Publikuar me : 23.12.2011 Ne :
Kronike - 30 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
Katër demonstruesit e vrarë përpara kryeministrisë nga Garda e Republikës janë përfshirë në analizën vjetore të policisë së Tiranës si vrasje. Deri më tani policia nuk i kishte vënë asnjë emër asaj që ndodhi pasditen e 21 janarit, kur mijëra qytetarë dolën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të protestuar kundër qeverisë. Renditja e katër viktimave të 21 janarit në listën e personave të vrarë në ngjarje kriminale, është bërë duke ndryshuar statistikën e analizës së dhjetëmujorit të kryer në fillim të muajit nëntor nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Lajmi u bë i ditur për “Shekullin”, nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilët thanë se në analizën e kryer në muajin nëntor për 10 muajt e parë të vitit, katër personat nuk ishin përfshirë në statistikat zyrtare të Policisë.
Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, dhe Faik Myrtaj, u vranë me armë zjarri me plumb në kokë dhe në zemër ndërsa ishin jashtë rrethimit të jashtëm me kangjella të kryeministrisë. Burime të policisë thanë se pas konsultimeve me krerët e Policisë së Shtetit, është arritur në përfundimin se vdekja e tyre të klasifikohet në rubrikën e vrasjeve nga policia e Tiranës. Krerë të Policisë së Tiranës, thanë se pavarësisht se hetimi dhe veprimet e tjera procedurale, nuk janë kryer nga hetuesit e policisë së Tiranës, duke qenë se kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e kryeqytetit, ajo është renditur në rubrikën e vrasjeve. Ndërkaq policia tha se nuk ka bërë cilësim të rrethanave dhe shkaqeve, nëse ajo ishte vrasje me dashje, nga pakujdesia apo aksidentale.
Sipas renditjes së kryer nga Drejtori i Policisë së Tiranës, në kryeqytet ka pasur 24 vrasje. Në total në kryeqytet kanë ndodhur 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227, ose 83.8 perqind e tyre. Sipas kreut të Policisë, Sajmir Muçaj, në krahasim me vitin 2010, është vënë re një rritje e krimeve në Tiranë me 1274 raste më shumë. Më tej Muçaj, evidentoi edhe faktin se ka pasur po ashtu rritje të fuqisë zbuluese me 2.8 perqind. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë.
Sa i përket krimeve të rënda janë shënuar 290 të tilla, janë zbuluar 212 ose 73.1 perqind e tyre, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar. Në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar evidentohen 65 vepra penale më shumë, ndërkohë që fuqia zbuluese është rritur me 2 perqind.
Vjedhjet
Drejtori i Policisë së Tiranës evidentoi dje si fenomen shqetësues vjedhjen e automjeteve. Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, problem shqetësues mbetet fenomeni i krimit ndaj pronës në tërësi. Muçaj tha se ky fenomen kriminal është goditur, por sipas tij vihet re se fenomeni i vjedhjes së automjeteve mbetet gjithashtu shqetësues.
Burgaj: Do ndryshojmë strukturën
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj tha dje gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, se duheshin përshtatur mirë patrullimet dhe kontrolli i territorit. Sipas tij, duhej planifikuar mirë ky fakt duke qenë se sipas tij ishte mbyllur cikli i rimarrjeve të oficerëve të policisë, të cilët kishin mbetur për arsye të ndryshme jashtë policisë. Sipas Burgajt, në këtë kuadër pritet të kryhet edhe ristrukturimi i Policisë së Shtetit. Sipas burimeve në këtë rast parashikohet ulja e organikës qendrore të saj dhe shtimi në bazë.
Krimet Kundër Personit
Vrasje me dashje, 24, zbuluar 21 ose 87.5 perqind, evidentohet 1 vrasje më shumë se në vitin 2010. Forca zbuluese është rritur me 13.5. perqind.
Vrasje te mbetur ne tentative, evidentuar 30 zbuluar 26 ose 86.6 perqind, ne krahasim me vitin 2010, evidentohen 6 raste me pak.
Vrasje nga pakujdesia, evidentuar 2, zbuluar 2 ose 100 perqind,
Plagosje e rëndë, evidentuar 36, zbuluar 34 ose 94.4 perqind, forca zbuluese është rritur me 3 perqind.
Rrëmbim personi, evidentuar 1, zbuluar 1 ose 100 perqind,
Të tjera, evidentuar 48 zbuluar 42 ose 87.5 perqind,
Vjedhje me dhunë dhe armë
Evidentuar 140 vepra penale, zbuluar 79 ose 56.4 perqind, janë proceduar 87 autorë.
Vjedhje me armë, ndodhur 37, zbuluar 29 ose 72.9 perqind, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 22 vepra me shumë. Forca zbuluese është rritur 31 perqind më shumë.
Vjedhje dhunë, ndodhur 48, zbuluar 17 ose 35.4 perqind, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 15 vepra me pak. Forca zbuluese është e njëjtë.
Vjedhje me armë, pasojë vdekje, ndodhur 1, zbuluar 1 ose 100 perqind. Vitin e kaluar ka ndodhur 1 vepër e cila nuk është zbuluar.
Të tjerat ndodhur 54, zbuluar 35 ose 65 perqind e tyre