Publikuar me : 09.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 60 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Italia, Kristi Pinderi
Kontakti i parë me Italinë e zhytur në krizë, ishte në aeroportin “Falkonara”, i zymtë, i vogël dhe aspak praktik në veri të Ankonës. Polici kufitar nis të kontrollojë pasaportat dhe dokumentet e tjera që shoqërojnë pasagjerët nga Shqipëria. Këta të fundit, janë më së shumti familjarë, me fëmijë në krahë e me torba në duar.
Dy të rinj në radhë deklarojnë se kanë nënshkruar kontratë pune tremujore në Itali. Bien shpejt në sy, madje binin në sy me bezdisje që në Rinas, kur në autobusin që do na çonte në avion dukshëm bërtisnin me humor: “Ku çon ky autubos daku, në Vaqarr!?”.
Kur polici u kërkon kontratën e përkohshme të punës, ata nuk e kanë! I tregojnë ama adresën dhe një pikë kontakti në Itali. Polici u vulos me shpërfillje pasaportat, me një lëvizje që duket sikur thotë se nuk ka as kohë, as dëshirë e as vullnet që t’i pengojë apo t’u sqarojë se pa ato dokumente të nevojshme ka të gjithë autoritetin t’i urdhërojë të kthehen në avion, një ATR 200 me helika i kompanisë “Belleair” që në ato momente po përgatitet për t’u rikthyer në Rinas. Por nuk e bën. Pas dy djemve të rinj, një nënë me fëmijën në krahë tregon një faks nga i vëllai në Itali. Polici, si për inerci të detyrës i tregon se një fletë e printuar faksi jo detyrimisht është një dokument zyrtar. Pastaj i kujton se faksin e ka dërguar e motra, jo i vëllai! Ia vulos edhe asaj pasaportën, si dhe gjithë të tjerëve, gjithë herët me përtesë, dhe aspak me vullnetin rigoroz të një nëpunësi zyrtar. Si ai, sot punojnë në Italinë pothuajse të humbur në zhgënjim të gjithë ata që kanë ende mundësi të kenë një punë, një rrogë e një impenjim të vazhdueshëm.
Në rajonin e Abrucos në qendër të Italisë mbi 50 mijë të papunë italianë (një shifër ajo shumë e lartë për rajonin në fjalë, që në mënyrë progresive tregon pak a shumë të njëjtin nivel papunësie në të gjithë Italinë, mbi 14 përqind), rezultojnë, sipas studimit sociologjik të një organizate të shoqërisë civile, aq shumë të zhgënjyer sa nuk marrin përsipër as të kërkojnë më punë. Një prej pyetjeve më interesante në sondazhin e asaj organizate kishte qenë: sa herë keni kërkuar për një punë në 5 ditët e kaluara? Përgjigja ishte: as edhe njëherë…
Atë ditë dhe të nesërmen, gazetat, edhe ato thelbësisht të mërzitshme, pa nerv, pa ritëm dhe gati gati të shtypura sikur kishin bërë “copy-paste” me njëra tjetrën njoftonin në faqen e parë dy lajme kryesore. E para, pothuajse të tërbuara pyesnin veten dhe lexuesit: Pse kryeministri Mario Monti duhet të shkojë më së pari në emisionin “Porta a Porta” të Bruno Vespës për të njoftuar masat e rrepta kundër krizës dhe vetëm pas atij emisioni që në Itali e krahasojnë me një dhomë të tretë të legjislativit do të bënte diksutonte kryeministri i ri teknik reformat në Parlamentin (zyrtar) të Italisë?! Pastaj si për të shtensionuar situatën publikonin foton e Hillari Klintonit në një takim çaji me nobelisten për paqe, lideren e opozitës në Majnmarin e shkatërruar nga junta ushtarake e lufta civile. Një Zot e di se çfarë interesi mund të kenë sot italianët e tkurrur psikologjikisht e të frikësuar nga ekonomia si të kishin një çekan konstant mbi kokë, me një vend për të cilin ata nuk e kanë as idenë më të vogël edhe se ku ndodhet në hartën botërore?!
Në Alba Adriatika, një qytezë e vogël që ndodhet përballë Shqipërisë e Malit të Zi, 10 mijë banorët permanentë presin me ngulm të vijë vera e ndërkohë shpenzojnë me kursim të ardhurat që i kanë fituar nga turizmi i verës së kaluar. Sidomos gjatë gushtit, ky qytet i vogël me rreth 10 mijë banorë pothuajse 300 fishohet! “Po të vish në verë”, thotë Xhiani di Marko një investitor i mesëm atje, “në shëtitoren buzë detit nuk mund as të ecësh lirisht, aq e ngarkuar me njerëz është”. Xhani ka atje një lokal të vogël ku shërben edhe ushqime të ndryshme. Klientela më besnike janë shqiptarët! Këta të fundit ndahen në disa kategori. Së pari janë familjarët, burrat merren kryesisht me profesione, si: hidraulikë, bojaxhinj apo teknikë ndërtimi. Punojnë zakonisht në skuadra të vogla prej dy apo tre vetësh dhe çuditërisht ka punë për ta gjatë gjithë vitit. Në atë qytet, gjatë verës punohet, por gjatë dimrit të gjithë përgatisin infrastrukturën për turistët. Kësisoj kush mund të ketë më shumë punë se hidraulikët, elektriçistët, bojaxhinjtë apo punëtorët e ndërtimit? Të tjerët janë kryesisht djem të rinj. Ose nga ata që kanë më shumë se 10 vjet atje, ose më të rinj. “Këta çunat këtu”, më tregon Lilian, një kamariere e atij lokali, “janë nga Fieri dhe kanë 3 prostituta rumune!”. Ndërsa gocat shqiptare që jetojnë me ta, ashtu si dhe gratë apo familjarët e tjerë të shqiptarëve në profesione të lira, pothuajse nuk dalin fare nga shtëpia, veçse të dielave.
Mund të jetë ngaqë qyteti është i vogël dhe në kushtet e një krize ekonomike njerëzit gjejnë gjithëfarësoj mënyrash për të mbijetuar, apo mund të jetë ngaqë kanë vite të gjata tashmë mbijetese, por italianët në atë qytezë të vogël që ngjason aq shumë me zonën bregdetare të Durrësit nuk i urrejnë më shqiptarët, nuk i paragjykojnë e as nuk tentojnë t’i mbajnë më larg. Përkundrazi, të duket sikur për ta kanë tashmë respekt, edhe pse rastet kur shqiptarë të rinj përfundojnë në burg ose për vjedhje, ose për shpërndarje të drogës pothuajse nuk mungojnë në gazetat lokale, e bashkë me ta edhe historitë e ngjashme të rumunëve. Këta të fundit, për fatin e tyre të keq, duket sikur jetojnë tashmë një periudhë të imazhit e të reklamës së keqe, njësoj si shqiptarët dikur, që ose e kanë shkaktuar vetë, ose që shoqëria ku jetojnë e ka shpikur, si të thuash: e ka krijuar për të pasur një objekt diskutimi gjatë ditëve monotone pa punë…
Mario Monti e ndryshoi, megjithatë, programin e ditës: shkoi më parë në Parlament, e më pas, gjatë mbrëmjes në emisionin e Bruno Vespës (për nga skenografia e studios së tij, për nga vetë karakteri komformist e për nga natyra e emisionit në fjalë, ai ngjan shumë me Fevziun e me Opinionin shqiptar). Por reforma kryesore nuk ishte vetëm shtimi i viteve të punës dhe pensioni në moshën 63 vjeç, por mbi të gjitha kishte të bënte me reduktimin dramatik të fondeve për shëndetësinë dhe për kërkimin shkencor. Për shëndetësinë programi i tij i ri parashikon një ulje prej 5 përqind në buxhetin total. Në Pesacara takojmë dr. G. Parriti primar i pavionit të Infeksioneve dhe teksa na shpjegon tërë optimizën sesi më në fund, edhe HIV Aids mund ta mjekojnë për shkak të përparimit gati të pabesueshëm të medikamenteve, nuk është akoma në gjendje të shpjegojë se si do ndikojë konkretisht ulja e buxhetit për shëndetësinë në luftën e tij të përditshme. “Nëse sot një pacient e zbulon në kohë prezencën e virusit HIV, me mjetet tona kemi mundësi t’ia zgjasim dhe t’ia përmirësojmë jetën në atë mënyrë që mos e ndjejë fare se është një i sëmurë, njësoj si gjithë të sëmurët e tjerë kronikë. Problemin e vetëm e kemi me diagnostikimet e vona, dmth në atë kohë kur virusi ka filluar të shkaktojë dëme”, thotë ai. Ulje në buxhet parashikohen rëndshëm për arsimin dhe zhvillimin shkencor.
