Publikuar me : 18.12.2011 Ne :
Kronike - 75 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANE- Uniformat e reja të Policisë, me probleme ende pa nisur të vihen në përdorim nga efektivët e Policisë së Shtetit. Lajmi bëhet i ditur për “Shekullin”, nga burime të Policisë së Shtetit, si dhe disa komisariateve të vendit ku kjo objektet e uniformës kanë nisur të mbërrijnë në mënyrë të pjesshme. Edhe pse me 30 nëntor të këtij viti, subjekti prodhues duhej të kishte përfunduar dorëzimin e objekteve të uniformës të parashikuara që do të prodhoheshin për normat e vitit 2011, ato nuk janë dorëzuar dhe nuk janë plotësuar. Kjo së paku sipas dokumenteve standarde të procedurës së blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit. Burime nga policia e Tiranës, por edhe të disa qarqeve të tjera në vend thanë se në disa prej objekteve të para të uniformës së mbërritur në magazinat e tyre dhe që kanë nisur të shpërndahen teke efektivët e tjerë të Policisë.
Problemet e para që janë shfaqur sipas burimeve mësohet se janë ato të ndryshimeve të përmasave trupore të veshjeve dhe objekteve të tjera të uniformës me ato të personave që do t’i veshin ato. Nga një kontroll i imtësishëm i kryer me efektivët e policisë që kanë marrë në dorëzim këmishat, pantallonat janë më të ngushta ose më të gjera nga sa vetë efektivët e Policisë kanë përmasat e trupit. Pjesa më e madhe e punonjësve të Policisë mësohet se kanë ankesa në lidhje me uniformën operacionale e cila sipas pretendimeve të policëve pasi kanë provuar atë është se ajo nuk iu përshtatet atyre për përmasat trupore. Një situatë e tillë është krijuar, pavarësisht faktit se një javë pas shpalljes së fituesit të tenderit të uniformave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, nëpërmjet një urdhëri të nënshkruar prej tij kërkoi nga të gjithë punonjësit e Policisë të viheshin në dispozicion për llogari të subjektit të firmës fitues të tenderit të Uniformës.
Ky urdhër i Burgajt doli pak ditë pas shpalljes së fituesit, por ndërkohë Policia e Shtetit, nuk kishte lidhur ende një kontratë me subjektin “Gjergjefi” sh.p.k, ndërsa nxitoi të vinte në dispozicion të kësaj të fundit, ambientet mjetet dhe njerëzit dhe efektivët e policisë, për të kryer matjetet trupore individuale për secilin prej punonjësve. Pavarësisht se matjet u kryen në këtë formë, duket problemt nuk morën fund, por më tepër duket se u shtuan. Ndërkaq shumë efektivë, pritet të transferohen në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, dhe ku pritet të zëvendësohen nga efektivë të tjerë. Mirë po për ta janë kryer matje për uniformë operacionale që i përshtatet vendit të punës ku ata kanë qenë në momntin e matjes, ndërsa tani për ta nuk ka uniformë në vendin e ri ku do të shkojnë. Më tej po ashtu duhen uniforma të reja edhe për efektivët e rinj që do mbërrijnë në komisariate shumica prej të cilëve janë femra, por funksioni i punës që ata pritet të marrin, më parë kryhej nga një mashkull.
Vërehen devijime teknike
Devijimi i ngjyrës së uniformës dhe ndryshimi i materialit përpërës të kopsave të këmishave janë dy nga elementët e parë që janë vënë re në veshjet e reja për punonjësit e Policisë. Në komisariatin e Policisë, nr.3, nr.2, dhe nr.1, ku kanë mbërritur disa nga objektet e uniformës është vënë re nga efektivët e policisë se ngjyra e unfiromës operacionale, nuk është ngjyrë blu e errët, por një ngjyrë e errët që më shumë i përafrohet të zezës, por jo blusë. Ndërkaq në këmisha, duket që kopsat nuk janë poliestri me 4 vrima, por janë me veshje ari, çka ka sjellë ndryshimin e objektit të Uniformës, duke e realizuar atë ndryshe nga sa është miratuar në vendimin e qeverisë, duke sjellë devijim të Uniformës së Policisë. Efektivët thonë se probleme janë vërejtur edhe me shenjat identifikuese të krahëve dhe të gjoksit të veshjeve të punonjësve të blu.
Tenderi, u blenë 101, artikuj,
Policia kërkoi analiza vetëm për tetë artikuj
TIRANE- Policia e Shtetit, edhe pse nuk ka reaguar në asnjë moment në lidhje me procedurat, proeces-verbalet e hapjes zhvillimit dhe realizimit të tenderit të tenderit të saj, për hapjen zhvillimin dhe realizmin e uniformës së saj, nuk ka mundur të mbulojë disa nga veprimet e dyshimta në këtë blerje që kap shifrën e 2.2 miliardë lekëve. Një detaj që duket aspak i rendësishëm por që duket se ka ndikuar jo pak në ecurinë e realizimit të tenderit është ajo e paraqitjes së mostrave në tenderin e mësipërm. Në dokumentet standarde të tenderit është vënë re se enti prokurues ka kërkuar që në dëshminë e origjinalitetit të mostrave përshkrim, dhe foto të katalogjeve teknike, ofertuesit duhej të paraqisnin 10 mostra të tilla. Kjo kërkesë për kualifikim, është shënuar në pjesën e kapaciteteve teknike dhe profesionale të subjektit që konkuron në tender. Në të kundërt, në këtë tender, kërkoheshin të bliheshin 101, artikuj të veshmbathjes së për Policinë e Shtetit, ndërsa mostrat kërkoheshin vetëm për tetë artikuj dhe dy mostra që i përgjigjen lëndës së parë. Ato që mungojnë në këto dokumente, janë veshjet e efektivëve të Qarkullimit Rrugor, ato të efektivëve të fluturimit, dorezat e lëkurës dhe objekteve të tjera që nuk janë vlerësuar si të tilla nga policia, pavarësisht se për to gjithashtu pritet të bëhen pagesa të majme nga xhepat e shqiptarëve. Edhe për këtë pikë, ashtu si për shumë elementë të tjerë, Policia e Shtetit është shmangur të përgjigjet.
Loja e Policisë me standardet ISO
Në tenderin e vitit 2009, Kur policia kërkonte të blinte të njëjtët objekte të uniformës së saj, ajo si ent prokurues, kishte vënë si kërkesë për dokumentet standarde kushtin që subjekti të ishte i çertifikuar sipas standardeve ISO 9001- 2008. Në këtë kohë, i pajisur me këtë certifikatë ishte pikërisht subjekti “Gjergjefi”, dhe një subjekt tjetër, që administrohej nga vëllai i një ish- ministri. Në të kundërt, ky standard, në tenderin e vitit 2011, u zëvendësua vetëm me atë ISO. Edhe këtë vit, fituesi i tenderit të 2011, Gjergjefi ishte i pahjisur Pavarësisht kësaj, specialistë të prokurimeve thonë se kjo është standardi ISO, nuk është çertifikatë produkti, por është çertifikatë për menaxhimin e cilësisë dhe të burimeve njerëzore. Vetëm një lojë për të penguar subjekte të ndryshme që të marrin pjesë në tender, me qëllim që në të të marrin pjesë vetëm ato që kanë këtë çertifikatë dhe jo shumë të tjera që për shumë arsye nuk e kanë.