Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Kronike - 32 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, në zbatim të ligjit “Antimafia” ka kërkuar në gjykatë konfiskimin e pasurisë me vlerë mbi 2.5 milion euro që ndodhen në shtatë llogari bankare në emër të dy vëllezërve Aleksandër e Sokol Shehu, kunatit të tyre Can Murataj dhe mikut Fatos Zeka. Ishte prokurori i çështjes Adnan Xholi, i cili në seancën gjyqësore të shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës për konfiskimin e pasurisë së vëllezërve Shehu dhe dy miqve të tyre, lexoi konkluzionet përfundimtare duke kërkuar që kjo pasuri me vlerë mbi 2.5 milion euro t’i kaloi në pronësi shtetit.
Në dosjen që “Shekulli” ka siguruar, janë renditur edhe një sërë përgjimesh telefonike, ku vetë të dyshuarit dhe familjarët e tyre tentonin të justifikonin dhe fshihnin pasurinë e siguruar në rrugë “kriminale”. Nga ana tjetër, kjo kërkesë e prokurorit Xholi për konfiskim, erdhi vetëm pak kohë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit kishte vendosur sekuestrimin e kësaj pasurie, duke i dhënë kohën e mjaftueshme vëllezërve Shehu dhe të afërmve të tyre të justifikojnë këtë pasuri që ndodhej në llogarit e tyre bankare.
Por, edhe pasi një procesi të gjatë gjyqësor, avokatët dhe të afërmit e vëllezërve Shehu dhe miqve të tyre, nuk arritën të provojnë se kjo shumë parash është siguruar në rrugë legale. Në fjalën e tij, prokurori Xholi përveç konfiskimit të kësaj pasurie kërkoi që administrimin e kësaj shumës dhe kalimin nga llogarit bankare të tyre në shtet ta bëjë Zyra e Përmbarimit në Tiranë.
Shkaku që vëllezërve Shehu dhe miqve të tyre iu bllokua kjo pasuri, është bërë një procedim penal i nisur nga autoritetet greke në vitin 2006, ata akuzoheshin për “krijimit të organizatës kriminale”; “trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim ushtrimin e prostitucionit” dhe “pastrimit të parave”, të gjitha këto në bashkëpunim. Pas nisjes së hetimit nga pala greke, këta të fundit i kërkuan autoriteteve shqiptare verifikimin e pasurisë së tyre. Bazuar në këtë kërkesë, njësia Task-Forcës e prokurorisë së Tiranës, nisi një hetim për pastrim parash ndaj të dyshuarve Shehu dhe të afërmve të tyre. Disa muaj pas hetimit, Task-Forca identifikoi dhe bllokoi disa llogari bankare të vëllezërve Shehu dhe të afërmve të tyre në Shqipëri. Pas bllokimit, dosja i kaloi Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në bazë të ligjit “Antimafia” vendosi sekuestrimin e tyre, duke iu nënshtruar një procesi gjyqësor. Gjatë këtij procesi, familjarët e vëllezërve Shehu nuk arritën të bindin Gjykatën që parat që ndodheshin në llogarit e tyre bankare janë të ardhura të siguruara në rrugë legale.
Kjo e detyroi Prokurorinë për Krime të Rënda të depozitojë kërkesën për konfiskimin e tyre. Pas parashtrimit të konkluzioneve të prokurorit, gjykata vendosi ti lërë kohë mbrojtëse të paraqesë pretendimet e saj përfundimtare para se trupa gjykuese të shprehet për konfiskimin ose jo të 2.5 milionë eurove.
Vëllezërit Shehu fiton 12 mijë euro në ditë nga prostitucioni
Sipas dosjes që “Shekulli” ka siguruar një kopje, dy vëllezërit Shehu përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë nga aktiviteti i tyre kriminal. Këto para ndaheshin me një grup mafioz nga lindja. Bashkëpunëtorët e tyre sillnin edhe femrat që shfrytëzoheshin për prostitucion në qytete të ndryshme të Greqisë. “Nga llogaria bankare e shtetasit Cen Murataj (kunati i dy vëllezërve Shehu) ka pasur disa transaksione, depozitime dhe me pas transferime, në shuma prej mbi 10 mijë eurosh, në drejtim të disa shtetaseve të huaja femra, në qytetin e Athinës, Greqi”,- thuhet në dosjen e prokurorisë, duke iu referuar se ishin pagesat për femrat që shfrytëzoheshin për prostitucion.
