Publikuar me : 13.10.2011 Ne :
Politike - 38 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Shqipëria ka dështuar për të dytin vit radhazi që të marrë Statusin e Vendit Kandidat për në BE. Paraditen e djeshme komisioneri i BE-së për zgjerimin Füle tha se nuk do të bëjë rekomandimin për dhënien e statusit për anëtarësim Shqipërisë për shkak të bllokadës politike, mungesën e dialogut dhe mos përparimin në fushën e reformave. Ai shprehu shpresën për fillimin e dialogut, por nga ana tjetër vuri në dukje se vendi ynë ka dështuar në plotësimin e 12 kushteve të vendosura nga BE-ja. Në total raporti i lexuar dje nga Fule mund të përmblidhet me shprehjen: “Keni bërë disa përparime, por nuk janë të mjaftueshme”. Raporti përmend arritje, por më pas të njëjtat arritje i cilëson si të mangëta si p.sh: Fakti që janë miratuar 100 ligje, por ato janë të cekëta.
Në raport përmendet klima e acaruar politike, duke vendosur theksin tek fazat që e acaruan edhe më shumë. Sipas komisionarit Fule, 21 janari dhe ajo që ndodhi në zgjedhjet vendore në Tiranë ishin dy periudhat që ndikuan në politizimin ekstrem të situatës, aq sa u harrua gjithçka tjetër. Deklarata e Fule se Shqipëria nuk e meriton ftesën e vendit kandidat na vendos edhe një herë përpara 12 kritereve të një viti më parë. Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë prej tyre dhe duhet të nisë punën sa më shpejt të jetë e mundur që të mos mbesë për herë të tretë në klasë.
Më poshtë pjesë nga raporti:
Kriteri politik
Ky seksion ekzaminon progresin e bërë nga Shqipëria drejt përmbushjes së kritereve politike të Kopenhagenit, të cilat kërkojnë stabilitetin e institucioneve që garanton demokracinë, sundimin e ligjit të drejtat e njeriut dhe respektin dhe mbrojtjen për minoritetet. Ky seksion gjithashtu monitoron pajtueshmërinë me detyrimet ndërkombëtare, bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë me vendet e zgjerimit dhe shtetet anëtare. Ky seksion monitoron gjithashtu përmbushjen e prioriteteve kryesore të opinionit të 2010.
Demokracia dhe sundimi i ligjit.
Skena e brendshme politike e Shqipërisë ka qenë e dominuar nga bllokimi politik i vazhdueshëm dhe bojkoti i pjesshëm i Parlamentit nga ana e opozitës. Ky bllokim politik nis që me zgjedhjet e përgjithshme në qershor të 2009. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, të cilat janë konsideruar nga OSBE/ODIHR si përmbushje e shumicës së standardeve ndërkombëtare, u kundërshtuan nga Partia Socialiste. Incidentet e dhunshme të 21 janarit 2011 të cilat çuan në vdekjen e katër demonstruesve, përforcuan klimën e mosbesimit jo vetëm mes forcave politike por dhe ndërmjet institucioneve. Zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, si rezultat i numërimit të votave të diskutueshme dhe të hedhura gabim dhe rezultati i kontestuar në Tiranë, theksoi më tej polarizimin midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. E gjithë kjo shmangu vëmendjen nga reformat e nevojshme politike të BE-së. Përkundrejt këtij sfondi, qeveria bëri disa përpjekje për të ecur përpara në axhendën e integrimit në BE dhe në veçanti për të përgatitur një plan veprimi për të adresuar rekomandimet e Opinionit të 2010 të Komisionit. U bënë përpjekje edhe për të nisur grupe pune për reformën zgjedhore edhe pse këto përpjekje ngecën.
