Publikuar me : 11.10.2011 Ne :
Kronike - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar dje në gjykatë katër dënime me burgim të përjetshëm dhe 267 vite burg për të pandehurit e “Bandës së Durrësit”. Gjatë një seance maratonë prej pesë orësh, organi i akuzës ka renditur një nga një të gjitha akuzat që rëndojnë mbi 16 të pandehurit. Banda dyshohet të ketë vepruar që nga viti 1998 deri në 2005, në qytetin e Durrësit. Fillimisht ka qenë një organizatë e vetme, por më pas është ndarë në dy pjesë me drejtues Lulzim Berishën dhe Indrit Doklen. Seancën tjetër do të jetë radha e mbrojtjes të thotë fjalën e saj të fundit dhe më pas gjykata do të japë vendimin.
***
Lulzim Berisha
Prokuroria ka kërkuar dje dënimin e të pandehurit Lulzim Berisha me burgim të përjetshëm për dhjetë krime. Berisha akuzohet për vrasjen e Dritan Sallakut më datë 17.10.1998; -Vrasjen e ngelur në tentativë të Marsel Sotirës, më datë 29.10.1998; Vrasjen e Eduart Ongari, më datë 05.07.1999; Vrasjen e Marsel Sotirës, më datë 22.08.1999. Për të gjithë këto është kërkuar burgim i përjetshëm. Ndërkohë prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 17 vjet për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Ilir Nelaj, më datë 17.10.1998. Në lidhje me vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Agim Rexhepi, ndodhur më datë 17.10.1998, , prokuroria ka kërkuar 17 vjet burg. Për vrasjen e shtetasit Viron Curri, më datë 29.10.1998 prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 25 vjet burgim. Po 25 vjet burg janë kërkuar për vrasjen e shtetasit Arjan Paja, ndodhur më datë 29.10.1998. Ndaj Berishës rëndon edhe një akuzë për armëmbajtje pa leje, për të cilën janë kërkuar tetë vite burg. Në përfundim prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Lulzim Berishën.
Plaurent Dervishaj
Edhe ndaj Plaurent Dervishajt rëndojnë 10 akuza, për të cilat prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm. Për akuzën e parë të pjesëmarrjes në organizatë, për Dervishajn janë kërkuar 6 vjet burg. “Kërkojmë deklarimin fajtor të Plaurent Dervishaj për: Vrasjen e Dritan Sallaku”, ndodhur më datë 17.10.1998; Vrasjen e mbetur në tentativë të Marsel Sotirës, më datë 29.10.1998; Vrasjen e Eduart Ongarit, më datë 05.07.1999; Vrasjen e Marsel Sotirës, më 22.08.1999”,- thuhet në prtencën e prokurorisë. Përveç kësaj, prokuroria ka kërkuar 16 vjet burg për vrasjen në tentativë të Ilir Nelajt, 16 vjet për vrasjen në tentativë të Agim Rexhepit, 23 vjet për vrasjen e Viron Currit, 23 vjet për vrasjen e Arjan Pajës dhe 8 vjet për armëmbajtje.
Indrit Taullai
Për pjesëmarrje në organizatën kriminale, prokuroria ka kërkuar 6 vjet burg. Për vrasjen e shtetasit Eduart Ongari, më datë 05.07.1999; Vrasjen e Marsel Sotirës, më datë 22.08.1999; Vrasjen e Dritan Dishës, më datë 09.07.2000 prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm. Akuza ka kërkuar 25 vjet burg për veprën penale të “Rrëmbimit ose mbajtja peng e personit’’ dhe tetë vjet burg për armëmbajtje. Në total prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm.
Indrit Dokle
Prokuroria ka kërkuar dje dënimin me burgim të përjetshëm të Indrit Dokles për 12 akuza. “Kërkojmë dënimin me 8 vjet për pjesëmarrje në organizatën kriminale. Burgim të përjetshëm për: Vrasjen e shtetasit Dritan Disha, ndodhur më datë 09.07.2000; Vrasjen e Erion Lame, më datë 14.01.2002; Vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Berishës katër herë, ndodhur në datat 05.04.2005; 05.05.2005; 30.08.2005 dhe në muajin gusht të vitit 2005; Vrasjen e Avni Gashit, më datë 12.05.2005”,- thuhet në [retencën e prokurorisë. Akuza ka kërkuar 22 vjet burg për rrëmbim dhe pengmarrje; 6 vjet për moskallëzim krimi, 7 vjet për armëmbajtje dhe 10 vjet për prodhim armësh.
