Publikuar me : 20.10.2011 Ne :
Politike - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ardit Rada
Valter Lavitola vazhdon të kryesojë titujt e mediave të vendit fqinj ndërkohë që këto të fundit kanë nisur të zbardhin dalëngadalë jo vetëm përgjimet por edhe arsyet përse ky i fundit kërkonte me doemos të takohej me ish-zëvendës kryeministrin shqiptar Ilir Meta në tetor të vitit 2009.
Drejtori i gazetës “L’Avanti”, i përjashtuar nga Urdhri i Gazetarëve italianë, por i konsideruar si “ministri i jashtëm në hije” i qeverisë së Berluskonit kërkonte mbështetjen e këtij të fundit filimisht për tubacionin Tap-Oltre në Panama por me të marrë vesh për vizitën e Metës në Itali, Lavitolas i lindi “shkëndija e parë e dashurisë” edhe me Shqipërinë. Në përgjimet e publikuara dje, – që u kryen me kërkesë të Prokurorisë së Peskarës, – sekseri Lavitola diskuton gjatë me kryesekretaren e ministrit të jashtëm italian Franko Fratini.
Lavitola ja ka arritur qëllimit në fakt. Pretendimet e Fratinit se Lavitola nuk është takuar kurrë me Metën u hodhën poshtë pasi u publikuan foto nga takimi për ekzistencën e së cilave Fratini duket se nuk ishte ne dijeni. Takimi i cili nisi të përgatitej që më 15 tetor është finalizuar më datë 21 tetor të vitit 2009 por ajo çka është biseduar mes Lavitolas dhe Metës është e padokumentuar.
Ajo çka dihet është se miqësia Meta-Lavitola ka nisur që prej vitit 1999 ose të paktën kështu pretendon “sekseri” në bisedën telefonike me kryesekretaren e Fratinit. Duke e lidhur emrin e Lavitolas me biznesin e TapOltre në Panama dhe me emrin e Xhampaolo Tarantinit, dyshimet e para hidhen mbi një diskutim për TAP, gazjsellësin Turqi-Shqipëri-Itali.
Ky i fundit duket se nuk do të ndërtohet kurrë sipas gazetave të vendit fqinj. Gjithashtu hije dyshimi hidhen dhe mbi përfshirjen e Valter Lavitolas në biznesin e ndërtimit të centralit të famshëm bërthamor në Shqipëri që sipas Berishës do na bënte “një superfuqi të vogël energjetike”. Deklaratat e Berishës u bënë pas takimit me Berluskonin.
E qartë është që “çështja e një rëndësie të veçantë” që përmendet në përgjim për të cilën Fratini duhet të ndërhyjë është tubacioni TAP që lidh Turqinë dhe Italinë përmes Shqipërisë. TAP është një prej katër projekteve konkurruese për të sjellë në Evropë gazin nga Azia qendrore.
“Kur flitet për energji, logjika politike i bën llogaritë shumë më mirë se ajo ekonomike, pa qeveri “dashamirëse” edhe projekti më i mirë mbetet në vend.”, shkruante dje Il Fatto Quotidiano. Po sipas kësaj gazete, Valter Lavitola dhe kolegët e tij janë të ndërgjegjshëm madje e dijnë mirë se si dhe ku duhet të bëjnë ndërhyrjet e duhura. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Barit më 11 shkurt 2009 sipërmarrësi Gianpaolo Tarantini ka takuar Berluskonin pikërisht për të folur për tubacionin. Një ditë më parë, Tarantini kishte biseduar me Roberto De Santis, një tjetër sipërmarrës nga Pulia, që konsiderohej i afërt me Massimo D’Alemën.
De Santis, në një përgjim në ambient të hapur, shpjegon se “duke përfshirë dhe Ministrinë e Industrisë, u vu në jetë kjo praktikë sepse… është çdo gjë gati, por duhet vetëm të nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë”. Tarantini mori përsipër detyrën që të bindë Berluskonin. “S’na duhet gjë tjetër, këtë mund ta bëj unë. U tha, u bë”, shprehet Tarantini në përgjimet e zbardhura nga Prokuroria e Barit.
Dhe vërtet.. Në mars Italia dhe Shqipëria firmosin marrëveshjen ndërqeveritare në fjalë.
