PS feston diten e clirimit, Rama Ta falenderojme Saliun qe i rri larg 29 nentorit
Publikuar me : 29.11.2011 Ne :
Politike - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Partia Socialiste ka festuar sot 67-vjetorin e çlirimit. Përfaqësues të lartë të saj dhe kreu i partisë, Edi Rama, ishin të pranishëm tek monumenti i Dëshmorëve të Kombit “Nënë Shqipëri”, ku dhe vendosën buqeta me lulen në nderim dhe respekt për të rënët në luftën nacional-çlirimtare.
Në mesazhin e rastit, Rama u shpreh se kjo është dita në të cilën dëshmohet se shqiptarët u vendosën në anën e duhur të historisë.
“Thjesht fare, gëzuar Ditën e Çlirimit të vendit, 29 nëntorin, ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit mbi të keqen. Ditën që u kujton të gjithë shqiptarëve se në orët e këqija të historisë, paraardhësit tanë u vendosën në anën e duhur të historisë. Ditën që e bashkon Shqipërinë me forcat e lirisë dhe demokracisë”, tha kreu i PS-së.
Rama foli edhe për debatin që vazhdon mes forcave të djathta dhe atyre majta mbi datën e çlirimit të vendit, pasi ato vazhdojnë të festojnë këtë në data të ndryshme. Lideri i opozitës në këtë kontekst tha se historia nuk mund të zhbëhet.
“Ditën që askush nuk mund të fshijë as nga kujtesa dhe as nga librat e historisë. Ditën që e bën qesharak dhe me turp këdo që përpiqet të vejë dorë mbi të”, u shpreh Rama me tastin e festës së 29 nëntorit.
Pak minuta pas ceremonisë, Rama ka shkruar në “Twitter”: “Ta falënderojmë Saliun që i rri larg 29 nëntorit. S’mund të shesësh detin, vjedhësh popullin, importosh plehra dhe festosh Ditën e Çlirimit”.
* * *
29 Nëntori shënon 67-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Edhe sivjet, ashtu siç është bërë traditë vitet e fundit, politika shqiptare feston e ndarë. Maxhoranca ka festuar një ditë më parë si Ditën e Flamurit, edhe atë të Çlirimit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nderuan sot të rënët për çlirimin e vendit me anë të homazheve në Varrezat e Dëshmorëve.
Kreu i opozitës ka zgjedhur që Festën e Pavarësisë ta ndajë me shqiptarët e Kosovës, ndërsa sot pas kthimit, ai zhvilloi vizita edhe në familjet e dëshmorëve.
Gjatë qëndrimit treditor në Kosovë, Rama u takua me Presidenten Atifete Jahjaga, kryetarin e Parlamentit, Krasniqi, kryeministrin Thaçi, kreun e LDK-së, Isa Mustafa e atë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rama promovoi edhe librin e tij, “Kurban”.