Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Po ta kishim mbajtur princin!

Publikuar me : 09.10.2011 Ne : Kulture - 53 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Lekë Tasi

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, ekspozita fotografike e Artan Lames dhe Petraq Gramos në Muzeun Historik Kombëtar mbi mbretërimin e shkurtër të Princit Vilhelm Vid, e njohu për herë të parë publikun tonë me pamje të shumta, gati shteruese, nga ai episod fillestar i pavarësisë, i kaluar deri dje pothuajse në heshtje. Mund të thuhet i lënë qëllimisht në harresë. Të ngjan sikur me jubileun që presim, po vjen ora e ndërgjegjësimit për të kaluarën.

Në ato foto shohim pritshmëri entuziaste, mallëngjim dhe adhurim për princin, në Jug, Veri, Diasporë dhe në tërësi ndër intelektualë, kurse neveri e armiqësi të hapur në   brendatokën e Durrësit, fanatike dhe të yshtur së jashtmi.

Nuk do bëjmë një shikim historik. Gjërat kryesore njihen, dhe bashkë me to edhe faji. Por kur kërkon përgjegjësitë, ato treten në një të kaluare të errët, ku është e kotë të kërkosh. Masat s’mund t’i bësh përgjegjëse nëse s’janë të ndërgjegjësuara për atë që bëjnë. E dyta ky ylli kapriçioz që i prin fisit tonë, i mbrapshtë në vazhdimësi shekullore, na shpërblen  papritmas për merita të një pakice veprimtarësh sot gati të harruar (disa as të përmendur ndonjëherë), pra ai na mëson të jemi shpresëtarë, por gati fatalistë, sepse shpresa jonë i ka  bazat jo fort të kapshme.

Në fakt, ajo marrëzi e Shqipërisë së Mesme që u ngrit si uragan dhe përzuri aurorën e ndritur të një ndihme gjermane dhe europiane, që do vinte si vesë mbi vendin tonë të përçarë e të leckosur, u fashit për çudi brenda një dekade, duke u shndërruar mes dy luftërave në një rini të thjeshtë, patriote dhe të edukuar, (madje mbi bazën e një sistemi arsimor thuajse gjerman!), një rini veç e gatshme të vrapojë drejt mashtrimit të ri. Ky mashtrim periodik falë grindjes së brendshme, është moduli karakteristik i historisë sonë, që nga shekulli 14, pastaj gjatë Turqisë, dhe tani vonë kur gjoja na ra në dorë ky vend.

Ndërkaq, le të ëndërrojmë pak për çka kemi humbur në shtator 1914 kur Princi gjerman me oborrin e tij u ngjit në anije dhe tërhoqi lart spirancën. Le të hedhim sytë rrotull në Ballkan ku, përveç Serbisë, që e ka pasur dinastinë vendase, tri shtetet e tjera, Rumani, Bullgari, Greqi, kanë marrë pinjoj të trungut të madh gjerman Hohenzollern (Perandoria e Shenjtë Romake) kurse Greqia, në një moment të dytë ka zgjedhur edhe një princ danez, që me bij e nipër vazhduan për 80 vjet në fron.

Arkitektura e para, dhe pastaj ceremonitë, ballot, ajo zulmë që populli e do para se t’i vijë dëshira dhe nevoja për kërkesa republikane, kaluan nga Europa në kryeqytetet ballkanike  shumë modeste në atë kohë, dhe vunë themelin e një europeizmi, sepse mbretërit shoqëroheshin nga elita që dinin të promovonin edhe vlerat vendase, madje më mirë sesa vetë elitat kombëtare, pre e shumë paragjykimeve. I përfytyroj oborrtarët dhe specialistët e Vidit në Durrës e nëpër Shqipëri, duke studiuar vendin e duke vënë themelet e planeve rregullues, të shkollave, spitaleve, parqeve, më vonë universiteteve, teatrove, orkestrave e Operës! Përfytyroj studentët tanë duke marrë rrugën për në qytetet mesjetare të Veriut të Europës me shkolla të famshme, kthimin e tyre dhe kalimin e asaj fryme dhe kulture tek të vegjlit.

Me siguri të plotë do ta kishim arritur natyrshëm stilin europian të jetës në qoftë se do të kishte mbajtur ajo mbretëri nga 1914 tejpërtej Luftës I Botërore (gjashtë fuqitë ishin angazhuar të respektonin neutralitetin e shtetit të ri, dhe mund ta mbanin fjalën edhe gjatë konfliktit pavarësisht luftimeve dhe pushtimeve). Kështu do të kishim pritur paqen me një perspektivë përparimi mbështetur nga faktori gjerman dhe austriak i pasluftës që shihte këtu veç hapësirës politike edhe prestigjin e princit të vet.

U realizua diçka krejt tjetër. Shteti u mëkëmb, por mungesa e unitetit dhe si rrjedhojë mbështetja te një fuqi gati kufitare, i dhanë një zhvillim të varfër që u reflektua dhe në superstrukturë. Pse jo te Gjermania e largët?

