Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Politike - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Denis Dedej
Partia Socialiste nis procedurat për hartimin e një referendum popullor që të ndalojë importin e plehrave. Nisja e punës për këtë nismë ligjore është bërë publike dje nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit, gjatë komunikimit të djeshëm për mediat, bëri publik qëndrimin që do të mbajnë socialistët për ligjin që lejon importin e mbetjeve nga shtetet e tjera në Shqipëri. “Ne jemi kundër importit të plehrave. Shoqëria Civile është kundër importit të plehrave. Qytetarët janë kundër importit të plehrave. Le të eksplorojmë pa humbur kohë mundësinë e një referendumi popullor dhe për këtë Blendi Klosi, i cili është marrë imtësisht me projektin, të konsultohet me komisionet përkatëse e të bëjë një draft-propozim për diskutim”, – deklaroi dje Rama.
Kryesocialisti mori shkas prej kthimit mbrapsht të ligjit të plehrave nga Presidenti i Republikës për të vlerësuar se ky hap u mor pikërisht për faktin rrëqethës se lejon importin e plehrave nga jashtë. Ai sqaroi se Partia Socialiste e ka kundërshtuar këtë ligj dhe idenë ogurzezë se Shqipëria mund të marrë plehra nga jashtë, në kushtet kur nuk pastron dhe as përpunon dot plehrat e saj. “S’ka asnjë dyshim se, me t’u ulur në tryezën e qeverisë, ligji i parë që ne do të fshijmë nga kapica e ligjeve mbeturina të interesave të paligjshme të oborrit të Saliut, do të jetë ky ligj antikombëtar, antidemokratik, madje antinjerëzor. Por kjo s’mjafton. Nesër mund të jetë shumë vonë”, – shprehu qëndrimin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Kreu i opozitës shprehur shqetësimin se “përvoja tragjike e vendeve të varfra, pa kontroll kufitar të mirëfilltë, që kanë pranuar të fusin plehra nga jashtë dhe kanë marrë brenda mbetjet radioaktive, tregon se në linjat e lëvizjes së plehrave drejt këtyre vendeve lëvizin edhe interesa shumë të mëdha mafioze”. Sipas tij, edhe sikur të mos ekzistonte asnjë mundësi që plehrat me përmbajtje radioaktive të hynin në vendin tonë, mjafton fakti që sot për sot ne nuk pastrojmë dhe as përpunojmë dot pjesën më të madhe të plehrave tona, për të kuptuar marrëzinë e këtij projekti.
Nga ana tjetër, Rama paralajmëroi “se po të llogarisim rrezikun absolutisht real që ky projekt të përfaqësojë interesa mafioze dhe pas tij të fshihet edhe synimi për të kallur në tokën shqiptare plehra radioaktive, gjendemi përballë një alarmi të pashembullt kombëtar”. Krahas çështjes së plehrave, kryesocialisti preku dhe çështjen e taksave, duke përmendur strategjinë e Partisë Socialiste se kush do të fitojë më shumë do të paguajë më tepër dhe kush fiton të ardhura të vogla do të paguajë më pak. Në fund të fjalës së tij, Rama krahas falënderimit të personave që kontribuuan në procesin e zgjedhjeve të delegatëve lëshoi një batutë: “Liria në Partinë Socialiste punon për të gjithë ata që duan të punojnë për lirinë e të gjithëve”. Pas kësaj batute, askush nuk komentoi, ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, i cili është kritik ndaj kryesocialistit, lëshoi një buzëqeshje.
Rruga që ndiqet për referendum
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë parashikohen dy mënyra për kryerjen e një referendumi popullor. Në nenin 81 të dokumentit themeltar të shtetit thuhet se ligji për referendum miratohet nga tri të pestat e Kuvendit. Por, ky rast ka të bëjë kur zhvillohen amendime në Kushtetutën e vendit dhe votimi bëhet në Kuvend. Por, një tjetër e drejtë e parashikuar nga ligjvënësi parashikohet në nenin 150, përmes të cilit: “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”. Duke qenë se është një ligj, për të cilin preket populli dhe ky i fundit ushtron sovranitetin e saj, atëherë Partisë Socialiste do t’i duhet që përmes nismës së saj të mbledhë 50 mijë firma. Pas depozitimit në kërkesës në Presidencë është kreu i shtetit që vendos për datën që do të mbahet referendumi.
52
Vota kundër ka marrë projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Këto vota janë të grupit parlamentar Socialist, i cili kundërshtoi ashpër këtë nismë të qeverisë duke vlerësuar se nëse ky ligj do të vihet në zbatim atëherë do të ketë një shkatërrim mjedisor. Deputetë të opozitës hodhën dyshime se pas këtij ligji fshihen afera korruptive. Ndërsa 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.
69
Vota pro mori ligji i plehrave, i cili lejon importin e mbetjeve për qëllime riciklime. Ligji i cili solli mjaft debate midis mazhorancës dhe opozitës është mbështetur fuqimisht nga mazhoranca. Deputetë demokratë e kanë vlerësuar këtë ligj se do të sjellë një përmirësim të situatës në menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu ata vlerësojnë se kjo nismë është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
124
Deputetë ishte të pranishëm në seancën plenare të 22 shtatorit. Pjesëmarrja e deputetëve të mazhorancës nuk mundësonte miratimin e ligjeve, pasi mungonin 71 votat për të ccelur kuorumin që duhet për të votuar. Por, prezenca e deputetëve socialistë në sallë ka mundësuar votat dhe ka sjellë miratimin e ligjit, megjithëse ata e denoncuan si të papranueshëm këtë nismë.
3
Javë i janë dashur Presidentit të Republikës, Barmir Topi, që të marrë në shqyrtim ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Pas konsultimeve me këshilltarët e tij, kreu i shtetit ka vendosur që të rrëzojë këtë ligj duke ia kthyer Kuvendit për rishqyrtim pas 22 ditësh që ai ishte miratuar. Pas këtij rrëzimi, ligji do t’i nënshtrohet procedurave që nga diskutimi deri në miratim.
PS nuk gjen dot një marrëveshje për Serbinë
Për herë të parë në këtë legjislaturë deputetët do votojnë siç e mendojnë. Debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura
Për herë të parë në këtë legjislaturë deputetët e grupit parlamentar Socialist do të votojnë sipas dëshirës në një seancë plenare. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet këshillit të ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Serbisë për lëvizjen e ndërsjellët të shtetasve” nuk i ka gjetur në një mendje të zgjedhurit socialistë. Në mbledhjen e djeshme të deputetëve, marrëveshja që do të lejojë lëvizjen e lirë dhe pa viza midis Serbisë dhe Shqipërisë ka ngrënë debate të shumta. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” detajet e mbledhjes me dyer të mbyllura. Më poshtë botohet debati për votimin në seancën e radhës në Kuvend.
Gramoz Ruçi: Javën e kaluar në Kuvend punuam shumë mirë dhe interpelanca e zhvilluar nga deputeti Balla ishte shumë mirë. Çështjet e sigurisë kombëtare dhe të korrupsionit duhet vazhdojnë të ndiqen nga të gjithë deputetët, pasi në këto fusha vuajnë nga korrupsioni. Për këtë javë kemi në parlament disa projektligji. Gjithashtu kemi marrëveshjen për heqjen e vizave me Serbinë. Kryetarët e komisione të shprehen për këtë çështje.
Ilir Gjoni: Ne abstenuam në Komisionin e Sigurisë sepse nuk morëm përgjigje lidhur me fazën se ku është shqyrtimi i kësaj marrëveshje ne parlamentin e Serbisë. Ndaj kësaj marrëveshje ka objeksione nga Kosova.
Arta Dade: Unë mendoj se e duhet ta votojmë pro këtë marrëveshje sepse është në kuadër të angazhime rajonale. Kjo duhet të votohet edhe për faktin se Partia Socialiste është e para që ka lëshuar nismë për shengen ballkanik.
Ermelinda Meksi: Komisioni i Jashtëm duhet të votojë pro për të njëjtat arsye. Ky projektligj është konsultuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ata kanë shprehur dakordësinë e tyre, ndërsa në Serbi të gjitha komisionet i kanë dhënë votën “pro”, ndërsa këto 2-3 ditë pritet kalimi për votim në parlament.
Pandeli Majko: Ne nuk kemi gjë në parim kundër marrëveshjes, por në brendësi të saj ka probleme. Jam kundër mënyrës se si është negociuar. Pas kësaj marrëveshje legjitimohet minoriteti serb në Shqipëri.
Taulant Balla: Në asnjë mënyrë ne nuk duhet ta votojmë kundër, vota jonë duhet të jetë pro sepse kjo është një marrëveshje kuadër në të njëjtën formë dhe përmbajtje sikurse vendet e tjera të rajonit.
Saimir Tahiri: Duhet ta abstenojmë se nuk është ky momenti për të votuar një marrëveshje me Serbinë.
Erjon Braçe: Mendoj se duhet abstenuar…
Edi Rama: Marrëveshja duhet të abstenohet dhe qëndrimin në emër të grupit parlamentar Socialist ta mbajë Pandeli Majko.
Arta Dade: Për këtë çështje duhet të kemi dhe një qëndrim për politikën e jashtme, duhet ta votojmë pro.
Gramoz Ruçi: Për ato vërejtje që ka Majko jemi dakord, por marrëveshja nuk mund të ndryshohet. Meqenëse nuk ka dakordësi, çdo deputet të votojë siç e mendon.
Dokle kundër fabrikave pranë kryeqytetit
“Ne për të lehtësuar pronarin që nga fabrika ta çojnë direkte me anije, që ndodhen në Portin e Durrësit, ia fusim shqiptarit”. Ky është shqetësimi i shprehur dje nga deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, gjatë diskutimeve në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Politikës së Jashtme. Pas diskutimeve dhe miratimin e projektligjit “Për ndotjen ndërkufitare të ajrit në distancë të largët”, zyrtari socialist sqaroi se janë montuar fabrika të cilat kanë qenë 140 kilometra larg kryeqytetit dhe janë çmontuar tani kanë ardhur ngjitur Tiranës, në një zonë ku ka dy milionë banorë. “Këto fabrika duhet të bëhen më tutje, atje ku ka shumë më pak banorë. Ka një logjikë, nuk mund të ketë shtet pa fabrika çimentoje, nuk mund të ketë shtet pa fabrikë superfosfati etj,. etj,. Por, vendi ku vendoset të bëhet në bazë të numrit të popullsisë sepse në një vend tjetër dëmtojnë 500 banorë, kurse këtu dëmtojnë 2 milionë banorë”, – deklaroi Dokle, duke marrë shkas nga deklarata e deputetit demokrat Fatos Beja se “vendi ynë e ka të ulët nivelin e ndotjes, se nuk ka prodhim të madh”.