Publikuar me : 03.12.2011 Ne :
Politike - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Partia Socialiste ndryshon modelin e organizimit. Prej ditës së djeshme, selia rozë do të ketë një model të ndryshëm funksionimi nga ajo që ka pasur deri më tani, duke synuar që të përshtatë një organizim partiak dhe jo politik. Për këtë arsye, anëtarëve të Asamblesë Kombëtare kanë rënë dakord me propozimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të ndryshuar një prej strukturave më të rëndësishme, siç është sekretariati. Mënyra e re e funksionimit të strukturave ka për qëllim që përmes pozicioneve të adresojë çështje konkrete dhe të mos dublojë komisionet që janë të ngritura në asamble. Ky ndryshim ka “zhdukur” nga organigrama dy sekretariate të njohura, atë për Çështjet Ligjore që drejtohej nga Fatmir Xhafaj dhe sekretariatin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që kryesohej nga Arta Dade. Jashtë sekretariateve ka mbetur edhe Kastriot Islami.
Në fjalën e mbajtur përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, kryesocialisti Rama bëri publik propozimin për një ndryshim të strukturës, që siç tha ai, bëhet në funksion të zgjedhjeve dhe të organizimit. “Një Sekretar Organizativ që s’kam asnjë dyshim quhet Blendi Klosi për një model pune që unë shpresoj të mund ta implementojmë dhe përtej kufijve të qarkut të Durrësit, por që në qarkun e Durrësit dha sukses jo vetëm në bashkinë e Durrësit, por edhe në shumë territore të tjera”,- deklaroi Rama, duke vijuar më pas renditjen e nëntë sekretarëve së bashku me pozicionet përkatëse. Krahas strukturës që drejtohet nga Klosi, dy sekretariatet e tjera që nuk ndryshuan u propozua Damian Gjiknuri si sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe Ilir Beqja për Programin Politik.
Për të gjitha sekretariatet nuk pati kandidatura alternativa dhe çdo kandidati i duheshin 50+1 të votave në total, që i takonte së paku 106 vota. Pas votimit për strukturat e reja dhe numërimit elektronik, i pari në listën e më të votuarve u rendit Damian Gjiknuri, i cili do të jetë përgjegjës i çështjeve zgjedhore për katër vitet e ardhshme. Bashkëkryetari socialist i komisionit për reformën zgjedhore mori 172 vota. I dyti në renditje për nga numri i mbështetjes së marrë nga Asambleja Kombëtare është Bashkim Fino, me 146, që do të drejtojë sekretarin për Pushtetin Vendor. Vendi i tretë është ndarë me vota të barabarta midis Fatmir Xhafaj si sekretar për Koordinimin dhe Ilir Beqjas si sekretar për Programin me 159 vota.
Në fund të listës u rendit Erion Veliaj, i cili do të jetë sekretar për Emigracionin dhe Rininë. Gjatë momentit të numërimit elektronik ka pasur një interes nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili vëzhgonte nga afër ecurinë e procesit dhe mënyrën se si do të procedohej deri në shpalljen e votave për secilin kandidat. Gjithashtu nuk kanë munguar batutat midis deputetëve për kolegët e tyre.