Berisha në listën e sekserëve, shtypi italian: “Letra e fshehtë e Berishës për Berluskonin”
Ashtu siç tregojnë përgjimet e shumta mbi Tarantinin, De Santis dhe Lavitolan, këta bënin sekserin, mes grupeve të interesuara të biznesit dhe Berluskonit dhe kabinetit të tij. Asgjë nuk ishte falas, sigurisht. Një fakt interesant ndërkohë del nga shtypi i djeshëm italian. Mediet italiane thonë se vetë kryeministri shqiptar Sali Berisha është përfshirë në këtë lobim që ka prapa emra sekserësh nën hetim. Gazeta “Il Fatto Quoridiano” në numrin e djeshëm shkruan se pas takimeve të para: “
lobimi për konsorciumin e TAP, në të cilin partnerë me peshë janë Svizzera Egl, norvegjezja StatoilHydro dhe gjermania E.On e cila në Itali përfaqësohet nga Paolo Pasteris, u intensifikua. Dhe më 20 tetor 2010 në një letër të fshehtë të cilën ne kemi mundur ta lexojmë, vetë kryeministri shqiptar i shkruan Silvio Berluskonit: “Jam i bindur se me ndihmën tuaj […] do të krijojë territorin e nevojshëm për ta kthyer në një realitet projektin TAP, duke përftuar kështu një vizion historik mbi korridorin e gazit..”
Kësaj letre, kryeministri italian Silvio Berluskoni nuk iu përgjigj kurrë. Sekseri Valter Lavitola e di që shumë do t’i ishin mirënjohës nëse Tap-i bëhet në sajë të tij. Konsorciumi promotor por edhe Snam Rete Gas, shoqëria e grupit Eni që ka tashmë një marrëveshje me Tap për realizimin eventual të infrastrukturës, do të ishin ato që do ja “dinin si nder” Lavitolas dhe do e shpërblenin për ndërhyrjen e tij, – shkruan gazeta.
“Praktikat e Tap-it kanë ndaluar që prej shtatorit dhe burime të brendshme nga grupi i punës thonë se tubi nuk do të ndërtohet kurrë”, – shprehet më tej Il Fatto Quotidiano.
Romë, kryqëzohet Fratini: Gënjeu kur tha që Meta dhe Lavitola nuk u takuan
“Falënderoj atë që publikoi të plotë përgjimet, sepse u vërtetua se Lavitola nuk ka marrë pjesë asnjëherë në takime zyrtare”, komentoi dje Fratini. Ministri i Jashtëm italian e justifikoi këtë edhe me faktin se shefja e sekretareve të tij Nadia i dha Lavitolas maksimumi prezencën e tij në paradhomë. Por dje, pretendimi i Franko Fratinit u shua pasi fotot e publikuara nga media në Tiranë treguan krejt të kundërtën e asaj që ai thotë. Meta jo vetëm është takuar me Lavitolan por ky takim me ç’duket është bekuar edhe nga Fratini i cili në foto duket i përzemërt me të dy.
Në Itali, kjo gënjeshtër e Fratinit ka ndezur polemika të ashpra. Ai është quajtur dje në kor, i padenjë për të drejtuar Ministrinë e Jashtme të Italisë. Në mediat italane ka dhjetëra deklarata politikanësh që e quajnë skandaloz faktin që ministri ka gënjyer. I zënë në befasi pas publikimit të fotos që vërteton takimin e Lavitolas me ish-zëvendës kryeministrin shqiptar, Franko Fratini ka reaguar pasditen e djeshme sërish. Pasi deklaroi se një takim i tillë nuk ka ndodhur kurrë, këtë radhe ministri i jashtëm italian i detyruar nga faktet, pranoi zhvillimin e takimit. Kësaj here Fratini mbrohet me tjetër version: “Në atë kohë për Valter Lavitolan nuk kishte informacion se ishte i angazhuar në aktivitete të paligjshme. Lavitola dhe Meta njiheshin sëbashku përpara meje.”, thuhet në deklaratën e ministrit të jashtëm italian. Fratini thekson në deklaratën e re të djeshme se “në atë kohë askush nuk e imagjinonte se kush ishte Lavitola dhe çfarë interesash kishte. Ai ishte një person si shumë të tjerë që në atë rast e njihte ministrin shqiptar shumë herë më shumë se unë”. Në përgjime del se Valter Lavitola dhe Ilir Meta njiheshin.
“Dëgjo Nadia, nëse më lejon. Duke qenë se Franko e di, unë atë e njoh prej 10 vitesh… ” – i thotë Valter Lavitola kryesekretares së Fratinit në tetor të 2009 gjatë një bisede telefonike ku insistonte të takonte me çdo kusht Ilir Metën.
LAVITOLA EDHE TE DIGAT
Kohë më parë “Shekulli” botoi edhe një pjesë të telefonatave të Berluskonit dhe njerëzve që e ndihmonin, por dhe që i bënin presion për çështje të ndryshme. Në një prej këtyre telefonatave përmendet dhe kryeministri Berisha, për hidrocentralet e vogla. Telefonata bëhet mes Valter Lavitolas dhe Roberto Guercios. Ky i fundit kërkon nga ana e Lavitolës që të marrë në telefon Berluskonin, për të ndërhyrë tek Berisha për disa hidrocentrale të vogla që ai kërkon të marrë në Shqipëri.
- “Valter…, duhet që kryeministri të marrë në telefon atë Berishën dhe t’i thotë që po shkoj atje për të folur për çështjen e digave” – thuhet në telefonatën e Guercio.
- “Në rregull, kjo është urgjente?”, përgjigjet Lavitola.
- “Sa më parë, aq më mirë është, pasi kam gjetur paratë dhe duhet të sistemoj
gjërat”, përgjigjet Guercio.
- “E kuptoj vëllai im, por në këto ditë nuk është gjëja më e lehtë për t’u bërë”, thotë
Lavitola.
- “Mua më mjafton një telefonatë, që t’i thonë se po shkoj. Le ta telefonojë
edhe Fratini”, vazhdon Guercio bisedën e tij.
Laviota më pas i thotë që të shkojë në Shqipëri të takohet me Berishën dhe t’i thotë se e ka dërguar Berluskoni.
Gianpaolo Tarantini, fazlliçi ynë italian
Tarantini është një 34 vjeçar barez, të cilit sipas medieve italiane i ka lindur shpirti i sipërmarrësit pas njohjes me Berluskonin në festat e organizuara prej tij. Më parë, Tarantini merrej me një biznes të tijin privat në Bari. Mediet italiane e cilësojnë atë si një “lobist” në hije. Tarantini ka filluar të ngjisë shkallët e karrierës pas vitit 2008 kur njohu Berluskonin gjatë një takimi në “Villa Certosa” në Sardenja. Pas shpërthimit të skandalit, Tarantini është duke u hetuar nga Prokuroria e Barit për favorizim prostitucioni dhe bashkë me gruan janë në gjendje arresti me urdhër të Prokurorisë së Barit.
Kush është Roberto De Santis
Ndryshe nga Tarantini, i cili shfrytëzoi “shërbimet” e tij ndaj Berluskonit për të ndikuar tek ai, De Santis ka një njohje më të gjatë me qeveritarët e Romës. De Santis, ka njohje të vjetra me ish-Kryeministrin e majtë Massimo d’Alema dhe qeveritarë të tjerë. Ai drejton aktualisht drejtues i një biznesi në Moskë. De Santis njihet edhe si lobues për miratimin e projekteve të ndryshme në Itali duke njohur njohjet me drejtues të shtetit.
Kush është Valter Lavitola
Valter Lavitola ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në universitetin “La Sapienza” të Romës. Lavitola u njoh me Silvio Berluskonin në mesin e viteve ‘90 duke u përpjekur për t’u bërë pjesë e jetës parlamentare italiane. I angazhuar me sektorin e peshkimit në Amerikën e Jugut, në Itali ai punoi në sektorin e gazetarisë “International Press” dhe që prej 1996 është drejtor i gazetës “L’Avanti”. Në 2003, kur gazeta u rikthye në botim pas një pushimi, ai merr në dorë publikimin e saj. Ka tentuar të hyjë në politikë duke shfrytëzuar influencën e tij mbi Kryeministrin Silvio Berluskoni. Lavitola ka qenë kandidat i “Forza Italia” në zonat e jugut për zgjedhjet evropiane të vitit 2004, por nuk arriti të zgjidhej deputet. I është nënshtruar hetimit që më 2011 kur Prokuroria e Napolit nisi të hetonte njëkohësisht edhe sipërmarrësin Xhiampaolo Tarantini për lidhje me pasojë shpërblimin e drejtpërdrejtë me kryeministrin Berluskoni. Në vijim, ky hetim zbuloi ndër të tjera përfshirjen e Lavitolas në një rrjet aktivitetesh ndërkombëtare si ndërmjetës. Lavitola aktualisht është i përjashtuar nga “Urdhri i Gazetarit” në përputhje me Nenin 39 të Ligjit Nr. 69 të 1963. Më 1 shtator të këtij viti, Gjykata lëshoi një urdhër ndalimi ndaj Valter Lavitolas. Pas kësaj, më 14 tetor 2011, edhe Prokuroria e Barit konfirmoi kërkesën për arrest të tij ndërkohë që Lavitola është shpallur në kërkim .
Shqipëria, ‘resto’ k**rvash
Zbardhja e përgjimeve telefonike midis Kryeministrit Italian Silvio Berluskoni dhe sekserit të tij të netëve të “nxehta” kanë nxjerrë në pah se si projekte gjigante në Shqipëri bëhen pjesë e marrëdhënieve klienteliste të shtetarëve në të dyja brigjet e Adriatikut. Konkretisht, bëhet fjalë për projektin e gazsjellësit Transadriatik, i cili parashikon dërgimin e gazit azerbajxhanas për në Europë duke ndjekur itinerarin Turqi-Greqi-Shqipëri dhe përmes Otrantos në brigjet italiane të Pulias.
Giampaolo Tarantini, (në foto) eshte personi qe i dërgonte Kryeministrit italian vajzat për festat e tij private. Sigurisht që “sipërmarrësi” barez nuk mund ta bëntë këtë shërbim falas. Ai i kërkon Berluskonit një mori shpërblimesh në vlerë monetare, por edhe aksione në kompani shtetërore. Konkretisht 51 milione dollare “ne tavoline”, 12 tendera me prokuroim te drejtperdrejt dhe… pjesen shqiptare te gazsjellesit sipas projektit te njohur TAP.
Çfarë është projekti i gazjellësit Trans Adriatik
Gaszjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt që financohet nga tre kompani prestigjioze evropiane si norvezgjezja “Statkraft”, zvircërjania “EGL” dhe sëfundmi gjermania “Ruhr Gaz”. Projekti parashikon dërgimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë duke kaluar përmes Ballkanit. Gazsjellësi fillon nga fushat e Shah Denizit në Azerbajzhan dhe nëpërmjet Turqisë kalon në Selanik të Greqisë. Më pas, duke u futur në territorin shqiptar në rajonin e Devollit gazsjellësi kalon në Pulia të Italisë për t’u lidhur me rrjetet evropiane të gazit.
Gazsjellësi ka vlerë totale prej 1.5 miliardë euro dhe një gjatësi prej 520 kilometra, ku 209 prej të cilave kalojnë nëpërmjet Shqipërisë. TAP është i vetmi projekt energjetik në rajon që nuk anashkalon Shqipërinë.
Takimi Ruli-Skaloja erdhi pas bisedës Tarantini-Berluskoni
Gazsjellësi Trans Adriatik nuk ka qenë në prioritetet e qeverisë italiane deri në mars 2009, kohë kur Shqipërinë e vizitoi ministri italian i Energjetikës Klaudio Skajola. Cuditerisht eshte bere menjehere sapo Xhampi i prostitutave te Berluskonit nisi te interesohej per te. Dy ortakët Giampaolo Tarantini dhe Roberto De Santis ishin në dijeni se kompanitë aksionere “EGL” dhe “Statkraft” po lobonin pranë qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë për ta pranuar atë.
Një bisedë e përgjuar midis Gianpaolo Tarantinit, gruas së tij dhe bashkëpunëtorit të tij Roberto De Santis e zbardhur më 3 shkurt 2009 tregon se si ky i fundit i kërkon Tarantinit të ndikojë tek Berluskoni dhe ky i fundit tek qeveria shqiptare për të firmosur marrëveshjen për gazsjellësin sipas kushteve te De Santis. Nuk zgjat më shumë se një muaj dhe në Shqipëri ia beh ministri italian i Energjetikës Klaudio Skajola. Në një sallë të mbushur plot, Ruli dhe Skajola parashtruan gjatë një konference shtypi “projektet e përbashkëta energjetike” duke folur për miliarda euro investime italiane një Shqipëri.