Publikuar me : 28.12.2011 Ne :
Kronike - 89 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Polici i qarkullimit rrugor, Naim Hyska, i cili është qëlluar me një plumb në kokë pak ditë më parë është ende në gjendje shumë të rëndë për jetën dhe mjekët shqiptarë nuk japin shumë shpresa. Për këtë arsye ai është dërguar me urgjencë dje për në spitalin e Janinës ku do të marrë një trajtim më të kualifikuar mjekësor.
Mëngjesin e djeshëm, teksa i plagosuri nisej për në Greqi, përveç familjarëve të policit ishin të pranishëm në Spitalin Ushtarak edhe disa efektivë të policisë rrugore, miq të ngushtë të Naim Hyskës, si dhe një automjet i Ambasadës Greke në Tiranë që e ka shoqëruar policin e plagosur deri në Rinas.
Mjeku Fatos Olldashi, që ndoqi nga afër gjendjen shëndetësore të Hyskës shpjegoi tha: “Nga skaneri i kokës që i është bërë dje u pa që kemi një përkeqësim të gjakderdhjes në tru dhe iu nënshtrua një operacioni tjetër dje. Gjendja klasifikohet e rëndë, por jo pa shpresë. Megjithatë, fatkeqësisht mbetet ende në rrezik për jetën”.
Për sa i takon hetimeve për zbulimin e autorëve të krimit, çështja është ende në duart e prokurorisë. Grupi hetimor ka marrë në pyetje rreth 20 persona të ndryshëm, por ende nuk ka një emër konkret. Hetimet janë përqendruar në pistën e detyrës së Hyskës si polic dhe në probleme që mund të ketë pasur ai në jetën private. Si prokuroria ashtu edhe policia e kane ende të hapur pistën e hetimit të një ngjarjeje të ndodhur 13 vite më parë në qytetin e Vlors ku në një operacion policor mbeti i vrarë një person në kërkim. Në këtë operacion ka marrë pjesë edhe Naim Hyska, i cili në atë kohë ka pasur postin e komandatit të grupit të gatshëm. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të personit të vrarë në vitin 1998 por nuk ka mundur të bëjë një lidhje me s tyre dhe policit të plagosur më datë 24 dhjetor në Tiranë.
Hyska u plagos me plumb në kokë në sy të djalit
Efektivi i policisë Naim Hyska u plagos mbrëmjen e 24 dhjetorit në sy të djalit 12-vjeçar, tek zona e 21 Dhjetorit, në Tiranë. 45 vjeçari u qëllua me armë zjarri në kokë teksa ishte duke qarkulluar me automjetin e tij personal, ndërsa u mbajt tre ditë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Hetuesit kanë folur me djalin e viktimës, i cili ka qenë prezent në ngjarje, por pa mundur që të mësojnë më shumë për identitetin e autorit.