Publikuar me : 28.09.2011 Ne :
Kronike - 35 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Dritan Prifti ka shpjeguar dje detaje në lidhje me videon e tretë me Fahri Balliun duke thënë se ato gjëra që ai nuk i kishte pranuar, i kishte kërkuar Meta kur kishte marrë postin e ministrit. Prifti ka thënë dje se ka rreth 60 video të fshehura jashtë vendit dhe se ato do i bëjë publike kur të vijë koha e duhur. Nga ana tjetër ai ka komentuar njohjen me Fahri Balliun, marrëdhëniet me Ilir Metën dhe njerëz pranë LSI-së, karrierën e tij politike dhe marrëdhëniet me PS-në.
Zoti Prifti keni deklaruar se keni edhe një video të tretë. Çfarë ka ajo?
Janë shumë më shumë, por kjo numër tre është me një personazh të medias. Nuk kisha bërë plan të flisja për të. Nuk kisha në plan të merresha me këtë pjesë. Të gjithë këta që vinin të unë vinin me një hall, për një problem. Edhe zoti Balliu këtë radhë rastisi që erdhi nja 10 minuta para se të vinte zoti Meta dhe zoti Meta e gjeti edhe zotin Balliu brenda. Brendia e videos është interesante, sigurisht kërkonte favore duke ofruar pagesa në shkëmbim. Pra, kërkohet diçka dhe ofrohet diçka. Por, nuk dua të flas më shumë, le ta lemë ta zgjidhë prokuroria këtë pjesë, unë kaq kisha.
Për cilin sektori interesohej?
Këtë pjesë e mbyllëm me kaq. Është interesuar për të gjitha territoret që mbulon ministria po e lëmë me kaq.
Pse nuk e denonconi?
Videoja është në prokurori dhe nëse do ketë nevojë për dëshminë time do ta jap.
Ju aludoni për zotin Balliu që ushtronte trafik influence?
Zotin Balliu unë e njoh prej vitesh. Natyrisht pronarët dhe drejtuesit e medias kur je politikan i njeh, ke edhe marrëdhënie. Zoti Balliu më është prezantuar nga Meta që në kohën që kemi qenë në opozitë, shumë, shumë vite më parë. Ka ardhur disa herë. Ka ardhur disa herë në zyrën e zotit Meta. Jemi takuar në zyra, në lokale. Kemi zhvilluar një lloj marrëdhënie.
Këto që ka kërkuar ju thoni që janë gjëra të paligjshme? A keni prova ju që akuzoni?
Do më bësh të nxjerr një sekret hetimi dhe të mbaj përgjegjësi penale. Gjatë asaj bisede janë bërë disa kërkesa. Njëra prej tyre që ishte më e vështirë për tu realizuar është ajo që e ka bërë zoti Meta kur ka marrë postin në vendin tim. Mua më është dashur t’i mbaj këto të dhëna sepse prisja një periudhë acarimi, ai (Meta) është shumë hakmarrës dhe unë u përgatitur të isha i mbrojtur. Presidenti amerikan Nikson kishte 62 video. Unë jam aty afër. Edhe ata që do dëshmojnë pro Ilir Metës unë i kam të regjistruar. Janë shumë. Nuk e kam personale me Ilir Metën, sepse tani do kisha mbaruar punë me të. Por e kam bërë për vetëmbrojtje.
Këto të 60 i keni çuar në prokurori?
Nuk kam dhënë llogari se sa kam. Janë çështje të miat.
Ju thoni që…
Ka një gjë që duhet sqaruar. Ai ka ardhur dhe ka kërkuar favor. Në fakt ai është njeri privat, pavarësisht lidhjeve që ka me qeverinë. Kërkesa nuk përbën krim. Nëse do të kisha firmosur atë që kërkoi atëherë unë do kisha bërë krim.
Ku ndodhen këto video?
Janë në dy vende jashtë Shqipërisë.
Si mund t’i merrni?
Nuk kam në plan ta vazhdoj këtë lloj loje, nuk kam në plan të bëj asgjë tjetër publike. Unë e bëra për të ndryshuar këtë sistem. Nuk funksionoi sistemi dhe nuk ja vlen të rrezikoj familjen time, veten time duke u marrë me to. Nuk është koha ta bësh këtë lloj lufte, sepse sistemi nuk funksionon. Edhe kur dorëzova të parën thashë që është një provë për të testuar sistemin.
Jeni i frikësuar?
Është shumë e guximshme kjo që kam bërë. Jam një njeri që kam një informacion të jashtëzakonshëm që këta edhe mund të vrasin. Këta janë një bandë. Kam detyrën të mbijetoj për familjen time, për fëmijët e mi. Përpiqen të më trembin që ty Meta nuk ta fal, ty një ditë do të heqin kokën dhe unë jam akoma këtu jam i vetëm dhe do ta vazhdoj këtë histori sot kaq, e nesër më shumë. Tani që po vija këtu më mori babai im, e më tha more roje me vete. Gjithë njerëzit e mi janë të shqetësuar për sigurinë time.