Sekretarët e rinj në PS dhe votat e marra në asamble
Sekretar për Organizimin, Blendi Klosi – 157 vota
Sekretar për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri – 172 vota
Sekretar për Programin, Ilir Beqja – 159 vota
Sekretar për Koordinimin, Fatmir Xhafaj – 159 vota
Sekretar për Koalicionet, Ndre Legisi – 150 vota
Sekretar për Pushtetin Vendor, Bashkim Fino – 163 vota
Sekretar për Burimet Njerëzore, Armando Subashi – 146 vota
Sekretar për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit, Arben Ahmetaj – 145 vota
Sekretar për Emigracionin dhe Rininë, Erion Veliaj – 132 vota
Sekretarët e rinj në PS dhe votat e marra
Sekretar për Organizimin, Blendi Klosi – 157 vota
Sekretar për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri – 172 vota
Sekretar për Programin, Ilir Beqja – 159 vota
Sekretar për Koordinimin, Fatmir Xhafaj – 159 vota
Sekretar për Koalicionet, Ndre Legisi – 150 vota
Sekretar për Pushtetin Vendor, Bashkim Fino – 163 vota
Sekretar për Burimet Njerëzore, Armando Subashi – 146 vota
Sekretar për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit, Arben Ahmetaj – 145 vota
Sekretar për Emigracionin dhe Rininë, Erion Veliaj – 132 vota
Asambleja e re e PS
Burrat
Gramoz Ruçi 177 vota
Erjon Brace 150 vota
Ben Blushi 144 vota
Ditmir Bushati 139 vota
Pandeli Majko 135 vota
Namik Dokle 132 vota
Shkëlqim Cani 132 vota
Arben Malaj 131 vota
Sajmir Tahiri 129 vota
Vangjush Dako 124 vota
Besnik Bare 124 vota
Arben Isaraj 116 vota
Gratë
Mimi Kodheli 147 vota
Eglantina Gjermeni 134 vota
Lindita Nikolla 114 vota
Valentina Leskaj 112 vota
Arta Dade 111 vota
Kandidatët që nuk fituan
Niko Peleshi 88 vota
Ulsi Manja 88 vota
Et’hem Ruka 88 vota
Qazim Sejdini 84 vota
Namik Kopliku 82 vota
Maqo Lakrori 77 vota
Dhimo Kote 55 vota
Gëzim Tushe 31 vota
Luiza Xhuvani 106 vota
Vasilika Hysi 97 vota
Adelina Farrici 72 vota
Mimoza Hafizi 62 vota
Irena Kallco 24 vota
PS eksperimenton numërimin elektronik
Në votimin e djeshëm të strukturave, Partia Socialiste ka testuar numërimin elektronik, i cili mund të përdoret edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky variant i numërimit të votave, e cila është një risi në Shqipëri për sa i përket procesit të votimit, u testua për të sjellë një shembull të asaj që socialistët do të propozojnë në komisionin për reformën zgjedhore. Megjithëse përgatitjet dhe marrjen e masave, numërimi elektronik u bllokua për vlerësimin e fletëve për anëtarëve të Kryesisë. Kjo gjë erdhi si pasojë e ndërlikimit të listës shumë emërore, por edhe të kritereve që duhej të zbatoheshin për të plotësuar listën.
Për të pasur një numërim korrekt duhej që shenja të shënohej brenda kuadratit. Në rastin e votimit për kryetarin e Asamblesë Kombëtare makineria elektronike nxori një rezultatet prej 168 vota pro dhe 42 të pavlefshme. Komisioni i votimit rishikoi të gjitha këto vota dhe doli në përfundimin se nga këto vota të pa llogaritura 22 prej tyre i takonin kandidatit Gramoz Ruçi. Shenja nuk ishte vendosur brenda kuadratit, por në krah të emrit ose ishte shkruar ngjitur emrit fjala “po”.
Ndonëse fillimisht anëtarëve të Asamblesë Kombëtare iu shpërnda një fletë për mënyrën se si do të votohej në fletë, disa prej tyre nuk i ndoqën këto udhëzime. Pasoja e moszbatimit të rregullave të votimit solli edhe numërimin manual. Për të shmangur të gjitha problemet u vendos që numërimi të vijonte emër për emër, çfarë solli dhe vonimin e nxjerrjes së rezultatit. Nëse për numërimin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare dhe sekretariatit u desh një orë të dilte një rezultat, manualisht procesi për kandidatët e Kryesisë zgjati katër orë.
Më herët, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu bindjen se numërimi elektronik do të kthehet në traditë në zgjedhjet brenda forumit të kësaj partie. Por, ai sqaroi se gjithkush ka të drejtën e rinumërimit manual për të verifikuar votat e veta në rast dëshire dhe për çfarëdo arsye të një apo më shumë personash. Procesi i numërimit u ndoq live nga mediat dhe të pranishmit. Në një ekran të madh u shfaqën në kohë reale ecuritë e rezultatit. Në çdo 20 fletë të numëruara grafiku i votave të përgjithshme freskohej.
