Publikuar me : 11.10.2011 Ne :
Sport - 60 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Aspak në presion për rinovimin e kontratës dhe me objektivin për t’i bërë një mbyllje dinjitoze fushatës eliminatore në Grupin D të Euro 2012. Kjo është pamja e trajnerit të kombëtares shqiptare Josip Kuzhe, i cili të martën kundër Rumanisë mund të drejtojë për herë të fundit kuqezinjtë. Por ky mendim nuk ka vend në mendjen e teknikut kroat. Mendimi dhe ndjesia e parë e Kuzhes është fitorja në “Qemal Stafa”. Jashtë çdo objektivi, suksesi kundër rumunëve vlen vetëm për statistika, por të paktën do të linte një kujtim të mirë te tifozët, futbollistët dhe te vetë trajneri.
“Rumania vjen këtu e motivuar dhe kërkon një rezultat pozitiv për të mbyllur në mënyrën më të mirë eliminatoret. I njëjti objektiv vlen edhe për ne. Duhet të përpiqemi të lemë një diçka të mirë nga këto eliminatore. Fola me lojtarët dhe u thashë se me Rumaninë duhet të fitojmë që të kujtojmë diçka pozitive. Sa i përket kontratës, nuk ndjehem aspak në presion. Nuk kam menduar për këtë. Ndjesia dhe mendimi im i parë është vetëm fitorja me Rumaninë. Pas kësaj do të ketë kohë dhe do të diskutoj me drejtuesit e Federatës”, tha Kuzhe. Sfida kundër Rumanisë është speciale edhe për Altin Lalën. Kapiteni kthehet për këtë ndeshje, mbase e fundit për të si kuqezi. Një motiv më shumë për të fituar.
“Pavarësisht se është një ndeshje e fundit dhe shpesh këto ndeshjet e fundit nuk luhen me motivacionin që duhet, unë mund të them që ne jemi 100 perqind të motivuar. Të gjithë, futbollistët dhe trajneri kanë dëshirë të madhe ta fitojnë këtë lojë”, tha Lala.
Kundër Rumanisë, Kuzhe do të zbresë në fushë me një skuadër sulmuese. Kthehet Bogdani i cili do të luajë përkrah Salihit në repartin e sulmit. Sërish titullar Odise Rosi, ndërsa një vend në 11-shen e parë edhe për Bakajn, i preferuar nga trajneri në vend të Hykës.