Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Kulture - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
“Për ne si vizionues të kinemasë ka rëndësi: qasja regjisoriale, autenticiteti dhe bashkëkohësia në trajtimin estetik.” Mesazhi i Anna Hoffman-it e dërguara e Festivalit të Berlinit në Tiranë në nëntor 2011. Në takimin e atyre ditëve, bashkë me dy kolegë, ajo pa rreth 130 filma të të gjitha kategorive, prodhime të vitit 2010-2011 nga vendet e Rajonit.
Pas kësaj pune u dha një sinjal i mirë të cilin Qendra Kombëtare e Kinematografisë e përcolli zyrtarisht. Njoftohej se grupi paraselektor, nga shtatë prodhime shqiptare në këtë vizionim rajonal, mori në konsideratë filmin artistik “Pharmakon” i Joni Shanajt dhe metrazhin e mesëm “Dita e fundit e Loro Shestanit” i Sokol Kerajt, të dy të financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike.
E meqë një film i rekomanduar nga paraselektorët merret për bazë për gjykimin final të komiteteve përzgjedhëse, pritej me shpresë një hyrje e dytë e Shqipërisë në Berlinale, pas prezantimit inaugurues me “Amnistinë” e Bujar Alimanit (2011).
Paraselektorët folën në media ato ditë se çfarë kërkon sot një festival si i Berlinit i cili dërgon bashkëpunëtorët e tij në çdo cep të botës të zgjedhë atë që nuk ka shanse të kapërcejë muret që ngre industria filmike dhe politika shpesh herë spostuese e këtyre manifestimeve.
Hoffman e portretizonte Berlinalen me një audiencë inteligjente dhe kërkuese para të cilës “s’ndihet nevoja për t’i çuar dëm sfidat intelektuale. Në përgjithësi ekziston një rrezik: që regjisorët dhe skenaristët përfytyrojnë audiencën dhe shkruajnë duke pasur parasysh këtë imagjinatë”.
Kolegu i saj, Bernd Buder tha se pret nga Rajoni një kinema e cila, qoftë politikisht qoftë estetikisht, merret me veten, jashtë klisheve të historisë apo të përditshmërisë, që trajtojnë histori lokale por i shkojnë në thellësi shoqërisë. Mesazh tjetër nga i dërguari i Berlinales Nikolaj Nikitin ishte: presim një histori që është e lidhur me vendin tuaj, një film që është i kthjellët, i qartë për atë që flet, në mënyrë që publiku përtej Shqipërisë të komunikojë me kinemanë tuaj. Të jesh në gjendje të komunikosh në një rreth të gjerë pa qenë të shesësh art, pa prostituar, pa bërë filma që mund t’i pëlqenin Perëndimit.
Tani që janë zbuluar filmat pjesëmarrës në edicionin e 62-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, 9-19 shkurt, Shqipëria nuk figuron gjëkundi.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë konfirmon përgjigjen negative të përzgjedhësve për “Pharmakon” të Shanajt, por nuk ka dijeni për Kerajn. Nga producenti i të dy filmave, Zig-Zag Film me përfaqësues Mevlan Shanaj, nuk arritëm të merrnim një përgjigje.
Filmi i Kerajt u shfaq premierë në dhjetor 2011. Një dramë sociale-psikologjike nga tranzicioni. Keraj është kineast në fillime, punon dhe jeton jashtë vendit.
“Pharmakon” nuk është shfaqur premierë dhe nuk mund të thuhet asgjë, – përveçse ka protagonistë dy jo aktorë të kinemasë Kastro Ziso dhe Holta Goxhari, – se çfarë përfaqëson ky film i parë i gjatë i Joni Shanajt.
Selektimi i rreptë i la jashtë programeve Forum, Panorama, Filmi i Shkurtër, ku ishin shanset.
Në “Berlinale 2011” Shqipëria u përfaqësua në Forum me “Amnistia” i Alimanit që u vlerësua dhe me çmim. “Falja e gjakut” një prodhim amerikan me temë shqiptare hyri në konkurrim dhe u vlerësua për Skenarin më të mirë. Ndërsa aktori Nik Xhelilaj për interpretimin në prodhimin gjermano-shqiptar “Shqiptari” u vlerësua një nga 12 talentet e aktrimit për Evropën, “Shooting Star 2010”.