“Për fat të keq prova që ne përgatitëm për numërimin elektronik nuk funksionoi plotësisht dhe për të mos lënë asnjë shteg për zvarritje apo çfarëdo keqkuptimi u vendos me të drejtë që të kalojë në një proces numërimi manual, klasik. Ishte një përpjekje e parë dhe që kërkonte, për shkak se makina e përdorur nuk është një makinë e teknologjisë së zgjedhjeve, por është makinë që përdoret në konkurset apo provimet e universiteteve, një përpikmëri shumë të lartë nga ana e çdo votuesi për të vendosur votën në katrorin e parashikuar, në mënyrë që makina të kishte lexueshmëri të plotë. Pavarësisht nga kjo e rëndësishme është që ne e hodhëm edhe këtë hap në funksion të bindjes sonë se numërimi elektronik me makinat e standardeve kombëtare, për teknologjinë e numërimit në zgjedhje, është një zgjidhje optimale për t’i dhënë fund një segmenti të korrupsionit elektoral”,- tha Rama pas procesit të numërimit.
Këshilli i të urtëve, rikthehen të vjetrit në PS
Në kuadër të ndryshimit strukturor të Partisë Socialiste, kreu i kësaj partie, Edi Rama, ka propozuar dhe krijimin e një Këshilli Politik të Partisë. Në këtë strukturë të re do të bëjnë pjesë disa prej emrave më të njohura të PS-së, që kanë kontribuar në këtë parti që në fillimet e saj në vitin 1991. Ky grup këshillimor ka në përbërje njerëz të angazhuar prej vitesh në politikë. Ndryshe kjo strukturë do të njihet si këshilli i të urtëve.
Kreu i selisë rozë sqaroi dje përpara mediave se ky këshill duhet të institucionalizohet dhe mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë, domosdoshmërish, dhe të tjerë përfaqësues të partisë sipas rastit dhe nevojës për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. “Besoj se protagonizmi në vijueshmërinë e jetës së partisë, qysh nga lindja deri sot, si edhe rolet e larta drejtuese në parti e në qeveri dhe eksperienca e gjatë si anëtarë të organizatës sonë përbën një kriter të arsyeshëm për ta formësuar këtë këshill politik. Pavarësisht se disa prej anëtarëve të tij mund të jenë sot në një aktivitet të reduktuar, ndërkohë që disa të tjerë janë në aktivitet të plotë politik dhe publik”, – deklaroi Rama.
Këshilli Politik i PS
Servet Pëllumbi
Rexhep Mejdani
Ylli Bufi
Namik Dokle
Gramoz Ruçi
Pandeli Majko
Arta Dade
Et’hem Ruka
Maqo Lakrori
Luan Hajdaraga
Sabit Brokaj
Bashkim Zeneli
Ruçi rizgjidhet në krye të Asamblesë
Gramoz Ruçi rizgjidhet në krye të Asamblesë Kombëtare me 190 vota nga 210 gjithsej. Ai ka garuar i vetëm për këtë post pasi nuk ka pasur asnjë kandidat rival. “Më lejoni që sipas detyrës të propozoj fillimisht si kandidat për kryetar të kësaj Asambleje Kombëtare mikun dhe shokun tonë dhe bashkëpunëtorin më të palodhur timin dhe tuajin Gramoz Ruçin. Në rast se ka një apo më shumë kandidatura të tjera, le të propozohen në fund të kësaj fjale dhe në të gjitha rastet kandidatura e Gramozit të kalojë normalisht procedurën e votimi të fshehtë, ashtu si çdo kandidaturë e të katër fletëve të votimit të sotëm”,- propozoi Edi Rama. Kandidatura e numrit dy të Partisë Socialiste është mirëpritur nga të pranishmit, të cilët nuk patën kundërshtime apo sugjerime të tjera, por kanë votuar në masën 90 perqind për të. 20 fleta të pavlefshme janë gjetur në kutinë e votimit për kryetarin e asamblesë, të cilat nuk ishin të plotësuara.
