Publikuar me : 08.10.2011 Ne :
Kuriozitete - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Pas miratimit të një rezolute për situatën në Ballkanin Perëndimor nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, hartuesi i raportit dhe kryetar për Çështjet Politike, Björn von Sydow, analizon gjendjen në Ballkan. “Dy partitë politike në Shqipëri kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik”, – thotë ai në këtë intervistë dhënë gazetares Ani Ruci të radios gjermane “Deutcshe Welle”, të cilën po e botojmë me shkurtime:
Si do ta përshkruani në përgjithësi situatën politike në Ballkanin Perëndimor? Në bazë të raportimit tuaj mbrëmë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë…
Bjőrn von Sydow: Në përgjithësi Ballkani perëndimor po ecën në drejtimin e duhur. Aspektet problematike kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën. Në Kosovë Këshilli i Europës është i shqetësuar sidomos në pikat e kontrollit në kufi me Serbinë dhe vazhdimin e dhunës, gjë që bllokon progresin e bisedimeve Prishtinë –Beograd, të ndërmjetësuara nga BE. Në Shqipëri skena politike dominohet nga polarizimi partiak, i cili ka zhgënjyer shqiptarët në dekadat e fundit. Zhvillim pozitiv është anëtarësimi i afërt i Kroacisë në BE, stabiliteti politik në përgjithësi i rajonit.
Le të shkojmë në Shqipëri. Cilat janë atje karakteristikat kryesore të situatës aktuale politike?
Bjőrn von Sydow: Situata politike shfaqet e ngrirë në pamjen e saj për pothuaj rreth 20 vite. Të dy partitë kryesore politike nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur konsensus për çështje thelbësore. Që të dyja partitë kryesore, lidhur me demokracinë e brendshme në parti, kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik në Shqipëri.
Pse Shqipëria mbetet një vend që ngre shqetësime në institucionet europiane, në rastin konkret në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës? Cilat janë shkaqet?
Bjőrn von Sydow: Shkaku kryesor është mungesa e konsensusit për çështje bazë, themelore mes dy partive kryesore, gjë që është e domosdoshme në një sistem politik dypartiak. Kjo është shqetësuese. Për Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së është shumë shqetësues, fenomeni i bojkotit të Parlamentit nga njëra prej partive kryesore.
A ka sinjale në sjelljen politike në Shqipëri, që shkojnë kundër skepticizmit që u shfaq nga disa diskutantë mbrëmë në asamblenë Parlamentare se politikanët shqiptarë janë gati të përqafojnë kulturën politike europiane të dialogut dhe kompromisit?
Bjőrn von Sydow: Ka sinjale, por ende nuk i kemi parë ato të realizohen.