Vidi ishte në pritje në 1918, ashtu dhe më vonë, u bënë disa përçapje. Projekti dinjitoz për këtë vend ra poshtë në dobi të një tjetri që përhapi ca dritë mbi kalldrëm, kur vegjëlia vështronte nga larg dritaret e ballos, por që do të përqeshej, kur dikush u kujtua për të në Uashington (shih K. Çekrezi: Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë).

Mjerimi u përhap në periferi dhe varfëria në qendër, Shkolla e Fultz-it dhe Kolegjet e Shkodrës, me frymë pragmatiste dhe konservative, nuk iu bënë dot barrierë ideve që  përhapeshin në gjimnaze dhe në Liceun Francez. Kriza ekonomike që shërbeu si shtrat i  çdo pakënaqësie, i favorizoi ato ide si një pretekst i ri për mashtrim.

Është e qartë që të panjohurat e gjykimit me hipoteza janë të shumta: mund të ishte mprehur armiqësia e Koalicionit ndaj Shqipërisë me princ gjerman gjatë LDB; të shikohej ajo si “satelit” i Boshtit, por me siguri agresioni i 1939-ës nuk do të kish ndodhur. Gjithashtu në një Shqipëri të administruar mirë,  me një ushtri solide prej dy dekadash, “fara” e Kominternit nuk do të mbinte fort e besueshme, ajo nuk do bënte përpjetë, dhe e shumta në mbarim të luftës, llogaria, nëse ishte rasti, do t’i jepej drejt Perëndimit demokrat, jo Lindjes komuniste.

Pra, po ta kishim mbajtur princin Vidi më 1914, mundësitë e një konsiderimi të Shqipërisë në Jaltë si shtet me njëfarë peshe, dhe jo thjesht si aneks i të tjerëve, do të ishin reale, dhe kjo nënkupton marrjen në konsideratë edhe të rivendikimeve tona.

Duke mbyllur këtë meditim pak në hava dhe mjaft të hidhur mbi atë mirazh që u shfaq dhe firoi, të një Shqipërie europiane, me një dinasti nga më të lashtat në krye, s’dua të  zgjatem mbi anën romantike të oborreve, uniformave, karrocave me kuaj e damave të shoqërisë. Këto përbëjnë për masën dhe jo vetëm, një motiv gratifikimi dhe rritjeje estetike, por mbi dy disfata themelore, njëra fizike, tjetra morale që puna jonë e mëvonshme i prodhoi nga moskokëçarja shekullore për veten në kooperim me vendosjen e miqësisë mbi ligjin.

Së pari është dukja e Shqipërisë, emblemë e të cilës do merret Durrësi. Ky qytet është patjetër më i rëndësishmi, më i afërti me botën dhe hinterlandin, më i pasuri me lashtësi antike dhe mesjetare. (Dora e dijshme gjermane mbërrinte në kohë atë Pranverë 1914 për ta shpëtuar nga shembjet e mureve historike dhe djegia për gëlqere e statujave. E tërë arkeologjia jonë, aty dhe kudo do të dilte në dritë. Ekipe shumëprofilesh do të vendosin për ndarjen e zonave, bonifikimin e kënetës, planin urbanistik, zgjedhjen e stileve në fasadat e pallateve. Imagjinoni ç’kryeqytet do të kishim mbas disa viteve!) Deri para një dekade, ky plan i domosdoshëm për këdo që e sheh qytetërimin si parësor mbi ekonominë dhe jo e kundërta, edhe mund të ndërmerrej,  së paku terreni ishte i paprekur. Shikojeni sot Durrësin, kampion i trajtimit të pakulturuar  në përzierjen e zonave, në zgjidhjet vulgare urbano-arkitekturore!

Së fundi, si mund të mendohen të zbatuara këto tipare që përmendëm më lart, estetikë e qyteteve dhe administratë respektuese e ligjit, pa nënkuptuar emërimet, gradimet nga lart poshtë si refleks të meritave, të ndershmërisë dhe të inteligjencës? Është ky shansi kryesor që rrethanat armiqësore dhe brishtësia jonë i mohuan Shqipërisë më 1914.

Një pikë e fundit: çdo fenomen historik duhet inkuadruar edhe në momentin aktual të mbushur me debate (si  rishkruhet historia, a ka pasur luftë civile), duke u propozuar atyre pyetje të reja, si p.sh: A është i përjetshëm, pra i shenjtë një Koalicion, dhe i përjetshëm, pra i mallkuar një armik, kur njeriun e lëmë të dalë me barka jashtë portit një vit mbas fitores së përbashkët, dhe tjetrin e mirëpresim të parin kur mbetemi keq 40 vjet më vonë? Nga përgjigjja e kësaj pyetjeje varet natyra e një debat historik që ka për lëndë  të ndërrueshmen politikë.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit