Publikuar me : 03.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 93 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Kryeministri Berisha kohët e fundit ka shfaqur një prirje mjedisore tek flet për “zhvillimin e qëndrueshëm jeshil” të vendit. Por fakti që mbrojti me shumë forcë ligjin e plehrave dhe importin e tyre tregon ose se është vërtet i bindur se industria e plehrave është ajo që i duhet këtij vendi të bëhet vend i zhvilluar, ose është i kapur nga biznesi ndërkombëtar i plehrave, natyrisht në bashkëpunim me “ekspertë” plehrash brenda vendit. Të gjitha gjasat janë që është kjo e dyta. Pse duket që kemi të bëjmë me kapje?
Shqipëria është vend në zhvillim, i prirur për tu mbarsur me plehra nga jashtë (sidomos nga Italia, eksperiencë e provuar në 2004), por ka dhe një avantazh tjetër të madh që nuk e kanë vendet në zhvillim, se tani ka një legjislacion si vend i zhvilluar (legjislacion të BE-së), që po përpiqet mafia t’a shfrytëzojë. Pikërisht në kohën kur shpërthen kriza e plehrave në Napoli në 2008, në Tiranë del në skenë një shoqatë ricikluesish që i kërkojnë Ministrisë së Mjedisit të krijojë legjislacionin e importit, miratimin e listës së importit të mbetjeve etj. Ndërkohë, këto industri instalojnë kapacitete të mëdha riciklimi, tej kapaciteteve vendase dhe industrialistët e rinj të plehrave bëhen promotor i futjes së neneve të importit të plehrave në mënyrë arbitrare në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve në territorin e Shqipërisë.
Tani, menjëherë pas miratimit të ligjit na mbijnë sa hap e mbyll sytë të paktën 3 fabrika riciklimi, dy prej të cilave nxitoi t’i inaguroi Kryeministri, një në Xhafzotaj për grirjen e skrapit të makinave të vjetra e cila me barkun e madh të saj do bluaj makinat-plehra të botës dhe një fabrikë biokarburantesh në Portoromano që do punoj sigurisht me vajra e llumra të importit.
Sot marrim vesh nga agjenci të huaja se edhe Kurumi në Elbasan ka instaluar një linjë të tillë grirëse metali me kapacitet 800 ton në ditë që sipas agjencisë do të bluajë metale nga vendet fqinje edhe nga Shqipëria (vini re, jo nga Shqipëria dhe vendet fqinje). Në ditët në vijim me siguri do të dëgjojmë për inagurime të tjera që do përpunojnë plehrat e botës. Por që të bëhen këto punë të pista duheshin bllokuar disa ligje që do të mund të pengonin këtë pisllëk. Kështu është bllokuar ligji për vlerësimin strategjik mjedisor dhe hartimi i planit të përgjithshëm kombëtar. Çdo ditë që kalon puzzle po plotësohet; “Shqipëria një plehër në Adriatik”.