Ngrihen 21 grupe pune për shtjellimin e programit
Pas miratimit të programit të ri politik, Partia Socialiste vendosi ngritjen e 21 grupeve të punës për ta shtjelluar atë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Grupet e punës do të kenë funksion parësor zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe detyra e tyre do të jetë hartimi i një programi të detajuar të PS-së. Rama shpjegoi se grupet e punës do të përgatisin dokumente të veçantë dhe të detajuar, sipas temave specifike të programit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj.
Grupet e punës
Për Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Eduard Shalsi
Për Punësimin, Arbër Mazniku
Për Arsimin, Ledi Shamku
Për Çështjet Sociale, Kosta Barjaba
Për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, Klodjana Spahiu
Për Çështjen e Pronës, Merita Qato
Për Politikat Fiskale, Adriana Berberi
Për Energjinë, Andis Harasani
Për Telekomunikacionin, Ilir Zela
Për Infrastrukturën, Turizmin dhe Mjedisin, Artan Lame
Për Rendin Publik, Ilir Gjoni
Për Shtetin e së Drejtës, Shega Ligori
Për Zhvillimin Rural, Agron Duka
Për Sipërmarrjen në Fshat, Petrit Ago
Për Autonominë Vendore, Artan Shkëmbi
Për të Përndjekurit, Keti Bazhdari
Për Mediat, Iris Luarasin
Për Menaxhimin e Kulturës, Kiço Londo
Për Politikat Rinore, Elisa Spiropali
Për Sportin, Fidel Yllin
Për Shërbimin Diplomatik, Marko Bello
Rama i mbyll derën Metës: Ai e ka bërë zgjedhjen e tij
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vlerësuar dje të zgjedhurit e kryesisë duke vendosur theksin tek fakti që edhe ata që mendojnë ndryshe janë pjesë e strukturave drejtuese. “Jam shumë i kënaqur dhe nuk mund të rri pa e thënë që edhe ata që kanë spikatur si mendim ndryshe, janë sot pjesë e Kryesisë së re dhe kam shpresën dhe besimin që edhe për ta vota e sotme do të jetë motivuese dhe do të jetë një përgjegjësi e re, ashtu siç është për të gjithë ne”,- tha Rama. Nga të gjithë ata që janë cilësuar pjesë e mendimit ndryshe, vetëm Kastriot Islami ka mbetur jashtë strukturave drejtuese. “Kjo nuk është një parti e vasalitetit, por e rivaliteteve. Ka qenë kështu, është kështu, duhet dhe do të jetë kështu në të gjitha nivelet. Problemi ynë nuk janë rivalitetet, problemi ynë është i të jetuarit keq të tyre. Të mësuarit keq nga to. Të bërit keq për shkak të tyre. Në të gjitha nivelet”,- tha Rama.
Ndërkohë kreu i PS-së e ka cilësuar dje strukturën e re drejtuese të PS-së si një domosdoshmëri për shkak të kundërshtarit që ka përballë, të cilin ai e ka cilësuar si një parti-shtet. “Kundërshtari që kemi përballë nuk ka nevojë të organizohet si parti politike, e ka kthyer shtetin në parti politike. Kundërshtarët që kemi përballë nuk iu duhen organizata të shëndetshme dhe nuk iu duhet asnjë rrjet vullnetar komunikimi sepse kanë kthyer çdo zyrë qeverie në zyrë drejtimi të një organizate. Ka kthyer çdo kolektivitet nga klasat e gjimnazeve tek të gjitha agjencitë shtetërore në organizata”,- tha Rama.
