Publikuar me : 26.07.2011 Ne :
Kuriozitete - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Arbër Zaimi
Në një intervistë të dhënë të dielën e të publikuar dje te “Shekulli” Edi Rama, tashmë nga një pozicion i ri, nga ai i
ish-kryebashkiakut (sërish kryetar i Partisë Socialiste) rreket t’i japë përgjigje së njëjtës pyetje të vjetër e goxha popullore në elektoratin socialist e jo vetëm: “Si të heqim Salën”.
Se si është përgjigjja, pak rëndësi ka, në momentin që vetë shtrimi i kësaj pyetjeje është i gabuar. Le të hetojmë gabimin që bëjnë të gjithë ata që përpiqen ta shohin shpëtimin te “heqja e Salës”, e me këtë rast të shohim se ku e pse ka dështuar Rama, e për çfarë duhet të mbajë përgjegjësi ai.
Së pari, një nga gabimet më të mëdha të shumëkujt që përfshihet, apo që komenton lojën kundër Berishës është krahasimi i kësaj loje me shahun, ku ka dy palë që përballen dhe synimi është që në fund, të kapet mbreti i kundërshtarit mat – pavarësisht humbjeve në figura apo në ushtarë (ky është vetëm një interpretim banal i shahut, se çdo lojtar i mirë shahu e di që në fund të lojës diferencën e bën edhe një ushtar i vetëm, mirëpo edhe metafora që po përdorim i përket profanëve). Gabimi që bëhet në këtë rast është keqvlerësimi i kundërshtarit dhe i strategjisë së tij – ndërkohë që Berisha e lejon veten të shfaqet si “e keqja sublime” dhe lejon të sulmohet e të shahet nga kushdo, ai mbretëron përmes të këqijave të heshtura e më të vogla, përmes një klani e një oligarkie që rrënjët i shtrin gjer brenda në opozitë, tek individë e grupe me histori korrupsioni, apo tek praktika e sjellje politike që Rama ende vijon t’i mbajë pranë.
Loja e Berishës nuk është shahu, ajo i ngjan më shumë lojës kineze
weiqi, një lojë që luhet në tavolinë, ashtu si shahu, por krejt e ndryshme strategjikisht. Në
weiqi gurët nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri, synimi është që përmes vendosjes së tyre të zësh sa më shumë pozicione në fushë. Nëse arrin të rrethosh gurët e kundërshtarit, i eleminon ato. Në këtë lojë orientale nuk ka mbret për të zënë mat, synimi është të mposhtësh logjikën dhe llogaritë e lojtarit kundërshtar, duke ditur se ai vetë
nuk është në fushë. Kjo ngjan më tepër me lojën e Berishës, se edhe për të “gurët” janë njësoj të rëndësishëm (më shpesh të parëndësishëm), e ai synon të zërë sa më shumë pozicione, qofshin dhe të panevojshme në dukje, synon të rrethojë “gurët” e kundërshtarit, e më pas të
negociojë “arritjet” e veta. Nëse Rama dhe socialistët kanë “mision” të kapin mat Berishën e të tolerojnë gjithçka tjetër që ndodh, ky i fundit në mënyrë sistematike uzurpon
gjithçka, pushtet qendror e lokal, gjyqësor e ndërkombëtar, mediatik e ekonomik. Gjer edhe drejtoritë e shkollave dhe klinikave nëpër fshatra i duhen, se përmes tyre punëson “të superkualifikuarit” e LSI-së.
Për sa kohë PS-ja të fokusojë 100 perqind të vëmendjes së vet tek Berisha, vetëm sa do ta ndihmojë atë që të marrë “fitore” të tjera të vogla, që më pas do të mund t’i “koncedojë” për të marrë lavdinë e “burrit të shtetit”, “tolerantit” e “institucionalistit”. Që të jap një shembull për këtë, kemi rastin e fundit në parlament, kur ligji për censusin u kalua me një votim të parregullt, sepse deputetë të PD-së votuan për dy deputetë që s’ishin. Kjo u provua prej fotografive, por edhe prej të dhënave që tregonin se dy deputetët s’ishin as në Shqipëri në momentin që po u numërohej vota pro. Nëse do të ishin përpjekur pak, socialistët do të kishin mundur t’i tregonin ndërkombëtarëve se çfarë “institucionalisti” është Berisha, duke qenë se njëri prej deputetëve u mor vesh që kishte gjashtë muaj jashtë shtetit, për arsye shëndetësore, e gjithnjë ishte votuar për të. Nuk do të kishte ambasador, sado “mik me Berishën” që ta mohonte dot këtë shkelje kriminale, flagrante, e të përsëritur të kushtetutës. Mirëpo PS nuk foli hiç për këtë, sepse për të ka rëndësi vetëm “vjedhja e votës”.
