Publikuar me : 25.12.2011 Ne :
Kronike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto nga vendngjarja
Nga Lindita Cela
Ekzekutohet në sy të djalit 12-vjeçar oficeri i policisë së Qarkullimit Rrugor, Naim Hyska. Ngjarja që ka tronditur sërish kryeqytetin ka ndodhur në orët e para të mbrëmjes së djeshme në zonën e njohur si “21 Dhjetori” në Tiranë. Nga të dhënat paraprake mësohet se oficerit 45-vjeçar i është organizuar pritë në afërsi të banesës së tij, teksa ky i fundit dilte në makinë me të birin 12-vjeçar. Danieli është dëshmitari i vetëm që ka policia për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që deri në orët e vona të natës trupi i babait të tre fëmijëve luftonte me vdekjen në spital. Policia tha se krimi ka ndodhur për shkak të detyrës.
Ngjarja
“Më vranë babin. Më vranë babin…”. Të qarat e 12-vjeçarit, Daniel Hyska kanë tmerruar banorët e lagjes “21 Dhjetori”, disa prej të cilëve kanë lajmëruar me telefon policinë. Naim Hyska ka qenë pak metra larg shtëpisë së tij, kur një person, i pa maskuar, i ka dalë para makinës dhe i ka prerë rrugën. Vrasësi i është afruar xhamit të parë të makinës dhe ka qëlluar pa hezitim me armë drejt e në kokë oficerin e policisë. Autori (sipas një dëshmie rreth të 30-tave) ka mundur të largohet i qetë në errësirë nëpër rrugicat e lagjes “21 Dhjetori”. Mjekët e Spitalit Ushtarak, ku ndodhet oficeri i policisë, ende nuk japin garanci për jetën e Hyskës. Sipas tyre, një plumb i vetëm ka përshkuar tej për tej kokën e 45-vjeçarit që aktualisht ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak.
Në vendngjarje kanë qenë forca të shumta të policisë, si dhe drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit. Sipas policisë, vrasësi ka qenë një person i vetëm dhe dyshohet se oficeri është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë për ti mësuar oraret e lëvizjeve. Dëshmia e djalit të oficerit pritet të hedhë shumë dritë mbi ngjarjen e ndodhur.
Nga hetimet paraprake dyshohet se motivet e krimit kanë të bëjnë me detyrën që ka kryer Naim Hyska. Si pistë hetimi, mbrëmë është deklaruar edhe një incident i ndodhur në vitin 1997 në Vlorë. Gjatë asaj kohe, Naim Hyska ka qenë efektiv i forcave të rendit dhe është përfshirë në një konflikt me persona të skeduar, të njohur në botën e krimit. Ngjarja në atë kohë ka shkaktuar dhe viktima ku oficeri i policisë është përshirë për shkak të detyrës së tij. Për shkak të hetimeve, policia nuk jep më shumë detaje për këtë ngjarje të vjetër. Disa persona janë shoqëruar mbrëmë në cilësinë e dëshmitarëve.
Naim Hyska ka disa vite që është efektiv i policisë së shtetit, dhe vitet e fundit ka shërbyer në policinë e Qarkullimit Rrugor. Ai ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Levisi, 21-vjeçar, me studime në Francë, – sipas fqinjëve.