Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Portreti i dyte nga Prishtina

Publikuar me : 11.11.2011 Ne : Kulture - 81 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 Elsa Demo

Iliriana Lira Blakaj është aktore protagoniste në projektin e filmit artistik të Spartak Pecanit. Është 16 vjeçe, nuk ka luajtur ndonjëherë në kinema. Vjen nga Prishtina, qyteti i lindjes ku ndjek gjimnazin dhe angazhohet në Koha Vizion TV si skenariste emisionesh dhe drejtuese. Është dita e parë e xhirimeve në mjediset e ish studios së zërit në Kinostudio ku disa kthina janë bërë zyra inspektorati policie. Në monitorin e instaluar në korridor një ekip ndihmës të rinjsh shqiptarë, anglezë e kosovarë ndjekin portretet e Elvira Diamantit dhe Ndriçim Xhepës, në rolet e psikologes dhe kryeinspektorit të krimeve të cilët janë duke diskutuar çështjen “Ada”.

Një vajzë me shportën të mbushur me furça grimi, pudra e instrumente që bëjnë plagë false apo fshehin shenjat e moshës, sikur po del nga ndonjë sheshxhirim i Tim Burton, kontrollon në distancë portretin e Ilirianës e cila do të hyjë në rol pas pak. Është Ada. E veshur me xhins të zi e xhaketë lëkure, me flokë të lëshuar deri në mes. Ka një të çarë në buzë për të cilën kujdeset që të duket e freskët. E ka dhuratë nga policë shqiptarë.

Heroina e saj sapo është përpjekur në duart e tyre. E kanë arrestuar sepse dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e një të riu.

Ada është një shqiptare e re e Amerikës që kthehet në atdhe pas një aksidenti fatal për të dy prindët. Ajo humbet ekuilibrin dhe gjendja e saj është një paralele e gjendjes që gjen në Shqipëri. Vitet dymijë: dashuri, krim dhe jeta e kontrasteve në metropolin e Tiranës që rritet me shpejtësinë e kaosit, është tabloja e këtij projekti filmik i frymëzuar nga romani “Te porta e Shën Pjetrit” i Fatos Kongolit. Një dramë psikologjike e shkruar nga Spartak Pecani dhe skenaristi britanik Matt Maude. Projekti thirret me tre tituj të ndryshëm provizor: “Frakturat” (e gjen këtë titull në kinemanë e realizmit socialist) “Tirana Blu” ose “Ada”. Vetë regjisori e përmend me këtë të fundit.

Lira Blakaj debuton në një prodhim shqiptaro-britanik falë Concordia Pictures. Është  kompania filmike Kosovës me të cilën regjisori Pecani ka bashkëpunuar për filmin paraardhës “Sekretet” (2008). Concordia e ka furnizuar këtë projekt me asistencë të bollshme të rinjsh në ekipin teknik dhe të aktrimit. Dy aktorë të tjerë nga Kosova të angazhuar në projekt janë Enver Petrovci dhe Afrim Muçaj.

Lira të kujton rastin e dy aktoreve  të reja nga Kosova të cilat e nisën karrierën me filmin artistik apo televiziv në Shqipëri: aktorja e talentuar Arta Muçaj (telenovela “Njerëz dhe fate” e Ylli Pepos) dhe Arta Dobroshi e cila debutoi te “Syri magjik” i Kujtim Çashkut.

 

Intervista në pak minuta

Iliriana si është personazhi yt?

Në projektin filmik të Spartak Pecanit unë jam Ada, një vajzë që është kthyer nga emigrimi në Amerikë. Ky është debutimi im në kinema, përkrah aktorëve më të mirë shqiptarë.

Ada është një personazh mjaft i ndërlikuar. Është vajzë e fortë, e palëkundur dhe mund të bëhet herë-herë edhe agresive. Në anën tjetër, është e pafajshme, e brishtë, e ndjeshme. Është shqiptare e Amerikës që pasi humbet prindërit në aksident, detyrohet të kthehet në Shqipëri.

 

Plaga në buzë është e qëllimshme?

Ka ndodhur nga një përleshje me policinë që më tërhoqi me forcë në hetim dhe unë kam tani këtë plagën e vockël këtu. Në këtë moment po xhirohen skenat e para të filmit ku Ada është akuzuar për vrasje. Është një film psikologjik me shumë dramë po edhe aksion. Mund të marrë për titull emrin e personazhit tim “Ada” ose “Frakturat”, nuk është vendosur akoma.

 

Çfarë lidhjesh ke me botën e spektaklit dhe TV?

Unë ndjek shkollën e mesme në Prishtinë, në vitin e dytë, por qysh 10 vjeç punoj në Televizionin Koha Vizion si skenariste dhe moderatore. Kam bërë dhe regjinë e dy filmave të shkurtër “Vrasja e Franc Ferdinandit” dhe “Ëndrra”.

