Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Pylli me shteg i Kasem Trebeshines

Publikuar me : 28.06.2011 Ne : Kulture - 183 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Elsa Demo

Në “Shtëpinë e Europës dhe Orientit” ishte nata e Kasëm Trebeshinës. Është botuar drama e tij “La Forêt”. Autori ndodhet në Turqi ku çdo vit kalon muajt e nxehtë ndërsa “La Maison d’Europe et d’Orient” e paraqiti dramën, mbrëmë, nën drejtimin e Frédéric Ferrer në “L’Europe des Théȃtres”, në kuadrin e ditëve të Festivalit Evropian të Përkthimit Teatral. Drama është përkthyer nga origjinali nga Anne-Marie Autissier.

“Pylli – Evandri dhe Nausika” e ka parë dritën e botimit në shqip nga “Faik Konica” në Kosovë. Është pjesë e Antologjisë personale me një cikël dramash që Trebeshina ka shkruar në vitet 1937-2006. Botuesi, “L’Espace d’un instant”, nënvizon se vepra është shkruar më 1976. Drama ka referenca homerike: Evandri, burrë i fortë, mbret i Arkadisë, dhe Nausika vajzë e bukur mbreti, bijë e Alkinout, dashuri e premtuar për Odisenë. Lexuesi ftohet drejt një odiseje bashkëkohore ku luhet akti i mbërritjes së Uliksit në tok’ e feakëve, njerëz të lumë si vetë hyjnorët. Është mbretëri që mbahet nga etja nga për fitime dhe shkëlqimi i pushtetit.

Bota e feakëve është e sunduar nga frika, hipokrizia, marrëzia dhe korrupsioni i të fortëve. Në këtë mbretëri cilido që guxon të pyesë për përditshmërinë e banorëve klasifikohet si person i rrezikshëm dhe i padëshiruar. Edhe kërkimi i Evandrit për këto arsye u pengua. “Nuk ka dyshim se në tekstin e Kasëm Trebeshinës grotesku shkrihet në mënyrë të vazhdueshme me tragjiken. Do të shohin ndonjëherë ditë të bardha qeniet që i kanë katandisur në rang sendesh? A do të jenë më të burgosur në vendet ku jetojnë? Stili i “Pyllit” është i gjallë, shpesh provokativ, gjithmonë mahnitës.

Është ngjarje përkthimi i kësaj metafore të diktaturës, një vepër e panjohur në hapësirën frankofone.” Edhe autori prezantohet nga “L’Espace d’un instant” me pak fjalë për jetën dhe veprën. I lindur në Berat më 1926, i dënuar disa herë për kundërshtimin e vijës politike të regjimit të Enver Hoxhës, poet, romancier e dramaturg, shkrimtar i “realizmit poetik”, siç e ka konsideruar vetë veten Trebeshina. Sepse Kasëm Trebeshina ka një interpretim personal për shkrimtarinë e tij. Këtu s’ka asnjë habi. Për t’u habitur është që studiuesit e tij, profesorët e letërsisë shqipe, ua mësojnë studentëve Trebeshinën sipas shënimeve që ai ka lënë për veten. Është një tregues i mosnjohjes së këtij autori, i veprës së tij të pasur të shkruar përgjatë një gjysmë shekulli e më shumë. Ai përdor termin “realizëm simbolik” për të përcaktuar edhe stilin e disa teksteve të tij dramatike.

Botuesi francez e mbyll prezantimin e Trebeshinës me këto fjalë: “Është një ikonë e teatrit dhe disidencës në vendin e tij.”

 

Trebeshina për teatrin:

Rastësisht atë verë lexova Cidin e Korneit në përkthim dhe përshtypja e parë qe shumë e madhe. Për rreth një vit mendoja vetëm të bëhesha një Kornej, të kisha një teatër… Dhe atje në skenën e teatrit tim, do të viheshin dramat dhe tragjeditë e mia.

“Dafinat e thara”, 1988-2007

 

Nga sa shihet dhe kuptohet, teatri nuk është në krizë! As në lindje dhe as në perëndim! Ndaj dhe nuk ndihet akoma nevoja për një kryengritje në teatër. Kriza qëndron në mendimin dhe në moralin njerëzor.

“Nata para apokalipsit” 1999

 

* * *

Autor – teatër, hapi i ngrirë

Kasëm Trebeshina ka lidhje të hershme me teatrin. Në autobiografinë “Dafinat e thara” (e pabotuar) përshkruan një verë të veçantë leximesh, vera e vitit 1933. Kishte kryer aktet e para dhe të fundit të leximit nga letërsia shqipe (!) dhe një shkëndijë iu fanit: TEATRI. Shkruan: “Rastësisht atë verë lexova “Cidin” e Korneit në përkthim dhe përshtypja e parë qe shumë e madhe. Për rreth një vit mendoja vetëm të bëhesha një Kornej, të kisha një teatër… Dhe atje në skenën e teatrit tim, do të viheshin dramat dhe tragjeditë e mia.”

Pas lufte, Institutin “Ostrovsky” të Teatrit në ish-Leningrad nuk e zgjodhi, por ishte e vetmja mundësi studimi jashtë. Punoi pak kohë aktor i trupës së Teatrit Popullor. Dramaturg, në të njëjtën skenë, ai u prezantua me veprat “Tiranozauri” dhe “Muzeu” vetëm më 1995 dhe më 1998 nga regjisori Gëzim Kame. Të dyja kanë patur sukses që rrallë e ka arritur ndonjë dramë shqipe apo e huaj në këto njëzet vjet.

Trebeshina i ka shprehur në tekstet estetike pikëpamjet për teatrin, tekstin dramatik, raportet e dramës me letërsinë, me mjetet skenike, regjinë etj.. Te një nga esetë e librit “Nata Para apokalipsit” shkruan: “Teksti i shkruar për teatrin nuk ka ndonjë gjë të veçantë që mund ta veçojë nga letërsia. Ai tekst përbën një vepër të mirëfilltë letrare, me një zbulim dhe me një poezi shumë të ngjeshur dhe të thellë. Që këtej del më se e qartë pjesa e madhe që ka letërsia në teatër.” Po aty, për të shprehur qëndrimin kategorik që shkon kundër të gjithë atyre që mendojnë se drama shqipe është në krizë, Trebeshina thotë: “Njerëzit që kërkojnë të hyjnë në histori me një biletë të falur nga dikush, bërtasin me sa kanë në kokë për krizën e teatrit! Ata kujtojnë se mjafton të ngjitësh disa njerëz në skenë, mjafton t’i vësh të flasin ose të ngërdheshen dhe teatri del nga kriza. Të flasësh me njerëz të tillë, ose për njerëz të tillë, do të thotë të humbësh kohën kot! Tragjedia dhe komedia e marrin shtytjen e parë diku në mes të egërsisë dhe arsyes dhe tregojnë shpëtimin e dhëmbshëm fill pas ndërgjegjësimit të njeriut për atë që ndodh në jetën shumë të trazuar.”

Përse askush nuk e fton më Trebeshinën? Përse asnjë regjisor nuk i drejtohet? Përse Teatri Kombëtar nuk e njeh? Për disa arsye kjo situatë është e shpjegueshme. Për para apo për egoizëm, njëherë do të ndalet grykësia.

 

 

Gjatë Festivalit Evropian të Përkthimit Teatral, prezantohen me lexime skenike të dramave të botuara së fundi në gjuhën frënge autorë si Enda Walsh nga Irlanda, Pavel Priajko nga Bjellorusia. Botohet edhe një dramë e Jeton Nezirajt nga Kosova: “Lufta në kohën e dashurisë” (La Guerre au temps de l’amour). Prapë nga Botimet “L’Espace d’un instant” që funksionon si ent botues brenda Shtëpisë së Evropës dhe Orientit. Drejtori artistik i saj, Dominique Dolmieu, specialist i dramaturgjisë bashkëkohore në Evropën Lindore ka kontribuar në qëmtimin e lëndës dramaturgjike nga Ballkani. Prej dhjetë vitesh Botimet “L’Espace d’un instant” ndihmojnë në promovimin e autorëve nga këto territore dhe krijojnë mundësi që veprat të kenë kontakt me skenat perëndimore.

Në këto ditë është ftuar studiuesja e njohur Maria Todorova për takimin me temë: “Réinventer les Balkans”. Todorova është autore e “Ballkanit imagjinar”. E pranishme në diskutim historiania Nathalie Clayer, autorë e disa librave për Shqipërinë. Janë parashikuar edhe lexime në Comédie-Française në kuadrin e “Atelierëve Evropianë Autorë-Aktorë”.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit

Publikuar me : 24.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 69 here.
Elsa Demo Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri. “Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit”, thotë për “Shekullin” Siniša Šešum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të...Lexo te gjithe artikullin »


» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes
» Takim me Elena Kadarene
» Tri minuta ceremonial personal i Rones
» Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP
» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit