Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 33 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ardian Vehbiu
Fatmira Nikolli shkruan, te Gazeta Shqiptare, për rreziqet që i kërcënohen trashëgimisë kulturore shqiptare: zjarri, vjedhja, trafikimi, mosmirëmbajtja, shkatërrimi për qejf. Më keq e kanë pësuar ikonat, të cilat edhe kërkohen në tregun e zi dhe u sjellin të ardhura të mira grabitësve. Çfarë duhet bërë përballë kësaj situate? I pyetur për këtë, Apollon Baçe thotë se ikonat duhet t’i mbrojë vetë Kisha Ortodokse, sa kohë që mbrojtja e tyre nga institucionet publike, ose kujdestarët rrogëtarë të Ministrisë së Kulturës, nuk ka dhënë rezultate.
Ndërkohë, i këtyre ditëve (ose më mirë netëve) është lajmi se në Bularat të Gjirokastrës qenkan vjedhur plot 27 ikona. Së njëjtës pyetjeje, Artan Lame i përgjigjet ndryshe; për të, e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur objektet me vlerë është t’i dërgojmë ato jashtë vendit për një kohë të pacaktuar, ose “derisa të qytetërohemi.” Për Lamen, ideja e Baçes është kundërprodhuese, meqë objektet e kultit u janë vjedhur rregullisht institucioneve fetare. Megjithatë, ideja e tij për këtë farë outsourcing të pasurive kulturore do marrë më tepër si simptomë paradoksale e dëshpërimit, sesa zgjidhje praktike.
Përgjithësisht, kombet e vogla dhe të nëpërkëmbura kërkojnë që t’ju kthehen pasuritë kulturore prej muzeumeve të botës; meqë rreth tyre ndërtojnë edhe një identitet kulturor të mirëfilltë, që deri atëherë u ka munguar.
Madje të tilla pasuri kulturore ne shqiptarët konsiderojmë edhe eshtrat e baballarëve (dhe njerkëve) të kombit, të cilat i sjellim në Shqipëri si të mundemi, i rivarrosim në ndonjë cep, dhe pastaj i lëmë të qeta derisa të harrohen prapë. Lame ka natyrisht të drejtë kur thotë se shteti shqiptar këto pasuri nuk po i ruan dot, sa kohë që mungon buxheti i nevojshëm.
Ai shton edhe se nuk duhet të habitemi shumë me vjedhjen e këtyre objekteve, në një kohë që vjedhja është shndërruar në mënyrën më të suksesshme për t’u pasuruar, sot në Shqipëri, në të gjitha instancat. Prandaj, vëren Lame, t’i vëmë në tutelën e ndërkombëtarëve; ose të kaskave blu të UNESCO-s (do të shtoja unë).
Megjithatë, ndoshta është vendi për të menduar out of the box, dhe për t’i propozuar Ministrisë së Kulturës një mënyrë disi “jo-ortodokse” për t’i mbrojtur këto thesare, ortodokse dhe të mbarë kombit. Do t’i thoja ministrit: zëvendësojini ikonat dhe ikonostaset me kopje të mira. Kopjet nuk janë shumë të kushtueshme; madje në Kinë t’i bëjnë për hiç gjë (fundja edhe për një DVD të filmit Ngadhënjim mbi Vdekjen).
Nuk ka nevojë të jenë të përsosura; në mbarë Europën, përfshi aty edhe Rusinë, nuk do të ketë më shumë se 10-15 veta në gjendje të dallojnë një kopje profesionale nga origjinali.
Pa përmendur këtu vendet e punës që do të hapen, për virtuozët e syrit, të dorës, dhe të ngjyrës. Nuk ka nevojë as që të publicizohet ky akt; por vetëm të përflitet, atje ku duhet.
Origjinalet mund të ruhen në arkivin e Shtetit, ose në ish-Tunelet e Thesarit, fundja edhe në ish-Depot e Armatimit, që janë të pajisura me sisteme alarmi të fjalës së fundit.
Madje, madje, meqë na lejohet të fantazojmë, nuk ka nevojë as edhe që të zëvendësohen të gjitha ikonat me kopje; mjafton të krijohet bindja në popull se ky zëvendësim është kryer tashmë.
Tregu i objekteve të vjedhura të artit funksionon në bazë të besimit; meqë jo çdo grup mafioz që merret me shitblerjen e ikonave i ka mundësitë të kërkojë, sipas rastet, opinionin e ekspertëve të artit bizantin. Nëse përhapet fjala se ikonat dhe ikonostaset në Kishat Ortodokse të Shqipërisë janë zëvendësuar me kopje, atëherë hajdutët do të stepen, meqë nuk do të kenë kujt t’ia shesin trofetë e tyre. Ndoshta shërbimet sekrete shqiptare duhet të kujdesen që ta hapin këtë fjalë jashtë Shqipërisë, jo brenda. (Ja edhe një mundësi tjetër për vende pune: dizinformator ikonash.)
Sidoqoftë, sa zgjidh një problem, tëdelpërpara një tjetër. Në pamundësi për të vjedhur ikona dhe objekte të lëvizshme, bandat e hajdutëve do të fillojnë të shkulin nga muret e kishave afresket, me gjithë pezhishkat e merimangave; dhe ndonjë ditë edhe kishat vetë, duke nisur me më të voglat, për t’ua ofruar “koleksionistëve”.
Nga një milet që rrëmben shinat e trenit për t’i shitur për skrap, gjithkush ka të drejtë të presë më shumë.