Në faqen zyrtare të Festivalit vëren se për vendet afër nesh, është i rrallë rasti i Greqisë e cila ka hyrë në programin kryesor në Konkurrim, ku gjykohen nga juria 22 filma nga Brazili, Kanadaja, Danimarka, Republika Çeke, Gjermania, Kina, Franca, Britania e Madhe, Hong Kongu, Indonezia, Zvicra, Senegali, Spanja dhe ShBA. Është ngjarje për kinemanë e topitur greke që Spiros Stathoulopoulos me “Meteora” të konkurrojë për një Arti të Artë a të Argjendtë.
“Jemi të kënaqur për pjesëmarrjen kaq të gjerë të filmave në konkurrim. Shumë prej tyre vërtiten rreth ndryshimeve rrënjësore dhe fillesave. Ata ndryshojnë perspektivën, prezantojnë historinë dhe historitë nga këndvështrimet ku janë përfshirë”, thotë drejtori i Berlinales Dieter Kosslick.
Juria që drejtohet nga regjisori britanik Mike Leigh, përbëhet nga Anton Corbijn, Asghar Farhadi, Charlotte Gainsbourg, Jake Gyllenhaal, François Ozon, Boualem Sansal dhe Barbara Sukowa.
Në këtë kategori dhjetë janë premiera botërore nga regjisorët Billy Bob Thornton me “Makina e Xhejn Mensfilldit”, Paolo dhe Vittorio Taviani me “Çezari duhet të vdesë” etj.
Gjeografia e festivalit është rritur ndjeshëm me prodhime nga vendet afrikane, Amerika Latine dhe Lindja e Largët.
Jeta e përditshme dhe imagjinata janë në fokus të programit Forum 2012, me pjesëmarrjen e 42 filmave nga Evropa, ShBA deri nga Japonia.
Programi i filmit të shkurtër shfaq 27 filma nga 22 vende në konkurrim për Ariun e Artë e të Argjendtë dhe një nominim për European Film Prize.
Programi Special ka larmi projeksionesh. Konsiderohet ngjarje shfaqja e “Tetorit” të Eisensteinit që del në dritë pas premierës së vitit 1928.
Në këtë program është shfaqja e “Jeta dhe vdekja e Kolonel Blimp” (1943) nga Michael Powell dhe Emeric Pressburger, edhe ky në një variant të restauruar. Po edhe vepra bashkëkohore: nga seria e dokumentarëve “Vozitja e vdekjes” e Werner Herzog te debutimi regjisorial “In the Land of Blood and Honey” kushtuar Sarajevës i Angelina Jolie. Regjisori Mark Cousins shfaq dokumentarin 900 minutësh “Historia e filmit: Një Odise” etj..
Haro Senft nderohet me Kamerën e Berlinales. Është një pionier i Kinemasë së Re Gjermane dhe mbrojtës i palodhur i filmit gjerman për fëmijë. Ndërsa Ariu i Artë për Karrierën i jepet aktores amerikane Meryl Streep.
“Lamtumirë mbretëreshë” (Les Adieux à la reine) i Benoît Jacquot hap festivalin më 9 shkurt në Berlinale Palast. Ditët e para të revolucionit parë nga shërbyesit e Maria Antuanetës (interpretuar nga Diane Kruger).
Në Berlinale shfaqen mesatarisht 400 filma, kryesisht premiera evropiane. Shifrat flasin për 300 mijë bileta të shitura, dhe hyrjen e 19 mijë profesionistëve, përfshi 4 mijë gazetarë.
Pikë e fortë e festivalit është Tregu i Bashkëprodhimeve që ofron mundësi për gjetjen e producentëve për projektet filmike.
Buxheti vjetor i Berlinales është 19.5 milionë €, nga i cili, 6.5 milion € janë fonde publike që dalin me një vendim të posaçëm nga parlamenti gjerman.
Filmi u censurua nga Partia Komuniste mbrëmjen e premierës më 1928
Del në dritë Tetori i Eisensteinit
Në programin Retrospektivë të Berlinales së 62-të zbulohet më 10 shkurt varianti i restauruar i “Tetorit” të Sergei Eisenstein-it, (1928), me muzikë origjinale nga Edmund Meisel e cila ekzekutohet nën drejtimin e Frank Strobel, nga Orkestra Simfonike e Radios së Berlinit. Shfaqja ndodh në kuadër në Berlinales Speciale që këtë vit i kushtohet filmit restrospektivë me temë “Ëndrra e kuqe industriale”.
