Publikuar me : 08.09.2011 Ne :
Kronike - 81 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Plagosja e një punonjës policie e ka çuar në pranga 27-vjeçarin Festim Muhameti. Policia e Lushnjës njoftoi se ka kryer arrestimin në flagrancë të autorit të plagosjes me thikë të oficerit të policisë kufitare A.B. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës në Lushnje, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Festim Bajrami, së bashku me të vëllain dhe kunatin, kanë goditur me thikë oficerin e policisë kufitare me iniciale A. B. dhe Çlirim B e Destan B., të tre banorë të fshatit Zgjanë të rrethit Lushnje.
Në momentin e arrestimit, autorit të plagosjes iu gjet edhe pistoleta e shërbimit që i përkiste oficerit A.B. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur dy bashkëpunëtorët e 27-vjeçarit: Isa Bajram Muhameti, 25 vjeç dhe Sajmir Latif Arapi, 35 vjeç.
Sipas policisë, të plagosurit janë në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorëve të Muhametit. Materialet proceduriale në ngarkim të të 3 shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, “Plagosjes së lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”./
Kristaq Thana