|
PS cregjistron Kastriot Islamin
Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Politike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Grupi parlamentar socialist ka vendosur dje përjashtimin e Kastriot Islamit nga partia në një seancë që ka pasur edhe debate mes deputetëve. Vetë Islami nuk ishte i pranishëm gjatë seancës pasi refuzoi të merrte pjesë në mbledhjen me dyer të mbyllura. Deputetët Arben Malaj, Hazir Gashi, Tom Doshi dhe Marko Bello votuan kundër përjashtimit të Islamit, ndërsa Pandeli Majko dhe Et’hem Ruka preferuan të abstenojnë. Ndërkohë dy nga njerëzit që kanë mbështetur Islamin në këto vite, Ben Blushi dhe Andis Harasani nuk ishin të pranishëm në mbledhje pasi ndodhen jashtë vendit.
***
Mbledhja ka nisur në orën 1:00 dhe vetëm disa minuta më pas një grup deputetësh ka dalë nga salla dhe janë mbledhur në lokalin pranë PS-së. Ata ishin Pandeli Majko, Arben Malaj dhe Et’hem Ruka, të cilët kanë diskutuar me njëri-tjetrin dhe më pas kanë hyrë sërish në mbledhje.
Takimi i deputetëve ka zgjatur 1 orë e 30 minuta. Fillimisht në mbledhje ka qenë kryetari i grupit parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka marrë fjalën përpara të zgjedhurve socialistë. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për “Shekullin” se Ruçi ka informuar deputetët se do të diskutohet propozimi i Kryesisë për ndëshkimin e deputetit Kastriot Islami. Në atë moment ka qenë ky i fundit që ka kërkuar fjalën dhe ka shtruar kërkesën e tij. “Nëse do të merret një vendim për përjashtimin tim apo do të diskutohet për këtë çështje, unë kërkoj që mbledhja të bëhet e hapur. Në të kundër unë nuk do të qëndroj këtu. Derisa të ketë një vendimmarrje unë po dal jashtë”,- mësohet të jetë shprehur Islami.
Pas kësaj kërkesë ka ndërhyrë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka kërkuar të sqarojë deputetët mbi çështjen. “Siç e dini në votimin politik për kandidaturën për kreun e KLSH nuk ishin të pranishëm 3 deputetët. Rudina Seseri më kontaktoi dhe më tha që e ka të pamundur të vijë, dhe më dorëzoi dorëheqjen, Majko nuk mundi të ishte prezent sepse në orën 16:00 do të duhej që të shkonte në ambasadën gjermane për një intervistë pune në OKB. Ndërsa deputeti Islami nuk ka sqaruar mungesën e tij”,- është shprehur Rama. Më pas ai ka bërë edhe një paralelizëm me ata deputetë që kanë lënë impenjimet e tyre familjare për të qenë prezent në votim dhe ata që kanë munguar.
Deputetët vendosën të hedhin në votim këtë kërkesë të Islamit. Burime nga mbledhja pohuan se është vituar me unanimitet që mbledhja të jetë e mbyllur. Pas këtij vendimi është ngarkuar sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që të njoftojë Kastriot Islamin për vendimin. Ai ka shkuar tek kafja ku ndodhej deputeti dhe e ka njoftuar mbi vendimin e grupit, por Islami nuk ka pranuar të kthehet në sallë.
Pas kësaj mbledhja ka vijuar me diskutimet. Deputetët Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Arben Malaj kanë qenë të parët që kanë folur mbi këtë çështje. Deputeti Baraj mësohet të ketë thënë se baza kërkon që “PS të merret me kundërshtarin dhe jo me veten”. Ndërsa deputeti Doshi ka shprehur kundërshtinë e tij për çregjistrimin e deputetit nga grupi. Një tjetër deputet socialist, Arben Malaj, ka vlerësuar në mbledhje se mungesa e Islamit në Kuvend nuk kishte efekt politik. Pas diskutimeve, kreu i grupit socialist hodhi në votim çregjistrimin ose jo të deputetit Islami dhe vetëm katër deputetë votuan kundër dhe dy të tjerë abstenuan.
Diskutimet në mbledhjen e grupit
Gramoz Ruçi: Siç jeni njoftuar një nga çështjet që do të diskutojmë sot është dhe propozimi i Kryesisë për çregjistrimin e deputetit socialist Kastriot Islami.