 

Si të duket puna me Spartak Pecanin?

Ai është bërë shumë i afërt për mua. Është i ngrohtë dhe i sjellshëm dhe mesazhet i jep qartë. Kur të mëson të mëson nga shpirti.

 

Projekti është bazuar në një roman të shkrimtarit Fatos Kongoli, e njeh “Te Porta e Shën Pjetrit”?

Nuk kam mundur ta lexoj. Di që filmi ka disa nuanca nga libri, pak ngjarje prej tij por zhvillohet në mënyrë krejt të pavarur prej veprës letrare.

 

Ke familjaritet me kinemanë shqiptare?

Jam e interesuar për kinemanë shqiptare, nuk mund të them se e njoh mirë, kinemanë e traditës. Kooproduksionet e viteve të fundit me vende të ndryshme, i kanë dhënë e kanë bërë të dukshëm përparimin. Me të vërtetë është mirë.

Jemi vende të vogla, filmi kërkon para. Nuk të bën që të ndihesh aventurier por as nuk mund të frikësohemi nga kjo situatë. Siç e shihni këtu po punohet dhe për kaq unë ndihem e privilegjuar po aq edhe me ndjenjë përgjegjësie sepse mendoj që mund të bëj diçka në këtë drejtim, duke dhënë kontributin tim.

 

Filmi

“Ada” apo “Frakturat” është bashkëprodhim i kompanive filmike S.A.E. Trimex nga Shqipëria, Left Eye Blind nga Anglia dhe Concordia Pictures nga Kosova. Concordia Pictures ka tërhequr kompaninë britanike në këtë projekt. Bashkë kanë bashkëpunuar për filmin “Finding Lara” shkruar dhe realizuar nga Matt Maude i cili është bashkëskenarist i historisë shqiptare për projektin në fjalë.

Regjisori Pecani është shprehur se drama e personazheve kryesorë është parë brenda vorbullës së zhvendosjes demografike e traumatike njëherësh, që ka pësuar shoqëria shqiptare në këto vite, nga veriu e jugu drejt qendrës. Me fjalë të tjera: në një vend ku ligji nuk funksionin njerëzit gjejnë vetë mënyra për t’ia dalë mbanë.

Spartak Pecani (1952) ka realizuar “Shirat e vjeshtës” 1984, “Fjalë pa fund” 1986, “Treni niset më shtatë pa pesë” 1988, “Enigma” 1991, “Përdhunuesit” 1995 etj.. “Sekretet” 2008 që ai e realizoi pas një ndërprerjeje të gjatë, ishte një dështim. E megjithatë Qendra Kombëtare e Kinematografisë e mbështeti një vit më vonë projektin që nisi të zbatohet më një vit vonesë, më 7 nëntor 2011. Xhirimet zgjasin 6 javë, kryesisht në Tiranë, dhe një pjesë në Veri. Interpretojnë: Iliriana Lira Blakaj, Afrim Muçaj, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Elvira Diamanti etj.

 

Financat

Spartak Pecani u mbështet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë më 2009 për zhvillimin e projektit “Te porta e Shën Pjetrit” e më pas me financimin e këtij projekti që u quajt “Tirana blu” në vlerën 38.870.000 Lekë. Tani flitet për një projekt me buxhet afro 1 milion euro.

Buxheti i Qendrës Kombëtare Kinematografike nuk ka provuar ditë më të këqija sa tani. Rezultati i vlerave të prodhimeve filmike është nga më mesatarët. Në këto rrethana QKK e ka të domosdoshme të tregojë guxim e të mbajë larg projekte pa vlerë.

Së fundi për mungesë financimi janë shtyrë për në vitin 2012 projektet e të rinjve për film të shkurtër artistik. Nuk u financuan as projekte për veprën e parë filmike. Nga konkurrimi në këtë kategori doli “Amnistia” e Bujar e Alimanit dhe një fitues tjetër, Robert Budina fillon pas 13 nëntorit në Selanik, xhirimet e projektit “Udhëkryq”.

 

Përzgjedhësit e Berlinales

Një ekip i Festivalit të Filmit të Berlinit vjen në Tiranë. Më 13-17 nëntor Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin këqyrin produksionet e reja filmike nga Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ata dalin nga ky vizionim me ide dhe sugjerime për filma që mund të kenë premierë botërore në “Berlinale 2012”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë është organizatore e takimit. Marrin pjesë të ftuar edhe përfaqësuesit e Qendrave partnere të Filmit në rajon.

Më 15 nëntor QKK organizon një takim të të dërguarve të Berlinales me kineastë dhe studentë të filmit.

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit