Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Kronike - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Arben Sorra
Nga Dashamir Biçaku
Ish-kampioni shqiptar i pingpongut, Arben Sorra është arrestuar nga polici e Tiranës së bashku me një tregtar floriri nga Shkodra, Çlirim Sukaj të akuzuar se kanë ngritur një rrjet të trafikut të klandestinëve me Kanadanë. Një person tjetër, Fotaq Koçi, është shpallur në kërkim. Sukaj akuzohet nga prokuroria e Shkodrës edhe si përgjegjës për tragjedinë e 9 janarit.
Sipas policisë, rrjeti i trafikut të klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të Kanadasë funksiononte duke futur persona të ndryshëm në listat e sportistëve të pingpongut, me pretendimin se ata ishin lojtarë që do konkurronin në aktivitete që bëheshin në këtë vend.
Kjo funksiononte kundrejt një pagese mesatare prej rreth gjashtë mijë eurosh, ndërsa ende nuk dihet nëse të akuzuarit kanë mundur të dërgojnë ndonjë person në Kanada, nëpërmjet kësaj forme apo thjeshtë e kanë pasur formë mashtrimi. Për arrestimin e tyre policia dhe prokuroria kishin siguruar edhe një vendim të Gjykatës së Tiranës.
Gjatë kontrolleve të banesave dhe zyrave të kryera nga hetuesit e policisë janë gjetur dhe bllokuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat janë administruar në cilësinë e provës shkresore nga hetuesit dhe sipas tyre dokumentet përbëjnë prova të rëndësishme për hetimin e mëtejshëm të personave të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet. Hetuesit e policisë thanë dje për “Shekullin”, se deri më tani kanë administruar së paku kallëzimet e gjashtë personave të dëmtuar, të cilët pretenduan gjatë deklarimeve në para specialistëve të antikrimit ekonomik se kishin paguar paratë prej disa muajsh, ndërsa nuk po mundnin të merrnin së paku paratë e tyre mbrapsht e aq më pak vizën e shumë dëshiruar për në Kanada.
Burimet e policisë thanë se hetimet mësohet kanë nisur afërsisht tre muaj më parë, kur policia nëpërmjet përgjimeve që po kryente për një çështje falsifikimesh, zbuluan edhe rrjetin e mashtruesve të vizave kanadeze që drejtohej nga Sekretari i Federatës së pingpongut.
“Gjatë hetimit të kryer është zbuluar se Sekretari i Federatës së Pingpongut, Arben Sorra, biznesmeni i floririt Çlirim Sukaj, si dhe i kërkuar i tretë Fotaq Koçi, gjenin persona të ndryshëm të interesuar për të udhëtuar dhe emigruar jashtë vendit dhe kryesisht në Kanada. Pas kontaktit me personat dhe negociatave për pagesën, nëse bihej dakord, ajo bëhej në vend dhe më pas nisnin procedurat e nevojshme për të pajisur me vizë kërkuesit. Më pas emri i personit, do të futej në listën e një grupi sportistësh që do të merrnin pjesë në ndonjë aktivitet të organizuar në Kanada, apo në SHBA. E gjithë kjo sipas hetuesve bëhej kundrejt një pagese prej gjashtë deri në tetë mijë eurosh”,- thanë dje hetuesit e ngjarjes.
Policia ka marrë kontakt me disa nga ambasadat e Kanadasë në rajon, si në Itali, në Greqi dhe në vende të tjera për të zbuluar praktika të mundshme ku punonjësit e kësaj federate mund të kenë dërguar dokumente për të marrë viza. Ndërkaq në zyrat e Federatës janë sekuestruar një sasi dokumentesh dhe praktikash që dyshohen si mashtruese dhe tashmë janë në fazën e verifikimit. Ende nuk dihet nëse praktikat janë me emra të vërtetë, apo me emra të rremë.
6 mijë euro merrnin tre të akuzuarit për një person që kërkonte të pajisej me një vizë Kanadeze, për arsye sportive që më pas shfrytëzohej për qëllime emigrimi.
3 persona akuzohen nga policia se janë përfshirë në linjën e trafikimit të personave nga Shqipëria në drejtim të Kanadasë. Policia dyshon se personat merrnin paratë dhe nuk siguronin vizat duke kryer kësisoj edhe mashtrim.
6 raste kallëzime të ndryshme regjistroi grupi hetimor gjatë veprimeve të kryera në kuadër të dosjes së mësipërme. Personat kishin paguar nga 6 mijë euro, ndërsa nuk kishin mundur të merrnin vizat dhe as paratë.
Të arrestuar
Arben Sorra 51 vjeç nga Tirana
Çlirim Sukaj, 33 vjeç nga Shkodra
Në kërkim
Fotaq Koçi nga Tirana
Arben Sorra 18 vjet kampion i pingpongut
Arben Sorra 51 vjeç, gjatë gjithë jetës së tij është marrë me pingpongun, duke luajtur gati 20 vite si lojtar i këtij sporti. Ai e ka nisur karrierën, që në moshën 11 vjeç, në vitin 1971 për t’u shkëputur si lojtar, pas 22 vitesh, në vitin 1993. Gjatë kësaj periudhe Sorra, ka dalë 18 herë kampion ekipor (15 me Partizanin dhe 3 me Tiranën). Si individ ka dalë dy herë kampion në vitet 1977-1978, ka fituar 11 herë Kupën e Republikës; ka marrë pjesë në tre Spartakida: 1979, 1984 dhe 1989, ku kam fituar dy herë medaljen e artë (1979 dhe 1984) dhe një herë atë të argjendtë (1989). Në vitin 1985 u nderua me titullin “Mjeshtër sporti”, ndërsa në vitin 1988 me titullin “Mjeshtër i merituar i sportit”.
Kapet me armë e drogë, arrestohet
Një person, të cilit iu gjetën 2.4 gramë hashash dhe një pistoletë e markës “Rover Smith” u arrestua nga policia e kryeqytetit gjatë një kontrolli në një postbllok pranë sheshit Zogut të Zi. Fabian Ndone, 34 vjeç banues në Fier, u arrestua nga policia e kryeqytetit me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike. Ndone, sipas policisë, ndodhej në një makinë tip “Honda”, me targa “AA 674 AK”. Gjatë kontrollit të kryer në automjetin e tij, policia i gjeti fillimisht armën e markës “Rover Smith 38” me pesë fishekë, si dhe në qese me 2.4 gramë marijuanë. Oficerët e Antidrogës kryen arrestimin e tij në flagrancë me këto dy akuza ndërsa arma dhe droga u bllokuan në cilësinë e provave materiale.
Vodhën mall me vlerë 30 mijë euro, dy në pranga
Dy persona të akuzuar për vjedhjen e magazinave të një subjekti, nga ku kanë marrë një sasi sobash gazi dhe korrenti me vlerë 30 mijë euro u arrestuan nga oficerët e krimeve të komisariatit nr.3. Të arrestuarit janë Rustem Aliaj 55 vjeç, i dënuar me parë për vjedhje dhe Bashkim Xhepa, 42 vjeç, të dy banues në Kombinat. Ata, sipas policisë, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga data 8 maj 2011 e në vazhdim kanë vjedhur magazinën në pronësi të shtetasit V.A., në rrugën “Don Bosko” në Tiranë. Të arrestuarit akuzohen për vjedhjen e pajisjeve shtëpiake si, soba gazi dhe korrenti, vlera e të cilave kap shifrën e 30 mijë eurove. Një pjesë e materialeve iu bllokuan personave nga blutë në momentin e arrestimit të tyre.
Kërcënonte gruan me armë, ndalohet i riu nga Peqini
Kërcënonte ish- gruan me armë dhe qëllonte pranë shtëpisë së saj, policia e arreston pas largimit për në shtëpinë e tij. Vatler Metalla, 23 vjeç banues në fshatin Gjoçaj, të Peqinit, u arrestua nga policia e komisariatit të Kavajës, me akuzën e kanosjes me armë dhe prishjes së rendit e qetësisë publike. Policia tha se arrestimi i tij, u krye pasi me 24 tetor 2011, rreth orës 20.00, në qytetin e Rrogozhinës ka qëlluar me armë pranë banesës së ish-bashkëshortes shtetases V.M., banuese në Rrogozhinë dhe më pas është larguar në drejtim të Peqinit. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi në fshatin Gjocaj të Peqinit, blutë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë pistoletë “TT”, model 54, kalibër 7.62 mm, si dhe një sasi prej 150 fishekë.
Pretenca, 25 vjet burg Gashit të “Bandës së Durrësit”
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dje dënimin e të pandehurit Bujar Gashi me 25 vjet burg e 800 mijë lekë të reja gjobë, për akuzën e “vrasjes” në bashkëpunim së bashku me anëtarët e tjerë të “bandës” së Durrësit të shtetasit Dritan Disha. Vetë Gashi nuk reagoi për masën e dënimit, duke i lënë avokatit mbrojtës Ilia Ilia të përgatisë pretendimet përfundimtare të mbrojtjes. Sipas prokurorisë, anëtarët e “bandës” së Durrësit të drejtuar nga Lulëzim Berisha e Endrit Dokle kishin vendosur të vrisnin Dritan Dishën. Për vrasjen e tij, këta të pandehur kishin angazhuar Bujar Gashin të bënte roje pranë shtëpisë së viktimës së radhës, që të sinjalizonte të pandehurit e tjerë Endrit Dokle, Indrit Taullaj dhe Adriatik Coli për të kryer vrasjen e tij. Gashi është pozicionuar pranë shtëpisë së Dishës dhe kur ka e parë ka sinjalizuar shokët. Ngjarja ka ndodhur më datë 9 Korrik 2000, rreth orës 22:00 të darkës. Sipas prokurorisë, Gashi është arrestuar në 2009 në Itali nga ku është ekstraduar për tu gjykuar në Shqipëri.