Publikuar me : 11.11.2011 Ne :
Kronike - 33 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Policia e kryeqytetit ka sqaruar sot në një deklaratë për shtyp çështjen e makinës në të cilën u arrestua Emiliano Shullazi, e cila ishte e regjistruar në emër të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas policisë, automjeti është blerë nga Shullazi pa u kryer ende procedura e ndërrimit të pronësisë.
“Automjeti me targë TR.2703 L, nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi më datë 19 shtator 2011, shtetasi Besnik Dogushi e ka blerë këtë automjet me ankad nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, shtetasi Besnik Dogushi thekson se automjetin me targë TR.2703 L e ka lënë për ta shitur në servisin e Mercedez Benz në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis, shtetasi Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësi”.
Emiliano Shullazi u arrestua dy ditë më parë teksa lëvizte me automjetin Mercedes Benz, leja e qarkullimit të të cilit rezultonte në emër të institucionit ligjvënës.