Kastriot Islami: Dua të bëj një kërkesë. Nëse do të merret një vendim për përjashtimin tim apo do të diskutohet për këtë çështje, unë kërkoj që mbledhja të bëhet e hapur. Në të kundër unë nuk do të qëndroj këtu. Derisa të ketë një vendimmarrje unë po dal jashtë.
Edi Rama: Dua të bëj një sqarim për deputetët. Siç e dini në votimin politik për kandidaturën për kreun e KLSH nuk ishin të pranishëm 3 deputetët. Rudina Seseri më kontaktoi dhe më tha që e ka të pamundur të vij, dhe më dorëzoi dorëheqjen, Deputeti Majko nuk mundi të ishte prezent sepse në orën 16:00 do të duhej që të shkonte në ambasadën gjermane për një intervistë mbi kandidaturën si ndihmëssekretar për Europën Juglindore në OKB. Ndërsa deputeti Islami nuk ka sqaruar mungesën e tij. Shpreh vlerësimin për disa deputetë të cilët kanë lënë impenjimet e tyre familjare dhe kanë qenë prezent në votim. Një prej të cilëve është dhe Gjovalin Kadeli, që duhej të shoqëronte një familjarin e tij në spital dhe erdhi të votonte në parlament.
Gramoz Ruçi: Në çdo mbledhje ku janë diskutuar problemet e brendshme, ato janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Pavarësisht kësaj, të hedhim në votim kërkesën e Islamit. Kush është pro? (Asnjë) Kundër? (Të gjithë). Atëherë diskutimi do të vijojë me dyer të mbyllura. Sekretari i grupit të lajmërojë deputetin Islamin për vendimin.
(Sekretari i grupit të PS-së, Taulant Balla, lajmëron Islamin, ky i fundit largohet nga selia e PS-së)
Taulant Balla: Njoftova deputetin Islami për vendimin. Ai nuk pranoi të vinte në mbledhje dhe u largua.
Gramoz Ruçi: Le të vijojmë diskutimet për çregjistrimin e deputetit Islami.
Arben Malaj: Unë jam kundër çregjistrimit të Kastriot Islamit sepse mungesa e tij nuk kishte efekt politik, pasi edhe po të votonte nuk të rrëzonte kandidaturën e kreut të KLSH-së të propozuar nga Presidenti. Nuk kemi pse ndalemi tek ky fakt, por tek fakti që u votua buxheti i shtetit mungonin 14 vetë.
Besnik Baraj: Mosmarrëveshjet dhe debatet brenda PS-së kur ekspozohen jashtë saj kanë një impakt negativ tek votuesit tanë. Sa më shumë kur kemi të bëjmë me kritika të egra sa i bën edhe vetë PD-ja. E quajta fare normale që të debatojmë brenda nesh, madje edhe më zë lartë, por jo ama t’i nxjerrim sheshit ato. Ky fleksibilitet për të cilin flitet a ka impakt negativ tek votuesit tanë? Ky është shqetësimi im. Këtu disa njëherë i referohen statutit dhe njëherë flasin për fleskibilitetit dhe tolerancë. Pra largohen nga statuti. Për këtë arsye kemi dy standarde. Pasi është vendosur një moment që të zbatohet statusi, atëherë ai duhet zbatuar.
Tom Doshi: Unë jam kundër përjashtimit, po të ishte për të përjashtuar duhej bërë shumë kohë më përpara dhe jo tani.
Gramoz Ruçi: Ka më diskutime? Atëherë le të hedhim në votë çregjistrimin e deputetit Islami nga grupi i PS. Ku është kundër? (Arben Malaj, Hazir Gashi, Tom Doshi dhe Marko Bello). Kush është abstenim? (Pandeli Majko dhe Et’hem Ruka) Kush është pro? ( Të gjitha ato që nuk votuan ngritën dorën).
Balla: Përjashtimi sepse u thye vendimi politik i grupit
“Grupi parlamentar socialist miratoi zbatimin e normës statutore të PS për çregjistrimin nga grupi të deputetit Kastriot Islami, për thyerje të vendimit politik të grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së kreut të KLSH në seancën e kaluar të Kuvendit”. Ky është qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste mbi vendimin e deputetëve për marrjen e masës ndëshkimore ndaj të zgjedhur socialist. Sekretari i grupit parlamentar, Taulant Balla, sqaroi për mediat se “qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist”. “Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik. Deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga grupi parlamentar socialist”,- tha Balla. Ai solli në vëmendje se raste të papëlqyeshme të kësaj natyre në të shkuarën e afërt e nxitën grupin parlamentar socialist që të merrte para pak javësh në mirëkuptim të plotë mes anëtarëve të tij, vendimin për të mos lejuar përsëritjen dhe kthimin e tyre në një vazhdë të dëmshme për moralin, punën dhe kohezionin e grupit.