Parlamenti
Njëfarë progresi modest është bërë në organizimin e punimeve të Parlamentit. Kjo përfshin një numër të kufizuar të ndryshimeve të rregullave të procedurës së parlamentit. Një prej të cilave, koha e lirë për të folur në fund të seancave parlamentare janë një përmirësim mbi praktikën e kaluar. Përmirësime të tjera përfshijnë ndryshimet me urdhër të Kryetares së Kuvendit në janar 2011, siç është axhenda parlamentare dhe një transkriptim i plotë dhe publikimi jo vetëm i seancave por dhe i takimit të komisioneve. Në mars të vitit 2011 parlamenti krijoi një komision hetimor me mbështetjen e shumicës së deputetëve për të hetuar menaxhimin dhe aktivitetet e organeve drejtuese dhe shërbimet e Parlamentit gjatë periudhës shtator 2005 deri më dhjetor 2010. Komisioni mbajti një takim përpara zgjedhjeve për pushtetin vendor të majit. (Komisioni zhvilloi vetëm një mbledhje dhe më pas u detyrua të mbyllet pasi deputetët ishin të angazhuar në fushatën zgjedhore e më pas morën pushimet. Sh.R)
Megjithatë puna parlamentare vazhdoi të pengohet seriozisht nga bllokimi politik i shumicës qeverisëse dhe opozitës, mungesa e dialogut konstruktiv politik dhe retorika konfrontuese e nxitur nga ngjarjet e 21 janarit dhe procesi i diskutueshëm i rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Opozita i dha fund bojkotit të gjatë të punës parlamentare më 5 shtator.
Për shkak të bllokimit politik, përparimi në lidhje me kontrollin legjislativ dhe funksionin e mbikëqyrjes së ekzekutivit mbetet i pamjaftueshëm. Komisioni hetimor për organet drejtuese dhe shërbimet e Parlamentit nuk është mandatar për të kryer një analizë të rregullave të rregullave të procedurës së parlamentit.
Gjatë periudhës raportuese, Kuvendi miratoi më shumë se njëqind ligje. Megjithatë miratimi i një numri të nevojshëm ligjesh që kërkojnë shumicën e 3/5, e cila është prioritet kyç i Opinionit, është ende në pritje. Bashkëpunimi i kufizuar apo i ndërprerë mes opozitës dhe mazhorancës në komisionet parlamentare, kufizimi i vazhdueshëm mbi qasjen në ekspertiza të specializuara, edhe pse janë bërë përmirësime në disa raste, dhe më tej të kufizuara me palët e treta, duke përfshirë shoqërinë civile, ngrenë pyetje mbi cilësinë e ligjeve të miratuara.
Disa masa janë marrë për forcimin e kapacitetit administrativ të parlamentit duke përshirë rekrutim shtesë të stafit. Stafi shtesë këshillues i është dhënë Komisionit të Integrimit në mars 2011. Hapa të mëtejshëm janë marrë për forcimin e infrastrukturës së parlamentit, e cila lehtëson komunikimin e parlamentit me publikun. Megjithatë ende ka mungesë të kapacitetit administrativ në Parlament dhe politizim i cili pengon pavarësinë dhe profesionalizmin e personelit. Ky mbetet një shqetësim. Konsultimi i shoqërisë civile në proceset ligjore mbetet i pamjaftueshëm.
Nuk është bërë përparim në ndryshimin e kornizës legjislative për zgjedhjet në përputhje me OSBE/ODIHR, i cili është prioritet kyç i Opinionit. Reforma zgjedhore është bllokuar nga bllokimi politik dhe mungesa e dialogut mes partive kryesore.
Zgjedhjet lokale të 8 majit u zhvilluan në një atmosferë politike shumë të polarizuar e cila ndikoi në zhvillimin e përgjithshëm të procesit. Sipas vlerësimit përfundimtar të OSBE/ODIHR, ndërkohë që zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, mosbesimi mes partive politike mbizotëroi dhe palët nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre zgjedhore në përgjithësi. Kjo klimë ndikoi në administrimin e zgjedhjeve. Vlerësimi i OSBE/ODIHR, vuri në dukje gjithashtu se pavarësisht një procesi konkurrues e transparent, incidentet e shumta të dhunshme njollosën periudhën e fushatës. Progres si dukshëm është bërë me përmirësimin e listave të zgjedhësve por ka probleme me saktësinë e tyre.
Misioni i vëzhgimit OSBE/ODIHR vuri në dukje se ndërsa votimi vazhdoi relativisht mirë gjatë ditës së zgjedhjeve, problemet e rëndësishme ndodhën në 10 perqind të qendrave të votimit. Ai gjithashtu vë në dukje një proces pozitiv por të zgjatur gjatë numërimit. Në veçanti, përcaktimi i rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Tiranës, u bë një proces i diskutueshëm dhe vendimet e KQZ-së u morën në mënyrë partizane politike, mungesë arsyetimi dhe mospërputhje. Polemika politike dhe ligjore kanë ndodhur edhe në lidhje me trajtimin e animimeve nga ana e Kolegjit Zgjedhor, në veçanti lidhur me Tiranën.
