Publikuar me : 07.10.2011 Ne :
Kronike - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANE – Ndërsa në disa rrugë të kryeqytetit, një “stil i ri” vjedhjeje po përhapet, për hetuesit e policisë është kthyer në një shqetësim më vete pamundësia teknike për të identifikuar autorët e dyshuar, sepse… kompjuterët janë të vjetër dhe nuk kanë programet e duhura. Prej disa ditësh, specialistët e hetimit të krimeve në disa prej komisariateve të kryeqytetit, nuk po mundin të hapin një CD, ku besohet se ndodhet pamja filmike e një vjedhjeje ku autori ka mashtruar një tregtar pasi i ka shpuar gomën e makinës.
Nga pamjet që posedohen, shpresohet të arrihet në zbulimin e autorit të krimit. Policia mendon se “kurthi me gomën” është përdorur disa herë në raste të ndryshme në kryeqytet.
Mekanizmi është i thjeshtë dhe shmang dhunën: Hajdutët ruajnë persona, të cilët dalin nga bankat me ndonjë qese ose pako në duar, me shpresën se janë tërhequr shuma të konsiderueshme. Ata e ndjekin personin dhe në rast ndalese, organizojnë shpimin e gomave të makinës në mungesë të tij. Kur i zoti kthehet në makinë, ata i tërheqin vëmendjen nga xhami për gomën e shpuar dhe në momentet e hutimit të parë pas konstatimit, një e mban me fjalë jashtë makinës duke i ofruar ndihmë për gomën, dhe tjetri përfiton nga konfuzioni për t’i marrë nga dera e pasagjerit paratë në makinë.
Specialistët e hetimit të vjedhjeve dyshojnë se ka pasur 12 raste të tilla në afërsisht dy muaj. Pikërisht pamjet që kanë të bëjnë me regjistrimin e një rasti të këtij fenomeni, ndodhen në një CD- të regjistruara nga një kamerë sigurie e një dyqani në kryeqytet.
Por prej dy ditësh, kjo CD nuk po mund të hapet, për shkak të kompjuterëve “të lodhur” të policisë. Një pjesë e mirë e tyre kanë kapacitete të ulëta teknike dhe përpunuese të të dhënave.
7 milionë lekë të vjetra iu vodhën një tregtari të vogël pak ditë më parë, në bulevardin “Zogu i Parë”, nga persona ende të panjohur të cilët i ngritën kurthin e shpimit të gomës dhe më pas i morën paratë.
12 raste të tilla afërsisht dyshohet të kenë ndodhur në harkun kohor të dy muajve të fundit, kur persona të ndryshëm janë gjendur përballë kurthit me shpim të gomës dhe më pas iu janë vjedhur paratë.