhe Paris tregojnë një fytyrë tjetër të mbretit tonë, me një kulturë të thellë orientale e sulltanore, por edhe lojërat e shumta që ka bërë në kurriz të kombit shqiptar me fuqitë e tjera ballkanike. Në fushën e zhvillimit ekonomik, ai u shoqërua nga koncesionet, huatë, dhe aktmarrëveshjet e nënshkruara me qeverinë fashiste italiane, duke e kthyer veten dhe vendin në një vasal të Benito Musolinit. Më qartë se çdo dokument tjetër, Ahmet Zogun e zbërthen ditari i kontit Ciano dhe shtypi i vendeve të huaja: Berlin, Selanik, Bari, Romë, Vienë, Paris, Madrid, Londër dhe SHBA. Vetë shqiptari ynë i madh Konica në krahun tjetër të tij, e përshkruan me nota groteske të thella “mbretin e pakurorëzuar të shqiptarëve”. Vetëm për një shkrim që bëri Andon Zako Çajupi kundër fytyrës anadollake të qeverisjes së tij – në shtypin e kohës, nuk u lajmërua as për vdekjen e poetit.
Sqarim: Në organizatën e fshehtë të Vlorës bënin pjesë gjithë krerët që organizuan luftën e Vlorës.