Thatë se jeni dëshmitari kryesor në gjyqin kundër Ilir Metës, por në fakt jeni edhe i akuzuar?
Unë nuk jam i akuzuar. Jam i dyshuar. Nuk ka asnjë lloj akuze të ngritur ndaj meje.
Dyshohet se keni marrë 70 mijë euro, ka pasur euro në tavolinë?
Ka qenë një ditë që unë nuk isha në punë. Atë ditë nuk kam qenë në detyrë. Ai ka ardhur për një çështje që është private mes meje dhe tij. Euro janë çështje plotësisht private që s’kanë lidhje me detyrën time apo të zv.kryeministrit. Unë me zv.ministrin kam pasur një marrëdhënie private. I kam thënë të gjitha në prokurori. Unë shpresoj që prokuroria të japë drejtim hetimit. Të vërtetën e kam thënë atje ku duhet. Ka pasur një detyrim për t’i kthyer ka ardhur i ka kthyer si borxh.
A keni bërë një pakt me zotin Beqiraj?
Jo s’kam bërë pakt. S’kam pasur marrëdhënie të mira. Ka qenë pjesë e grupit të Metës.
A mendoni se kjo video ju vë të dyve në një varkë dhe jeni të detyruar të bëni një pakt?
Nuk më intereson të bëj pakt me askënd. Dua të dalë e vërteta. Unë atje kam dhënë sqarime për verimin tim, për veprimin e zotit Beqiri, për të gjitha ata persona që përmenden në video. 90 perqind e asaj video është për zotin Meta, për zonjën Kryemadhi dhe të tjerë.
LSI pas largimit tuaj mori 120 mijë vota?
Në zgjedhjet lokale po të hedhësh një milion euro mund të marrësh 100 mijë vota. Në Tiranë Ilir Meta s’fitoi, ja dha Rama tre mijë vota.
Raporti juaj me PS?
Kam marrëdhënie shumë normale me zotin Rama. Pothuajse çdo javë kemi komunikim. Akoma nuk e kam vlerësuar se është momenti për t’ju drejtuar PS-së. Dëshiroj të mbarojë procesi hetimor. Plani im është të kontribuoj në PS. Ka disa personazhe që nuk më kanë qejf.
Balliu: Do të të jap 200 mijë euro, prano ofertën e rusëve
F. Vezaj / TIRANË- Ekspertët amerikanë që kanë bërë qartësimin e figurës dhe zërit të videos së regjistruar nga deputeti Dritan Prifti, kanë zbardhur disa detaje të bisedës me këshilltarin e kryeministrit, Fahri Balliu. Sipas të dhënave kofidenciale pranë organit të akuzës, mësohet se në bisedë e sipër botuesi Balliu i ofron ministrit të Energjetikës shumën prej 200 mijë eurosh. Kjo shumë, sipas botuesit, do t’i jepej atij në formë shpërblimi për dhënien e tenderit për çmontimin dhe shitjen për skrap të hekurishteve të ish-uzinës së Azotikut në Fier.
“Në bisedë e sipër, botuesi Balliu e njofton ish-ministrin e asaj kohe Priftin, se nëse ai shpall fitues kompaninë ruso-serbe do të përfitonte një shumë prej 200 mijë eurosh. Mendohet se kjo shumë do t’i jepej Priftit nga vetë botuesi Balliu, i cili ishte ndërmjetësi i kompanisë ruso-serbe”,- thuhet nga prokuroria. Vetë botuesi Balliu, gjatë bisedës nuk është fiksuar nga regjistrimi se për cilën kompani bëhet fjalë, por, emrin e kompanisë e përmend vetë ministri i asaj kohe, emër të cilën botuesi e miraton.
Ministri Prifti, në asnjë rast nuk shprehte se ishte dakord me këtë propozim të botuesit Balliu, për favorizimin e kompanisë ruso-serbe, duke mjaftuar me shprehjet se “do të shoh ç’mund të bëj”. Në këtë bisedë pak minuta, zëri është pak i turbullt dhe ka zhurmë, por nga ekspertimi i kryer nga ekspertët amerikanë është konstatuar dhe zbardhur e gjithë biseda, e cila është e administruar në dosjen hetimore që ndodhet në zyrën e prokurorit Gentian Osmani. Ky i fundit, mësohet se ka kryer një sërë veprimesh procedurale dhe hetimore, si në administrimin e kësaj video, mbajtjen e procesverbalit të dorëzimit nga vetë deputeti Prifti, vendimin për kryerjen e ekspertimit të qartësimit të zërit dhe figurës si dhe zbardhjen e saj në letër.