Ndërsa qershia mbi tortën e reformave ka të bëjë me atë që në Itali tani e quajnë taksa e luksit: nëse ke një shtëpi të dytë, do të duhet të paguash 40 përqind taksa më shumë, nëse ke një pronë të tretë të paluajtshme do të pagush trefish më shumë, e kështu me radhë. Në Italinë me gjak të nxehtë mesdhetar evazioni fiskal është në shifra të larta e megjithatë duket se qeveritarët atje e konsiderojnë thuajse luftë të humbur luftën me këtë plagë që teorikisht duhet të ishte edhe një pjesë e thembrës së Akilit në një ekonomi që synon të ulë kostot e të maksimizojë të ardhurat.
Ne e konstatuam vazhdimisht me sytë tanë një gjë të tillë. Një prej investuesve të vegjël na tregon me humor se si shkoi në zyrat e taksave dhe tregoi bilancin e këtij viti. Zonja përballë, nga ato të rrahurat si me vaj e me uthull, i bëri një pyetje të vetme dhe kulminante biznesmenit në fjalë: Zotëri, nga këto bilance rezulton se me biznesin tuaj keni fituar diçka më shumë se 100 euro çdo muaj të këtij viti. Tani vendosni, ose do paguani në çast 5 mijë euro taksa për shtetin, ose nesër do duhet ta sqaroni të gjithë situatën me inspektorët financiarë! “Pagova menjëherë taksat”, vazhdon pohimin biznesmeni, dhe shton një shprehje që është aksiomë e mirëfilltë këto ditë në Itali: “kush është i pasur nuk e tregon më! Të kesh pasuri sot në Itali, është njësoj si të kesh me vete një mallkim…”
Po atë mbrëmje takojmë një çift shqiptar. I takuam në një festë. Për habinë tonë, kamerierja e atij lokali ishte shqiptare. Në fund të shfaqjes e takuam bashkë me të shoqin shqiptar dhe na pohoi se sapo kishte përfunduar universitetin për shkenca sociale, mirëpo nuk do të kthehej më asnjëherë në Shqipëri. Si për ta mbështetur në këtë ide, i shoqi shtoi duke buzëqeshur, një buzëqeshje që dukej, në fakt, më shumë si një reagim jo dhe aq logjik: E pse të vijmë atje? Atje akoma të vrasin…
Në kthim, në të njëjtin aeroport, kontakti i fundit me gazetat italiane. Që të gjitha, copy-paste shkruanin: Kriza evropiane varet nga Italia. Në fakt, ishte një titull paksa i mënjanuar nga konteksti. Ishte një titull krenarie në një vend tipik mesdhetar që jeton edhe pa punë, por jo pa krenari. Kishte të bënte me një konstatim dytësor të kancelares Merkel e cila shpjegonte se në varësi të mënyrës si Italia do ta zgjidhë krizën e vet, do të mund të parashikojmë edhe ecurinë e krizës evropiane. Pra, nuk do të thoshte se Italia do zgjidhë krizën, e se do jetë shpëtimtarja e Evropës! Tituj të tillë, megjithatë, mbanin akoma gjallë krenarinë e atij vendi ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë. Drejt avionit në pistë shkuam në këmbë, pasi kostoja e benzinës që ishte shndërruar me metanin më të lirë, ishte gjithsesi e papërballueshme për autobusët që zakonisht për efekt sigurie të transportojnë drejt avionit…