Gjithashtu, sipas dosjes, mësohet se në emër të të dyshuarve Aleksandër dhe Sokol Shehu, familjarëve të tyre dhe personave të lidhur me ta, konkretisht Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore), rezultojnë edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. “Në emër të dy vëllezërve beratas Shehu dhe të afërmve të tyre rezultojnë edhe dy apartamente në Tiranë, një truall me sipërfaqe 4.100 metër katrorë në fshatin Muçaj të Vlorës, ku është ngritur një pikë karburanti. Po kështu ata kanë një lokal në Berat dhe një kompani me emrin “Shehu” sh.p.k, e cila e cila është në aktivitet tregtar. Në këtë shoqëri ortak i vetëm dhe administrator është Aleksandër Shehu, dhe ajo ka si objekt tregtinë me pakicë dhe shumicë të karburanteve, bar-kafe, import dhe eksport etj. Për kunatin e Shehut, Can Muratajn, akuza ka siguruar të dhënat se figuron i regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e “shërbimeve telefonike”. Për këto prona dhe shoqëri, ende nuk ka një vendim sekuestrimi apo bllokimi, pasi nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm që të vërtetojë dyshimet e ngritura, se ato janë ngritur me para të “pista”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.
TË KONFISKOHEN:
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 2.900 lekë
Llogari bankare në lekë, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 967 lekë
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 507 mijë euro
Llogaria bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009 me 519 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Aleksandër Shehut, e verifikuar me 21 maj 2009, me 550 mijë euro
Llogari në euro, në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, verifikuar me 21 maj 2009 me 522 mijë euro
Llogari bankare në euro, në emër të Can Muratajt, e verifikuar me 21 maj 2009, me 500 mijë euro.
TË PA SEKUESTRUARA:
4.100 m2 Sipërfaqe trualli në fshatin Muçaj Vlorë
Pikë karburanti në Vlorë
Shoqëria “Shehu” Sh.p.k.
Lokal “Bar Kafe”
Dy apartamente në Tiranë
Telefonatat e përgjuara, si do fshihnin vëllezërit Shehu paratë
Në momentin e regjistrimit të procedimit penal prokuroria ka vënë nën përgjim telefonin celular të kunatit të vëllezërve Shehu, shtetasit Can Murataj. Ky përgjim është autorizuar edhe nga gjykata. Nga bisedat e përgjuara ka rezultuar që shtetasi Can Murataj komunikonte vazhdimisht me një shtetas shqiptar, i cili mbante në përdorim një numër grek. Pas verifikimit është zbuluar se personi me të cilin fliste Murati ishte Aleksandër Shehu. Gjithashtu, Shehu komunikon edhe me shtetasin Fatos Zeka. “Nga këto biseda rezulton se të dy vëllezerit Shehu ndodhen në Greqi. Ata kane filluar që të krijojnë alibinë e tyre në lidhje me veprat penale për të cilat po hetohen në Greqi. Me këshillimin e avokatit të tyre mbrojtës në Greqi, Aleksandri i kërkon ndihme kryesisht Canit që të mundohet të kryejë veprime të cilat të justifikojnë të ardhurat monetare”,- thuhet në dosjen e prokurorisë. Kjo shoqërohet edhe nga përgjimet telefonike që i janë bërë katër personave:
Përgjimi 1, data 10/06/2009, ora 06:13:22 PM, mes Aleksandër Shehut dhe Can (Ilir) Muratajt ku kërkohen dokumente që të tregojnë se vëllezërit Shehu kanë tokë në Shqipëri:
866- Do flasim pak më vonë. Ej dëgjon të të pyes për diçka tjetër. Duhet një letër tjetër nga babi o burrë, atë letrën, që ta bënë ata është kot fare.
226- Cila?
866- Atë letrën e punëtorëve.
226- Po.
866- Ishte kot fare ajo. Duhet të tregojë që është në emër të Sandrit dhe babit ajo. Ç’punë kanë ata të tjerët, që të prunë përqark ata?
226- E kanë bërë si bashkëpronar ata, nuk e kanë bërë si ashtu…. , por e kanë bërë si bashkëpronar ata.
866- Ç’bashkëpronar ore, nuk na duhen bashkpëronar ne. Ne duam njërin o vëlla. Njërin të ketë hektarë të tëra…..