Mungesat
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist u vu re mungesa e dy deputetëve socialistë, të cilët njihen dhe për themelimin e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste. Deputeti Ben Blushi dhe Andis Harasani nuk ishin në mbledhje ku u vendos çregjistrimi i Islamit. Mësohet se Blushi ndodhet në Itali, ndërsa Harasani në Amerikë.
Ish-deputeti: Si më përjashtoi Islami nga PS në vitin 1996
Përjashtimi i deputetit Kastriot Islami nga grupi parlamentar i PS-së nuk është hera e parë në historinë e kësaj partie. 15 vjet më parë një tjetër deputet i PS-së është përjashtuar dhe atë herë vendimi është firmosur pikërisht nga Kastriot Islami. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Sali Rexhepi, tregon historinë dhe mënyrën se si u përjashtua nga Kastriot Islami. Rexhepi thotë në një intervistë për “Shekullin” se kur u zgjodh si deputet në vitin 1996 i është kërkuar nga Islami që të bojkotonte zgjedhjet dhe më pas parlamentin. Por, ai nuk ka pranuar të bëjë asnjë prej këtyre të dyjave. Për shkak të hyrjes së tij në parlament, deputeti i Librazhdit është përjashtuar, siç tregon ai, me insistimin e Kastriot Islami. Rexhepi tregon se si është zgjedhur deputet dhe më pas është përjashtuar nga Kastriot Islami duke u etiketuar si njeri i Berishës sepse shkoi të marrë mandatin në parlament.
Zoti Rexhepi, çfarë pozicioni keni sot dhe çfarë lidhje keni me Partinë Socialiste?
Aktualisht jam mjek në urgjencën e Tiranës. Punoj prej 37 vitesh si mjek. Kam punuar 22 vjet në Librazhd dhe 15 vjet në Tiranë. Në vitin 1996 më propozuan për deputet të Partisë Socialiste. Madje prezantimin tim në Librazhd e ka bërë Kastriot Islami, Servet Pëllumbi dhe Gramoz Ruçi. Unë isha në zonën 42 që përfshin zonën e Përrenjasit dhe gjysmën e Mokrrës. Gjatë prezantimit tim në Librazhd, Kastriot Islami më ka thënë, kam dëshmitar për këtë, se zgjedhjet do t’i prishnim. Kam bërë fushatën elektorale pothuajse i vetëm fare për PS-në, një fushatë të butë, duke pasur parasysh situatën e vështirë që ishte në atë kohë. Atje konkurroja përballë zëvendësministrit të Industrisë dhe Minierave, Rushden Koçibelli, ndërkohë që kishte qenë për shumë vite drejtori i minierës në atë zonë. Ai ishte një vendali dhe unë njihesha me të, pasi isha si mjek në Librazhd.
Më pas çfarë ndodhi?
Më pas ndodhi që unë isha një nga pesë deputetët që fitoi PS-ja. Isha unë, Luan Shahollari në Gramsh, Ilir Meta në Skrapar, Erjon Braçe në Berat dhe Hamit Gjoni në Memaliaj. Pra këta pesë deputetë fitoi PS në 1996. Kurse në listën emërore hynë dhe pesë deputetë të tjerë që ishin: Et’hem Ruka, Ermelinda Meksi, Luan Hajdaraga, Musa Ulqini dhe Namik Dokle.
Çfarë ndodhi pas marrjes së mandatit tuaj?
Unë isha në garë, ndërkohë më merr në telefon Kastriot Islami dhe më thotë që tërhiqu nga zgjedhjet. Ishte ora 15:00 kur u mor një vendim që të tërhiqej.
Ju ishit në dijeni të këtij vendimi?
Unë s’e dija vendimin, më mori Kastriot Islami për të më thënë që tërhiqu. Më tha që bëj një deklaratë dhe siç jeni ju atje, dorëzojeni në PS dhe tërhiquni.
Ju çfarë bëtë?
I thashë që kam punuar 20 e disa vjet, unë fitoj dhe s’kam pse tërhiqem, nuk kam probleme në zonë, pasi e pata fushatën e qetë. Ai më tha tërhiqu se nuk do të hyjmë në parlament, nuk i bëjmë këto zgjedhje.
