Publikuar me : 25.06.2011 Ne :
Kulture - 258 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga
Elsa Demo
Procesi i mbledhjes së projekteve që aplikojnë për Fondin e të Rinjve për Teatrin sapo është mbyllur. Në Drejtorinë e Projekteve të MTKRS dhe në Teatrin Kombëtar është depozituar relacioni mbi procesin. Me veprat fituese që shpallen në shtator organizohet “Festivali Teatror i të Rinjve” edicioni VII. Gjithsej 11 dosje hyjnë në konkurrim. Koordinatorja e dy edicioneve të fundit, Albana Sançolli shprehet e zhgënjyer nga kaq pak prurje prej të cilave, 4 fitues dalin.
Çfarë vini në dukje nga dosjet e të interesuarve?
Janë 11 projekte gjithsej. Vihet re njëfarë guximi në veprat dhe autorët e zgjedhur: përmend “Shtëpi kukulle” e Ibsenit, “Intrigë Pasioni” e Shekspirit, “Oh ato ditë të bukura” e Beckett-it etj. Në projekt nuk mund të shprehet gjithçka.
Platforma regjisoriale është fryrë si kriter që mund të përcaktojë standardin e një projekti. Sa është përpunuar koncepti për regjinë dhe elementet e tjerë të teatrit në këtë edicion?
Platforma regjisoriale është një kriter për dokumentacion dhe për të shprehur atë që mendon secili aplikant, pavarësisht se kjo nuk tregon atë që do të bëjnë konkurrentët.
Ka platforma regjisoriale që të bëjnë kurioz se si do ta kenë realizimin praktik në skenë. Të rinjtë i kanë pajisur dosjet me analizat e karaktereve, me skicat e kostumeve e të skenografive. Është e rëndësishme të them se nga gjashtë edicione, puna e kritereve të përzgjedhjes së veprave ka ardhur duke u përmirësuar. Këtë vit, aktorët që do të performojnë asnjëri nuk do jetë i Teatrit Kombëtar. Nuk kanë të drejtë të konkurrojnë as fituesit e edicioneve të kaluara. Të rinjtë do tërhiqeshin nëse do angazhoheshin të njëjtët.
Por është menduar që të gjithë fituesit e edicionit VI të marrin pjesë në shfaqjen e Najada Elmazit, gjithashtu fituese e vjetshme. Ajo vë në skenë një spektakël përshëndetës gjatë ditëve të festivalit. Ka zgjedhur veprën “Mary” nga Jean Carr. Këto përjashtime më duken me vend. Për përzgjedhjen e 11 projekteve, pritet të ngrihet juria.
Pse shënon rënie pjesëmarrja në konkurrim?
E vërteta është që jam e zhgënjyer nga kaq pak prurje prej të rinjve që bërtasin se nuk iu ofrohen projekte. Ministria e Kulturës shpall një konkurs çdo vit, kriteret nuk janë të vështira, afatet të mjaftueshme. Dhe vijnë 11? Kjo më duket paradoksale. Nga ana tjetër çfarë konkurrence mund të ketë kur nga 11, fitojnë 4? Mendoja se janë shumë të rinjtë me dëshirë për të luajtur, që ka shumë nga ata që nuk iu mjafton ky mjedis kulturor, as provimet në shkollë dhe as zvarritja për në Teatrin Kombëtar.
Ka lidhje me cilësinë e ulët të festivalit në vite?
Cilësia është diçka për të cilën mund të flitet pa fund, edhe për teatrot e mëdhenj. E rëndësishme është që të rinjtë të provojnë veten, “të thyejnë hundët”. Janë shumë studentë që mbarojnë regji. Përse nuk e provojnë? Le të humbasin, por jo të tërhiqen.
Për një produksion mbështeten me 500 mijë lekë. Edhe kjo u është dukur mundim më vete.
Kjo i ka kushtëzuar që të zgjedhin vepra me pak aktorë, jo ansamble. Them se artistët e rinj kanë filluar t’i bëjnë llogaritë me regjisorët e Teatrit Kombëtar.
Ti beson te ky festival?
Unë besoj te ky festival. Ndjehet energjia, lufta. Kjo nuk duhet humbur. Janë shfaqje që ndiqen, festivali ka shumë spektatorë.
Ka regjisorë që puna u ka dalë në pah në këtë festival, e që kanë dashur por nuk u është dhënë mundësia për të hyrë në Teatrin Kombëtar.
Në ecurinë e disa individëve ndikojnë disa faktorë. Kryesorja mendoj është gjendja e artit në përgjithësi. Mundësitë varen edhe nga dyert e Teatrit Kombëtar, nga buxhetet e MTKRS. Dikush del i zhgënjyer, por një tjetër del edhe i lumtur. Sekush duhet ta provojë fatin e vet. Unë nuk besoj se festivali i të rinjve të hap dyert.
Së paku jo pa ndihmën e një realiteti të ri që duhet të prodhojë ajo reforma e folur dhe e stërfolur tashmë. Besoj se këta të rinj, pas disa vitesh, kur të fillojë puna e teatrove me kontratë, do të kenë mundësi ta tregojnë veten, por jo të rrish indiferent. Nuk është arsye të thuash, nuk e provoj se jam i mërzitur nga ajo që po ndodh me kulturën në këtë vend. Nuk është kollaj të provosh cili je, nëse nuk përballesh edhe me teknikun që nuk ta ndez projektorin. Nëse nuk vuan e nuk rrëzohesh, si mund të japësh për teatrin?
Projektet:
Britma Grash, Babis Cikliropulo, regjia Desara Xhangolli
Emigrantët, Sllavomir Mrozek, regjia Ledian Papagjoni
Show Time, Haqif Mulliqi, regjia Armela Demaj
Kaligula, Albert Kamy, regjia Esmeralda Stafa
Vdekja dhe Virgjëresha, Ariel Dorfman, regjia Kliton Hoxha
Intrigë Pasioni, W. Shakespeare, regjia Orjana Cama
Me dyer të mbyllura, Jean -Paul Sartre, regjia Elis Mataj
Menaxheria e qelqtë, Tennessee Williams, regjia Lorin Terezi
Shtëpi kukulle, Henrik Ibsen, regjia Klodiana Kadillari
Shqipëria vendos, Mbres Musa, regjia Kliton Rama
Oh, ato ditë të lumtura, Samuel Beckett, regjia Redjan Mulla
Arben Kumbaro:
Fondi për regjisorët e rinj kishte qëllim shkëputjen e fondeve publike nga vendimmarrja politike. Ideja e teatrit të të rinjve po vazhdon, pavarësisht se është cunguar. Bëhen dy-tri shfaqje që vdesin sepse s’ka infrastrukturë, mjete financiare për turne, por mbi të gjitha s’ka shans për të bërë karrierë në teatër.
Enton Kaca:
Kam aplikuar dy herë në Festivalin e të rinjve. Iniciativat janë të vështira sot, sepse edhe modeli i formimit të një aktori vjen nga një shkollë që e mëson atë si ushtar të rregullt për të shërbyer në një ushtri të madhe, me pagesë mercenari, e që bukën e vet ta gjejë në institucionet klasike ku është më e lehtë të përfitosh të mira materiale.
Kiço Londo:
Ka gjashtë vjet që bëhet një festival për të rinjtë. Si ka mundësi që me aq pak para justifikohet që të ngrihet një shfaqje, të derdhet energji, të mblidhen edhe ca aktorë, të vuajnë dy muaj, t’u jepet një sallë për një natë, e t’u thuhet bravo! Kjo është gënjeshtër e madhe. Kështu s’mund të ecet. Kjo është mungesë komunikimi.