Përgjimi 2, data 14/06/2009, ora 01:06:40 PM, mes Aleksandër Shehut dhe Can (Ilir) Muratajt:
226- T’i çoj unë fotokopjet, të noterizuara, të përkthyera, të gjitha.
932- Të m’i nisësh. Ej, kur e kam blerë benzinatën unë ?
226- Në 2005…..
Përgjimi 3, data 24/06/2009, ora 02:26:32 PM, mes Aleksandër Shehut dhe Can (Ilir) Muratajt:
530- Ke folur me atë kushon ?
226- Po fola. Fola sot me atë kushon. M’i lypi të gjitha licencat, që kanë pas N., S., ata vëllaznit, F.. Ja bëna, ja çova. “ Për këtë”, tha “që do vijë e bardhë, d.m.th, nga kjo prokuroria shqiptare, do vijë komplet e bardhë andej”
530- Për mua?
226- Për ty dhe për atë tjetrin edhe tha që “- çdo gjë është në linjë” – tha, “ s’bëhet fjalë “tha, por më tha që, atë ditë që “- n.q.s. ti del i panjollosur atje, aty, me u njollos aty bëhet fjalë për 25 perqind, por jo mos me u njollos atje.
530- Ajo do të vonohet, do të vonohet tre vjet.
226- Po do të vonohet tre vjet, tre vjet këta …. , në Shqipëri nuk kanë mundësi më shumë se gjashtë muaj.
530- Ashtu tha ai ?
226- S’kanë më shumë mundësi se gjashtë muaj. Jo, jo se ajo le të zgjasë sa të dojë. Është më mirë me zgjat sa më shumë, po këtu s’mund ta zgjasin më shumë se gjashtë muaj, po se lidhën punën e Shqipërisë me atje. Po se lidhën …., se ti burimet e të ardhurave i ke pasur këtu, s’ke pasur punë me Greqinë, për burimet, që ke pasur këtu. Nuk mund të lidhin burimin e të ardhurave me atje. Edhe kështu më tha.
530- A, d.m.th. n.q.s dalin me problem këtu do i nxjerrim, po do i nxjerrim me 25 mangët.
226- Me 25 po.
Mashtrimi me fotografitë e punëtorëve në Shqipëri
Në një përgjim të qershorit 2009, Aleksandër Shehu i kërkon Muratajt që të krijojë një dosje me fotografi që të justifikojë përpara drejtësisë greke paratë që ka në bankë. Për këtë arsye Murataj duhet të gjejë njerëz, të cilët do të dalin në foto si punëtorë të firmave të vëllezërve Shehu. Më poshtë përgjimi i plotë:
Nga përgjimet e datës 04/06/2009, ora 11:02:02 AM, mes Aleksandër Shehut (060), dhe Can (Ilir) Muratajt (226) është zhvilluar kjo bisedë:
060- Prokurori u soll shumë mirë, tha e dini për çfarë akuzoheni, e po e dimë… tani koha për të ardhur arsyetimi është deri të martën, çfarë dua unë tani; do të bësh fotografi aty tek maunet me 5-6 punëtorë të veshur me uniformë
Iliri/ Po
060- merr një letër të shkruash çfarë fotografish dua.
Iliri/Fol.
060- Tani dua fotografi të vendit aty, fotografoje nga sipër nga përball këtej me grup 5-6 punëtorësh me uniformë; shkruaj 5-6 punëtorë me uniformë…dua të gjesh një bot që shkruan “Shehu”ose bote që ti fotografosh me punëtorë; dua një letër d.m.th një fletë që të shënon Sokol Shehu, Aleksandër Shehu, Murati, Ilir Murati, Valbona ku di unë Tatjana ç’janë këto punojnë dhe paguajnë sigurimet shoqërore tek kjo firmë, p.sh tani për momentin është Tana apo jo?
Iliri/Po
060- Merr Tanën, merr Canin, merr ata punëtorët që ke aty dhe bëj një fletë që punojnë…shiko nuk kontrollohen askund këto.
Iliri/në rregull.
060-këto nuk kontrollohen…duhet të jenë në letër 10 ose 21 punëtorë, jo 20 të cilët duhet të jenë të siguruar aty dhe punojnë, i shënon këto vetë e i noterizon edhe ma dërgon letrën.
Iliri /Po.
060- tek servisi, tek bari etj…
Iliri/mirë në rregull.
060-N.q.s e bën dot montazh ai.
Iliri/Po.
060-D.m.th një benzinatë që të shkruaj “Shehu”, mbasandaj do të çohesh sot do të vesh tek Fatosi.
Iliri/ Do vijë Fatosi tek Unë.
060-Do të veni atje, atje ku janë mbjellë portokallet, do e vini nja 5-6 vetë të shpërndarë sikur punojnë, 5-6 vetë të shpërndarë nëpër arë sikur punojnë dhe A. me R. po të fotografuar mirë, (po prindërit i do të fotografuar mirë, i do që është familje në unitet).
Iliri/Po.
060-Fotografinë e dua sa një A/4.
Iliri/Në rregull i zmadhoj unë.
060-Dua që të jesh edhe ty aty dhe Tana me fëmijët, i dua N. ku di unë dua 5-6 punëtorë duke pastruar barin dhe duke krasitur mollët, tek rreshtat e mollëve dua 5-6 punëtorë të paktën 10 sa të keni mundësi të vini të cilët duhet të jenë duke krasitur duke lidhur, d.m.th në punë e sipër.
Iliri/Po.
060- Dua tek serat e Fatosit, dua makinë dhe furgoni, fotografuar serën dhe furgoni duke u mbushur dhe punëtorë me arka në dorë…që punojnë aty. Fotografitë siç i ka bërë ai, fotografitë po i dua me njerëz që të duket sikur ka 10 vetë në punë, merri njerëzit dhe bëju fotografi me rroba tjera me ndonjë xhaketë tjetër me ngjyrë tjetër.
Iliri/Po.
060-Të duket mos të bëjë bam që janë të njëjtit:-Dua pastaj të njëjtën gjë siçc do ta bësh në Tiranë më tepër me punëtorët, të njëjtën gjë do të bëjë edhe atje që unë A.Sh jam babai i Sokolit dhe Aleksandrit edhe mbikëqyr punën e djemve të mijë këtu…gjatë kohës që ata mungojnë duke drejtuar krahun punëtor si quhet ajo, masën punëtore, forcën punëtore.
Iliri/ po duke drejtuar masën punëtore.
060-Shiko n.q.s futet ndonjë frezë, ndonjë traktor i vogël që punon aty le ti fotografojë këto, d.m.th të marri motorin e F. aty.
Iliri/Po, po.
060-Të marri një motor tjetër, një frezer një diçka, të fotografohen bashkë me… pastaj tek rrushi i R. e njëjta gjë, n.q.s ka fotografi R. që ka fotografuar rrushin në pjekje le të tregojë edhe këto.
Iliri/ Ehë se mund të ketë F.
060-Domaten që ka F., fotografi të vjetra, le të jenë me familjen, le të kenë njerëz të familjes nuk ka asnjë problem aq më mirë dhe Asllani me mollë se ka fotografi të vjetra që ka nxjerrë mollët, ka plot, fotografia që ka nxjerrë shumë mollë.
Iliri/ehë.
060- Çfarë do lloj fotografish të vjetra se i bëjmë i rregullojmë pastaj i bën edhe vetë ti: dua një letër nga Asllani i cili do të shënojë që kam p.sh 10 punëtorë tek serat që kam 20 dynym sera.
Iliri/Po.
060-Kam 7 punëtorë për mirëmbajtjen e 10 dynymëve mollë, kam 5 punëtorë për mirëmbajtjen e ku di unë se çfarë mund të jetë tjetër aty, rrushit e portokallet e kto… Të nxjerrin punëtorë te mollët të thashë fotografi 19-20 punëtorë tek serat, 7 punëtorë thashë tek mollët, bëj edhe diçka tjetër të tillë le të sigurojmë shumë; të hapin portën e benzinatës aty tek shpia të venë dy makina nja 2-3 tavolina tek lavazhi dhe të nxjerrin pompën përjashta të bësh fotografi sic kishte bërë ai po në gjendje pune quhet ajo.
Iliri/Po.
060-Thërrisni njerëz se nuk është turp të thërrasësh njerëz.
Iliri/Po jo se i bëj ktu në lavazh në punë e sipër…
060- Do mi çosh te specialisti të mi bëjë siç duhet, d.m.th të më rregullojë emrin atje ku duhet edhe të gjitha ato.
Iliri/Po.
060- Dhe tek benzinatat ato që shkruajnë “Shehu”të bëjmë ca fotografi të mira që të duket tamam ajo që shkruhet “Shehu” edhe të gjitha kto….
Iliri/do ta takoj.
060- Jemi në vijë të mirë, më duhen ato që kemi thënë bashkë 2 nga katër e gjysma që është e jona dhe nuk na duhen këto të tjerat… Sokol Shehur kam në mbikëqyrje, dmth djemtë e mi kanë në mbikëqyrje 45 punëtorë, kam 70 dynym tokë, të cilat janë 20 në sera, 10 shalqi, 10 mollë.
Iliri/A po, edhe serat e shalqirit harrova edhe unë.
060-Ka shumë rëndësi se është 80 perqind e punës kjo.
Iliri/Në rregull, kjo është e marume.
060-Certifikatë familjare të përkthyer, tonën e merr Asllani, atje ja japin ata edhe nqs ka mundësi që ai të sigurojë nga Shpëtim Vrapi një dokument që Aleksandër dhe Sokol Shehu kanë këto biznese ktu edhe ta noterizojmë dhe kanë këtë fuqi punëtore se nuk është e paligjshme se nuk taton njeri këto.
Iliri/ Në rregull, shumë në rregull, është e garantueme.
Përgjimi: Avokati do marrë 20 perqind të shumës së parave
Paratë e vëllezërve Shehu janë bllokuar nga shtetit shqiptar për shkak të procedimit penal në Greqi. Në këto kushte Aleksandër Shehu po shqyrton të gjitha mundësitë për të shpëtuar një pjesë të parave. Ai ka marrë një avokat, i cili kërkon rreth 20 perqind të shumës së parave që do i shpëtojë. Ja çfarë bisedohet mes Aleksandër Shehut (932) dhe Can Muratajt (226) në përgjimin e satës 19/06/2009, ora 10:19:53 PM:
932- Derisa s’ke çështje penaliteti atje, nuk të ndjek shteti shqiptar për asnjë gjë. Ligji është kështu tha, është i njëjti, si këtu, si aty. S’kanë të drejtë t’i mbajnë ty. Avokati paguhet në këtë mënyrë në këtë çështje. Shuma më e madhe, që ka ai të drejtë të kërkojë është “- unë do të zhbllokoj lekët dhe më takon 20 perqind e saj”. Shuma më e madhe, kur ke problemin më të madh i thua”- Po e pranoj ashtu siç e ka ligji me 20 perqind. D.m.th. kemi një milion ne, shpëton 100 mijë ai? Do marrë 20 mijë. Shpëtoi një milion, do marrë 200 mijë. Kështu i bien në bazë të atyre që zhbllokon.
226- Jo, jo, janë të sqaruara ato. Do t’i çoj të gjitha letrat, ka letra ai. Në atë përqindje kapet. Se ka thënë ai zotni “- ajo përqindja do të shkojë”.
932- Dëgjo gjërat i drejton ti. Ato lekë, që të ka kërkuar sot janë shumë. Megjithatë unë po të them si janë veprimet, pastaj ti vendos.
226- Në rregull. Ti i thuaj atij të bëjë punën ai dhe nuk prishna. Nuk janë shumë ato, nuk janë aspak shumë.
226-Është me vendim gjykate. Duhet të mbyllet ai vendim gjykate. Si është çështja e di unë, nuk e di ai. Siç ka ardhur ajo shumë e pastër, por ajo tjetra, me u kariku ajo, ne jemi në proces penal, me hy me e ndjekë ata hollë-hollë.
932- Mirë. Shikoje ti si të duash.
226- Mos e ki merak fare se për këtu e ndjek vetë. Ti shih punën atje. I thuaj atij zotërisë shih atje.
932- Mua më akuzojnë këtu për gjë, aty nuk më akuzojnë dot për diçka të tillë.
226- Jo. Absolutisht në botë.
932-Që nga momenti, që nuk më akuzojnë dot për diçka të tillë, aty s’kanë të drejtë të më mbajnë lekun….
932- Ok. Kështu si thua ti e pranoj.
932- D.m.th. unë kam punë me drejtësinë e Greqisë, jo me të Shqipërisë?
226- Është shumë e vërtetë, është shumë, shumë e sakte ajo.