Sardjan Sulejmani
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Sardjan Sulejmanit me 25 vjet burg për gjashtë akuza. Kështu, prokuroria ka kërkuar dënimin me 5 vjet për pjesëmarrje në organizatë dhe 25 vjet për: Vrasjen e mbetur në tentativë të Lulzim Berishës dy herë në gusht 2005 dhe vrasjen e Avni Gashit, ndodhur më datë 12.10.2005. ndërkohë janë kërkuar 6 vite burg për moskallëzim krimi dhe 7 vite burg për armëmbajtje. Në total prokuroria ka kërkuar me bashkim dënimesh 25 vjet burg.
Kujtim Buna
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Kujtim Bunës me 25 vjet burg për katër akuza. “Deklarimin fajtor dhe dënimin e të pandehurit Kujtim Buna me 4 vjet për pjesëmarrje në organizatë kriminale; 25 vjet burgim për vrasjen e Avni Gashit, më datë 12.10.2005; 6 vjet burgim për moskallëzim krimi dhe 6 vjet burgim për armëmbajtje.
Altin Olloni
Prokuroria ka kërkuar dje dënimin e Altin Ollonit me 25 vite burg për katër akuza: 4 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë; 25 vite burg për dy tentativa vrasjeje të Lulzim Berishës më datë 05.04.2005 dhe 05.05.2005; 5 vjet e tre muaj për armëmbajtje pa leje.
Elvin Hoxhosmani
Prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit Elvin Hoxhosmani me 25 vite burgim për katër akuza. Kështu, prokuroria kërkoi 4 vjet për pjesëmarrje në organizatë; 25 vjet për dy tentativa vrasjeje të Lulzim Berishës më datë 05.04.2005 dhe 05.05.2005 dhe 6 vjet për armëmbajtje pa leje.
Alban Neli
Prokuroria ka kërkuar dje dënimin e Nelit me 25 vite burg për tre vepra penale: 4 vjet për pjesëmarrje në organizatë; 25 vjet për vrasjen në tentativë të Lulzim Berishës më 05.04.2005 dhe 6 vjet për armëmbajtje pa leje.
Selman Heti
Prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg për katër akuza: 4 vjet për pjesëmarrje në organizatë; 25 vjet për vrasjen në tentativë të shtetasve Lulzim Berisha, Isuf Morina e Kujtim Haxhiaj, ndodhur më datë 05.05.2005; 25 vjet për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Lulzim Berisha, ndodhur në muajin gusht të vitit 2005 dhe 6 vjet për armëmbajtje pa leje.
Spartak Kalthi
Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale; vrasjen në tentativë ndaj Lulzim Berishës në gusht 2005 dhe armëmbajtje pa leje.
Altin Nikolla
Prokuroria ka kërkuar dje dënimin e Altin Nikollës me 20 vjet burg për vrasjen në tentativë të Lulzim Berishës, ndodhur më datë 05.04.2005 dhe armëmbajtje pa leje.
Kristian Begu
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Kristian Begut me 20 vite burg për vrasjen e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Lulzim Berisha ndodhur më datë 05.04.2005.
Ahmet Ajeti
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Ajetit me 21 vite burg për vrasjen në tentativë të Lulzim Berishës. Ahmet Ajeti është shtetas nga Kosova, lindur dhe banues në fshatin Magurë, komuna Lipjan, i cili akuzohet për vrasjen në tentativë të Lulzim Berishës, ndodhur më datë 30.08.2005, të parashikuar nga neni 78-25-22 të K.Penal e në bazë të këtij neni dënimin e tij me 21 vjet burgim. Ajeti nuk është arrestuar.
Osman Karpuzi
Prokuroria ka kërkuar dënimin e shtetasit kosovar Osman Karpuzi me 21 vjet burgim për vrasjen në tentativë të Lulzim Berishës, ndodhur më datë 30.08.2005. Karpuzi, ashtu si Ajeti, nuk është arrestuar nga policia.
Si u zbuluan krimet e “Bandës së Durrësit”
Procesi i “Bandës së Durrësit” ka 1550 ditë që po shqyrtohet nga gjykata dhe vetëm dje akuza lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj 16 të pandehurve. Vetë të akuzuarit ndodheshin dje në gjykatë, por nuk reaguan gjatë pretencës. Të vetmit që thyen heshtjen herë pas herë ishin avokatët e palëve në proces, të cilët shkëmbenin ndonjë fjalë me klientët e tyre apo me njëri- tjetrin. Në ambientet e brendshme të sallës nr.1 të këtij institucionin dhe jashtë saj ishin përqendruar forca të shumta policie, të thirrura nga prokuroria për të siguruar mbarvajtjen e seancës gjyqësore.
Por procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të “bandës” i zhvilluar në këto katër viteve, nuk ka kaluar pa incidente, ku shpesh herë janë përfshirë në debate gjyqësore dhe fyerje personale mes prokurorëve, avokatëve, të pandehurve, dëshmitarëve dhe vetë kryesuesit të kësaj trupe gjyqësore. Në shumë raste, ishte kreu i trupit gjykues i cili ka përjashtuar nga salla e gjyqit të pandehurit në këtë proces, avokatët e tyre mbrojtës si dhe në dy raste njërin nga prokurorët e çështjes, me arsyetimin e shkeljes së etikës dhe prishjes së seancës gjyqësore.
16 anëtarët e bandës së Durrësit akuzohen për një listë të gjatë krimesh që nisn nga trafiku i drogës dhe përfundojnë me një zinxhir të gjatë vrasjesh dhe rrëmbimesh. Për shumë vite ata kanë qenë një trupë e vetme, por më pas janë ndarë duke nisur seri e vrasjeve brenda vetes. Njëri krah i bandës drejtohej nga Lulzim Berisha dhe krahu tjetër nga Klodian Saliaj. Pas vrasjes së Saliajt, drejtimin e bandës e merr Indrit Dokle. Nga ana tjetër Lulzim Berisha i ka shpëtuar disa atentateve, madje edhe me kundra-tank.
Krimet e bandës janë thyer nga një dëshmi e vetme, ajo e të penduarit Adriatik Coli. Ky ishte njeriu që kishte marrë pjesë në pothuajse të gjitha ekzekutimet e bandës, por zgjodhi të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të uljes së dënimit.
Gjithashtu, vlen të theksohet se shkaku që e shtyri atë të pranoj dhe të rrëfej krimet e “bandës” është bërë vrasja e Ilir Koldashit të ndodhur në vitin 2006 në Tiranë, vrasje kjo që solli edhe përçarjen mes tij dhe ish-shokëve të “bandës”. I penduari Coli gjatë katër viteve proces gjyqësor, ka pranuar të flas për krimet e kryera nga ai dhe ish-shokët e tij, edhe pse këta të fundit në shumë raste brenda në sallën e gjyqit i janë drejtuar me lloj-lloj fjalori fyes e kërcënues. Për organin e akuzës, dëshmia e Colit ka bërë që shumë vrasje deri në 2006 të arkivuara si pa autor të zbardhen dhe të identifikohen autorët e mundshëm, për të cilët do të vendos Gjykata nëse janë apo nuk janë fajtor.
I penduari Adriatik Coli
Në pretencën e djeshme të prokurorisë figuronte edhe emri i Adriatik Colit. Ai është i penduari i bandës dhe dëshmitari kryesor i prokurorisë. Për shkak se ai ka pranuar të gjitha akuzat, madje ka treguar edhe krime të tjera të bandës, prokuroria ka bërë një pakt për uljen e dënimit. Në total Coli do të vuajë vetëm 10 vite, edhe pse akuzohet për 19 krime. Sipas prokurorisë dënimi i Colit do të kryhet në një nga Institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale, sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
Vrasjet e Colit
Vrasjen Dritan Sallakut, më 17.10.1998;
Vrasjen në tentativë të Marsel Sotirës, më datë 29.10.1998;
Vrasjen e Eduart Ongarit, më datë 05.07.1999;
Vrasjen e Marsel Sotirës, më datë 22.08.1999;
Vrasjen e shtetasit Dritan Disha, më datë 09.07.2000;
Vrasjen me e shtetasit Erion Lame, më datë 14.01.2002;
Vrasjen e mbetur në tentativë të Lulzim Berishës në katër raste: më datë 05.04.2005; më datë 05.05.2005; më datë 30.08.2005 dhe në muajin gusht të vitit 2005;
Vrasjen e Avni Gashit, ndodhur më datë 12.05.2005;
Vrasjen e Ilir Koldashit, më datë 30.10.2005;
Vrasjen e mbetur në tentativë të Ilir Nelajt, më datë 17.10.1998;
Vrasjen në tentativë të Agim Rexhepajt, më datë 17.10.1998;
Vrasjen e Viron Currit, më datë 29.10.1998;
Vrasjen e Arjan Pajës, më datë 29.10.1998;