“
Tetori është shembull i filmave të revolucionit që ravijëzojnë fuqishëm perceptimin e kinemasë sovjetike të kësaj periudhe. E ndërthurur me muzikën e Meisel-it ajo premton të jetë një përvojë e paharrueshme”, thotë Rainer Rother, drejtues i Retrospektivës dhe Drejtor Artistik i Deutsche Kinemathek.
“Tetori” ndjek zhvillimet historike të revolucionit nga shkurti në tetor 1917, dhe i komenton ngjarjet duke përdorur sekuenca montazhi gjithë emocion dhe ironi. Filmi u realizua me miratimin e Komitetit Ekzekutiv të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për të festuar 10-vjetorin e Revolucionit të Tetorit.
I xhiruar në vendet e ngjarjeve, Eisenstein (1898-1948) përkujton luftën e popullsisë së Petrogradit (Shën Petërburgu) dhe ish shokëve të armëve të Leninit, që pas vitit 1928 nuk do të gëzonin më mbështetjen e tij. Ky ndryshim në klimën politike çoi në censurimin e filmit dhe zhdukjen e tij nga kinematë pas premierës në Teatrin Bolshoj më 14 mars 1928.
Më 1960, Naum Kleiman punoi në Arkivin Shtetëror të Filmit në Moskë, për ndërhyrjen e parë restauruese që iu bë “Tetorit”. Varianti i restauruar HD i përgatitur nga Muzeu i Filmit në Mynih, i cili siguroi një kopje më 1970, bazohet te ky i Kleiman-it.
Zbulimi është edhe më i madh për vlerën e muzikës së Edmund Meisel, e cila i është përshtatur variantit të ri. Si me “Karrocatën Potempkin” muzika është porositur për variantin gjerman të
Tetorit nga distributori gjerman Prometheus. Meisel e programoi muzikën e tij “duke përdor një sistem simbolik që kishte për qëllim ta cyste historinë përpara”. Rezultati është një muzikë filmi shumë novative e cila me tingujt e “zhurmshëm” dhe ritmin e fuqishëm duket si pararendëse e pankut dhe teknos, e kësisoj ishte tejet kontroversale për kohën.
Prezantimi i
Tetorit në këtë version të restauruar është nisëm e ZDF/ARTE, realizuar në bashkëprodhim me një sërë institucionesh gjermane e ruse.
Për nder të kësaj premiere në Berlinale, televizioni ARTE transmeton një regjistrim të
Tetorit, më 15 shkurt 2012, ora 11:00.
Homazh Meryl Streep
e cila më 14 shkurt vjen të tërheqë Ariun e Artë për Karrierën në shfaqjen e filmit të saj të fundit “Zonja e hekurt”. Dy herë fituese e Çmimit Oscar dhe e tetë çmimeve Golden Globe. Të fundit e mori pikërisht për portretin që i ka dhënë Margaret Theçërit.
Meryl Streep hyri në skenë fillimisht në serinë e filmit televiziv “Holokaust” në vitin 1970. I suksesshëm është debutimi i saj në kinema me “Gjahtari i drerit” i Michael Cimino (1978, nominimi i parë për Oscar) dhe në dramën e divorcit “Kramer kundër Kramer” (1979, i Robert Benton), për të cilin merr Oscar bashkë me Dustin Hoffman. Oscari i dytë vjen për lojën te “Zgjedhja e Sofisë” (1982, Alan J. Pakula).
Punon me Woody Allen për komedinë romantike “Manhatan” (1979) dhe me Karel Reisz për dramën historike “Gruaja e kolonelit francez” (1981). Është Tania Blixen te “Afrika ime” e Sidney Pollack (1985). Në dramën e vitit 1995 “Urat e Madison County” ajo luan përkrah Clint Eastwood në filmin drejtuar prej tij. Janë një mori rolesh te “Orët” e Stephen Daldry-t, në satirën “Djalli vishet me Prada” (2006, nga David Frankel), e deri te komedia muzikore “Mamma Mia” (2008, nga Phyllida Lloyd).