Publikuar me : 28.10.2011 Ne :
Kronike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Një 29-vjeçar, pronar i katër kompanive të ndryshme është arrestuar dje nga policia pasi akuzohet se ka përfituar mbi tre milionë dollarë amerikanë nga shitja e mineraleve të kromit pa qenë i pajisur me licencë nga Ministria e Energjetikës dhe pa paguar asnjë taksë.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të policisë së shtetit dhe prokurorisë së Elbasanit, të cilët prej vitit 2010 kishte nisur hetimet ndaj biznesmenit 29 vjeçar Vaid Tarja. Ky i fundit, sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, që kishte caktuar me kërkesë të prokurorëve të çështjes Elvin Goga dhe Enkeleda Millonai masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, akuzohet për konsumimin e katër veprave të ndryshme penale. “Prokuroria e Elbasanit, në Shkurt të 2011 ka nisur procedimin penal me nr.1780 në ngarkim të shtetasit Vaid Tarja bazuar në kallëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave. Ky institucion, ka denoncuar në prokurori 29 vjeçarin për “Mospagim të taksave dhe tatimeve”. Nga verifikimi i kryer nga ana e prokurorisë ka rezultuar se Tarja përveç se ka konsumuar elementë të veprës penale të “mospagim taksave dhe tatimeve” ka konsumuar edhe akuzat e “Shpërdorimit të kompetencave”; “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale” e njohur ndryshe si “pastrim parash”,- thuhet nga të dhënat e organit të akuzës nga qyteti i Elbasanit.
Sipas tyre, Tarja që 25 vjeç kishte nisur aktivitetin e biznesit, konkretisht nga vitit 2007 duke bërë nxjerrjen, blerjen dhe shitjen e mineraleve të ndryshme, por kryesisht të Kromit pa qenë i licencuar nga Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore pranë Ministrisë së Energjetikës. Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të nxjerra edhe nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, biznesmeni Tarja kishte hapur disa shoqëri ku emri i tij figuron si pronar i kompanive “U & EMANAGMENT”; “ALBA-CLEAN”; “SILVIO” dhe “VAID TARJA”. Të gjitha këto biznese kishin për qëllim ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme, por, asnjëra prej tyre nuk ishte licencuar për nxjerrjen, blerjen dhe shitjen e mineraleve nga minierat e Martaneshit që ndodhej në zonën e Matit.
“Nga hetimi disa mujor, është gjetur dhe sekuestruar një faturë tatimore, ku kompania “U&EMANAGMENT” ku administrator i saj është shtetasi Vaid Tarja të ketë bërë shitje të mineraleve drejt disa kompanive të licencuar për tregtimin e kromit me një vlerë prej 3.705.555 dollarë amerikane. Të ardhura këto që më pas janë përdorur nga 29 vjeçari në hapjen e shoqërive të tjera me objekt investimin në biznese të ligjshme, në ndërtim, duke konsumuar elementë të veprës penale të “pastrimit të parave”. Kjo shitje, sipas hetimeve, është bërë në Shtator të 2010 të cilën biznesmenit Tarja nuk e ka deklaruar në organet tatimore ku duhej të paguante taksën e 10 perqind të tatim mbi fitimit dhe detyrimet të tjera që rrjedhin nga kjo shitje. “Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se fshehja e shitjes ka qenë e qëllimshme për mosdeklarimin e të ardhurave, duke iu shmangur kështu dhe detyrimeve tatimore. Shuma prej 3.705.555 dollarësh rezultoi që të jetë tërhequr nga i arrestuari Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie. E gjithë kjo shumë e përfituar në mënyrë të paligjshme nga ky shtetas, është tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe shoqëri të ndryshme”,- thanë burimet zyrtare të policisë, duke iu referuar vendimit të masës së sigurisë dhënë në mungesë ndaj 29 vjeçarit Tarja nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Arrestimi i pronarit të katër shoqërive është bërë pasditen e së mërkurës brenda ambienteve të zyrës së tij që ndodhej në një qendër tregtare buzë Lanës në operacionin e policisë të koduar me emrin “CLEAN”.
Akuzat
“Shpërdorimit të kompetencave”,
“Fshehjes së të ardhurave”,
“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”,
“Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
3.705.555
Dollarë është shuma e fituar nga 29 vjeçari përmes shitjes së kromit. Ai nuk kishte asnjë licencë për të ushtruar këtë aktivitet dhe nuk ka paguar asnjë detyrim në shtet. Përllogaritja e bërë nga tatimet e Elbasanit tregon se Tarja ka shmangur detyrimet tatimore me vlerë 375 mijë dollarë