Publikuar me : 18.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 63 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Armando Subashi*
Nga qeveria erdhi në Kuvend një tjetër projektligj që paralajmëron jo vetëm dështimin e radhës në ato që mund të quhen privatizime strategjike, por që mban edhe një erë të pistë korrupsioni. Me shumë bujë u reklamua para disa vitesh suksesi i privatizimit të kompanisë “ARMO”, por sot të gjithë e pranojnë se ai proces nuk solli asgjë pozitive për shqiptarët, përveç sjelljes se dy ekipeve të futbollit në Tiranë. Është e qartë se “ARMO” nuk u privatizua nga një investitor strategjik, siç kërkohej nga legjislacioni shqiptar. Investitori nga Teksasi ishte një koperturë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.
Kjo procedurë edhe atëherë është bërë me konsulencën e kompanisë “Patton Boggs”, gjë që komprometon dhe hedh hije të forta dyshimi edhe për privatizimin e “Albpetrolit”.
Privatizimi i “ARMO”-s solli përkeqësim të gjendjes financiare të “Albpetrol”. “ARMO” i ka rreth 26 milionë euro detyrime të pashlyera “Albpetrolit”, ndërsa ky i fundit merr kredi në bankë për të paguar rrogat e punonjësve. Vetëm nga import-eksportet e detyruara të naftës bruto për shkak të mosinvestimeve nga “ARMO” shqiptarëve u shkaktohet një dëm prej 40 milionë $ në vit.
Mund të japim edhe shembuj të tjerë të privatizimeve strategjike të dështuara dhe korruptive të kësaj qeverie. Me dashje të plotë gjatë këtyre viteve “Albpetroli” çdo vit është lënë gjithmonë e më shumë në mëshirën e fatit duke u keqadministruar për të ulur rentabilitetin, me qëllimin e vetëm që oborri i Saliut ta marrë me një çmim sa më të ulët.
Me privatizimin e “Albpetrol”, përfundimisht, sektori i naftës në Shqipëri kalon tërësisht në pronësi private. Në projektin e paraqitur nuk jepet qartë se çfarë do të privatizohet realisht. Por ligji nuk na thotë gjë (ndoshta edhe me dashje apo me qëllim të caktuar) nëse do të privatizohet e drejta e shfrytëzimit të vendburimeve për jetë apo me një afat të caktuar. Ky moment nuk mund të jetë “një pakujdesi e vogël ligjore, të cilën edhe mund ta zgjidhim më vonë”.
Sipas llogaritjeve të bëra rezulton se në vendburimet e naftës që janë në shfrytëzim, ndodhen aktualisht nëntokë rreth 27 -28 milionë tonë nafte rezerva të konsideruara të sigurta të nxjerrshme. Ky është momenti për të përcaktuar se çdo bëjmë me këtë pasuri kombëtare për ne, por edhe për brezat që vijnë.
Kjo që po bën qeveria dhe PD sot, por edhe ajo qe kanë bërë me privatizimet e tjera është në antitezë të plote jo vetëm me konceptin tonë për këtë pikë, por edhe me programin tonë si PS. Për ne, prona publike është njësoj e shenjtë si prona private. Shteti është administrator i pronës publike dhe vetëm populli, nëpërmjet ligjit ose referendumit, mund të vendosë për tjetërsimin e saj. Ne në thelb nuk jemi dakord me privatizimin që kërkohet të bëhet në një situatë të tillë “Albpetrolit”, pasi ne nuk mund të jemi dakord që bizneseve të oborrit t’i bëhet nderi i radhës nga padroni i tyre në dëm dhe në kurriz të gjithë shqiptarëve. Them në dëm dhe në kurriz të shqiptarëve, jo vetëm për dëmet kolosale që do t’i vinë financave publike në vite, por edhe për shkak të hedhjes në rruge pa iu dridhur qerpiku të rreth 2500 punonjësve, që me fjalë të tjera janë rreth 2500 familje shqiptare, të cilat pas këtij privatizimi duhet të mendojnë për bukën e gojës. Në këtë projektligj thuhet se ato do të trajtohen me VKM të veçantë.
Do t’u jepet thjesht një lëmoshë që nuk është asgjë, përpara atyre vuajtjeve dhe sakrificave deri në jetë njerëzish për të gjithë këta specialistë e punëtorë të industrisë së naftës. Pasi u mori nderin, dinjitetin dhe u injoroi sakrificat shumëvjeçare qeveria e Saliut tani kërkon t’i gënjejë me karamelen e radhës duke u dhënë disa paga shpërblim.
A e dini se në bazë të kontrolleve mjekësore nga mjekë profesionistë, rezulton se rreth 50 perqind e naftëtarëve janë me përqindje të larta karboni në gjak dhe me sëmundje të pashërueshme? Sëmundje që në shumë raste kanë sjellë si pasojë vdekjen e tyre?
Po të ishte vërtet e interesuar qeveria për fatin e 2500 familjeve të tjera që po hedh ne rrugë, do të pranonte propozimin tonë që 20 perqind të aksioneve të kësaj kompanie t’ua shiste punëtorëve dhe specialistëve me letra me vlerë dhe 80 perqind një “investitori strategjik nga Teksasi apo Çikago” të tipit “Taçi Oil”.
Për ne është e papranueshme që një numër kaq i madh punonjësish të hidhen në rrugë të madhe. Ne e kemi deklaruar qëndrimin tonë se jemi të angazhuar për interesat e drejtpërdrejta të 95 perqind të shqiptarëve, duke qenë, njëherazi, të vëmendshëm që të krijohet një mjedis i hapur, ligjërisht i qëndrueshëm, konkurrues dhe transparent për këdo sipërmarrës, vendas e të huaj.
Ne nuk mund ta votonim këtë ligj ku qeveria nuk bëri as përpjekjen me minimale për të njohur e miratuar statusin e naftëtarit, ku nuk thotë asgjë për uljen e moshës së pensionit të naftëtarëve nga 65 ne 60 vjeç; nuk thotë asgjë as për specialistët e naftës, inxhinierë e doktorë shkencash për t’u njohur atyre të drejtën e pronësisë intelektuale në kërkimin, zbulimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të naftës dhe gazit.
Qeveria nuk pranon t’u japë banorëve të këtyre zonave as 20 perqind e rentës minerare që po vetë e ka vendosur në vitin 2008, për njësitë vendore dhe që padyshim do të investoheshin edhe në përmirësimin e mjedisit, edhe në rrugë, edhe në shkolla, edhe ne ujësjellës e kështu me radhë. Banorët e këtyre zonave jetojnë përditë duke futur ne mushkëritë e tyre helmin e gazit që u shkurton jetën, dhe qeveria vazhdon të bëjë eksperimente edhe te kundraligjshme me pretendimin se nuk kanë se ku t’i përdorin gjithë ato para. Tallje më të madhe nuk ka.
E pra, për të gjitha këto arsye, ne ishim kundër këtij ligji, dhe jemi shumë të vendosur që nesër të mos lejojmë vazhdimin e padrejtësive në kurriz të shqiptarëve. Ne do të jemi gjithmonë me 95 perqind të shqiptarëve, ku padyshim bëjnë pjesë edhe këto 2500 familje, duke luftuar bashkë me ta për një jetë më të mirë, por edhe për më shumë nder e dinjitet e sa me pak korrupsion e vjedhje qeveritaresh. Vetëm kështu, shqiptarët do të ndihen Zot të vendit të tyre, Zot të pasurive të veta.
*Deputet i PS