Duke komentuar koalicionet e mundshme, Rama i ka mbyllur derën rikthimit të Metës, por ka lënë një derë të hapur për LSI-në. “Ilir Meta është pjesë e pushtetit dhe nuk ka opozitë që të mund të thotë që na duhet gjysma e pushtetit për të mundur pushtetin. Ai e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne nuk kemi ç’t’i themi për sa kohë ajo mbetet zgjedhja e tij”,- tha Rama duke mos përmendur në asnjë rast LSI-në. Për këtë gjë ai ka kërkuar nga të zgjedhurit që të përkushtohen në një pikë të rë të strategjisë së PS-së, shpërndajen e programit derë më derë duke paralajmëruar rinisjen e takimeve në bazë. “Me organizatat socialiste, me komunitetet, me njerëzit që kanë nevojë të na shohin, të na dëgjojnë, të na takojnë, t’i dëgjojmë, t’u themi e të na thonë dhe mbi të gjitha t’i japim përditë pa u lodhur argumentin e të qenit bashkë në një familje të madhe politike”,- tha Rama.
PS zgjedh Kryesinë e re, detajet e votimit të djeshëm
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka zgjedhur dje Kryesinë e re drejtuese pa ndonjë surprizë të madhe. Votimi ishte i ndarë në dy lista, një për gratë e një për burrat dhe tashmë në krye të PS-së do të jenë pesë gra dhe 12 burra.
Anëtarët e vjetër të kryesisë së PS-së si Dokle, Ruçi, Majko, Braçe, Blushi, Malaj etj, janë rizgjedhur. Kësaj liste i shtohen anëtarët e rinj si Shkëlqim Cani, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati si edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ndërsa pesë anëtaret femra do të jenë Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni, Lindita Nikolla, Valentina Leskaj dhe Arta Dade. Nga këto të fundit, Kodheli u rendit e para me 147 vota. Për sa i përket votave të marra, në listën e burrave udhëhoqi numri dy i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi me 177 vota, më pas nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe dhe në vendin e tretë për nga numri i votave është Ben Blushi me 144 të tilla. Qëndrimet disi agresive të Braçes duket se kanë dhënë fryt në radhët e socialistëve duke e renditur përpara ish-kryetarit të grupit Blushi. Surprizë mund të quhet emri i Ditmir Bushatit, i cili është renditur përpara Pandeli Majkos apo Namik Dokles
Kryetari i PS, Edi Rama, sqaroi se kriteri bazë që ka ndjekur ka qenë vlerësimi i përshtatshmërisë së çdo kandidature me qëllimin dhe me objektivat e kësaj kryesie, në bazë jo vetëm të përkushtimit në jetën politike, por edhe rezultati konkret në zgjedhjet e shkuara. Krahas kësaj përzgjedhje, ky procesi pati edhe të pakënaqur, të cilët kërkuan të ishin pjesë e Kryesisë, por që për shkak të numrit të kufizuar të anëtarëve mbetën jashtë.
Në fjalën e mbajtur përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, kryesocialisti kërkoi mirëkuptimin e të gjithë atyre deputetëve apo socialistëve që nuk mund të jenë pjesë e listës. Nga ana tjetër, ai falënderoi “të gjithë deputetët për të gjitha sakrificat, për të gjitha ato që u është dashur të bëjnë gjatë gjithë kësaj periudhe për punën në terren dhe për rezultatin konkret”. Lideri i socialistëve bëri të ditur se janë tre nivele kandidaturash që iu propozuan për votim asamblesë.
“Anëtarët dhe anëtaret e kryesisë aktuale që morën pjesë në betejën zgjedhore, pavarësisht në qasje në angazhim gjatë këtyre dy vjetëve, për të cilat unë ju ftoj të gjykojmë në vështrimin nga e ardhmja. Deputetë që krijuan kushtet shpirtërore dhe organizative brenda partisë dhe zonave e tyre për rezultate të suksesshme, dhe nganjëherë befasuese zgjedhore. Të zgjedhur vendorë që i vunë theks të fort fitores sonë në 8 maj dhe që duhet të kenë zërin e tyre në kryesi, si dhe disa individë në këndvështrimin tim që meritojnë vlerësim apo nxitje pastaj është vota që vendos për të gjithë”, – u shpjegoi Rama anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për mënyrën se si ka vendosur listën e kandidatëve.