PS e c’rregjistron, Islami Me larguan per oponencen ndaj Rames. Balla Shkeli me vetedije normen e statuti
Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Politike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
(I përditësuar) - Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka marrë vendimin për ç’regjistrimin e deputetit Kastriot Islami nga PS. Vendimi është marrë në mbledhjen e ditës së sotme, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura. Katër deputetët të PS-së kanë votuar kundër , ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Vetë Islami nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje.
Islami në një reagim pas vendimit ka deklaruar: “Ndjejë më shumë se keqardhje për vendimin e grupit të PS-së. Kujtoj një bisedë timen me Ramën nga Tirana në Vlorë kërkonte të më mbushte mendjen dhe të më thoshte se ti nuk mund të ikësh nga Partia Socialiste pasi kishte dëgjuar një thashethem. Kjo është çështje e ballafaqimit të dy filozofive”, u shpreh Islami. Më tej ish-deputeti i PS-së foli për “dështimet” e Ramës në krye të PS-së.
Pas prononcimit të Islamit ka reaguar Partia Socialiste me anë të Taulant Ballës. Ai sqaroi se Islami ishte paralajmëruar për një pasojë të tillë dhe se nuk zbatoi vendimin politik të grupit të PS-së me largimin nga salla e parlamentit në momentin e votimit për zgjedhjen e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik. Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga Grupi Parlamentar Socialist”, tha Balla.
Çfarë parashikon statuti i PS-së?
Neni 35 / Grupi Parlamentar Socialist
4. Në rastet e mospjesëmarrjes, votimit kundër dhe abstenimit ndaj vendimit politik për çështje të tilla si:
a. miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar;
b. miratimi i buxhetit të shtetit;
c. votbesimet për qeverinë, përbërjen dhe programet që ajo paraqet
ç. zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore;
d. çështje të tjera me rëndësi të veçantë që vlerësohen si të tilla nga GPS;
deputeti çregjistrohet menjëherë nga GPS.
Kush është Kastriot Islami?
Islami njihet si kryetari i parë i parlamentit pluralist, detyrë të cilën e ka mbajtur gjatë viteve 1991-1992. Nga viti 1996 deri në dhjetor të vitit 2011 ia ishte anëtar i kryesisë së PS-së. Gjatë viteve 1997-98 ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit ndërsa për një periudhë të shkurt të vitit 1998 ishte edhe zv.kryeministër. 2002-2004 mbajti postin e ministrit të Financave ndërsa 2004-2005 ishte ministër i Punëve të Jashtme.
Redaksia OnLine
Florenc Stafa
Malaj: “Deputetët të mos kthehen në kartona”
Deputeti Arben Malaj dënon përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupi Parlamentar Socialist. Ai e cilëson përjashtimin e Islamit si një ngjarje të dëmshme, duke cituar se përjashtimi nuk i shërben sfidave të PS-së.
“Modernizimi i partive nuk vjen nga disiplina formale. Deputetët të mos kthehen në kartona, por të kenë integritet. Vetëm në shoqëri jo-demokratike vendoset kush pranohet ose jo në parlament. Situata të tilla na sjellin në vëmendje se nevojitet forcim i FRESH-it”.
Këto deklarata, Malaj i bëri gjatë prezantimit të Ilir Zelës, si kandidaturë për kreun e ri të PS-së për Tiranën.
Mesditën e sotme, Grupi Kuvendor Socialist vendosi me shumicë votash që të përjashtojë Kastriot Islamin nga radhët e grupit të PS-së.
* * *
Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, ka kërkuar sot që mbledhja e grupit parlamentar të PS të bëhet në prani të mediave.
Në një prononcim para se të hynte në selinë rozë, Islami u shpreh se i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, që mbledhja e sotme të bëhet me prezencën e mediave.
Pritet që në mbledhjen e sotme grupi parlamentar i PS-së të diskutojë dhe të vendosë në lidhje me përjashtimin e Islamit. Diskutimet dhe votimin për përjashtimin e Islamit do t`i drejtojë kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Në mbledhjen e kryesisë, Ruçi u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare. Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, pritet të mbahet sot në ora 13:00.
Ndërkohë që lideri i opozitës Edi Rama zhvilloi dje, takime me anëtarë të kryesisë së PS-së dhe me deputetë të ndryshëm, me të cilët ka diskutuar veç çështjeve organizative, edhe çështjen e përjashtimit të Islamit.
************
Berisha fton Kastriot Islamin që të bashkohet me PD
Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike – ashtu siç bën vazhdimisht – ka komentuar mbi zhvillimet e fundit brenda opozitës. Këtë herë ai ka folur për Kastriot Islamin, për të cilin grupi parlamentar i Partisë Socialiste mund të marrë vendimin për përjashtimin e tij nga grupi.
Berisha, gjatë një ceremonie për promovimin e librit biografik për Enver Hoxhën të Blendi Fevziut, i ka bërë “ftesë” Islamit që t’i bashkohet PD-së. Me doza sarkazme, Berisha është shprehur se në PD nuk bëhen përjashtime ndaj edhe i sugjeronte Islamit një gjë të tillë. Vetë Kastriot Islami në rrjetin social “Facebook” ka përgënjeshtruar një gjë të tillë.
Berisha edhe pse vazhdimisht është shprehur se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e opozitës, nuk lë rast ti shpëtojë pa komentuar zhvillimet brenda saj.
Në rastin e drejtimit të një sfide të kreut të PS-së Edi Rama për debat publik me të, Berisha reagojë duke thënë se nuk dëshironte pasi kështu do të ndikonte në kongresin e PS-së.
Berisha ka përdorur vazhdimisht divergjencat brenda radhëve të PS-së për ti kthyer ato në kapital politik për partinë e tij.