Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Punetoret e kultures qe ngriten shtepi me 2500 marka

Publikuar me : 16.07.2011 Ne : Kulture - 163 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Komunikimi kulturor me Kosovën mbetet në një nivel patetik. Objektivi institucional i marrëdhënieve mes dy Shqipërive është për sy e për faqe. Kështu që takimi me fuqitë punëtore të kulturës, ata që dy vjet pas luftës ngritën një festival ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren, është kurioz dhe frymëzues. Është prekëse që këta punëtorë të kulturës jubileun e dhjetë të Doku Fest-it (një klishe që ngjan e shkruar në çelik) e inaugurojnë në Tiranë duke treguar pa koment vlerën e raportit shpirtëror që duan të ruajnë me pjesën tjetër të botës sonë që flet por nuk ha shqip.

Djemtë e vajzat e Doku Festit që e prezantojnë veten si ata që instalojnë kinema kudo, zgjodhën memorialin “Këmbana e paqes”, pranë Piramidës, improvizuan një vend projektimi dhe shfaqën një copë nga programi i festivalit që mbahet më 23-31 korrik në Prizren.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, të cilin, kush ka shkuar në Prizren nuk ka ditur ta dallojë nga vullnetarët që punojnë e vrapojnë gjatë atyre ditëve, tregon si është bërë Doku Fest 2011 një model festivali me cilësi të lartë, politikisht dhe financiarisht jo nën tutelën e shtetit, përfshirës i qytetit dhe trashëgimisë së tij.

Organizimi dhe patronimi i një festivali filmi në Shqipëri nuk e ka gjetur akoma modelin e duhur. Shtetëror apo privat, si e ka zgjidhur Doku Fest?

Doku Fest nuk ka asnjë patron. Ka një bord me 9 persona që kemi krijuar në vitin e tretë. Dy vitet e para e kemi bërë festivalin me paratë tona. Edicionin e parë e kemi bërë me 2500 marka gjermane. Të dytin prapë me paratë tona. Nuk kemi pasur mbështetje sepse edhe nuk na kanë besuar. Por ne kemi besuar që mund ta bëjmë një festival e mund ta përmirësojmë nga viti në vit.

Doku Fest nuk ka as president, ka kryetar bordi që mblidhet disa herë në vit dhe organizon punët e organizatës sonë e cila nuk merret vetëm me festivalin. Ne jemi një organizatë joqeveritare që merremi me aktivitete kulturore. Së fundi kemi fituar edhe një mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Si e arrini jehonën?

Kemi departamentin e marketingut që punon gjatë gjithë vitit. Gjatë ditëve të festivalit kemi ekipin që punon gazetën e cila shtypet në 13 mijë kopje dhe shpërndahet bashkë me Kohën Ditore. Gazeta është sponsori ynë me të cilën ne kemi marrëdhënie partneriteti. Ne i paguajmë një pjesë por shfrytëzojmë gazetën. Po ju tregoj vetëm një pjesë se si funksionon mekanizimi.

Roli i institucioneve shtetërore?

Absolutisht nuk varemi nga shteti. Ne jemi munduar të kemi një balancë, 50 perqind të fondeve kemi nga qyteti, ministria e apo institucione të tjera shtetërore dhe gjysmën tjetër nga sponsorë privatë, bile e kemi kapërcyer këtë raport këtë vit. Kemi shumë sponsorë nuk domethënë që secili jep lekë, por ofron shërbime.

 

Si ia dilni që ta përfshini qytetin në Doku Fest?

Së pari na ka mbajtur besimi, së dyti na kanë mbajtur vullnetarët. Kemi 150 vullnetarë të cilët angazhohen në festival, punojnë vrapojnë, përfitojnë një T shirt dhe 5 euro në ditë për ushqim. Për këtë standard na ka ndihmuar sponsori për vullnetarë. Një nga organizatat e Kombeve të Bashkuara na financon vetëm vullnetarët.

 

Çfarë shikueshmërie keni arritur?

Kemi një rritje stabël dhe kemi një ambicie që të arrijmë në 10 mijë shikues. Jemi afër po na duhet edhe pak promovim për projeksionet ditore. Projeksionet e natës janë pak a shumë të mbushura.

 

Çfarë ju bën konkurrentë?

Cilësia e programit. Besoj prej kësaj jemi zgjedhur në universin e 25 festivaleve të mira në botë, në programet e të cilave dominojnë filmat dokumentarë. Për vitin 2011 konkursi ishte i hapur për gjashtë muaj. Erdhën filma nga gjithë globi. Nga viti i kaluar kemi ndryshuar formën e aplikimit. Kemi pranuar mbi 800 filma on line. Nuk është e domosdoshme ta fusësh filmin në zarf dhe ta dërgosh me anë të postës. Dhe besojmë se do ta eliminojmë postën në tërësi. Ende kemi probleme me Serbinë e cila e kthen postën mbrapa. Madje kanë krijuar një vulë speciale që thotë se për shkaqe të ndryshme, trafiku në Kosovë nuk funksionon dhe i kthejnë mbrapshtë.