Po më pas, si vepruat?
Unë prisja që të mbaronin zgjedhjet. Unë fitova siç fituan dhe 4 të tjerë. Shkova të merrja mandatin. Më mori në telefon Islami dhe më tha mos shko ta marrësh mandatin. Unë e mora. Këto ishin zgjedhjet e 26 majit. Më datën 30 maj, shkoj në PS dhe sa hyj, ishte hera e parë që hyja, u lajmërova që ishte shpallur greva e urisë. Bëri sherr me mua Kastrioti, ja ky, – tha -, e ka marrë mandatin se është i Berishës. Kështu më tha mua. Unë i thashë: Çfarë ke, unë fitova, si të vendosin në Partinë Socialiste ashtu do të veproj. Mirë më tha, ne kemi vendosur të rrimë në grevë urie. Ika nga greva e urisë.
Ju hytë në parlament?
Më datën 1 korrik filloi punë parlamenti, unë hyra në parlament, kurse ata të grupit tjetër nuk hynë. Ndërsa sot dëgjova që Kastriot Islami tha: unë kam qenë që në fillim për fraksione në PS dhe kamë qenë gjithmonë për mendimin ndryshe në PS. Me këtë kuptoj që Kastrioti s’ka qenë i tillë sepse erdhi disa herë në Librazhd dhe më çregjistroi nga partia.
Si ndodhi çregjistrimi juaj?
Kastrioti erdhi në Librazhd dhe më çregjistroi me insistimin e tij, se ata të Librazhdit nuk më çregjistronin. Kur unë hyra në parlament, meqë unë isha qytetar Librazhdi shoh disa socialist nga Elbasani që ishin ngarkuar për të më bërë presion nga familja. Atë kohë u detyrova, që kur hyra në parlament, shtëpinë time ta ruaj për një muaj. Në vitin 1996, në gusht më duket, u bë Kongresi i PS-së. Ka vendim Kongresi për përjashtimin nga parlamenti dhe nga PS. Është i shkruar me emër. Nuk është Kastrioti i pari që është përjashtuar, jam unë i pari.
Më pas çfarë bëtë?
Deputetët e PS-së, 9 të tjerët u futën në parlament pastaj në fillim të 1997, sa u futën u thanë që ti s’je pjesëtar i grupit parlamentar tonë. Ata u futën vonë dhe më pas u bënë zgjedhjet. Unë e lashë atë punë. Nuk u deklarova kurrë që isha i PD. Sido që të isha nuk e dëmtova PS-në, nuk fola. Që atëherë s’u mora më me atë punë. Paradoksi është se këto që ai thotë sot, ai më ka përjashtuar mua.
* * *
Islami: Nuk më përjashtoi partia, por kryetari Rama
“Rama më dëbon nga forumet drejtuese të PS me porosi, orientim e pjesëmarrje direkt të vetë atij… Ndjej keqardhje kur deri pak kohë më parë më thoshte se kam respekt për inteligjencën tende” Ky është reagimi ish-deputeti të grupit parlamentar socialist, Kastriot Islami, pas vendimit për çregjistrimin e tij nga grupi. Në një komunikim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ish-deputeti socialist kritikoi ashpër Ramën për këtë vendimmarrje, që sipas tij, nuk ka ndodhur në 20 vjet. “Po vetë Rama kërkon në mbledhjen e parë të Kryesisë së re “çregjistrimin tim nga grupi i PS”. Me shume së keqardhje, trishtim i madh sepse pikërisht një vit më parë një bisedë telefonike nga Tirana në Vlorë më thoshte se ti nuk mund të ikësh nga PS për shkakun tim pasi kishte dëgjuar një thashethem sikur unë do të vetëlargohesha, që nuk më ka shkuar ndërmend asnjëherë. Dhe unë po përjashtohem nga vete ai, për shkakun e tij”, – deklaroi Islami.
Për ish-deputetin socialist, kjo që ndodh sot nuk është çështje e përballjes së tij personale me Edi Ramën, as çështje disipline siç përpiqet ta paraqesë atë Edi Rama, as çështje e zbatimit të rregullores së grupit apo e statutit të PS. Një prej ish-drejtuesve të selisë rozë thotë se kjo është çështje e ballafaqimit të dy filozofive të ndryshme të drejtimit të PS, të sjelljes së PS, të veprimeve të PS. “Kjo është përballje e një projekti që më jep tanimë legjitimitetin ta pagëzoj Projekti Fitues i së Majtës së Bashkuar për Integrimin e vendit në BE me Projektin Rama, përmes të cilit tentohet fuqizimi i autoritetit personal në krye të PS të mbështetur ashtu siç e ka pikturuar analisti amerikan Bugajski prej një klientelizmi në funksion të fitimit të zgjedhjeve nga PS e vetme, gjë që ka dështuar si kur e ka tentuar PD në 1996 dhe 2001 ashtu edhe sa herë ka tentuar ta aplikojë qoftë edhe pjesërisht PS në 2005, 2009 dhe 2011”,- tha Islami.
Krahas kritikave ndaj tij, ish-deputeti socialist nuk nguroi të bëjë një tjetër parashikim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Islami parashikoi se “nëse vazhdohet me këtë projekt, suksesi është i dyshimte për të mos thënë dështimi ka shume gjasa të ndodhë edhe në 2013”. Ai shprehu bindjen dhe përshtypjen se edhe shumë nga kolegët e tij ndajnë këtë shqetësim me të ndonëse nuk kanë guximin për ta thënë me zë të lartë. “Kjo ngjarje do të mbetet në historinë e politikës shqiptare si një njollë e zezë për PS. Këtë mos e harroni. Një ngjarje për të dënuar me dyer të mbyllura dhe në mungesë, një vendimmarrje që do të etiketohet si staliniste. Do të ishte mirë të votonit nominalisht sepse ky film do të mund të shikohet edhe pas 30 vjetësh. Dhe unë shpresoj dhe uroj që të gjithë ju do të gëzoni shëndet të plotë deri atëherë”,- përfundoi Islami sqarimin e tij për mediat. Ende nuk dihet se cila do të jetë rruga që do të ndjekë ish-deputeti i Partisë Socialiste në parlament.
Malaj: Largimi i Islamit i dëmshëm për politikën
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka kritikuar qëndrimin e marrë nga deputetët socialistë për çregjistrimin e Kastriot Islami nga grupi. Në një takim me të rinjtë në Qytetin Studenti, Malaj vlerësoi se vetëm në shoqëri jodemokratike vendoset kush pranohet ose jo në parlament. Ai u ka kërkuar deputetëve që të mos kthehen në kartonë, por të ruajnë integritetin e tyre moral. “Modernizimi i partive nuk vjen nga disiplina formale. Deputetët të mos kthehen në kartonë, por të kenë integritet. Vetëm në shoqëri jodemokratike vendoset kush pranohet ose jo në parlament. Situata të tilla na sjellin në vëmendje se nevojitet forcim i FRESH”,- deklaroi Malaj. Deputeti socialisti e cilësoi përjashtimin e Islamit si një ngjarje të dëmshme për politikën shqiptare. Sipas tij, “ngjarja që ka ndodhur me kolegun Islami nga pikëpamja shoqërore është e trishtueshme, nga pikëpamja politike është e dëmshme dhe nuk i shërben sfidave që ka qoftë modernizimi i Partisë Socialiste, qoftë modernizimi në tërësi i demokracisë në vendin tonë”.
Komente
Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull. Shkruaje ti i pari nje koment ! |
Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine :
Politike - Lexuar : 51 here.
Ilir Meta - Sali Berisha
Menjëherë pas përfundimit të takimit me kreun e LSI-së, kryeministri Berisha u shpreh se të dy palët kanë rënë dakord për zgjedhjen e një presidenti sa më konsensual.
Për këtë, Berisha ka ftuar kryetarin e PS-së, Rama, të mandatojë dy bashkëpunëtorë për të nisur negociatat.
“Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI-së, që është aleatja kryesore e PD-së në koalicion. U ra plotësisht dakord...Lexo te gjithe artikullin »
|
» Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se
» PS, Bushati Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» PS Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» Berisha – KE-se Ne ato ndihma qe na jepni, percaktoni nje pjese te mire per bujqesine
» Presidenca e KiE-se, Haxhinasto Forcimi i dialogut, prioriteti yne
» PD nis sot negociatat per presidentin, takimi i pare me Ilir Meten
» Presidenti, PD nis sot negociatat
» Presidenti, Berisha Negociatat me Nanon te suksesshme, me Ramen te deshtuara
» Arvizu dhe Topi se bashku ne Elbasan homazhe ne nder te viktimave
» Presidenti, Berisha Negociata me opoziten, marreveshjet me Nanon te suksesshme, me Ramen te deshtuara
Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :
|
|
|