Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 46 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Eglantina Gjermeni
Para një muaji Grupi Parlamentar Socialist mandatoi një komision ad hoc për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit, në shembullin frymëzues të forcave politike të botës moderne demokratike. Ky proces u zhvillua për herë të parë nga një parti politike shqiptare. Ne anëtarët e komisionit patëm privilegjin dhe barrën e sfidës për ta bërë këtë proces të hapur dhe të barabartë për të gjithë. Punuam dhe bashkudhëtuam me emocionet e me paragjykimet e natyrshme për një mjedis tejet të rënduar nga politika, po edhe nga dyshimet që shoqërojnë çdo përpjekje për t’i bërë gjërat ndryshe në mjedisin tonë publik.
Jam shumë krenare të them se ne socialistët, bëmë diçka ndryshe. Ndjej detyrimin të falenderoj publikisht në emër të Grupit tonë Parlamentar dhe të gjithë Partisë Socialiste profesor Luan Omarin si edhe juristin e njohur Vangjel Kosta që na dhanë një ndihmesë shumë të çmuar në komision.
Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë të çlirohet prej trysnisë së politikës mbi institucionet kushtetuese dhe politika ka për detyrë t’ua plotësojë këtë nevojë. Nëse jo e gjithë politika është e gatshme ta bëjë këtë, Partia Socialiste.
Jemi angazhuar në programin tonë për një rilindje shqiptare për një administrim publik europian, për pjesëmarrje të publikut në qeverisje dhe sundim të së drejtës. Një Avokat i Popullit proaktiv dhe reagues, që jo vetëm të jetë njohës i mirë teorik i Kushtetutës e ligjit, po edhe protagonist publik i angazhuar për një shoqëri më të mirë me kurajo e kompetencë profesionale, është profili që kërkuam gjatë këtij procesi.
U investuam në këtë proces për t’i ofruar Grupit Parlamentar Socialist dhe pastaj Kuvendit të Shqipërisë një kandidaturë të pakontestueshme moralisht, profesionalisht dhe politikisht. Me qëllimin që sikundër premtuam që në fillim, nga ky proces të dalë një Avokat i Popullit jo një avokat i politikës apo i partisë. Një Avokat i cili të jetë në gjendje sot edhe nesër, të qëndrojë në krahun e të dëmtuarve prej shkeljes së të drejtave dhe jo në anën e cilitdo krah të politikës.
Ne besojmë që kështu lidhim fjalët me veprat, nevojat e publikut me institucionet kushtetuese, aspiratat europiane me Shqipërinë reale të jetës së përditshme. Shpresojmë dhe besojmë shumë se kandidatura fituese do të përmbushë me sukses pritshmëritë që na udhëhoqën ne në këtë përzgjedhje. Ç’është më e rëndësishmja urojmë që zgjedhja jonë të përmbushë atë që publiku meriton me të drejtën e sovranit nga ky institucion kushtetues.
Përzgjedhja e kandidaturës për Avokatin e Popullit kaloi në dy faza, të cilat i ndërtuam duke pasur parasysh qoftë normat që Kushtetuta dhe Ligji i Avokatit të Popullit përcakton, qoftë kriteret e vendosura prej nesh për të përmbushur sa më mirë këto norma.
Në fund, me shprehjen e konsideratës më të lartë për të gjitha kandidaturat, Komisioni Përzgjedhës vendosi t’i përcjellë Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Grupit Parlamentar Socialist kandidaturën e zotit Igli Totozani. Vlerësimi i shkruar i komisionit për këtë kandidaturë do të jetë i disponueshëm jo vetëm për forumet e lartpërmendura të Partisë Socialiste, po edhe për publikun në faqen online të këtij procesi përzgjedhës.