Megjithëse Kodi Zgjedhor mbetet një bazë e mirë ligjore dhe teknike për zgjedhjet, reforma zgjedhore është e nevojshme për një progres të mëtejshëm. Në këtë kontekst, roli i partive politike është me rëndësi jo vetëm si aktorë kryesorë në reforma por edhe për të siguruar që klima politike nuk ndikon negativisht në proces dhe nuk ndikon në vullnetin e votuesve.
Në përgjithësi, pavarësisht disa përmirësimeve të rregullave parlamentare dhe praktikës në rritje të kapaciteteve administrative të Parlamentit, punën e parlamentit në funksionet legjislative dhe mbikëqyrjes, i cili është prioritet kyç i opinionit publik, mbetet i pamjaftueshëm. Afati i gjatë i bllokimit politik, i cili u ushqye nga ngjarjet e 21 janarit dhe polemika mbi zgjedhjet në Tiranë, ka penguar seriozisht punën e parlamentit dhe dialogun e nevojshëm dhe të qëndrueshëm konstruktiv. Bllokimi politik ka penguar krijimin e një konsensusi për të bërë të mundur zbatimin e reformave përkatëse të BE-së. Bojkoti i pjesshëm i opozitës e ka penguar punën e parlamentit. Në këtë drejtim, fundi i bojkotit të opozitës dhe kthimi i saj në punimet parlamentare më 5 shtator, është një hap pozitiv drejt normalizimit të dialogut politik. Një ambient përfshirës më i favorshëm për konsensus bipartizan duhet nxitur në Parlament. Klima e polarizimit dhe mosbesimit midis qeverisë dhe opozitës ka ndikuar në zgjedhjet lokale të 8 majit.
Qeveria
Koalicioni qeverisës PD-LSI ka mbetur në vend gjatë periudhës raportuese. Në janar 2011, pas akuzave për korrupsion, zv. kryeministri dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti i tij. Lulzim Basha, dhe dorëheqjen nga ministër i Brendshëm dhe kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës.
Ka disa zhvillime në legjislacionin e qeverisjes vendore. Në nëntor 2010, Parlamenti miratoi ndryshimet e Ligjit për tatimet e Pushtetit Lokal duke u dhënë njësive qendrore të qeverisjes një mandat për të rimbursuar bizneset e vogla për koston e blerjes dhe instalimin e kasave fiskale. Vështirësitë në rritje mes shumicës qeverisëse të PD-së dhe shumicës së PS-së në qeverisjen vendore, kanë vazhduar të ndikojnë në procesin e reformës së decentralizimit e cila ka qenë më parë e suksesshme. Menaxhimi i taksave të pushtetit vendor mbetet i dobët. Autoritetet e pushtetit vendor vazhdojnë të merren me kapacitetet administrative për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave, rritjen e autonomisë së tyre fiskale dhe të përmirësojnë performancën e tyre në përputhje me rrethanat. Disa njësi të qeverisjes vendore nuk ishin në gjendje të miratojnë buxhetin e 2010, një situatë kjo që vazhdoi deri më 2011. Qasja e njësive të qeverisjes vendore për kredi, siç parashikohet me ligj për huamarrjen vendore, mbetet i kufizuar.
Kriteret ekonomike
Ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe rritjen pozitive gjatë krizës globale dhe lidhur me pasojat e saj. Shqipëria ka bërë disa përparime drejt transformimit në një ekonomi tregu funksionale. Kapaciteti i saj për t’iu përshtatur presionit konkurrues dhe forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian në një aspekt afatmesëm është në rrugën e duhur, në qoftë se Shqipëria do të ecë më tej në reformën strukturore, duke përfshirë forcimin e sistemit ligjor dhe forcimin e kapitalit fizik dhe njerëzor.
Edhe pse kërkesat e tregut të brendshëm vendase nuk ka pasur përparim, eksportet e fuqishme kanë çuar në një rritje ekonomike prej 3,8 perqind në 2010. Inflacioni ka mbetur i qëndrueshëm në sajë të politikës monetare të shëndoshë të Shqipërisë. Sidoqoftë ngërçi politik pengoi kapacitetin e qeverisë për të vënë në zbatim reformat e nevojshme strukturore. Mangësitë për sa i përket të drejtës së pronës, ekzekutimit të kontratave dhe shtetit ligjor, së bashku me infrastrukturën dhe kapitalin njerëzor të dobët, si dhe shkalla e lartë e ekonomisë informale vazhduan të pengojnë zhvillimin ekonomik. Borxhi publik relativisht i lartë dhe niveli i lartë i kredive të këqija në sektorin bankar vazhdojnë të mbeten çështje që përbëjnë shqetësim.
