Publikuar me : 30.09.2011 Ne :
Kronike - 84 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANË- Arjan Selimi edhe pse ishte liruar nga burgu me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje ka qenë nën vëzhgimin e strukturave të Antikrimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Një fakt i tillë është konfirmuar për “Shekullin”, nga burime të policisë, të cilët thanë se Selimi ishte i dyshuar si i përfshirë në një rrjet të krimit të organizuar.
Ruajtja
Por teksa pohon se po mbante Selimin në vëzhgim, policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim për faktin përse natën e vrasjes ai nuk po ruhej. Ende nuk dihet nëse mungesa e planëzimit të shërbimit ka pasur të bëjë me faktin se gjatë kësaj kohe hetuesit nuk kanë pasur ndonjë dyshim për lëvizjet e Selimit, apo se shërbimet mund të jenë zhvendosur në një objekt tjetër të punës së policisë. Burimet thonë se dyshimet e specialistëve të Antikrimit të Organizuar ishin se Selimi, mund të ishte përfshirë në këtë lloj natyre kriminale dhe për këtë fakt specialistët e vëzhgimit dhe të njësisë operacionale janë urdhëruar të mbajnë nën kontroll. Informacionet e mbërritura në Policinë e Shtetit ishin se Selimi, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe i dënuar në SHBA, për këtë akuzë.
Marrja në pyetje
Në lidhje me hetimin e e vrasjes së Arjan Selimit, (Armand Andonit), policia pritet të pyesë sot Inis Gjonin, bashkëshorten e Selimit. Burimet thanë se krerët e hetimit pritet të thërrasin gjatë ditës së sotme në ambientet e tyre vajzën e njohur të “shou-bizit”. Por, sipas tyre, nëse ajo do të kërkojë, ata janë gati që ti shkojnë edhe në shtëpi për të marrë të dhëna dhe informacione të rëndësishme në lidhje me hetimin.
Deklarimet e Gjonit, e lidhur prej kohësh me Selimin, priten me interes nga hetuesit e policisë të cilët pritet të dinë nëse bashkëshorti i vajzës së spektakleve dhe televizionit kas pasur kërcënime apo jo kohët e fundit. Po kështu hetuesit pritet të informohen edhe në lidhje me aktivitetin miqtë lidhjet apo deri edhe përplasjet e mundshme që Selimi mund të ketë pasur me persona të ndryshëm në Shqipëri apo jashtë saj.
Varrimi
Dje paradite të afërmit miqtë shokët dhe dashamirësit e Arjan Selimit, i dhanë lamtumirën e fundit 37 vjeçarit tyë vrarë të hënën në mbrëmje në zonën e njohur si ish- serat, në rrugën “Skënder Shtylla”, në kryeqytet. Mes lotëve të të afërmëve miqve e të njohurve, kortezhi i përmortshëm u nis në orën 10:00, nga shtëpia ku Selimi jetonte kohët e fundit. Me dhjetëra automjete luksoze u vunë në kortezhin mortor për të përcjellë Selimin për në varrezat e Sharrës.
Për gati gjysmë ore rruga e Kavajës e vazhdimi i saj i njohur me emrin “Konferenca e Pezës”, deri në varrezat e Sharrës, në Kombinat, qëndruan të bllokuara për shkak të trafikut ë krijuar nga mjetet e shumta me njerëz e miq që përcillnin Selimin në banesën e fundit. Rreth orës 10:30, makina që mbarte arkivolin me trupin e Selimit mbërriti në pjesën jugore të varrezës së Sharrës, ku edhe ishte programuar edhe kryerja e varrimit të tij.
Trafiku i drogës për të cilin akuzohej Selimi
Nga përgjimi i bisedave dhe provat ka rezultuar se në datat 05-11 Maj 2001 të jetë transportuar nga Shqipëria në Itali nga korrier i panjohur sasia mbi 10 kg lëndë narkotike, heroinë me cilësi të dobët “e fryrë”, sasi e dërguar nga i pandehuri Armand Andoni (Arjan Selimi) dhe Artur Gjini, marrë në Milano nga Arben Myrtja 04.05.2001, që është tërhequr nga tregu narkoman me vështirësi. Me gjithë përgjimet e kryera në këtë periudhë, nuk është bërë e mundur të sekuestrohet lëndë narkotike.
Në datë 15-18.06.2001 është bërë e mundur të dërgohet një sasi lënde narkotike nëpërmjet shtetasit Arben Nikulaj nga te pandehurit Arjan Selimi (Andoni) dhe Artur Gjini. Në Itali do të pritej të shitej nga i pandehuri Avrami dhe Arben Myrtja, në Modena në Gallarate. Kjo sasi e lendes narkotike është gjetur dhe sekuestruar në kamionin tip’’Skania’me targa ****** e në brendësi të gomës rezerve janë gjetur 26 pako të mbështjella me shirit izolues futur në një tub gome, me peshe totale prej 16.750 kg. Të pandehurit e kanë trajtuar këtë rast në bisedat e tyre si “rastësi” dhe nuk besonin se ishin në ndjekje.
Në datat 01-05 korrik 2001 i pandehuri Arjan Selimi(Armand Andoni) dhe Artur Gjini kanë komunikuar për dërgimin në shtetin italian të një sasie lënde narkotike prej gati 10 kg heroinë me anë të drejtuesit të një automjeti ****** e që pritës të kësaj lënde narkotike ishin në Gallarate- Arben Myrtja, Adriatik Pemaj, Nikoll Filipi. Dhe në këtë rast nuk është sekuestruar lënda narkotike që mendohet se kanë dërguar i pandehuri Armand Andoni e Artur Gjini.