Po kështu Rama e partia e tij nuk e ka ngritur në çështje sagën e zvarritur të gjyqit të Gërdecit, nuk i ka ngritur në çështje problemet e minatorëve, problemet e punëtorëve të industrisë ushqimore, apo ata të fasonëve, studentët që flaken në papunësi me tefter-diploma, e kështu me radhë problemet e vazhdueshme të klasës më të ulët në Shqipëri, asaj që e ndjen më dhimbshëm në shpinën e vet kamzhikun e varfërisë, padrejtësisë dhe shtypjes së Berishës. S’flas për demagogji mediatike këtu, as për protesta-show, po për organizim të punëtorëve, të të papunëve, të studentëve në një lëvizje tërësisht politike. Nuk i ka ngritur Rama këto çështje, sepse nuk i ndjen si çështje të vetat. Ai, ashtu si shumë të tjerë, gabon kur beson se këto çështje do të mund t’i ngrejë pasi të heqë Berishën, ndërkohë që pikërisht duke heshtur për to, duke mos ngritur më këmbë për varfërinë e për të drejtat e tyre (e jo për votën e vjedhur) punëtorët e të papunët, i jep ndihmën më të madhe Berishës, dhe atyre që mbajnë Berishën më këmbë.
Rama, i kornizuar mes frikërave të veta ndërkombëtariste thotë se nuk ka ndërmend të radikalizohet. E pra, është momenti për ta thënë, Rama nuk ka qenë kurrë radikal, e as nuk mund të jetë i tillë. Radikal, pavarësisht keqkuptimeve të zakonshme që vijnë prej analfabetizmit funksional,
nuk do të thotë i dhunshëm. Radikal është ai që kërkon të ndryshojë rrënjësisht e sistemikisht diçka, e përpiqet që t’ia gjejë anën. Radikal Rama nuk është, e në PS nuk ka radikalë. Së paku të kish, qoftë dhe social-demokratë. Por jo, fatkeqësisht edhe kritikat që i vijnë Ramës nga brenda PS-së janë kritika të natyrës pragmatiste, i kërkojnë të largohet se nuk sjell dot pushtet, i sugjerojnë të lëvizë më në qendër (më në qendër se kaq, vetëm të shkojë krejt djathtas!), i sugjerojnë të komunikojë me Berishën. Mirëpo zgjidhja nuk qëndron aty, zgjidhja qëndron pikërisht në ngritjen në çështje të problemeve bazike, probleme që kanë natyrë ekonomike, e që kërkojnë një lexim të ri, të ndryshëm të realitetit politik (siç mësojnë dhe ekonomistët që kritikojnë arsyet që sollën krizën globale, Stiglitz, Krugman, Roubini etj. për të cituar ca, sa për të lënë të kuptohet që nuk po bëj kritikë prej margjinave).
Rama sot nuk jep më asnjë garanci për fitore të socialistëve, edhe pse ai nuk foli në intervistën e tij për këtë gjë. Nuk jep garanci, sepse Rama ia ndalon vetes armën më të fortë politike, fuqinë për t’i bërë të tjerët
të ëndërrojnë. Ai thotë se nuk ka nevojë për dogma e ideologji (sërish keqpërdorimi i koncepteve), dhe nënkupton që nuk ka nevojë për të imagjinuar diçka përtej atyre që dimë. Ai mendon se problemi është Berisha e vartësit e tij, që i bëjnë “gjërat” keq, e kur të vijë ai do t’i bëjë të njëjtat “gjëra”, por më mirë. Por fakti është se keq janë vetë “gjërat”, dhe Berisha nuk është burim i së keqes, por produkt i saj. Për të imagjinuar një të ardhme më të mirë do të duhej të imagjinonim ndërhyrje të fortë e të mprehtë tek ato “të këqija” që prodhojnë mikro-tiranët e formatit të Berishës (apo Berluskonit, Sarkozisë etj). Nëse jo, ata do të vazhdojnë të jenë gjithnjë aty, përkundrejt një opozite gjithnjë e më pak të majtë e gjithnjë e më pak të suksesshme.