Legjislacioni i BE-së
Shqipëria ka bërë disa përparime në përmirësimin e aftësisë së saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit duke përafruar legjislacionin dhe standardet e saj me ato të Bashkimit Evropian, në veçanti në fushat e lëvizjes së lirë të mallrave, në politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë dhe kontrollit financiar.
Sidoqoftë, përpjekje më të mëdha janë të nevojshme sepse ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si lëvizja e lirë e punonjësve, prokurimi publik, ligji për të drejtën e pronësisë intelektuale, transporti ajror, shoqëria e informacionit dhe mediat si dhe energjia dhe mjedisi. Në përgjithësi, kapacitetet administrative për vënien në zbatim të legjislacionit duhet të përforcohen.
Vendimet e djeshme
KROACIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 2003. Negociatat për anëtarësim kanë përfunduar në qershor 2011. Në përputhje me nenin 49 TEU, Komisioni sot paraqet Opinionin e tij në favor të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Pas përfundimit të procesit të ratifikimit, Kroacia do të bëhet një shtet anëtar i Bashkimit Evropian më 1 korrik 2013.
TURQIA: vend kandidat – aplikoi në vitin 1987. Negociatat e anëtarësimit u hapën në tetor 2005. 13 kapituj janë të hapur dhe një i mbyllur përkohësisht. Zbatimi i plotë i detyrimeve të Bashkimit Doganor dhe progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Qipron janë të nevojshme para se vendi të mund të përparojë më fuqishëm në negociatat e pranimit.
ISLANDA: vend kandidat – aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe filloi negociatat për anëtarësim në qeshor 2010, me 4 kapituj hapur nga të cilat 2 janë mbyllur përkohësisht. Meqenëse, Islanda është tashmë një anëtare e ZEE dhe e zonës Shengen, një pjesë e madhe e legjislacionit të saj është tashmë në përputhje me atë të BE-së.
ISH REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË: vend kandidat – aplikoi në vitin 2004. Vendi vazhdon të përmbush mjaftueshëm kriteret politike dhe Komisioni rinovoi rekomandimin e tij të 2009-ës për hapjen e negociatave për anëtarësim. Meqenëse një vendim unanim i Shteteve Anëtare është i nevojshëm, një zgjidhje për çështjen e emrit është thelbësore.
MALI i ZI: vend kandidat – aplikoi në vitin 2008. Në vitin 2010, BE-ja i dha statusin e kandidatit dhe përcaktoi shtatë prioritet kryesore të cilat vendi duhet të përmbushë në mënyrë që të arrijë hapjen e negociatave për anëtarësim. Dje, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim.
SHQIPERIA: potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Në vitin 2010 BE-ja përcaktoi dymbëdhjetë prioritet kyçe të cilat vendi duhet të plotësojë për të arritur hapjen e negociatave për anëtarësim. Edhe pse është bërë progres në disa nga këto fusha Komisioni nuk ishte në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshme për Shqipërinë këtë vit. Duke u bazuar në sinjalet pozitive të kohëve të fundit, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri për të rivendosur dhe mbajtur një nivel të dialogut politik duke lejuar funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe zbatimin e reformave thelbësore.
SERBIA: potencialisht kandidat – aplikoi në vitin 2009. Komisioni prezantoi sot opinionin e tij mbi kërkesën e Serbisë për anëtarësim. Bazuar në gjendjen e saj, ai rekomandon që Këshilli të jap statusin kandidat për Serbinë.
BOSNJA DHE HERCEGOVINA: potencialisht kandidat – nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE; pas zgjedhjeve parlamentare të 2010-ës, vendi nuk ka formuar ende një qeveri në nivel shtetëror dhe mungesa e një vizioni të përbashkët nga liderët politikë për drejtimin e vendit vazhdoi të bllokoj reformat kyçe lidhur me BE-në.
KOSOVA: potencialisht kandidat – Dallimet mbi statusin e Kosovës mbeten një pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës. BE-ja mbështet përpjekjet e Kosovës për të përmbushur perspektivën e saj evropiane.