 

Çfarë propozoni nga kinemaja shqiptare për këtë vit?

Kemi afro 20 filma shqiptarë në të gjitha kategoritë. Është numri më i madh në vite. vërejmë që filmi shqiptar ka rritje. Ata që vijnë nga Shqipëria janë të një niveli më të lartë se filmat nga Kosova. Tek ne ndoshta është ndikimi i luftës që ose është direkt ose është si një rreth vicioz. Për herë të parë kemi një film shqiptar në kategorinë e Filmit Ekologjik, është “Revansh” i Gentian Koçit, dokumentar i shkurtër i xhiruar në Nënshkodër.

Në juri do të ketë vetëm dy emra shqiptarë. Thomas Logoreci në jurinë e Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe aktori Luan Jaha në jurinë e Filmit të Shkurtër Ndërkombëtar.

 

Asnjë film shqiptar ndër më të mirët e Doku Fest në vite?

Selektimi është i fortë. Për kategorinë e jubileut “Dhjetë vjet fuqishëm”, ka vetëm një 1 film nga Rajoni. Vetëm një film shqiptar ka qenë shumë afër, tepër afër, “Busulla” i Bujar Alimanit, që ka qenë i pari film shqiptar i shkurtër që ka hyrë tek ne në konkurrencën ndërkombëtare. Kriteret janë të forta jo vetëm se janë shumë filma por edhe për shkak se në Kosovë ka disa festivale që i lënë hapësirë filmit shqiptar. Tani promovojmë kinema të një rangu botëror.

 

Pse e filluat jubileun nga Tirana?

Ne jemi të lumtur që prej kohësh erdhi ftesa nga Qendra juaj Kinematografike për ta shfrytëzuar këtë moment. QKK na ka ndihmuar, mblodhi filmat e pjesëmarrësve shqiptarë dhe na i dërgoi. Po ashtu një grup i filmbërësve nga Shqipëria do të vijnë enkas në festival. Nuk kam ardhur të them fjalë të mira për ju, dhe fjalë të këqija për veten tonë, por as me Qendrën tonë në Kosovë nuk kemi kaq komunikim.

 

 

Vetëm 2 orë rrugë nga Tirana! Ju presim!

“DokuFest 2011” shfaq 186 filma, të zgjedhur ndër 2100 aplikime. Projeksioni bëhet në 7 kinema, përveç kinemasë “Lumëbardhi” që ndodhet mbi lum dhe asaj në Kalanë e qytetit, shtohet një tjetër në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit me 20-30 vende. Harta e kinemave ju shpie në pika të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Punëtori dhe debate. Njërin nga debatet me fokus revolucionin e kinemasë iraniane e mban regjisori i njohur Mohsen Makhmalbaf. Është ftuar regjisori dy herë i nominuar për Oscar, James Longley. Mban për regjinë e filmit dokumentar një punëtori me kineastë të rinj nga rajoni. Të dy regjisorëve iu kushtohet nga një retrospektivë me filmat e tyre.

E ftuara e shumëpritur është këngëtarja britanike Pj Harvey bashkë me fotografin irlandez Seamus Murphy i cili ka realizuar 12 videot e këngëve të Hervey-t për albumin e fundit “Let England Shake”. Shfaqen në DokuFest.

Ilustratori Mirko Ilic, ish drejtor artistik në Times Magazine, diskuton për dizajnin politik dhe shoqëror.

Në Muzeun e Hamamit, fotografi norvegjez Espen Rasmussen ekspozon një rrugëtim të refugjatëve nga vendet e botës.

Atmosfera e koncertesh në qytet gjatë tetë netëve në parkun e Marashit mbahet nga grupe muzikore dhe DJ të nga Kosova e rajoni.

Ndërsa numri i madh i njerëzve që pritet të vijnë në Prizren, mund të akomodohen në kampin e Festivalit, DokuCamp, ku për 1 euro në natë të gjithë mund ta shijojnë ambientin e këndshëm buzë lumit.

 

 

Histori

Është një vendbanim rrëzë malesh. Prizreni shtrihet në skajin jugor të fushëgropës së Dukagjinit. Përmes luginës së Drinit të Bardhë dhe Drinit të Madh kalonte rruga Shkodër-Prizren-Prishtinë-Sofje-Stamboll me rëndësi për themelimin dhe zhvillimin e Prizrenit. Zhvillimin e diktuan nevojat e trafikut bashkëkohor në tri rrugë kryesore, të cilat në formë rrezeje shtrihen prej tij drejt Zhurit, Gjakovës dhe Suharekës. Është qyteti i dytë për nga madhësia në Kosovë. Gjatë sundimit osman ka qenë selia e sanxhakut, ndërsa në periudhën 1868-1875 ka qenë edhe seli e Vilajetit të Prizrenit. Në kapërcim të shekujve XIX-XX, aty ishte selia e 5 konsullatave të shteteve europiane: Austro-Hungarisë, Rusisë, Anglisë, Italisë dhe Serbisë. Nevojat e popullsisë plotësoheshin me prodhimet e zejtarisë. Pas LDB sidomos, fillon të zhvillohet industria.

 

Elsa Demo

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit